Ligjërata 102

 

Lidhur me të njëjtën çështje, si dhe për Ditën e Gjykimit

 

Atë ditë Zoti do t’i bëjë bashkë të mëparshmit me të pastajmit dhe do t’i bëjë të presin më këmbë e në bindje barrën e rëndë të dhënies llogari, si dhe shpërblimin e punëve të secilit. Djersa do t’u rrjedhë lumë deri te buzët e toka do t’u dridhet për nën vete. Më mirë ndër ta do jetë kush do ketë vend për të dyja këmbët, si dhe qiell të hapur mbi vete për të thithur ca më shumë ajër.

 

Pjesë e po kësaj ligjërate lidhur me trazirat e pritshme

 

Trazirat janë si nata e errët. Kuajt tuaj do thyhen në përballjen me to e flamujt e tyre nuk do të sprapsen dot. Ato do t’ju afrohen me frerët shtërnguar fort për t’ju shaluar mirë e bukur. Prijësi i tyre do t’i ngasë flakët dhe njerëzit e tij do djegin me to. Ata janë njerëz që sulmojnë ashpër dhe të etur për terror. Ata që do luftojnë kundër tyre për hir të Zotit, do jenë njerëz që s’i japin rëndësi krenarisë; në faqe të dheut do jenë pak të njohur, por në qiell i njohin mirë.

 

Pjesë e po asaj ligjërate që përmban një profeci për Basran

 

Mjerë ti, o Basra, kur ushtria që do të të sjellë ndëshkimin e Zotit, do shfaqet para teje pa pluhur dhe pa britma. Atëhere banorët e tu do ndeshen me vdekje të përgjakshme dhe me uri të tmerrshme.