Në këtë ligjëratë Imam Aliu tregon se si bëhet Lutja (Si i kërkohen Zotit bekimet Hyjnore) për Profetin
O Zoti im, Shpalosësi i faqes së Dheut e Mbajtësi i të gjithë qiejve, Krijuesi i zemrave, të mira a të liga qofshin, jepi bekimet më të zgjedhura dhe favoret më të larta Muhammedit, shërbëtorit Tënd dhe Profetit Tënd, të fundit në radhën e atyre që erdhën para tij, hapësit të gjithçkaje që ishte mbyllur, shpallësit të së vërtetës përmes së vërtetës, shkatërruesit të forcave të së padrejtës e zbrapësit të sulmeve të çoroditjes.
Sa kishte barrën (E përgjegjësisë së Profetësimit) në shpinë, e mbajti me qëndresë të fortë nën urdhrin Tënd dhe në përmbushje të vullnetit Tënd, pa iu dridhur këmbët, pa iu lëkundur vendosmëria, me bindje ndaj Zbulesës Tënde, në roje të amanetit Tënd dhe duke e shpurë porosinë Tënde nëpër njerëz, derisa u ndez dritë për atë që e kërkonte dhe u ndriçua rruga për atë që endej nëpër terr.
Përmes tij, zemrat erdhën në udhën e mbarë, pasi ishin hallakatur nëpër trazira. Ai i solli simbolet e qarta udhërrëfyese dhe vendimet e shkëlqyera. Ai është kujdestari Yt i besuar, rojtari i thesarit Tënd të dijeve, dëshmitari Yt Ditën e Gjykimit, i dërguari i së Vërtetës, e lajmëtari Yt tek njerëzit.
O Zoti im, përgatit për të nën hijen Tënde një vend të bollshëm dhe jepi të mira që Mirësia Jote i shumfishon.
O Zoti im, shtoja lartësinë shtatit të tij përmbi gjithë lartësitë, ngrije pozicionin e tij pranë Teje, jepi hapësirë rrezëllimit të tij si shpërblim që përmbushi Profetësimin Tënd, lejo që të pranohet dëshmia e tij e që të pëlqe het fjala e tij, se fjala e tij është e drejtë dhe gjykimi i tij është i urtë e i saktë.
O Zoti im, bëna si ai në sjelljen ndaj kënaqësive të jetës, lejona t’i meritojmë si ai bekimet dhe mirësitë e përjetshme, të frymëzohemi si ai nga dëshirat e mira, e të të lutemi si ai për kënaqësitë e pafajshme, lehtësitë dhe bukuritë e jetës, paqen e mendjes e dhuratat e Qiejve të Tu.