Ligjërata 119

 

Imam Aliu i kishte mbledhur njerëzit për t’u bërë thirrje për xhihad (I) , por ata heshtën për një copë herë të gjatë. Atëhere ai i pyeti: “Ç’është kështu me ju. Pse ju ka ikur goja?” Një grup prej tyre iu përgjigj: “Po të shkosh ti përpara ne do të vijmë pas”. Atëhere Imam Aliu u tha këto fjalë:

 

Ç’ka ndodhur kështu me ju? A s’jeni udhëhequr në rrugë të drejtë e a s’jeni këshilluar t’i përmbaheni vetëm asaj? A do të ishte vërtetë e urtë, që t’ju prija unë vetë në këto kushte? Puna e do të zgjedh me dorën time midis jush një burrë trim e guximtar e ky të niset. Nuk më shkon mua që ta lë ushtrinë, qytetin, thesarin publik, të ardhurën e tokës, ushtrimin e drejtësisë midis muslimanëve dhe kujdesin për kërkesat e ankesat, për t’i shkuar pas njërit apo tjetrit batalion, duke u hedhur andej-këndej, si ajo shigjeta e vetmuar dhe pa pendë në çantën e gjahtarit. Unë jam boshti i mullirit dhe gjithçka do vërtitet përreth meje, sa kohë që do ta ruaj këtë vend. Po sapo të largohem prej tij, qendra e rrotullimit do të shkojë diku tjetër e bashkë me të do zhvendosen edhe gurët e themelit. Për Allah, po të mos shpresoja në rënien dëshmor gjatë ndeshjes me armikun, siç është caktuar të jetë fati im, unë do t’ia kisha hipur kalit dhe do të isha nisur e s’do t’ju kërkoja më për sa kohë që Veriu të mbetej i ndryshëm nga Jugu.

 

Nuk sjell kurrfarë dobie numri juaj i madh, nëse në zemrat tuaja mungon uniteti. Unë ju kam çuar në rrugën e qartë, ku nuk humbet asnjë, përveç atyre që duan të humbasin vetë. Kush qëndron në të, arrin në Parajsë, kush i bën bisht e ka Skëterrën hak.

 

.............................

(I) Pas betejës së Siffinit, forcat e Mu’avies filluan të sulmonin qytete të ndryshme të zonës që ndodhej nën kontroll të Imam Aliut; atëhere ai u kërkoi irakenëve t’i ndalonin, po këta ngurruan me pretekstin se do ta ndiqnin pas, nëse do t’u printe vetë ai në ballë. Imam Aliu e mbajti këtë ligjëratë, për të treguar kufizimet e pozicionit të tij në këtë drejtim. Ai tregoi se, nëse do dilte vetë ai në fushatë, do pamundësohej qeverisja e punëve të shtetit, përveç faktit që armiku tashmë sulmonte nga anë të ndryshme. Por ç’mund të pritej tjetër nga ata që e shndërruan fitoren e Siffinit në disfatë e që u hapën dyert këtyre sulmeve!