Ligjërata 61

 

Imam Aliu tha gjithashtu: Mos i vritni harixhitët (I) kur unë të mos jem më.

 

Ai që kërkon të drejtën e s’e gjen, nuk është si ai (Pra është më i mirë, më pozitiv) që kërkon të padrejtën dhe e gjen. (Aluzion për Mu’avien dhe njerëzit e tij. Paragrafi i fundit i kësaj ligjërate ka të bëjë me një nga vlerat më të larta e më të mëdha të etikës. Ai dëshmon respektin që Imam Aliu përpiqej të ngulte në mendjet e njerëzve për vendimet e sinqerta. Sipas tij, njeriu duhet të ketë të drejtë ta zgjidhë vet çështjen e besimit të tij e për këtë nuk duhet persekutuar, përveçse kur veprimet e tij bëhen të dëmshme për njerëzimin)

 

Sejjid Raziu thotë:

Prijësi i Besimtarëve ka parasysh Mu’avien dhe njerëzit e tij.

 

..................................

 

(I) Arsyeja, pse Imam Aliu e ndaloi shfarosjen e harixhitëve pas tij, ishte kjo: Ai e shikonte qartë që kur ai të mos ishte më, autoriteti dhe fuqia do t’u kalonte njerëzve injorantë në lidhje me xhihadin e vërtetë, e ata do ta përdornin shpatën vetëm në mbrojtje të pushtetit të tyre.

Prej tyre do dilnin njerëz që do t’ua kalonin edhe harixhitëve në përpjekjet për të përbaltur Imam Aliun  dhe për të sharë e shpifur kundër tij. Por ata që janë vetë të padrejtë nuk kanë të drejtë të luftojnë të tjerë njerëz, që janë në të padrejtë. (Në emër të drejtësisë.) Për më tepër, nuk mund të lejohen ata që kanë zgjedhur të padrejtën në mënyrë të vullnetshme që të luftojnë ata që janë gabimisht në të padrejtë.

 

Rrjedhimisht, sipas Imam Aliut futja e harixhitëve në rrugë të shtrembër nuk ishte e vullnetshme, po e ndikuar nga Shejtani, që i bëri ta marrin të gabuarën si të vërtetë dhe t’i përmbahen asaj. Kurse qëndrimi i gabuar i Mu’avies dhe i njerëzve të tij rrjedh nga fakti se ata e hodhën poshtë të drejtën, megjithëse e njihnin si të drejtë, e pranuan si kod të sjelljes së tyre të padrejtën, ndonëse e dinin që ishte e padrejtë.

 

Paturpësia e tyre në çështje të fesë shkonte deri atje, saqë ky pozicionim i tyre s’mund të shikohet si rezultat keqkuptimi, as mund të mbulohet me petkun e lajthitjeve në gjykim, sepse ata i thyen hapur kufizimet që kishte vënë feja e nuk i vinin kurrë mendimet e tyre individuale në balancën e porosive të Profetit.

Për shembull, Ibn Ebi’l-Hadidi tregon për një ngjarje të përjetuar nga Ebu Darde, shok i afërt i Profetit, që i kishte thënë Mu’avies kur e kishte parë tek përdorte sende ari e argjendi: “Kam dëgjuar Profetin të thotë, ‘Ai që pi në enë ari dhe argjendi, do t’i ndiejë në barkun e tij flakët e zjarrit të Skëterrës’”. Këtij qortimi të tij Mu’avia i ishte përgjigjur me këto fjalë: ‘Kurse unë nuk shikoj këtu asgjë të dëmshme’ (Vol. 5, f. 130).

 

Të kësaj natyre janë edhe krijimi më kokë të vet i lidhjeve të gjakut të Ziadit me të vetin, në kundërshtim të plotë me urdhëresën e Profetit, mallkimi i familjes së Profetit gjatë predikimeve në minber, thyerja e ligjeve të Sheri’atit, derdhja e gjakut të njerëzve të pafajshëm dhe vendosja (Në postin e sundimtarit, duke e quajtur veten Kalif) e njerëzve perversë për të qeverisur mbi muslimanët, duke hapur në këtë mënyrë rrugë për antifenë e ateizmin, etj. Të gjitha këto janë ngjarje që s’mund të shpjegohen me moskuptimin e çështjeve. Kjo do të ishte njësoj si të mbyllësh sytë me dashje përpara fakteve.