Lidhur me Islamin
Rrugët më të mira, që zgjedh kërkuesi i afrisë me Zotin për t’u futur në mbretërinë e Tij, janë besimi te Zoti e te Profeti i Tij e lufta për çështjen e Tij, që është maja e Islamit; besimi dhe rikthimi i shpeshtë te shprehjet e Dëlirësisë Hyjnore, që kanë konceptet bazë e më të natyrshme të fesë së ummetit Islam; kryerja rregullisht çdo ditë e faljeve, që është vet shpirti i fesë; pagesa e Zekatit, që është detyrë e pashmangshme e muslimanëve; agjërimi gjatë muajit të Ramazanit, që të pajis me mburojë ndaj ndëshkimeve të rënda të Zotit; kryerja e Haxhxhit në shtëpinë e Zotit dhe Umreja e Tij, që janë dy akte që shmangin varfërinë dhe lajnë shpirtin nga mëkatet; respektimi i farefisit dhe ndihma për të afërmit e skamur, që shtojnë pasurinë dhe zgjatin jetën; dhënia e lëmoshës pa bujë, që të ruan nga difektet; dhënia e lëmoshës publikisht, që të shpëton nga vdekja e keqe dhe e mundimshme; si dhe qenia i sjellshëm, i gjindshëm e i dobishëm ndaj krijesave të tjera të Zotit, që të mbron nga rënia në mjerim dhe në sy të keq.
Lidhur me Kur’anin e Shenjtë dhe Sunnetin Kujtojeni e lëvdojeni Zotin sa më shpesh, sepse ky është kujtimi më i mirë; përma-lluni për atë që i është premtuar besimtarit të devotshëm, se premtimi i Tij është premtim që mbahet; përmbajuni rrugës së Profetit, se ajo është rruga më e shquar; ndiqni Sunnetin e Profetit, se ai tregon më të drejtën e të gjitha sjelljeve; mësojeni Kur’anin, sepse ai është ushqimi më i mirë i mendjes; kërkoni shërim nga drita e tij, se ajo është kura më e mirë e zemrës; e thuajeni bukur përmbajtjen e tij, që është rrëfimi më i mrekullueshëm. Dijetari që nuk vepron në pajtim me njohuritë e tij, vepron si ai injoranti i hallakatur, që s’e gjen dot ngushëllimin në padijen e tij. Thirrja që Zoti i bën të mësuarit është më kërkuese dhe zhgënjimi prej tij është më i madh, prandaj dhe meriton të bëhet më me faj përpara Zotit.