Ligjërata 86

 

Rreth përgatitjes për në botën tjetër dhe ndjekjes së udhëzimeve të Zotit Zoti di punët e fshehura dhe njeh ndjenjat e brendshme. Ai përfshin çdo gjë në pushtetin e Vet dhe e ka çdo gjë nën kontrollin e Vet. Bëni të gjithë atë që duhet bërë, sa kohë keni jetë e vdekja ju rri larg, sa kohë jeni të ngeshëm e të pazënë me të tjera gjëra, dhe sa kohë frymëmerrni lirisht e jo me supe; çdonjëri nga ju të nozullohet (Krijon rezerva, pajiset) për vete e për udhën që e pret, dhe të mbledhë rezerva nga vendi, përmes të cilit shkon për në vendqëndrimin e tij të përhershëm.

 

Prandaj, o njerëz, kujtojeni Zotin, për atë që ju kërkoi të përkujdesni në Librin e Tij, e për të Drejtat e Tij, që ju besoi. Sigurisht, Zoti s’ju krijoi më kot, as ju bëri të bëni sipas qejfit, as ju ka lënë të vetmuar, në injorancë dhe në terr. Ai ka përcaktuar çfarë të lini pas, ju ka mësuar si të veproni, ka caktuar vdekjet tuaja e ka zbritur te ju ‘Librin që shpjegon çdo gjë’ (Kur’anin). Ai bëri ymër që Profeti i Tij të jetonte në mes tuaj aq sa të zbulonte për vete e për ju mesazhin e dërguar si Libër, e t’ju jepte Fenë që Vet Ai pëlqen. Përmes tij, Ai qartësoi veprimet që për Të janë të mira, veprimet që për Të janë të këqija, si dhe gjërat që Ai jua ka ndaluar.

 

Ai i sosi shfajësimet tuaja ndaj Tij (Pra, nuk la më vend për shfajësime nga ana juaj.) duke ju vënë ballë për ballë me argumentet e Tij. Ai ju shpalli premtimet dhe ju paralajmëroi për shpagimin e ashpër të Tij, prandaj bëjeni durimin zakonin tuaj dhe përmirësojeni gjendjen tuaj në këto ditë që ju kanë mbetur e që janë më të pakta se ditët që mbushët me harresë e shpërfillje ndaj lajmeve të Tij. Prandaj mos i lejoni vetes kohë boshe, se futeni në rrugën e keqbërjes, e mos u tregoni shpërfillës, se shtyheni në mëkatim.

 

O krijesa të Zotit, këshilltari më i mirë i vetvetes është kush i bindet më shumë Zotit, dhe mashtruesi më i keq i vetvetes është kush s’i bindet fare Zotit. Mashtrohet kush pëlqen të mashtrojë vetveten. Ai që e ruan të pacenuar Besimin, duhet patur zili. Është me fat kush merr mësime nga të tjerët, dhe është i mjerë kush bie viktimë e dëshirave të tij. Sadopak hipokrizi në Besim është fare njësoj me besimin në disa perëndi. Shoqërimi me njerëz që janë robër të dëshirës është krejt njësoj me lënien pas dore të fesë dhe bujtjen në strofkën e Djallit.

 

Ruajeni veten nga e pavërteta (Pra, mos thoni gënjeshtra), se është e kundërta e Besimit. Ai që e do të vërtetën, e ka hak shpëtimin dhe dinjitetin, ndërkohë që gënjeshtari ecën mbi tehun e çnderimit e të shthurjes. Mos jini ziliqarë, sepse zilia e bren Besimin siç e ha zjarri eshkën. Mos mbani mëri e mos ushqeni urrejtje, sepse që të dyja janë armike të virtytit. Dhe dijeni: Ambicjet dhe ëndrrat në diell e bëjnë mendjen të harrojë dhe shpërqendrojnë (E largojnë nga kujtimi i Zotit.) kujtesën. Quajini mashtruese këto ëndrra e dëshira se vërtet mashtrojnë. Dhe ikni prej tyre: Ai që beson në to, bie në zhgënjim.