Lidhur me turbullirat e pritshme dhe me Ditën e Gjykimit
Zoti e dërgoi atë me thirrjen drejt së vërtetës dhe si dëshmitar për krijesat e Tij. E ai e përçoi Lajmin pa ngurrim e pa asnjë të metë e luftoi me mençuri dhe pa u fshehur pas shfajësimeve kundër armiqve të Tij në çështje Besimi. Ai është i parë ndër të gjithë ata që janë të përkushtuar, dhe udhëheqës për të gjithë ata që kërkojnë t’u dëftohet udha.
Pjesë e po asaj ligjërate, në të cilën ankohet për njerëzit e tij Po të dinit ç’di unë për të panjohurën e mbajtur në mister, do kishit marrë rrugët me vaj e lotë në sy për bëmat tuaja, do t’i binit kokës me grushte nga pikëllimi, e do t’i braktisnit pasuritë tuaja pa ngurruar e pa kërkuar gjë tjetër në vend të tyre. Atëhere do kujdeseshit vetëm për veten dhe nuk do t’i kushtonit vëmendje njeriu tjetër. Por ju harruat ç’ju ishte thënë të kujtonit e u ndiet të sigurtë nga të këqijat, për të cilat jeni lajmëruar. Për pasojë, mendimet tuaja morën rrugë të shtrembër dhe punët tuaja u ngatërruan keq.
Prandaj dhe i përgjërohem Zotit t’ju ndajë nga unë e të më japë ata që kanë më shumë të drejtë sesa ju për të qenë pranë meje. Për Allah, ata ishin njerëz me mendje të ndriçuar, urtësi të përhershme e fjalë të vërteta. Ata i ndenjën larg rebelimit, ecën drejt me mësimet e Zotit dhe nxituan në udhët e gjera të Tij. Kështu shkuan ata në jetën tjetër të përjetshme dhe morën nderimet e larta që u takonin. Për Allah, mbi ju do sundojë një djalosh nga fisi Thekif, njeri i teprimit, pa karakter, i shthurur e me një ecje lëkundëse. Ai do përlajë bimësinë tuaj e do tretë dhjamin tuaj. Kjo është historia e brumbullit të zi, që mund ta vazhdojë vetë Ebu Wadha.
Shënim i Sejjid Raziut:
‘Ebu Wadha’ nënkupton ‘Khanfese’ . Në këtë shprehje Prijësi i Besimtarëve ka parasysh Haxhxhaxh bin Jusuf Thekafin, i cili pati me ‘Khanfese’-n një incident, që nuk është vendi këtu për ta rrëfyer.(I)
............................
(I) Incidenti është ky: Një ditë Haxhaxhi u ngrit për të thënë lutjet, kur një brumbull i zi fluturoi drejt tij. Haxhxhaxhi i nxori dorën përpara për ta larguar, por ai e pickoi. Nga kjo dora iu enjt dhe ai vdiq. Ibn Ebi’l-Hadidi vë në dukje që ‘Wadha’ quhen edhe bajgat që mbeten ngjitur pas bishtit të kafshëve dhe që ky mbiemër është përdorur për të turpëruar Haxhxhaxhin.