Lidhur me Islamin
Qoftë lëvduar Zoti që vendosi Islamin dhe e bëri të kapshëm për kë i afrohet, e që u dha fuqi shtyllave të tij kundër gjithçkaje që përpiqet ta përmbysë. Zoti bëri prej tij burimin e paqes për atë që kapet pas tij, sigurinë për atë që futet nën çatinë e tij, argumentin për atë që flet rreth tij, dëshminë për atë që lufton me mbështetjen e tij, dritën për atë që kërkon ndriçimin e vetes, botëkuptim për atë që kërkon ta kuptojë këtë botë, mençuri për atë që e ushtron, shenjë udhëheqëse për atë që percepton, shikim për atë që analizon, mësim për atë që kërkon këshillë,
shpëtim për atë që dëshmon, besim për atë që beson, kënaqësi për atë që i beson dhe mburojë për atë që duron.
Ai është më i shkëlqyeri i të gjitha shtigjeve dhe më i qarti i të gjitha kalimeve. Ai i bëri minaret me dinjitet, rrugën të madhe e me dritë, llampat flakëruese, dhuntinë e veprimit të çmuar dhe qëllimet të larta. Në të gjen shaluar një tufë kuajsh të garave, që mezi presin t’i kalërosh. Kush di t’i kalërojë del i nderuar. Rruga kalon përmes dëshmimit e ka për piketa veprat e mira, ndërkohë që vdekja është pikëmbërritja e të gjitha shtigjeve të kësaj bote. Ata që do t’i kalërojnë, do t’i lënë pas të tjerët në Ditën e Gjykimit dhe vendi i tyre i qëndrimit do të jetë Parajsa.
Pjesë e po asaj ligjërate mbi Profetin e Shenjtë
Profeti ndezi pishtarë për kërkuesin dhe vuri shenja të ndritshme për ata që u vonuan nga pengesat. Në këtë mënyrë u bë kujdestari Yt i besuar, dëshmitari Yt për Ditën e Gjykimit, i dërguari me bekimet e Tua dhe lajmëtari i së vërtetës e mëshirës Tënde.
O Zoti im, jepi atij nga drejtësia Jote e dhuroji mirësi nga bujaria Jote.
O Zoti im, lartoje ngrehinën e tij mbi ato të të tjerëve, nderoje kur Të vjen pranë, bëje të lartë pozitën e tij përpara Teje, jepi vend të respektuar, shpërbleje me lavdi e shquarje, dhe bëj që të jemi në anën e tij në Ditën e Fundit - jo të turpëruar, as të hallakatur, as pendestarë, as udhëhumbur, as përçarës, as besëthyes, dhe as të mposhtur nga tundimet.
Pjesë e po asaj ligjërate që u drejtohet pasuesve të tij
Mirësia që ju dha Zoti ju vuri në një vend ku edhe skllevërit që ju shërbejnë e fqinjët e të afërmit tuaj ndihen të nderuar e të trajtuar mirë. Atëhere ju nderonin edhe ata, ndaj të cilëve nuk keni patur meritë, as detyrim. Atëhere ju druheshin edhe ata, që kurrë nuk e kishin ndjerë frikën e sulmit tuaj dhe peshën e pushtetit tuaj. Kurse tani i shihni të thyera amanetet e Zotit dhe nuk ndiheni të cenuar, ndonëse zemëroheni e tërboheni kur thyhen traditat e stërgjyshërve tuaj.
Të mirat e Zotit ju erdhën, pastaj ju ikën e tani janë rikthyer tek ju përsëri; por ju ua dhatë vendin keqbërësve, ua latë atyre përgjegjësitë tuaja dhe i vutë punët e Zotit në duart e tyre, ndonëse ata veprojnë në mënyrë të dyshimtë e synojnë vetëm plotësimin e ambicjeve të tyre. Për Allah, edhe sikur nëpër yje të ndryshme t’ju shpërndajnë, Zoti do t’ju mbledhë patjetër Ditën që për ju do të jetë më e hidhura.
Shënim nga Sejjid Raziu:
Kjo ligjëratë është treguar tashmë edhe më parë, por ne e kemi përsëritur për shkak të ndryshimeve midis dy versioneve.