Ligjërata 80

 

 Pas betejës së Xhemelit , në lidhje me gratë dhe problemet e tyre:

 

O njerëz! Gratë kanë mangësi në Besim, mangësi në pjesën që trashëgojnë e mangësi në intelekt. Mangësinë e tyre në Besim e provon përjashtimi nga falja e agjërimi gjatë ciklit menstrual. Mangësia e tyre në intelekt shprehet me barazimin e dy dëshmive femërore me atë të një burri të vetëm; kurse mangësinë e tyre në trashëgim e provon fakti që pjesa që ato trashëgojnë është sa gjysma e asaj të burrit.

 

Prandaj ruhuni nga kurthet e grave. Madje dhe prej atyre, që gëzojnë nam të mirë. Mos u shkoni verbërisht pas avazit, qoftë dhe kur është fjala për punë të mira, që të mos munden t’ju tundojnë dhe t’ju tërheqin në punë të liga. 

 

................................................

 

Këtë ligjëratë Imam Aliu e mbajti pas shkatërrimeve që solli beteja e Xhemelit. Në fakt, mjerimet që shkaktoi kjo betejë qenë pasojë e zbatimit të verbër të urdhrave të një gruaje. Kjo i jep shkas Imam Aliut të trajtojë dobësitë fizike e shpirtërore të grave si dhe shkaqet e efektet e tyre në një rrafsh më të gjerë. Kufizimi i parë i tyre vjen nga fakti që grave nuk u lejohet të marrin pjesë në lutje e agjërim gjatë disa ditëve të caktuara të çdo muaji. Tek e fundit, kjo mospjesëmarrje e tyre në adhurim përbën një precedent të mangësisë së tyre në Besim.

 

Dihet që kuptimi i vërtetë i Besimit është dëshmimi i ndier me zemër e bindja e brendshme, megjithatë ai pasqyrohet në mënyrë metaforike edhe te veprimi e karakteri. Në të vërtetë, veprimet janë pasqyrë e Besimit prandaj dhe shikohen si pjesë e tij. Kështu, për shembull, Imam Ali ibn Musa el-Rida thotë: Besimi është dëshmimi me zemër, pranimi përmes gjuhës dhe veprimi me anë të gjymtyrëve. Dobësia e dytë e grave lidhet me faktin që prirjet e tyre natyrore e të lindura nuk lejojnë efektivitet të plotë të intelektit të tyre.

Natyra u ka dhënë atyre aftësi intelektuale vetëm në përputhje me fushat e veprimtarisë së tyre, për t’i udhëzuar në punë të barrës, lindjes, përkujdesjes për foshnjën, kujdesit për fëmijën, si dhe punët e shtëpisë. Këto kufizime të mendjes dhe intelektit bëjnë që dëshmia e tyre të mos gëzojë të njëjtën besueshmëri me dëshminë e një burri. Zoti thotë:

 

“Atëhere thirr të dëshmojnë dy dëshmitarë nga burrat tuaj, dhe nëse nuk ka dy burra, merr një burrë e dy gra nga ata që pranon si dëshmitarë, që njëra prej tyre të kujtojë tjetrën, po qe se gabon.” (Kur’ani, 2:282).

Dobësia e tretë është që pjesa e tyre në trashëgim është sa gjysma e pjesës që ka burri në të. Siç thuhet dhe në Kur’an, “Zoti urdhëron për fëmijët tuaj: Mashkulli duhet ta ketë pjesën e tij në trashëgim sa pjesën e dy femrave.” (Kur’ani, 4:11).

 

Kjo shpjegohet me disa kufizime të gruas. Arsyeja pse pjesa e saj në trashëgimi është sa gjysma e asaj të burrit kushtëzohet nga fakti që përgjegjësia për mjetet e saj të jetesës i bie burrit. Në qoftë se burri ka pozicionin e mbështetësit e të kujdestarit, atëhere është i qartë statusi i gjinisë më të dobët, si gjini që ka nevojë për mbështetje e kujdes.

 

Pasi flet për dobësitë natyrore të grave, Imam Aliu tregon të këqijat e shkuarjes verbërisht pas tyre e të bindjes ndaj tyre pa u menduar mirë. Ai thotë se jo vetëm për gjërat e këqija, por edhe kur bëhet fjalë për gjëra të mira, me to duhet vepruar në mënyrë të atillë, që të kuptojnë se nuk ka qenë dëshira a kënaqësia e tyre ajo që kushtëzoi kryerjen e veprimit, po vetëm fakti se ai veprim ishte vërtet i mirë.

 

Nëse ato do kishin qoftë edhe dyshimin më të vogël që në kryerjen e një veprimi është mbajtur parasysh edhe kënaqësia e tyre, do t’i rritnin kërkesat dalëngadalë dhe do dëshironin që ndaj tyre të kishte bindje në të gjitha punët, qofshin ato edhe të këqija, duke shpurë në mënyrë të pashmangshme në shkatërrim dhe rrënim. Lidhur me këtë pikëpamje të Imam Aliut, Prof. Sheikh Muhammed Abduhu shkruan si më poshtë: Imam Aliu ka thënë një gjë që është vërtetuar plotësisht nga përvoja e shekujve.