Për Cilësitë e Zotit.
Lavdi i qoftë Zotit, për të Cilin një gjendje s’i paraprin një tjetre, sepse kjo do ta bënte të ishte i Mëparshmi përpara se të ishte i Mëpastajmi dhe të ishte i Shfaquri para se të ishte i Fshehuri. Çdo gjë që numërohet si një, (1) përveç Atij, është një se është i paktë (2), e çdo qenie që gëzon nder, veç Atij, është e përunjur dhe e përhumbur. Çdo person i fuqishëm, veç Atij, është i dobët.
Çdo zot (3), veç Atij, është skllav (4).
Çdo njohës, veç Atij, është kërkues i dijes.
Çdo i pushtetshëm, përveç Atij, do ta humbasë dikur apo diku kontrollin mbi veten dhe të tjerët.
Çdo dëgjues, përveç Atij, është i shurdhët ndaj zërave të lehtë (5), ndërkohë që zërat e lartë (6) e shurdhojnë, kurse ata që vijnë nga shumë larg, janë për të fare të humbur.
Çdo soditës, përveç Atij, është i verbër ndaj ngjyrave që nuk shihen (7) e trupave tepër të imtë (8).
Çdo gjë e shfaqur (9), përveç Atij, është e fshehur dhe modeste në Gjithësinë e pamatë,dhe çdo gjë e fshehur (10), përveç Atij, është e paaftë të bëhet e shfaqur (11).
Ai s’e krijoi atë që krijoi për të forcuar autoritetin e Tij, as nga frika e pasojave të kohës, as për të kërkuar ndihmë nga sulmi i ndonjë partneri të barabartë me Të, apo nga ndonjë kundërshtar i urryer e mburravec.
Të gjitha krijesat janë mbarështruar e ushqyer prej Tij dhe janë skllevër të përulur të Tij. Ai nuk është formësuar në ndonjë nga krijesat e Tij, që të thuhet se ekziston në të (12), dhe as është i përveçuar nga ndonjë gjë (13), që të thuhet se nuk ndodhet në të (14).
Atë nuk e lodh krijimi i asaj që solli në qenie, as administrimi i asaj që mban nën kontroll. Atë nuk e kap asnjë dobësi në raportet me krijesat e Tij. Ai nuk ka asnjë dyshim për atë që ka vendosur e komanduar. Vendimi i Tij është i sigurtë, dija e Tij është përfundimtare dhe qeverisja e Tij është përmbi çdo gjë. Atë e thërrasim në kohë mjerimesh, Atij ia kemi frikën kur gëzojmë mirësitë e Tij.
..............................
(1) Si ‘një’ i vetëm, pa të tjerë, jo si ‘një’ ndër, apo si ‘një’ si (shumë të tjerë).
(2) Në numër.
(3) I vetes apo i gjërave të tjera.
(4) I rrethanave.
(5) Duket sikur flitet për realitetin e infratingujve.
(6) Sot i quajmë ultratinguj.
(7) Sot i quajmë infravalë dhe ultravalë.
(8) Sot i quajmë molekula, atome e grimca elementare ose subatomike.
(9) Me individualitet të spikatur.
(10) Me origjinë mistike.
(11) Pra, është jo ekzistente.
(12) Pra, Ai nuk mund të shikohet si pjesë e krijimit dhe e Universit.
(13) Nga krijimi.
(14) Në pikëpamje të kontrollit të Tij mbi të.