Për Amr bin Asin
Më çudit i biri i Nabighes (Emri i nënës së Amr bin Asit.) kur u thotë Sirianëve se qenkam bufon e i kredhur në qejfe e zbavitje. Ai thotë gënjeshtra dhe flet si mëkatar. Shikoni: Më e keqja e fjalëve është ajo që nuk ka asnjë të vërtetë. Ai flet e mashtron, premton dhe s’i mban premtimet. Ai lutet e bëhet rrodhe, por tregohet shpirtngushtë kur i lutet për diçka dikush tjetër. Ai i tradhton zotimet dhe s’e përfill farefisin. Kur është në luftë, komandon dhe qorton, por veç sa pa u futur ende shpatat në veprim.
Se sapo vjen ky çast, taktika e tij më e mirë është zhveshja lakuriq përpara kundërshtaritI . Për Allah, mua më mban larg dëfrimit dhe argëtimit kujtimi i vdekjes, kurse atë e largon nga e vërteta harrimi i botës tjetër. Ai nuk i është betuar kot Mu’avies për besnikëri, pa marrë më parë fjalën se do t’i paguhet çmimi i saj dhe do t’i shpërblehet braktisja e fesë.
..............................
Imam Aliu aludon për ngjarjen, kur ‘pushtuesi i Egjiptit’, Amr bin Asi, vuri në përdorim tërë arsenalin e kurajos së vet, duke treguar sheshit pjesët më intime të trupit. Kjo ndodhi në betejën e Siffinit, kur ai dhe Imam Aliu patën një dyluftim dhe ai u zhvesh lakuriq për të stepur goditjen e shpatës. Pas kësaj Imam Aliu ktheu kokën në anën tjetër dhe ia kurseu jetën. Lidhur me këtë ngjarje, poeti arab Ferezdek thotë:
A ka më nder Amri, që vdekjen turpëroi,
kur nxorri jasht hallatet e botës ia tregoi?
Por Amr bin Asit nuk i takon nderi i të qenit origjinal as në këtë akt të pacipë, se në fakt ka ndjekur shembullin e një tjetri, që kishte vepruar kështu shumë kohë para tij. Njeriu që e përdori i pari këtë truk ka qenë Talha bin Ebu Talhai, që e shpëtoi jetën e tij në betejën e Uhudit duke u zhveshur lakuriq përpara Imam Aliut, me të cilin ishte në dyluftim; është ai që ua tregoi të tjerëve këtë marifet. Përveç atij dhe Amrit, këtë truk e ka përdorur edhe Busr bin Ebi Artati për të shpëtuar lëkurën - po nga shpata e Imam Aliut. Pas kësaj pune të shëmtuar, Busri shkoi te Mu’avia e ky i kujtoi precedentin e Amr bin Asit për t’i hequr komplekset e turpit: “O Busr, kjo s’ka asnjë rëndësi. Nuk ke pse të ndihesh me turp nga kjo gjë, kështu ka vepruar përpara teje edhe Amr bin Asi.”