Lidhur me gjendjen e njerëzve përpara shpalljes së misionit profetik, si dhe me përpjekjet e Profetit për të përhapur Mesazhin Hyjnor
Kështu pra, Zoti e dërgoi Muhammedin si Profet në një kohë kur askush nga Arabët nuk e lexonte Librin, as pretendonte për mision profetik apo zbulesë hyjnore. Atij iu desh të luftonte atë që s’bindej me anë të pasuesve të tij, që i printe drejt shpëtimit duke u ngutur bashkë me ta të mos i kapte vdekja. Kur ofshante ndonjë prej tyre nga vuajta dhe s’bënte dot më tutje për shkak të mundimit, i rrinte pranë sa t’i kushtohej edhe ai të njëjtit qëllim të tij, e largohej veç nga të poshtërit, që nuk kishin asnjë virtyt. Më në fund ia doli që t’u dëftonte se për ku duhej shkuar e t’i shpinte në vendet e tyre të Shpëtimit. Atëhere punët filluan t’u shkojnë mbarë, mulliri i tyre nisi të rrotullohej dhe shtizat e tyre morën drejtim.
Për Allah, isha dhe unë ndër ta së bashku me të, derisa njerëzit u tërhoqën nga paganizmi dhe u mblodhën mizëri rreth litarit të Islamit. Unë nuk tregova kurrë dobësi apo mungesë guximi, as tradhtova, as mbeta mosveprues. Për Atë Zot, unë do ta çaj të gabuarën, derisa të nxjerr të drejtën nga ijet e saj.
Sejjid Raziu thotë:
Një pjesë e zgjedhur e kësaj ligjërate është cituar edhe më parë. Por, meqenëse vura re se tregimi i kësaj pjese ndryshon disi nga e mëparshmja, e gjykova të arsyeshme ta citoja përsëri.