Parathënie e Alame Sherif Raziut, Mbledhësit të ‘Nehxhul Belaga’

 

Me Emrin e Zotit, Mëshiruesit, të Gjithëmëshirshmit.

 

Kështu pra, Lavdia është e Zotit, që e bëri mirënjohjen çmim për mirësitë e Tij, mbrojtje nga shpagim’ i Tij, rrugë për në Parajsë të Tij, dhe mjet për shumë-zimin e mirësive dhe ndereve, të dhëna prej Tij; qoftë i bekuar lajmëtari i Tij, Profeti i Mëshirës, pishtari i njerëzimit, i zgjedhuri nga burimet e Madhështisë, nga familja e nderuar qysh në thellësi të kohëve, pemishte e lavdisë që lartësohet përherë, dega e fisnikërimit, ngarkuar me fruta e gjethnajë, si dhe Ehl-i Beiti - feneri që çan terrin me dritën e Tij, mbrojtja e njerëzve, minarja e shndritshme e fesë dhe flamuri i shpalosur i madhështisë; Zoti derdht’ mbi ‘ta gjithë bekimet që u përgjigjen meritave të tyre, në shpërblim të punëve që bënë, e që janë hak i dëlirësisë së fisit të tyre sa kohë do të agojnë mëngjese dhe do të shndrisin yje përmbi këtë dhé.

 

Në agimet e rinisë sime, ende i ri në moshë, kisha nisur të shkruaja një libër për cilësitë e Imamëve, duke dashur të nxirrja në pah majat e larta të virtyteve dhe të veprave të tyre. Këtë synim të përmbledhjes e bëja të njohur qysh në fillim të librit. Por prej tij munda të përfundoja vetëm pjesën që kishte të bënte me figurën e Prijësit të Besimtarëve. 

(Imam Aliu, të cilit iu dha ky titull nga Profeti Muhammed në Ghadir Khum, në përfundim të Haxhxhit të Lamtumirës.)

 

Pjesët që duhej të merreshin me Imamët e mëpastajmë nuk i mbarova dot, për shkak të pengesave të asaj kohe dhe të problemeve të jetës së përditshme. Librin e kisha ndarë në disa kapituj e seksione. Në pjesën e tij të fundit përfshiheshin shprehje të ndryshme, që Imam Aliu i kishte thënë në ligjërimet e tij të shkurtra, si dhe këshilla, fjalë të urta e proverba të tij.

Po ende nuk kisha mbërritur në fjalimet e tij të gjata dhe analizat e tij të hollësishme.

Tek mahniteshin me shprehjet e tij të hajthme e shumëngjyrëshe, disa miq e vëllezër të mi në besim, që e admironin në mënyrë të veçantë përmbajtjen e këtij seksioni përmbyllës, më shprehën dëshirën që të punoja për një libër, ku të futeshin të gjitha llojet e veprave të Prijësit të Besimtarëve, duke përfshirë dhe punimet e tjera të tij, si ligjëratat, letrat, këshillat, aspektet etike, etj., me bindjen se një libër i tillë do mund të mblidhte në një vend të vetëm mrekullitë e çuditë e elokuencës e të retorikës, margaritarët e shkëlqyer të gjuhës Arabe, dhe shprehjet tërë dritë për besimin, gjëra këto, që nuk ishin mbledhur kurrë më parë në ndonjë libër e as ishin gjendur të gjitha bashkë në ndonjë punim tjetër.

 

Imam Aliu ishte burim i elokuencës, gurrë e retorikës. Prej tij dolën në dritë delikatesa të panjohura të shprehjes e të artit të të folurit, prej tij u mësuan principet e ligjshmëritë e tyre. Janë të panumërt folësit dhe oratorët që kanë ecur në gjurmët e tij, si dhe predikuesit elokuentë, që kanë nxjerrë dobi e vlera prej fjalës së tij.

 

Por askush prej tyre nuk ka mundur të bëhet i barabarti me të; në asnjë fushë. Kështu pra, nderi i qenies më i pari e më i shquari i mbeten vetëm atij, sepse vetëm fjalët e tij përndriten nga aureola e dijes Hyjnore e mbartin aromën e fjalës së Profetit të Shenj-të. Kështu pra, e dëgjova kërkesën e tyre, sepse e dija që do të shpinte në një çmim më të lartë e një famë më të madhe, si dhe në shpërblimin me thesare të pafundme.

 

Me këtë përmbledhje më duhej të nxirrja në dritë madhështinë e përparësinë e Imam Aliut në artin e fjalës, që t’ua shtoja cilësive e meritave të tjera, të panumërta të tij, si dhe të dëshmoja qenien e tij në ballë të radhëve më të para të pararojës së saj, duke provuar veçanësinë e tij nga gjithë ata pararendës, të cilëve u citohen herë pas here fjalimet, nëpërmjet ligjëratave të tij si lumenj të vrullshëm, të cilëve vështirë se ua ndal dot kush rrjedhën, e si një thesar me stoli që nuk kanë të krahasuar. E meqë unë e gjurmoj krenarisht prejardhjen time deri në gjak’n e tij, e shijoj në palcë kënaqësinë që më jep citimi i këtyre vargjeve të Ferezdekut :

 

Pa eja, Xherír, edhe shih:

Këta janë të parët e mi!

Në patsh si ata edhe ti,

M’i thuaj dhe mua, t’i di!

 

Sipas mendimit tim, vepra e Imam Aliut mund të ndahet në tre kategori:

Në fillim janë ligjëratat dhe dekretet e tij, pastaj letrat dhe udhëzimet, e, më në fund, fjalët e urta dhe këshillat e tij. Për çdo kategori u zgjodhën kapituj më vete, duke lënë midis faqe boshe, për të futur gjëra që mund të kishin mbetur jashtë e që mund të gjendeshin ca më vonë; sa për fjalimet standarde në përgjigje të pyetjeve të ndryshme a për ndonjë qëllim tjetër, të gjitha rastet, që nuk i shkonin asnjërës nga ndarjet e mia, i kam futur në kategorinë më të afërt, që u përshtatet më mirë. Në përmbledhje hasen edhe fragmente e shprehje që, me mënyrën si janë renditur, japin përshtypjen e rrëmujës e të pështjellimit. Kjo vjen ngaqë unë vetëm sa i kam mbledhur fjalët e hijshme e të shkëlqyera dhe as kam menduar fare si t’i sistemoj e radhit.

 

Ekziston një cilësi e Imam Aliut, (A,B) ku ai s’ka shok e është krejt i paarritshëm:

Po të lexosh me vëmendje e të thellohesh në veprat e tij pa mbajtur parasysh që autori i tyre ishte një njeri në pozicion të lartë, që mund të bënte ligjin e të kontrollonte fatet e njerëzve, qortimet që bën e fjalët që thotë për jetën e përkorë, përkushtimin dhe frikën prej Zotit mund të krijojnë përshtypjen se i takojnë një njeriu që nuk ka interesa të tjera, përveç oshënarisë (Veçimi nga bota dhe njerëzit, për t’iu kushtuar vetëm Zotit) që nuk njeh punë tjetër, përveç adhurimit, që rri mbyllur brenda mureve të ndonjë shtëpie apo shpelle mali, ku nuk dëgjon tjetër, përveç murmuritjeve të veta, e ku nuk sheh tjetër, përveçse vetveten. Askush nuk do ta besonte, që kjo është fjala e atij që mund të vërsulej në zjarr të betejës me pallën zhveshur për të mposhtur heronj e për t’ua prerë fillin e jetës, e që pastaj kthehej tek ishte me shpatën larë në gjak.

 

E, prapë, ai mbetet më i larti oshënar e më i madhi shenjtor. Ky tipar dallues është një nga ato veçori mahnitëse të Imam Aliut, me të cilat ai mishëronte cilësi që nuk para shkojnë lehtë me njëra tjetrën, duke mbledhur në një person të vetëm madhështi të llojeve të ndryshme. Shpesh ua them këto gjëra edhe vëllezërve të mi në besim, e ata vihen në mejtime për to. Është një temë, për të cilën duhet vrarë vërtet mendja e që ia vlen të diskutohet.

 

 Në disa vende të përmbledhjes hasen edhe përsëritje të fjalëve e shprehjeve; kjo, sepse fjala e Imam Aliut kumtohet në mënyra të ndryshme. Ka ndodhur që ndonjë fjalë e dhënë të jetë gjetur në traditë në një formë të veçantë, kështu që është regjistruar pikërisht në atë formë; më vonë, po ajo fjalë mund të jetë gjetur në një traditë tjetër me ndonjë shtesë të pranueshme apo me stil shprehjeje më tërheqës. Në rastet si këto është pranuar regjistrimi i përsëritur i saj, thjesht për të shmangur humbjen e një fjale të bukur, duke i mbetur kështu besnik qëllimit të përmbledhjes.

 

Ka ndodhur, gjithashtu, që disa fjalime të jenë shfaqur përsëri, pasi janë takuar më parë; kjo, për shkak të largësisë nga njëri rast te tjetri, gjë që, tek e fundit, shpreh pakujdesi dhe shpërfillje. Natyrisht, nuk them dot se e kam mbledhur fjalën e Imam Aliut përfundimisht e nga gjithë anët, as që jashtë përmbledhjes nuk ka mbetur asnjë frazë a shprehje e tij, e çfarëdo lloji qoftë.

Madje nuk përjashtohet mundësia që ajo çfarë ka mbetur jashtë saj, të jetë shumë më tepër nga ç’është mbledhur, apo që ajo që njihet dhe përdoret, të jetë shumë më e paktë nga ç’ka mbetur përtej dorës sime. Detyra ime ishte të përpiqesha me gjithë fuqitë e mia, pastaj ka qenë në Dorë të Zotit të ma bënte rrugën më të lehtë e të më shpinte ku doja; u bëftë siç ka dashur Ai!

 

Pasi e mblodha dhe e shkrova të gjithë materialin, mendova se duhej quajtur ‘Nehxhul Belaga’, që do të thotë ‘Shtegu i Gojëtarisë’. Në fakt ky libër u hap lexuesve të tij dyert e elokuencës dhe e bën më të lehtë qasjen e tyre drejt saj. Përmes tij, dijetari e studenti do përmbushë nevojat që ka, po ashtu oratorët dhe klerikët, të cilët do gjejnë në të të gjitha aspiratat e tyre. Në këtë libër gjendet shtjellimi i mrekullueshëm e i padëgjuar ndonjëherë i temës së Njëshmërisë e Drejtësisë së Zotit e i Qenies së Tij i lirë nga forma e trupit, shtjellim ky, që do ta shuajë një herë e mirë etjen për të mësuar më shumë lidhur me këtë temë, duke ofruar kurimin e duhur për çdo sëmundje herezie e duke larguar çdo dyshim mbi këtë çështje. Unë i lutem Zotit për mbështetje e i përgjërohem të më ruajë nga shmangia në udhë të gabuar, i kërkoj drejtësi për veprimin tim e lus ndih-mën e Tij. Dhe i kërkoj të më mbrojë nga gabimet e zemrës, përpara se të më mbrojë nga gabimet e gjuhës, si dhe nga gabimi në të folur, përpara gabimit në të vepruar.

Ai është Mbështetja ime, Ai është Kujdestari im.

 

Thirri në rrugën e Zotit tënd - me urtësi e këshillë - dhe gjyko me ta si të jetë më e mira. Mbaj parasysh! Zoti yt i njeh mirë ata që dalin nga udha e Tij dhe i di mirë ata që i përmbahen rrugës së drejtë. (Kur’ani, 16:125).

 

.........................................

(A) Ferezdek, emri i vërtetë i të cilit ishte Hemam bin Ghalib, ishte një poet i shquar që vinte nga fisi Beni Darim. Ai bënte sherr shpesh herë me një poet tjetër Arab, të quajtur Xherir bin Atijeh, duke ngacmuar njëri-tjetrin e duke iu mburrur njëri-tjetrit me meritat që kishin. Vargjet që citohen këtu nga Ferezdeku janë një ndër dëshmitë e sherreve të tilla. Ai i drejtohet Xheririt duke dashur t’i thotë:

“Stërgjyshët e mi kanë qenë tamam ashtu, si ke dëgjuar edhe ti; tani dil ti e na thuaj, kush kanë qenë të tutë; e nëse midis tyre do ketë ndonjë të ngjashëm me të mitë, thuaje emrin e tij përpara të gjithëve”.

Me citimin e këtij kupleti e aludimin për të parët e tij, Sejjid Raziu i sfidon të gjithë duke u kërkuar t’i bënin publikë të ngjashmit e tyre me ta, në kishin vërtet të tillë. Pra, edhe pse Ferezdeku i drejtohet vetëm Xheririt, në këtë rast citimi i tij përbën një sfidë universale e të përgjithshme. Tani i sfiduari nuk është më një person i vetëm, sepse gjithkush mund ta shohë veten si të sfiduar. Pikërisht ky përgjithësim e universalizim bën që ftesa për të ‘thënë emrat e të ngjashmëve të tyre’ të mbetet pa përgjigje, njësoj si sfida Kur’anore, ‘atëhere, silleni ju të ngjashmin e tij’.

 

Këtë lidhje e shquarje Sejjid Raziu e vë në dukje në momentin më të përshtatshëm, pasi ka përshkruar më parë madhështinë e personalitetit (Të Imam Aliut.) që e bën aq shumë krenar, duke u marrë sytë lexuesve me shkëlqimin e aureolës së tij dhe duke i detyruar mendjet e tyre të pranojnë fisnikërinë e pozicionit të tij. Pas kësaj, zemrat përulen më lehtë para lartësisë monumentale të njeriut, nga i cili ai rrjedh. Kështu pra, tamam në çastin kur zemrat dhe mendjet bëhen pranuese dhe vihen në pritje, sytë e vetëdijshëm të elokuencës së Sejjid Raziut e kthejnë shikimin drejt vet atij, sikur ai të ishte rreze nga një diell që t’i verbon sytë me dritën e tij gjithëpërfshirëse, apo lastar i një peme gjenealogjike me rrënjët kredhur thellë nën dhé, ndërkohë që degët i treten lart në qiej. Pas kësaj, kush është ai që do mund të mbetej i ftohtë ndaj kësaj origjine dhe shquarjeje e të mos e pranonte madhështinë e lartësinë e tij? (Lidhur me këtë çështje, shiko në këtë libër biografinë e shkurtër të Alame Sherif Raziut në fund të librit)

 

 (B) Historia njeh fare pak njerëz, tek të cilët, përveç një apo dy virtyteve, mund të shfaqen deri në përsosmëri edhe cilësi të tjera të mira, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëjetesën e cilësive që e përjashtojnë njëra-tjetrën të shumtën e herëve. Në fakt, nuk ka temperament që të favorizojë zhvillim të barabartë të të gjitha cilësive. Çdo tipar ka një ritmikë karakteristike zhvillimi dhe çdo virtyt kërkon një klimë të caktuar që të lulëzojë. Karakteret njerëzore u përshtaten vetëm cilësive ose virtyteve, me të cilat pajtohen, ndërkohë që, kur ka kundërshti në vend të harmonisë, prirjet natyrore sillen si pengesa dhe nuk e lejojnë zhvillimin e njërës apo të tjetrës cilësi.

 

 Për shembull, zemërmirësia dhe bujaria kanë nevojë që njeriu të zotërojë në mënyrë të natyrshme përmasën e mëshirës e të frikës prej Zotit, që t’i dhembë zemra kur shikon varfërinë dhe hallet e të tjerëve e t’i prishet qetësia nga vuajtjet e tyre; ndërkohë që natyra imponuese e shpirtit guximtar e luftarak kërkon që, në vend të mëshirës e të dhembshurisë, të zhvillohet pasioni i vrasjes e i gjakderdhjes, që e nxit njeriun të futet në përleshje në çdo kohë e të jetë i gatshëm të vrasë ose të vritet. Këto dy cilësi ndryshojnë kaq shumë nga njëra tjetra, sa duket krejtësisht e pamundur që tek i njëjti njeri të bashkohet delikatesa e bujarisë me aktet e paepura të trimërisë. 

 

Në fakt, është e vështirë të gjesh trimëri te Hatimi  (Figurë historike, e njohur për bujarinë e tij. Shtëpia e tij kishte 40 porta, për ta bërë më të lehtë pritjen e nevojtarëve.) e bujarí te Rustemi.Në këtë pikëpamje, personaliteti i Imam Aliut përbën një dëshmi vërtet unike të pajtimit të plotë të të gjitha shfaqjeve të madhështisë e të harmonisë totale të të gjitha aspekteve të përsosmërisë. Nuk ka patur asnjë cilësi të mirë apo përsosmëri, që ai të mos e ketë patur, as veshje madhështie e bukurie, që të mos i shkonte për shtat personalitetit të tij. Tek ai, cilësitë kundërshtuese të bujarisë e trimërisë bashkëjetonin dhe rrinin krah për krah, pa krijuar as problemin më të vogël. 

 

Ndonëse në bujari kullonte si reja e tejngarkuar me shi, ai mund të përleshej trimërisht në luftë, duke qëndruar i patundur, si një mal. Bujaria dhe toleranca e natyrshme e tij ishin të një shkalle të atillë, saqë ai shpërndante te të varfrit dhe të vuajturit nga uria pjesën më të madhe të çdo gjëje që fitonte si pagë ditore pas një pune rraskapitëse, megjithëse kjo sjellje e tij e vinte herë-herë vet familien e tij në vështirësi për bukën e gojës; ai nuk lejonte kurrë që ndonjë lypës të largohej zemërthyer prej derës së shtëpisë së tij. Zemërgjerësia e tij arrinte deri atje, sa t’i jepte armikut edhe vetë shpatën e tij, (Është fjala për një ngjarje në betejën e Nehravanit. Në një nga duelet, Imam Aliu e kishte çarmatosur kundërshtarin dhe po ngrinte dorën për t’i dhënë goditjen e fundit, kur vuri re se ai po dridhej. Atëhere e uli dorën ngadalë dhe i tha: “Largohu, or mik. Ti nuk je në gjendje që ta mbrosh vetveten”. Ky qëndrim i dha zemër kundërshtarit të tij, që i tha: “Ali! Pse nuk më vret? Kështu do të kesh një armik më pak”. Imam Aliu iu përgjegj: “Unë nuk mund të godas një njeri që nuk mundet ta mbrojë veten. Ti po luteshe për jetën tënde, e ajo t’u kursye”. Atëhere kundërshtari u trimërua edhe më shumë e i tha: “Më kanë thënë se asnjëherë nuk i kthen me duart bosh ata që të luten. Po të të lutesha të ma jepje mua shpatën tënde, a do ma jepje?” Aliu ia zgjati shpatën. Burri e mori në dorë dhe i tha: “Po tani, Ali, kush do të të mbrojë prej meje? Kush do të të shpëtojë nga goditja vrasëse e saj?” Imam Aliu iu përgjegj: “Zoti, natyrisht. Ai do më mbrojë, në qoftë se e do një gjë të tillë. Ai e ka caktuar vdekjen time të bëhet engjëlli im mbrojtës. Mua nuk mund të më dëmtojë askush, pa më ardhur ora, e nuk mund të më shpëtojë askush, kur ajo të më ketë ardhur”. Fisnikëria e këtij mendimi e veprimi e preku armikun. Ai puthi kapistrën e kalit të Aliut e i tha: “Imzot! Ju jeni me të vërtetë një njeri i madh. Jo vetëm mund t’ia falni jetën armikut tuaj në fushën e betejës, por mund t’i dhuroni edhe shpatën tuaj.) mjaft që ai t’ia kërkonte, duke ia besuar jetën e vet vetëm Zotit dhe forcës së duarve të tij të zhveshura.

 

Një poezi Urdu thotë:

Perëndinë kush s’e pranon,

Veçse shpatën ka për jetën.

E mund hasmin kush beson

Edhe po t’ia japë të vetën.

 

Trimëria dhe guximi i tij ishin të atilla, saqë as vërshimet e paprera të ushtrive nuk mund ta lëkundnin apo ta bënin të kthehej mbrapsht. Ai nuk ka humbur asnjë nga dyluftimet e tij të panumërta dhe askush nuk mund t’ia dilte mbanë e të mbetej gjallë, pasi ndeshej me të, sado luftëtar me nam që të ishte. Për këtë, Ibn Kutejbe shkruan në el-Ma’arif:

Kushdo që është ndeshur me të, ka mbetur i vdekur përdhé.

 

 Natyra e ashpër e krenare e trimave nuk u ofron shumë mundësi prirjeve për të menduar e arsyetuar, pa le më aftësive për të paraparë e gjykuar pasojat; kurse Imam Aliu e zotëronte dhuntinë e logjikës në shkallën më të lartë të saj. Lidhur me cilësitë e tij, Imam Shafi’iu shprehet ështu:

 

Dije të pafund shpalos e përdor në jetë, pak gjë ka të tijën, e prapë jep,

ç’të ketë, zemr’ e tij e paqme thërret si trumbetë (Mund të japë edhe kushtrime lufte e të bëjë thirrje për betejë.)

 kush, pra, mund t’i ketë gjithë këto veti, kaq larg njëra-tjetrës, prap’ në harmoni?

Zot nuk mund të jetë; si, pra, ësht’ njeri?

 

 

 Rezultat i arsyetimit e gjykimit të tij të thellë ishte mospranimi i ofertës që i bënë pas vdekjes së Profetit të Shenjtë disa njerëz, të cilët e nxitnin të niste luftë, duke i premtuar të vinin ushtri të tëra nën komandën e tij; në raste të tilla, trimat pa zemër e pa tru nuk e vënë fare mendjen në punë, po hidhen në veprim edhe me cytjen më të vogël. Logjika largpamëse e Aliut llogariti saktë që shpallja e luftës në ato çaste do ta varroste zërin e Islamit nën rrapëllimën e shpatave, përveç faktit që, edhe sikur të arrihej fitorja, do thuhej se e kishte marrë të drejtën e tij me forcën e armëve, gjë që nuk mund të përligjej kurrsesi. Imam Aliu nuk e zhveshi shpatën. Në këtë mënyrë ai i doli Islamit në mbrojtje dhe, në të njëjtën kohë, ruajti të drejtën e tij nga njolla e gjakderdhjes.

 

Kur ndër vena zien gjak trimi dhe flakët e zemërimit e të dufit përvëlojnë kraharorin, është tepër e vështirë të mbahen nën kontroll pasionet e hakmarrjes dhe të ketë sjellje mëshiruese duke dhënë ndjesë apo lënë pa ndëshkuar, aq më tepër kur zotërohet autoriteti e pushteti për të përligjur reagime të ashpra. Por shpata e vetëtimtë e Aliut shndërrohej në kosë vdekjeje vetëm pasi t’u kishte dhënë edhe një mundësi tjetër për të jetuar armiqve të tij, sado të egër që të ishin. Të gjithë e dinë faljen e përgjithshme, që shpalli Imam Aliu në përfundim të Betejës së Devesë. Sipas saj, nuk do t’u bëhej asnjë e keqe gjithë atyre që largoheshin nga fusha e betejës ose që pranonin mbrojtje prej tij; në këtë mënyrë, ai la të iknin pa u ndëshkuar armiq të betuar të tij, si Merwan bin Hakami dhe Abdullah bin Zubeiri. Edhe mënyra si e trajtoi Umm ul-Mu’minin-en (Aishea, njëra nga gratë e Profetit të Shenjtë) ishte shfaqje e pashoqe e fisnikërisë dhe karakterit të tij të lartë. Pavarësisht nga armiqësia e rebelimi i saj i hapur, ai nisi një shpurë me gra në veshje burri për ta përcjellur deri në Medinë.

 

A mundem të kem nderin të jem këtej e tutje truproja juaj dhe të luftoj për ju?” Imam Aliu iu përgjegj: “Dëgjo or mik, lufto për të vërtetën dhe drejtësinë, jo për njerëzit”

 

Shpesh herë njeriu i mashtron të tjerët, madje dhe vetveten, duke u dhënë ligësive të tij personale një veshje qëndrimesh parimore. Si rezultat, krijohet një gjendje kaq e ndërlikuar, saqë është e vështirë të shquhet kufiri midis motivit që e përligj objektivisht veprimin, dhe hakmarrjes personale. Kjo bën që çdo njeri ta ngatërrojë fare lehtë njërin motiv me tjetrin, duke u shfajësuar se ka respektuar Vullnetin e Zotit, ndërkohë që, në fakt, ka kënaqur, nën këtë maskë, pasionin e tij për hakmarrje. Por sytë e mprehtë të Imam Aliut nuk u gënjyen kurrë e ai nuk e lakmoi kurrë lehtësimin e shfajësimin nëpërmjet futjes së vetvetes në lëkurën e një të mashtruari. Tregohet  (Në ‘Mathnawi’ të Mawlana Rumiut.) se në një betejë, pasi Imam Aliu e kishte shtrirë një kundërshtar përdhe, i ishte ulur mbi gjoks, e ky e kishte pështyrë në fytyrë. Si burrë e luftëtar i rreptë që ishte, Aliun duhej ta kishte përpirë tërbimi atë çast e dora duhej t’i ishte lëshuar rrufeshëm mbi të; por, në vend që ta humbiste mendjen, ai u ngrit nga gjoksi i kundërshtarit, që impulsi i shpagimit për krenarinë e fyer të mos ia përdhoste veprimin që përgatitej të bënte, dhe priti sa e rimori veten plotësisht nën kontroll; dhe vetëm pas kësaj e vrau.

 

Nuk ka asgjë të përbashkët midis luftimit e përleshjes dhe një heremiti apo dikujt që e ka frikë Zotin: Në njërin rast shpaloset trimëria dhe guximi, kurse në tjetrin lutja dhe nënshtrimi. Megjithatë, që të dyja këto aspekte shfaqeshin tek Imam Aliu si një unitet i pashembullt: Duart e tij mund të bashkoheshin në devocion të pakrahasueshëm, e po ato duar mund të buronin energji të pashoqe në fushë të betejës; prandaj dhe te ai ndodhte shpesh që çtendosja e vetmisë së lutjes të ecte krah për krah me inkursionet e zakonshme në kaosin e luftës. Nuk ka qenie njerëzore që të mos mrekullohet e nemitet nga skena e Natës së Haririt (Është fjala për një nga betejat më të përgjakshme, që ka ndodhur gjatë një nate përleshjesh në luftën e Siffinit.) kur, duke mbyllur sytë për ta harruar fare ndeshjen e për-gjakshme, që tërbohej përreth tij, Imam Aliu shpalosi përdhé sixhaden e tij të lutjeve e iu kushtua tërësisht faljes, me mendjen e zemrën në paqe të plotë, ndërkohë që shigjetat shqyenin ajrin me tërsëllimë, herë mbi kokën e tij e herë majtas e djathtas tij. Por ai ishte harruar në adhurimin e Zotit, pa patur as frikë e as droje. Pasi mbaroi, e hodhi dorën përsëri mbi shpatë. Beteja e egër, që ndodhi më pas, nuk ka të dytë në histori. Nga të gjitha anët ishte një pështjellim i madh e një lëvizje kaotike, për t’u larguar kush e kush më parë prej tij. As zërat nuk shquheshin më dot se të kujt ishin. Vetëm herë pas here ngrihej në qiell e drithëronte mbarë fushën e luftës e thirrura e tij e zakonshme ‘Allahu Ekber’.

 

Të gjithë e dinin që çdonjëra nga këto thirrje do të thoshte një armik më pak. Ata që i numëruan këto Tekbire (E thirrura (slogani) ‘Allahu Ekber’ (Zoti është i Madh).) regjistruan pesëqind e njëzet e tre të tilla. Si rregull, prirjet për studimin dhe njohjen e Zotit nuk shkojnë fare me ushtrimin e luftës.

Por Imam Aliu i adhuronte ngjarjet mësimdhënëse e diturore po aq sa fushatat luftarake. Ishte ai që i mbolli fushat e Islamit me farën e dijes dhe i ujiti me gurrat e së vërtetës, ashtu siç derdhi mbi to lumenj gjaku të armiqve që vrau nëpër beteja. Ndodh shpesh herë që prirja për dituri të shoqërohet me dobësimin e veprimit, në mos shkaktoftë paralizën e plotë të tij.

Por Imam Aliu shkelte me të njëjtën siguri nëpër shtigjet e dijes dhe të veprimit, siç e tregojnë edhe vargjet e Imam Shafi’iut, që u cituan më lart. Shembujt e pajtimit mes fjalëve e veprave janë mjaft të rrallë, por Imam Aliu u printe gjithmonë me veprim fjalëve të tij, siç e thotë edhe vetë ai:

O njerëz, unë nuk ju ftoj për ndonjë veprim, pa u hedhur në të përpara jush; dhe nuk ju ndaloj që të bëni diçka, pa ia ndaluar vetes përpara jush.

 

Kur flasim për heremitë e besimtarë të mirëfilltë, shohim me sytë e mendjes fytyra të vrenjtura, e kjo për faktin se devocioni shoqërohet zakonisht me gjendje të përvuajtura shpirtërore, të cilave u shkojnë këto lloj pamjesh. Tek këta njerëz do mund të shikohej si gjest i padenjë qoftë edhe vetëm hija e buzëqeshjes. Kurse pamja e Imam Aliut rrezatonte përherë natyrën e tij të gjallë, pavarësisht nga devocioni i tij i pakrahasueshëm dhe vetmohimi i tij i skajshëm. Edhe librat e tij shpërndajnë të njëjtën dritë të brendëshme, që i ndriçonte fytyrën, ku i endej përherë një buzëqeshje shakatare.

Asnjëherë s’u viza-tuan dot të plota rrudha në ballin e tij, siç ndodh rëndom me oshënarët e rrëgjuar. Kjo natyrë e tij ishte aq e zakonshme, sa njerëzit që s’mundeshin dot t’i gjenin ndonjë të metë, quanin të tillë harenë e përhershme të gjendjes së tij shpirtërore. Sipas tyre, vlera e një shenjtori matet me hidhësirën e karakterit dhe vranësirën e fytyrës.

 

E vërteta është që njerëzit zemërngrohtë e me temperament të gëzuar nuk e kanë të lehtë që të ushtrojnë autoritet mbi të tjerët; por fytyra e qeshur e Imam Aliut kishte aq shumë dinjitet dhe frymëzonte aq shumë respekt e drojë, sa askush s’i qëndronte dot shikimit të tij. Një herë Mu’avia ishte shprehur me qesëndi:

“Zoti e bekoftë Aliun. Ishte vërtet njeri shend e verë!”

Por Kajs bin Sa’adi ia kishte kthyer: “Për Atë Zot, pavarësisht gjendjes shpirtërore të hareshme dhe fytyrës së tij të qeshur, ai ngjallte më shumë nderim e frikë se një luan i uritur; dhe ky nderim e kjo frikë ndaj tij buronte nga përkushtimi i tij fetar, ndryshe nga nderimi që të dëshmojnë sirianët e tu servilë”.

 

Aty ku ka rregulla dhe pushtet, ka edhe turma shërbëtorësh e punëtorësh si dhe shkallë fisnikërie e madhështie, plot sajesa e salltanete; kurse qeverisja e Imam Aliut ka qenë sisë më të lartë.  Njerëzit shihnin tek ai një turban  (Çallma që mbajnë në kokë klerikët islamë. Sejjidët (pasardhësit e Familjes së Profetit në linjën e Imamëve) mbajnë turban të zi, kurse klerikët e tjerë mbajnë turban të bardhë.)  të leckosur, në vend të kurorës mbretërore, një mantel të arnuar, në vend të mantelit mbretëror, dhe dyshemé dheu të zhve-shur, në vend të qilimit e fronit mbretëror.

Imam Aliu nuk e ka dashur kurrë madhështinë dhe pompozitetin, dhe as ka lejuar ekzibicione (Shfaqje ose tregim demonstrativ i diçkaje, sjellje ekstravagante, e bërë me qëllimin për t’u rënë në sy të tjerëve) madhështie. Një herë shkonte kaluar, kur Harb bin Shurhabili iu bashkua e nisi të ecte përkrah tij më këmbë, duke u rrekur të bisedonte me të për diçka. Por Imam Aliu i tha: “Largohu. Njeriu që ndjek më këmbë sundimtarin hipur mbi kalë i bën atij një shërbim të keq, ndërkohë që i fyen besimtarët thellë në shpirt”

 

Imam Aliu ishte një personalitet i shumanshëm, tek i cili rrinin tok lloj-lloj cilësishë kundërshtuese, pa përjashtuar apo dobësuar njëra-tjetrën. Me shkëlqimin e tyre të plotë, ai mishëronte në një njeri të vetëm të gjitha vetitë më të mira, sikur të ishte bashkim i disa njerëzve, secili prej të cilëve mund të ishte trupëzimi më mahnitës i një virtyti të caktuar në formën e tij më të përsosur e më autentike.

 

Mendja dhe sytë e njeriut nuk mund të mos gurosen e shtangen nga habia, tek shohin në një njeri të vetëm gjithë këto mishërime. Një poezi persiane thotë:

 

Të shtrenjtin tim plot nur e hir e magjiplotë e gjerb,

e ha me sy,

po neps’n s’e shuaj dot ...

hiret e tij pa fund, oh!

ç’m’i zhuritën sytë, ndër ‘to nuk ka asnjë,

ta ketë dikush i dytë ...

 

Thirri në rrugën e Zotit tënd - me urtësi e këshillë - dhe gjyko me ta si të jetë më e mira. Mbaj parasysh! Zoti yt i njeh mirë ata që dalin nga udha e Tij dhe i di mirë ata që i përmbahen rrugës së drejtë. (Kur’ani, 16:125).