Mbi cilësitë e besimtarit të vërtetë
O krijesa të Allahut! Më i dashuri i Tij është ai, të cilit Zoti i fali fuqinë për t’i mbajtur në zap pasionet, në mënyrë të atillë që ana e tij e brendshme të jetë e kredhur në përdëllim, e ana e tij e jashtme të jetë e veshur në frikë. Në zemër të tij driton feneri i udhërrëfimit dhe për të pret e shtruar gostia ditën që do t’i vijë (Dita e vdekjes, kur të kalojë nga kjo botë në jetën e përjetshme). Ai e shikon afër atë që duket larg, dhe e pranon të vështirën për të lehtë.
Ai sodit e percepton e sheh e kujton Zotin tek ngut ritmin e veprimit të tij; e gjen ujin e pishëm tek burimi që arrihet nëpër udhë të hapura lehtësisht e aty pi sa kënaqet e i futet rrugës së rrafshtë (Pa të përpjeta e të tatëpjeta, të cilat do të shpenzonin energji që do duhen për gjëra të tjera, më të rëndësishme. Njeriu që ka gjetur udhëheqjen e drejtë dhe di të nxjerrë mësime, i shmang ndërlikimet e panevojshme gjatë jetës së tij.).
Ai shpëtoi nga brengat, sepse i zhveshi rrobat e dëshirave, përveç njërës që është e veçantë për të. Ai është i siguruar nga rënia në udhë të keqe e nga shoqëria me robërit e pasionit. Ai është çelës për portën e udhërrëfimit dhe dryn për dyert që shpien drejt rrënimit. Ai e ka parë rrugën e tij dhe di të eci nëpër të. Ai e njeh kolonën e tij (Udhëheqëse.) dhe i ka lënë pas ujërat e tij të thella (Momentet e vështira, që mund ta fusnin në dyshim dhe çoroditje.). Ai është mbërthyer pas vegjave që nuk shqiten e pas litarëve që nuk këputen. Ai ka
arritur lartësitë e bindjes, ku është si drita e diellit.
Ai është i vendosur për Zotin e Lavdishëm e për kryerjen e veprave fisnike, duke përballuar çdo gjë që i vjen ndesh dhe duke hedhur hapat e duhura. Ai është çirak në terrin e natës e hedh dritë mbi tërë verbëritë. Ai është bërë i zoti të tregojë udhën nëpër shkretëtirën e pamatë, është bërë perde për terrin dhe dërmë për dredhitë djallëzore. Kur ai flet, bën që të kuptohet, e kur ai hesht, është i sigurtë që ashtu duhet bërë. Ai bëri çdo gjë vetëm për Zotin, prandaj dhe Zoti e bëri të Tijin. Kështu, ai u shndërrua në një minierë të Besimit të Tij dhe në një shtyllë të fuqishme mbi tokën e Tij.
Ai e detyron veten të ndjekë vetëm drejtësinë, duke parë si hap të parë të saj shporrjen e pasionit nga zemra e tij. Ai e thotë të drejtën dhe vepron në pajtim me të. Nuk ka të mirë, që ai të mos e ketë synuar, e as vend të dëshiruar (Të virtytit.), tek i cili të mos ketë shkuar. Fillin e jetës së tij e ka lidhur në vargjet e Kur’anit, që u bë për të udhërrëfyes dhe prijës. Ai shkon aty ku e shpie Kur’ani, dhe ngulet aty ku e vendos Kur’ani.
Karakteristikat e besimtarit të pasinqertë
Tipi tjetër i njeriut është ai që vetëquhet i mësuar pa qenë i mësuar. Ai qëmton padije nga i padituri dhe çoroditje prej të çoroditurit. Ai u ka ngritur njerëzve një grackë të thurur me litarët e mashtrimit e fjalë të pavërteta. Ai e merr Kur’anin si ia duan punët dhe pasionet e tij. Ai i bën njerëzit të ndihen të sigurtë nga mëkatet e rënda e i merr lehtë edhe krimet më të rënda. Pretendon se është në pritje të sqarimit të dyshimeve, por mbetet i zhytur kokë e këmbë në to; thotë se u druhet risive, po është i mbytur në to; zemrën e ka si të bishës dhe vetëm formën ka njerëzore; nuk e di ku është dera e udhërrëfimit për të trokitur, as derën e çoroditjes, për t’i ndenjur larg. Mendja e njerëzve të tillë ka vdekur e është varrosur në trupin e tyre ende të gjallë.
Për pasardhësit (Arabisht, ‘Itre) e Profetit të Shenjtë ‘
Ku jeni duke shkuar’ (Kur’ani, 81:26.) dhe ‘ku lejoni që t’ju shpien?’ (Kur’ani, 6:95; 10:34; 35:3; 40:62.). Simbolet e udhërrëfimit janë më këmbë, shembujt e virtytit janë të qartë dhe minaret e dritës janë ngritur. Pra, në cilin qorrsokak, po futeni dhe si po endeni kështu, ndërkohë që keni midis jush pasardhësit e Profetit? Ata janë fenerët e së Drejtës, shenjat e Besimit dhe gjuhët e së Vërtetës. Jepuni të njëjtin vend që i dhatë dhe Kur’anit dhe shkoni drejt tyre (Për të shuar etjen e udhërrëfimit) si ato devetë e etura kur i afrohen burimit freskishumë.
O njerëz, mbajeni mend atë thënien e Profetit (I) : Ai nga ne që vdes, nuk është i vdekur në të vërtetë, dhe ai nga ne që është kalbëzyer (Pas vdekjes), nuk është kalbëzyer. Mos thoni gjë nga ato që nuk i kuptoni, sepse më e shumta e së Vërtetës është në ato që mohoni. Pranojeni argumentin e atij, kundër të cilit nuk keni argument. Dhe ai jam unë. A nuk kam vepruar unë përpara jush sipas Kur’anit? dhe a nuk i mbaj unë pasardhësit e Profetit midis jush (II)? Unë e ngula flamurin e Besimit në mes jush me fjalën e me veprën time; unë jua mësova caqet e të ligjshmes e të paligjshmes, unë ju vesha me rrobet e sigurisë dhe me drejtësinë time, unë jua shpalosa qilimin e virtytit përpara këmbëve, e unë jua tregova përmes meje sjelljet e larta dhe fisnike.
Mos e lodhni imagjinatën tuaj për atë që syri juaj nuk mund ta shikojë e mendja juaj nuk mund ta perceptojë.
Pjesë e po asaj ligjërate, lidhur me fisin Umejjad Beni Umejjadët do ta mbajnë për një kohë të gjatë në zap shtetin Islam, aq sa njerëzit do të mendojnë se pushteti i tyre do të jetë i përhershëm dhe se mizoritë e tirania e tyre mbi muslimanët nuk do të marrin fund kurrë. Kush mendon kështu e ka gabim. Në fakt janë vetëm disa pak pika nga gëzimi i jetës, që do i thithin për ca kohë; po pastaj do t’i vjellin përsëri të tëra, pak e nga pak.
...................................
(I) Kjo thënie e Profetit është provë vendimtare e pikëpamjes që jeta e pjesëtarëve të Ehli Beitit nuk merr fund dhe që vdekja e dukshme nuk bie asnjë ndryshim në mënyrën e tyre të të jetuarit. Por mendja njerëzore është e paaftë të kuptojë të vërtetën dhe gjithë ngjarjet e kësaj jete. Përtej kësaj bote shqisore ka shumë të vërteta, që mendja e njeriut nuk mund t’i kuptojë. Kush mund të thotë, si do t’u jepet përgjigje pyetjeve të engjëjve Munker dhe Nakir në skutat e ngushta të varrit, ku nuk është e mundur as të marrësh frymë?
Dhe, po kështu: Cili do të ishte kuptimi i jetës së martirëve në çështjen e Zotit, nëse ata nuk kanë as shqisa, as lëvizin dhe as nuk mund të shikojnë e dëgjojnë? Megjithëse ata na duken të jenë vdekur, Kur’ani dëshmon për jetën e tyre: “Dhe mos thoni se kanë vdekur ata që ranë theror në rrugën e Zotit. Jo! Ata janë gjallë, por ju s’i dalloni.” (Kur’ani, 2:154). Në një vend tjetër thuhet për jetën e tyre: “Mos i quani të vdekur ata që u martirizuan në rrugën e Zotit. Jo! Gjallë janë ata, pranë Zotit të tyre, që i mban.” (Kur’ani, 3:169).
Po, përderisa mendjes e gjuhës u vihet një kufizim, që të mos i quajnë dhe shikojnë si të vdekur martirët e zakonshëm, si mundet të mos jenë gjallë gjithë kohës ata, kokat e të cilëve i ishin premtuar shpatës dhe gojët e të cilëve i ishin taksur helmit vdekjeprurës?
Imam Aliu thotë se trupat e tyre nuk do kenë shenja shkatërrimi apo prishjeje me kalimin e kohës, por do mbeten në të njëjtën gjendje që ishin kur ranë martirë. Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur, përderisa ka ende trupa të vdekur që ruhen nëpërmjet mjeteve materiale.
E nëse është e mundur të veprohet kështu me këto mjete, pse duhet të ishte jashtë fuqive të Krijuesit të Plotfuqishëm ruajtja nga ndryshimet e prishja e trupave të atyre, të cilëve Ai u kishte dhuruar bekimin e jetës së përjetshme? Profeti thotë lidhur me martirët e Bedrit: Mbështillini me qefin, edhe pse plagët u rrjedhin gjak. Kur të ngrihen për Ditën e Gjykimit, gjaku ka për t’u dalë nga fytet gulfa-gulfa.
(II) ‘Thikl-i Ekber’ nënkupton Kur’anin, ndërsa ‘Thikl-i Esgher’ Ehl-i Beitin, si në thënien e Profetit:
“Po lë te ju dy gjëra me peshë”, që janë Kur’anin e Ehl-i Beitin. Ka disa arsye, që përdoret kjo fjalë: e para, ‘Thikl’ (Peshë) do të thotë ‘çantë me pajime personale të udhëtarit’, duke theksuar kështu faktin se kjo çantë është tepër e nevojshme për udhëtarin e mbrohet prej tij me kujdes. E dyta, ka kuptimin ‘gjë e çmuar’; dhe duke qenë e një rëndësie kaq të madhe, njerëzit janë të detyruar të ndjekin urdhëresat e Kur’anit e praktikën e Ehl-i Beitit. Zoti i ka marrë masat për ruajtjen e Kur’anit e Ehli Beitit deri në Ditën e Gjyqit të Fundit, prandaj dhe janë quajtur ’Thekalejn’. (Dy gjërat me peshë) Para se të largohej nga kjo botë për në tjetrën, Profeti i shpalli ata të dy si pasuritë e tij më të paçmueshme dhe shprehu amanetin e tij që njerëzit t’i ruanin përjetësisht në mes tyre. E treta, ata janë quajtur ‘Thekalejn’ për shkak të pastërtisë e vlerës së tyre të lartë, sepse ’Thikl’ do të thotë ‘i pastër e i dëlirët’. Lidhur me këtë, Ibn Haxher el-Mekki shkruan:
Profeti i ka quajtur Kur’anin dhe Pasardhësit e Tij ‘Thekalejn’, sepse ’Thikl’ do të thotë ‘gjë e pastër, e dëlirët dhe e ruajtur’, cilësi kjo që është e vërtetë për të dyja. Në fakt, secili prej tyre është thesar i dijes Hyjnore dhe burim i sekreteve të dijes e të urdhëresave fetare. Për këtë arsye vullneti i Profetit ishte që njerëzit t’i ndiqnin dhe t’u mbeteshin besnikë e të merrnin prej tyre dije. Dhe, midis tyre, ai që meriton më shumë të dashurohet është Imami dhe Dijetari i familjes së Profetit, Ali bin Ebu Talibi (Zoti ia ndriçoftë fytyrën) për shkak të mprehtësisë së tij të madhe e bollëkut të dijeve të tij, që ne i kemi përshkruar më përpara. (es-Sawa’ik ul-Muhrike, f. 90).
Meqë Profeti ia ka përshkruar Kur’anin Zotit, nisur nga përfshirja e dukshme e Tij, kurse pasardhësit e tij vetvetes, Kur’ani është quajtur pesha e madhe, duke u bazuar në statusin e natyrshëm të tij, kurse pasardhësit e tij - pesha e vogël. Por, po të nisemi nga pikëpamja e bazimit të veprimeve tona në to, të dyja kanë rëndësi të njëjtë. Ndërkaq është e qartë që, në pikëpamje të dobisë në formimin dhe zhvillimin e karakterit, pala folëse (Ehl-i Beiti) ka status më të lartë në raport me palën jo - folëse. (Kur’ani.)