Duke kërkuar shiun O Zoti im! Malet tona janë tharë dhe toka është shkrumbuar. Gjedhët tona të etuara enden të shastisura në vathat e kullotat e tyre dhe rënkojnë siç rënkojnë nënat për fëmijët e tyre të vdekur. Janë lodhur nga të shkuarit livadh më livadh, të përmallura për vende me ujë e gjelbërim. O Zoti im, ki mëshirë për rënkimin e vajin e tyre dhe për mallin e përmallimin e tyre. O Zoti im, ki mëshirë për hutimin e endjes së tyre e për vajtimin e stallave të tyre.
O Zoti im, ne Ty të jemi drejtuar, kur na kanë pllakosur vite thatësire si vargje deveshë kockë e lëkurë, dhe kur retë e shiut na kanë harruar. Ti je shpresa për të dëshpëruarin e ndihma për atë që e kërkon. Ty të përgjërohemi tani që njerëzit i kanë humbur shpresat, që retë na kanë lënë e bagëtia po na ngordh: Mos na kap me punët tona e mos na mbërthe me mëkatet tona, po derdhe mëshirën Tënde përmbi ne përmes reve plot me ujë, lulëzimit të ushqyer nga shiu, gjelbërimit të mrekullueshëm, dhe rrebesheve të rënda, që ia kthejnë jetën sërish gjithçkaje të vdekur e që na sjellin sërish çdo gjë të humbur!
O Zoti im, lëshoje shiun që na jep jetë e na flladit, dhe që na ngjall burimet e rrjedhjet e bollshme, të pastërta, të hareshme, të begatshme, fuqidhënëse e të shpërndara gjithandej. Gjelbërimi do harliset, degët do rëndohen nga frutat dhe gjethet do prarohen. Përmes tij do ringjallësh më të dobtit e krijesave të Tua e do sjellësh në jetë përsëri qytetet e Tua të vdekura. O Zoti im, lëshoje shiun që të mbushë me bimësi të gjelbër pllajat tona, t’u japë lumenjve tanë vorbulla uji e viseve tona jeshillëk, pemëve bollëk e gjedhëve mbarësi, vendeve tona më të larguara lagështirë dhe zonave tona të zhuritura njomësi; jepu jetë universit tënd të mjerë e kafshëve e shtazëve të Tua, me mirësinë Tënde të pafund e me bujarinë Tënde të pamatshme.
Derdhe shiun mbi ne - të paprerë, të rëndë e lagës deri në palcë; që njëra valë e tij të përplaset pas tjetrës, që njëra pikë e tij të shtyjë tjetrën, deri sa të krijojë një çurkë të vetme; që vetëtimat e reve të mos jenë të rreme; që faqet e tyre të mos jenë shterpë dhe vetëm re të bardha e të hallakatura; e që rrebeshi i tyre të mos jetë i lehtë. Vetëm kështu do lulëzojë me gjelbërim të harbuar çdo gjë e prekur nga uria e kështu do risjellë në jetë hareja e tij çdo gjë të zhuritur nga etja. Sigurisht, Ti do ta derdhësh shiun, pasi njerëzit t’i kenë humbur shpresat. Dhe bashkë me të do derdhësh edhe Mëshirën Tënde, sepse Ti je Ruajtësi, je Ai që meriton të madhërohet.
Shënim i Sejjid Raziut, që shpjegon shprehjet e mrekullueshme të kësaj ligjërate: Fjalët e Prijësit të Besimtarëve ‘Inahat Xhibaluna’ do të thonë male që kanë marrë të plasaritura për shkak të thatësirës. Thuhet ‘Insaha es-Saub’ për diçka ose dikë që është munduar; thuhet gjithashtu ‘Insaha-an-Nabt’ ose ‘Saaha’ ose ‘Savvaha’ kur bimësia vyshket dhe thahet. Fjalët e tij ’We Haamat Dawabbuna’ kanë kuptimin ‘i etuar’, kurse ‘Hajam’ do të thotë ‘etje’. Fjalët e tij ‘Hadabir us-Sinin’ përmbajnë shumësin e ‘Hidbaar’ dhe do të thonë ‘deve e dobësuar nga të ecurit e gjatë’. Pra, Imam Aliu krahason vitin me thatësirë me një deve të tillë.
Poeti Arab Zur-Rumma ka thënë:
Deveja dihat e ligur, përdhé shtrirë,
Etje të zhuritur gjerb në shkretëtirë;
Pret edhe përtypet. Pastaj pi pak ujë,
që sërish të niset në të largëtën udhë.
Në fjalët e tij ‘We La Qada-in-Rababuhe’, ‘Qada’ do të thotë ‘pjesë, fragment i vogël i reve të hallakatura andej-këndej’. Fjalët e tij ‘We La Shaffanin Zihabuhe’ janë ekuivalente me ‘Wa la Dhate Shafanin Zihabuhe’. ‘Shaffan’ do të thotë ‘erë e ftohtë’ dhe ‘Zihab’ do të thotë ‘shi i lehtë’. Ai e ka evituar fjalën ‘Dhate’ sepse nënkuptohet nga dëgjuesi.