Ligjërata 100

 

Në këtë ligjëratë Imam Aliu flet për veten, vdekjen e tij të parakohshme dhe njerëzit që pas tij do t’u vinin në ndihmë muslimanëve

 

Për Profetin e Shenjtë dhe pasardhësit e tij

 

Lëvduar qoftë Zoti që mbulon me Mirësinë e tij të gjithë krijimin e që e ka shtrirë përmbi të Dorën e Tij bujare. Ne e lavdërojmë Atë për të gjitha punët e Tij dhe i kërkojmë të na ndihmojë në plotësimin e të drejtave të Tij. Ne dëshmojmë që nuk ka zot tjetër, veç Tij, e që Muhammedi është shërbëtori dhe Profeti i Tij. Zoti e dërgoi të shpallte vullnetin e Tij e të fliste për kujtimin e Tij, dhe ai e kreu besnikërisht këtë mision, deri sa e mbylli jetën në udhën e drejtë, duke na lënë pas flamurin e së drejtës. (Imam Aliu ka parasysh vetveten)

 

Kushdo që shkon përtej tij, i shmanget Besimit, dhe kushdo që mbetet pas tij, shkon drejt fundit të tij. Kush mbërthehet pas tij, i bashkohet së drejtës që drejton pa patur nevojë për fjalime dhe që është e ngadaltë në të ecur, po e shpejtë kur merr udhë. Kur ju të përkulni kokat përpara tij e të tregoni me gishtat tuaj drejt tij (Si shembulli që duhej ndjekur), atij do t’i vijë vdekja dhe do ta marrë nga kjo botë. Ajo (Familja e Profetit, Ehli Beiti) do të jetojë pas tij aq sa Zoti ka bërë ymër, derisa të nxjerrë në dritë për ju atë që do t’ju mbledhë të gjithëve dhe do t’ju bashkojë përsëri pas këtij shkretimi (T’ju shkrijë e bëjë një pas kësaj përçarjeje. Aludohet për Imamin e Fundit). Mos vini shpresa (Që t’ju udhëheqë.) në atë që nuk del në ballë, (I) e mos i humbni shpresat tek ai që është pas velit të misterit. Mbase ndonjëra nga këmbët e të mbuluarit me mister mund të rrëshkasë, por, sido që të jetë, tjetra do mbetet mbërthyer për vendi, përderisa të bëhen bashkë të dyja aty ku ishin më parë dhe të ngulen fort përsëri. (Mungesa e gatishmërisë për të udhëhequr te ky person, edhe pse nuk i mungon dëshira e fortë për të prirë e besimi i vërtetë te Zoti, mund t’i referohet faktit që ai e gjykon një gjë të tillë të pamundur për momentin, mbase për shkak të numrit ende të vogël të pasuesve të tij. Pra ështe e natyrshme që ai të presë, deri sa pozitat e tij të forcohen në mënyrë të mjaftueshme e të vijë koha e duhur për t’i dalë zot çështjes së tij.)

Kini mendjen! Shembulli i Ehli Beitit është si ai i yjeve të Qiellit, ku çdo yll i perënduar pasohet nga lindja e tjetrit. Bekimet e Zotit për ju janë bërë realitet, përderisa ju tregoi (Përmes meje.) për gjërat që deshët.

 

.........................................

 

(I) Me këto fjalë Imam Aliu u thotë njerëzve të mos zhgënjehen nëse atë kohë shpresat e tyre nuk janë përmbushur plotësisht. Punët mund të ecin mirë përsëri, pengesat mund të largohen nga udha e mbarësisë dhe gjendja mund të përmirësohet ashtu si dëshirojnë ata.