Ligjërata 103

 

Lidhur me përkorjen dhe frikën prej Zotit

 

Shikojeni botën si ata që heqin dorë prej saj e ikin prej saj. Për Allah, ajo do t’i rrënojë në pak kohë të gjithë banorët e saj e do t’u japë dhembje edhe atyre që ndihen të lumtur e të sigurtë. Gjith’ ç’mbaron e largohet prej saj s’kthehet më kurrë, e ju nuk dini e as mendoni, ç’mund të ndodhë. Gëzimi i saj vjen në shoqëri me helmin. Virtytet e vlerat e njeriut në të dorëzohen para dobësisë dhe indife-rencës. Mos u mashtroni nga më e shumta e gjërave të saj, se ju shpien në rrugë të shtrembër edhe pse pëlqehen. Vetëm pak gjëra të saj do mund t’ju ndihmonin me të vërtetë.

 

Zoti mbulon me mëshirën e Tij gjith’ ata që shtrydhin mendjen, dhe nxjerrin mësime që u japin dritë. Së shpejti nuk do jetë më asgjë e kësaj bote, ndërkohë që në botën tjetër është qysh tani në qenie çdo gjë që mbetet në jetë të jetëve. Çdo gjë që ju është e dashur në këtë jetë, do zhduket nga ekzistenca e do humbë përgjithmonë. Të thënat e profecitë janë në ardhje e sipër, dhe çdo gjë që është duke ardhur, duhet parë sikur ka ardhur.

 

Pjesë e po asaj ligjërate për cilësitë e njerëzve të mësuar

 

I mësuar është ai që ia di vlerën vetes; e sa për atë që s’e di sa vlen në të vërtetë, e ka hak të mbetet i paditur. Më i urryeri për Zotin është njeriu që Ai e lë në llogari të vet. Ai shmanget nga udha e drejtë dhe endet pa patur udhëheqje. Kur e flasin për gjërat e kësaj bote, tregohet i gatshëm, por ngathtësohet e bëhet i ngadaltë sapo thirret për mbjelljet e botës tjetër; sikur ajo që e bën aq të zellshëm, të ishte e detyrueshme, dhe ajo që e bën aq të ngathët, të mos i nevojitej fare!

 

Pjesë e po asaj ligjërate lidhur me të ardhmen

 

Do vijë një kohë, kur vetëm besimtari i urtë do ndihet i sigurtë, duke qenë i panjohur kur është i pranishëm, dhe duke mos qenë fare kur nuk është i pranishëm. Të tillët do jenë fenerët e udhëheqjes dhe pishtarët e udhëtimit nëpër natë. Ata s’përhapin shpifje, as i bëjnë publike të fshehtat, as marrin nëpër gojë. Këta janë ata, të cilëve do t’u hapen dyert e Mëshirës së Tij dhe do t’u kursehen mundimet e ndëshkimit të Tij.

 

O njerëz, do vijë për ju një kohë, kur Islami do përmbyset ashtu si përmbyset një enë, me çdo gjë ç’ka brenda. O njerëz, Zoti ju ka mbrojtur nga rreptësia që mund të kishte lëshuar mbi kokat tuaja, por s’do t’ju kthejë nga rruga për në Gjyqin e Fundit. Sepse Zoti ka folur për këtë me më të lartat fjalë: “Sigurisht, në të ka shenja e Ne i vëmë vetëm (me to) në provë.” (Kur’ani, 23:30).

 

Sejjid Raziu thotë:

Me fjalët ‘Kul-lu Mu’minin Navamatin’, Prijësi i Besimtarëve kupton atë që flet pak e nuk bën dot të keqe. Fjala ‘Masa’ih’ është shumësi i ‘Misjah’ dhe përdoret për të treguar ‘njerëzit që përhapin turbullirë’ me anë të së keqes dhe shpifjeve. Kurse fjala ‘Maza’i’ është shumësi i ‘Mizja’ dhe nënkupton ‘njeriun që vë tellallin, me të dëgjuar diçka të keqe për dikë tjetër’. Fjala ‘Buzuru’ është shumësi i ‘Bazur’, që tregon ‘njeriun që flet gjepura dhe shquhet për budallallëk.