Ligjërata 114

 

Lidhur me përkorjen, drojën nga Zoti dhe rëndësinë e të punuarit për botën tjetër

 

Lëvduar qoftë Ai, Që e pason lëvdatën me bujari e bujarinë me mirënjohje. Lëvduar qoftë Ai për dhuratat që na bën e sprovat ku na fut. E duam ndihmën e Tij për të na ruajtur nga zemra që u bindet gjërave të urdhëruara me ngathtësi, dhe gjërave që duhen shmangur me shpejtësi. E duam ndjesën e Tij për atë që mbulon dija e Tij e ruhet në dokumentin e Tij, i cili s’lë jashtë asnjë njohuri e s’ka asnjë mungesë. Besojmë në Zotin me besimin e atij që e ka parë të panjohurën dhe e ka marrë dhuratën e premtuar, si dhe me besimin që dëbon çdo dyshim me fuqinë e tij bindëse e largon me pastërtinë e tij çdo besim në shokë të Zotit.

 

Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Zotit, si i Vetëm Që s’ka partner. Dëshmojmë se Muhammedi është shërbëtori e Profeti i Tij, Zoti e bekoftë atë dhe pasardhësit e tij. Këto janë dëshmitë që lartësojnë vlerat e fjalës dhe shtojnë vrullin e veprimit. Balanca ku ato vihen, nuk bëhet më e lehtë dhe balanca, nga ato hiqen, nuk bëhet më e rëndë.

 

Thirrje njerëzve për përkushtim

 

O shërbëtorë të Zotit, ju këshilloj të druheni prej Zotit, Që është shtegu më i mirë për në përtej-jetë dhe garanti i rikthimit tuaj. Përmes tij do mbërrini synimin tuaj e do keni rikthim të suksesshëm. Kështu bëri thirrje dëgjuesi më i mirë dhe thirrësi shpalli e shpjegoi. Ai që ia vuri veshin për ta dëgjuar, e dëgjoi, dhe ai që e dëgjoi, mbajti mend e bëri siç i thanë.

O krijesa të Zotit! Ju e dini si i ka mbrojtur frika e Zotit ata që Ai ka dashur nga gjërat e paligjshme. Ajo ua dha zemrave të tyre drojën e nevojshme për t’i kaluar netët zgjuar dhe ditët në etje1109. Ajo i bëri ta gjejnë kënaqësinë përmes mundimit dhe ujin e bollshëm përmes etjes. Ata e kanë parë të afërt vdekjen, prandaj dhe nxitojnë për punë të mira. Ata s’iu shtruan epsheve të tyre, prandaj dhe s’ia ndajnë sytë vdekjes.

 

Kështu pra, kjo botë është vendi i vdekjes, mjerimit, ndryshimit dhe mësimit. Koha e ka ngritur krahun e saj e kosa e saj e vdekjes s’gabon në shenjë, po bën plagë që s’shërohen; ajo e helmon jetën me vdekje, shëndetin me lëngatë dhe sigurinë me ankth; është hamësja që nuk ngopet kurrë dhe pirësja që nuk e shuan etjen kurrë.

 

E sa për mjerimin, ky nis me atë që njeriu mbledh për të mos e përdorur dhe ndërton për të mos e banuar. Pastaj vjen koha e ai i shkon Zotit, pa marrë me vete as pasuri, as ndërtime. E sa për ndryshimin, kujtoni njerëzit që ishin për t’u mëshiruar e u bënë për t’u patur zili, apo ata që ishin për t’u patur zili e u bënë për t’u mëshiruar, sa humbën kamjen dhe i mbytën hallet. E sa për mësimin, njeriu e gjen në dëshirën që s’arriti, edhe pse ishte aq pranë realizimit, se vdekja u tregua më e shpejtë dhe ia prishi planet; për pasojë, ndodh shpesh herë që dëshira të mos plotësohet dhe që dëshiruesi të mos kursehet. Zot i Madh! sa mashtruese janë punët e kësaj bote, sa shumë e tërbon etjen shuarja e saj me të, dhe sa shumë diell ka në hijen e saj! Ajo që afrohet nuk mund të sprapset, e ai që largohet nuk kthehet më. Lëvduar qoftë Zoti, për afërsinë e të gjallit me të vdekurin, sepse njëri do shkojë tek tjetri; lëvduar qoftë Zoti për largësinë e të gjallit nga i vdekuri, se me të largon njërin prej tjetrit.

 

Sigurisht, asgjë nuk është më e keqe se e keqja, përveç ndëshkimit të saj, dhe asgjë nuk është më e mirë se e mira, përveç shpërblimit të saj. Ajo që dëgjohet në këtë botë është më e mirë sesa ajo që shikohet, ndërkohë që çdo gjë e botës tjetër është më e mirë kur shihet sesa kur dëgjohet. Pra, kënaquni me më shumë dëgjim se me të parë, si dhe me lajmin e së panjohurës. Ta dini që çka është e paktë në këtë botë dhe e shumtë në tjetrën, është më e mirë se çka është e shumtë në këtë botë dhe e paktë në tjetrën. Shihni se sa shumë raste ka, kur ajo që është e paktë jep fitim, dhe ajo që është e shumtë bën dëm .

 

A s’e shihni se ajo që ju është lejuar të bëni, është më e paktë se ajo që duhet të shmangni, dhe se ajo që ju quhet e ligjshme, është më e gjerë se ajo që ju quhet e ndaluar? Prandaj hiqni dorë nga e pakta për atë që është shumë, dhe nga ajo që është e kufizuar për atë që është e gjerë. Zoti jua ka garantuar mjetet e jetesës e ju duhet vetëm të veproni. Pra, pse të jepemi kokë e këmbë pas asaj që na është siguruar e të lëmë pa kryer për hir të saj atë që na kërkohet të bëjmë?

 

Po, për Atë Allah! Është dyshimi ai që ju ka vënë poshtë dhe e ka lëkundur sigurinë tuaj. Ankthi juaj i vërtetë është bërë gjëja e siguruar e ju s’lini gjë pa bërë që të merrni sa më shumë prej saj, aq sa keni braktisur dhe atë që kishit detyrim. Prandaj nxitoni të bëni punë të mira dhe kijeni frikë befasinë e  vdekjes, sepse nuk mund të shpresohet për rikthim të viteve, ashtu si mund të shpresohet për rikthim të mjeteve të jetesës. Çfarëdo që mund të mungojë në mjetet e sotme të jetesës, mund të shpresohet nesër, më me bollëk; por ajo që është humbur nga vitet, s’ka më shpresë të rikthehet në të ardhmen. Shpresë mund të ketë vetëm për atë që pritet që të vijë, kurse vendin e gjërave të shkuara e zë vetëm zhgënjimi. Pra,

“kijeni Zotin frikë, se nga Ai duhet pasur; dhe vdisni vetëm si muslimanë.” (Kur’ani, 3:102).