Lidhur me Pushtetin e Zotit
Gjithçka i nënshtrohet Atij, gjithçka është përmes ‘Tij. Ai është ngushëllimi për të varfrit, dinjiteti për të poshtëruarit, fuqia për të pafuqishmit e mburoja për të shtypurit. Ai dëgjon ç’thotë këdo që flet e ia di të fshehtën kujtdo që hesht. Te Ai gjen ushqim çdo gjallesë, tek Ai rikthehet çdo gjë që mbaron.
O Zot! Sytë tanë nuk të kanë parë, që të jemi të vetëdijshëm për Ty1072, po dimë që Ti ke qenë përpara se të përshkruhej krijimi Yt. Ti s’e bëre krijimin sepse ndiheshe vetëm, as e bëre për të nxjerrë fitim. Ai që thërret Ti, nuk mund t’i shpëtojë thirrjes Tënde, dhe ai që e kap Ti, nuk mund t’i shpëtojë kapjes Tënde. Ai që s’të bindet Ty, s’e mpak autoritetin Tënd, e ai që të bindet Ty, nuk i shton gjë Fuqisë Tënde. Ai që nuk pajtohet me Gjykimin Tënd, nuk mund të ta ndryshojë, dhe ai që largohet nga Vullneti Yt, nuk mund të bëjë pa Ty. Të gjitha sekretet janë të hapura para Teje, e të gjithë të munguarit janë të pranishëm pranë Teje.
Ti je i përjetshëm, për Ty nuk ka fund; Ti je pikësynimi më i lartë e tej Teje s’ka më tjetër stacion; Ti je vendi i premtuar i rikthimit, nga i cili s’shkon dot më tjetërkund, veçse drejt Teje. Në dorën Tënde është fati i çdo krijese, tek Ti është rikthimi për çdo qenie të gjallë. Lëvduar qofsh! Sa madhështor është krijimi Yt i dukshëm e sa e vogël është madhështia e tij në krahasim me Fuqinë Tënde! Sa e jashtëzakonshme është Mbretëria Jote e dukshme e sa modeste është ajo ndaj asaj, që na fsheh Hiri Yt. Sa të shumta janë mirësitë e Tua në këtë botë e sa të pakta janë ato në krahasim me bujaritë e botës tjetër.
Pjesë e po asaj ligjërate për engjëjt
Ti, o Zot, i bëre engjëjt të banojnë në Qiejt e Tu e i ngjite lart, mbi tokën Tënde. Në tërë krijimin Tënd, janë ata që e kanë më të shumtë dijen rreth Teje, më të thellë drojen prej Teje e më të madhe afërsinë ndaj Teje. Ata s’kanë ndenjur kurrë në kryqe meshkujsh, as në mitra. Ata s’u krijuan nga ‘ai lëngu emër ndyrë’, që quhet farë; as shpërbëhen nën veprimin e kohës. Aty ku janë, janë përherë nën shikimin Tënd - te rrinë në vendet që u ke dhënë pranë Teje. E përsëri, dëshirat e tyre mbeten vetëm tek Ti dhe adhurimi i tyre për Ty s’njeh fund. Ata s’dinë t’i lënë pas dore urdhrat e Tua. Mjaft të kujtojnë misterin që Të rrethon, për t’i parë punët e tyre si tepër të vogla. Pastaj nisin e qortojnë veten, duke menduar se nuk Të adhuruan aq sa ç’e do e drejta Jote për të qenë i adhuruar, dhe se nuk T’u bindën aq sa ç’e do e drejta Jote për të Të qenë i shërbyer.
Për mirësitë dhe udhëheqjen e Zotit, si dhe për ata që janë mosmirënjohës
Qofsh i Lavdëruar, o Krijues i Adhuruar, për provat e mira që bëre për të vënë në sprovë Krijimin Tënd! Ti e ngrite shtëpinë duke e pajisur për gostira plot me pije, ushqime, bashkëshortë, shërbëtorë, sheshe, lumenj, pemishte e fruta. Pastaj dërgove lajmëtarët me ftesa, por njerëzit s’iu përgjigjën ftonjësve të Tu. Ata s’u ndjenë të bindur për atë që doje Ti t’i bindje, dhe as treguan padurim ndaj asaj që Ti doje të pritej me padurim. Në vend të kësaj iu përveshën kufomës dhe merituan turp duke ngrënë prej saj, e u bashkuan në dashurinë ndaj saj.
Kur dashuron dikush një gjë, zemra e tij verbohet e sëmuret. Shikon edhe më pas, por me sy të sëmurë, dëgjon edhe më pas, po me veshë të shurdhuar. Pasionet e bëjnë copë e çikë mençurinë e tij, bota e vdes zemrën e tij e mendja i digjet pa pushim nga dëshira; në këtë mënyrë, bëhet skllav i saj e i kujtdo tjetri që ka të bëjë me të. Sa herë që kthehet, kthehet drejt saj, e sa herë që vazhdon, vazhdon drejt saj. Asnjë ndalim prej Zotit s’e bën të heqë dorë, e as pranon këshillë nga ndonjë predikues. I sheh ata që janë kapur në pakujdesi, po nuk nxjerr qortim, as kthehet në rrugën e mbarë.
Lidhur me vdekjen
Ajo që ata shpërfillën, u bie mbi kokë. Papritur vjen ndarja nga kjo botë, ku ndiheshin aq të sigurtë, dhe bashkë me të vijnë edhe gjërat që ishin thënë rreth botës tjetër. Sa e vështirë është të tregohen ato që u ndodhin gjatë kësaj rruge! Në çdo anë kanë ankthin e vdekjes dhe pikëllimin për humbjen e kësaj bote, e kjo i bën të ngathët gjymtyrët e tyre dhe ua ndërron ngjyrën e fytyrës.
Dhe vdekja e shton akoma më shumë presionin mbi gjahun e saj. Herëherë hyn midis tij e fuqisë së tij për t’u shprehur, ndonëse ai ndodhet shtrirë mes njerëzve të tij duke i parë me sytë e tij dhe duke dëgjuar me veshët e tij, me mendjen në vend e me intelekt të plotë. Atë kohë sjell ndërmend si e shpenzoi jetën e me ç’punë e mbushi kohën; kujton pasurinë që ka mble dhur duke nxjerrë sytë për kërkimin e fitimin e saj, qoftë me nder apo gjëra të dyshimta. Tani e kanë vënë poshtë pasojat e mbledhjes së saj e po bëhet gati ta braktisë e t’ua lërë atyre që mbeten pas tij. Ata do gëzojnë e fitojnë prej saj. Sa lehtësisht do ta fitojnë të tjerët, po për vetë atë do bëhet zgjedha, nga e cila s’do mund t’i lirohet më zverku. I mbetet vetëm të kafshojë gishtat me dhëmbë nga turpi për gjithçka që iu zbulua për gjërat në çastet e vdekjes. Dhe kështu, pështiroset nga gjithçka që lakmoi sa kohë që jetoi e nis t’i vijë keq pse s’i mblodhi në vend të tij ai që ia kishte zili dhe ishte bërë xheloz për shkak të tyre.
Po vdekja vijon punën me trupin e tij; dhe ja! nisin dhe veshët t’i sillen si gjuha. Dhe kështu mbetet shtrirë midis njerëzve, pa folur me gjuhën e tij dhe pa dëgjuar me veshët e tij, me vështrimin që e shetit mbi fytyra, duke vëzhguar lëvizjet e buzëve të tyre, por pa i dëgjuar fare çfarë thonë. Pastaj vdekja e rrit pushtetin e saj mbi të dhe ia merr dhe sytë, si i kishte marrë më parë dëgjimin. Vjen kështu çasti kur shpirti ndahet nga trupi e ai mbetet kufomë mes njerëzve të tij, që e ndiejnë veten të ndarë prej tij e i largohen me frikë. S’do mund t’i afrohet asnjë ngushëlluesi, as t’i përgjigjet ndonjë vizitori. Pastaj e shpien në një copë të vogël toke për t’ia dorëzuar pasojave të besimit e veprave të tij. Pastaj shterin dhe vizitat pak nga pak.
Lidhur me Ditën e Gjykimit S’do ta shohë më njeri, derisa t’i afrohet fundit të saj ç’u shkrua e urdhërua, punët të përmbushin caqet që u janë caktuar, pasardhësit t’u bashkohen paraardhësve dhe gjithçka të shkojë drejt ringjalljes së krijimit të Tij, ashtu siç vendosi Ai. Pastaj Ai do ta tronditë qiellin e do ta çajë më dysh, do tundë dheun e do ta kthejë përmbys, do t’i çrrënjosë malet e do t’i hallakatë andejkëtej duke i përplasur e thërmuar me njëri-tjetrin me Fuqinë dhe me Pushtetin e Tij.
Atëhere do të nxjerrë nga gjiri i tyre këdo që ata mbajtën brenda, pastaj do t’i ripërtërijë pas një kapitjeje shumëvjeçare e do t’i mbledhë bashkë, pasi i kish hapërdarë gjithandej. Pastaj do t’i marrë një nga një për t’i pyetur për veprat e tyre të fshehta dhe për mendimet e tyre sekrete. Pastaj do t’i ndajë në dy grupe, duke shpërblyer njërin e ndëshkuar tjetrin. Të bindurit do t’i shpërblejë me afërsinë e Tij dhe do t’i mbajë përherë në shtëpinë e Tij, prej nga s’largohet më asnjë banor. Gjendja e tyre nuk do të pësojë më ndryshime, nuk do t’i torturojë më frika, nuk do t’u bjerë më lëngatë mbi kokë, nuk do t’u kanoset më asnjë rrezik, dhe nuk do ndiejnë më nevojën për të udhëtuar.
E sa për mëkatarët, ata do lihen në vendin më të keq, me duart lidhur pas qafe, balluket të mpleksura për këmbësh, veshur me këmisha katrani e me rroba që marrin përherë trajta të reja nga gjuhët e kuqe të flakëve. Do jenë vazhdimisht në ndëshkim e zjarri zhuritës nuk do ketë për ta asnjë pikë mëshire. Dyert nuk do hapen më kurrë për ata që ndodhen prapa tyre, dhe nga brenda do ngrihen veç britma ngjethëse, ulërima, flakë dhe zëra të frikshme. Bujtësit e këtij vendi s’do mund të largohen më prej tij. S’ka çmim t’i lirojë të burgosurit në të, dhe s’ka gjë që do mund t’ua priste prangat. Kjo shtëpi nuk ka moshë, që të mund të shpresohet prishja e saj, dhe as ndonjë cak kohor, që do mund të kapërcehej.
Pjesë e po asaj ligjërate për Profetin e Shenjtë Ai e trajtonte këtë botë si të dyshimtë dhe e gjykonte si të ulët, e mbante si të përbuzshme dhe e urrente. Ai mendonte se Zoti e kishte mbajtur larg saj me qëllim dhe ua kishte shpalosur të tjerëve me përbuzje. Kjo e mbajti larg saj zemrën e tij, syrgjynosi kujtimet e saj nga mendja e tij e bëri që joshjet e saj të mbeteshin të fshehta për sytë e tij, në mënyrë që të mos mund të merrte prej saj veshje, as të shpresonte për të qëndruar në të. Ai pruri nga Zoti thirrjen, e këshilloi popullin e tij si paralajmërues e i ftoi njerëzit për në Parajsë si kasnec i lajmeve të reja dhe të mira.
Për pasardhësit e Profetit të Shenjtë Ne jemi pema e Profetësimit, burimi i mençurisë dhe vendi ku ruhet Mesazhi Hyjnor e ku zbresin engjëjt e Tij. Mbështetësit dhe përkrahësit tanë shpresojnë mëshirë, dhe ata që na urrejnë e na janë armiq presin ndëshkim.