Imam Aliu e ka mbajtur këtë ligjëratë në Basra, në lidhje me Merwanin. Pasi u kap rob në Ditën e Xhemelit, ky i fundit iu lut Hasanit e Huseinit të ndërhynin tek Imam Aliu për ta falur. Ata ia përcollën këtë lutje të tij Imam Aliut, i cili e fali dhe e liroi. Atëhere i thanë: “O Prijës i Besimtarëve, ai kërkon të të betohet për besnikëri”. Imam Aliu u përgjegj me këto fjalë:
A nuk m’u betua për besnikëri edhe pas vrasjes së Uthmanit? Tani nuk kam më nevojë për besnikërinë e tij, sepse dora e tij është si e judës. Ma shtrin tani në shenjë bese, po e heq prapë, pa kaluar shumë. Por ai do të vijë në pushtet për aq kohë sa i duhet një qeni të lëpijë hundën e tij, (Pra aq kohë sa i duhet një klyshi qeni të rritet sa të jetë në gjendje të lëpijë hundën me gjuhën e tij.) madje do sundojnë dhe të katër bijtë e tij. (Të gjitha këto parashikime profetike të Imam Aliut u plotësuan fjalë për fjalë.)
Njerëzit do kalojnë ditë të rënda nën të e bijtë e tij.
.........................
Merwan bin Hakami ishte nip (Djali i vëllait.) dhe dhëndërr i Uthmanit. Njihej me nofkën ‘Khaitul Batil’, (Peri i shtrembër) për shkak të trupit të tij të hollë. Kur Abdul-Malik bin Merwani vrau Amr bin Sa’id Eshdakin, vëllai i këtij të fundit, Jahja bin Sa’idi, tha: O bij të Khait ul-Batilit, ju e mashtruat Amrin; njerëzit si ju e ngrejnë autoritetin e shtëpive të tyre mbi mashtrim dhe pabesi.
Babai i tij, Hakami, e kishte pranuar Islamin vetëm si kishte rënë Meka. Ai i kishte sjellur Profetit shqetësime të mëdha me sjelljet dhe veprimet e tij, prandaj Profeti e kishte nëmur atë e pasardhësit e tij, duke thënë: ”Pasardhësit e këtij njeriu do t’u sjellin shumë mjerime njerëzve të mi”.
Së fundi, kur kaloi çdo kufi me intrigat e tij, Profeti e dëboi nga Medina në luginën Daxh (në Taif). Me të kishte shkuar edhe Merwani. Profeti nuk e lejoi të hynte më në Medinë sa ishte gjallë dhe kështu bënë edhe dy kalifët e parë. Gjatë mbretërimit të Kalifit të Tretë, të dy ata, atë e bir, u thirrën në oborr, bile Merwani u ngjit në poste të tilla që i jepnin mundësi të kishte në kontroll tërë pikat kyçe të Kalifatit. Më pas për të erdhën kohë shumë më të mira.
Pas vdekjes së Mu’avia bin Jezidit, u bë kalif i muslimanëve, por sundimi i tij zgjati vetëm nëntë muaj e tetëmbëdhjetë ditë. Pastaj vdiq nga një sëmundje e rëndë, që e detyroi të shoqen t’i ulej pranë e të mos i ndahej deri në frymën e fundit. Katër bijtë, që përmend Imam Aliu në fjalimin e tij, ishin katër djemtë e Abdul-Malik bin Merwanit dhe pikërisht: Walidi, Suleimani, Jezidi dhe Hishami, të cilët u ngjitën njëri pas tjetrit në krye të Kalifatit e kryen bëma nga më të shëmtuarat në histori.
Disa komentatorë thonë se Imam Aliu ka parasysh vet djemtë e Merwanit, të cilët quheshin Abdul-Malik, Abdul-Aziz, Beshar dhe Muhammed. Nga këta kalif i Islamit u bë vetëm Abdul-Maliku, kurse Abdul-Azizi u bë governator i Egjiptit, Beshari governator i Irakut e Muhammedi governator i Xhezires.