Fjalë për Botimin e Parë

 

Është her’e parë që lexuesi shqiptar njihet drejtpërdrejt në gjuhën e tij me veprën dhe mendimin e Imam Aliut. Kjo është, pa dyshim, nga ato njohje që përfundojnë me dashuri, me një nga ato dashuri që flakërojnë tërë jetën dhe që me zjarrminë e tyre djegin të keqen, duke pastruar e përsosur. Shkaku është i thjeshtë: Imam Aliu është në çdo vështrim vepër mjeshtërore e një mjeshtri që s’e kalon dot kush: Zotit. Kur njeriu futet në librat e shenjta e njihet me fjalën e shenjtorëve të mirëfilltë, siç është Imam Aliu, ndjen se ajo është nga Fjal’ e Zotit.

 

Gjuha në të cilën ajo është shkruar e koha kur është thënë mund të jenë të ndryshme, e kjo është e natyrshme, sepse u është dërguar popujve të ndryshëm, me zakone dhe probleme të ndryshme e në epoka të ndryshme. Por mesazhi i saj mbetet përherë i njëjtë dhe i pandryshuar. Është ai mesazh, pikërisht, që jep një bazë reale për bashkëjetesë vëllazërore të besimeve të ndryshme. Njeriu dhe besimtari bindet se kjo fjalë është e pastër si kristal dhe e kupton menjëherë se, nëse ndonjëherë ka dyshuar në të, kjo ka ndodhur ngaqë njerëzit që ia kanë prurë, nuk i kanë patur kurdoherë kapacitetet apo virtytet që do duheshin për këtë punë, por u janë përshtatur interesave të kohës apo atyre vetiake, si dhe të njerëzve të pushtetshëm të kësaj bote.

 

Kështu, njerëzit e besimtarët e thjeshtë ndeshin dy lloje predikuesish të dogmave fetare. Të parët janë ata që puna ua kërkon të futin ndër to lëshime e symbyllje ndaj antivlerave dhe djallëzores. Zakonisht këto u vijnë për mbarë atyre që e shikojnë fenë si një lloj mode e kozmetike, me të cilën mund të zbukurojnë e maskojnë jetën e tyre boshe e mëkatare. Numri i të tillëve sa vjen e rritet në kohët tona, se këto lloj dogmash përligjin kënaqësitë e kësaj jete tokësore, sado të shfrenuara e të çfarëdolloji qofshin, së bashku me të këqijat që sjellin me vete; po prapë, këta njerëz e shohin veten besimtarë, pra dhe të falur.

Në fakt këto prirje i mëkon dhe grupi i atyre që puna ua do të futin në dogma intolerancë, padije e mospërfillje ndaj vlerave pozitive e vërtet të perëndishme. Dhe kështu ndodh që Fjala e Zotit të shihet në njërin rast si ‘liberale e moderne’, e në tjetrin si ‘jashtë kohe dhe e prapambetur’.

 

Po ai që e ka Zotin në zemër vërtet dhe vetvetiu e që dëshiron ta njohë  Atë në dritën e Tij të vërtetë, e ka një mundësi t’u shpëtojë këtyre kurtheve: Mjafton që ta dojë sinqerisht një gjë të tillë e të njihet drejtpërdrejt me Fjalën e Tij, të profetëve të Tij dhe të shenjtorëve e martirëve të mirëfilltë të çështjes së Tij. Dhe atëhere ai do kuptojë sa djallëzore është ta gjykosh këtë Fjalë nga këndvështrime thjesht oportune, duke mohuar vlerën e saj të përjetshme e universale. Sepse s’ka fare dyshim që aspirata për mirësi e për jetë dinjitoze e të dëlirët, që është thelbi i saj i vërtetë, nuk mundet asnjëherë dhe në asnjë mënyrë që të vjetrohet e zëvendësohet me të kundërtën e saj.

 

Më tutje, do të thosha se lexuesi, në veçanti ai musliman, që e ka patur zemrën kurdoherë te Zoti i Madhërishëm e Profeti i Tij i Shenjtë, dhe veçanërisht bektashinjtë, që kanë pirë edhe në burimin ujëkthjellët të Imam Aliut, do të ndihet krenar për këtë fenomen të rrallë e të mrekullueshëm të ekzistencës njerëzore, duke ardhur natyrshëm në bindjen se nuk ka si të jetë e prapambetur e jashtë kohe Fjala që ai ka përhapur, përfaqësuar e lënë amanet Ky libër është vet Aliu, tashmë dhe në gjuhën tonë, është dëshmia më e besuar e dhuratës hyjnore, që Zoti ynë i Vetëm i ka dhënë Ehli Bejtit.

(Families së Profetit Muhamed.)

 

Fryma që marrim prej tij ka qenë e paskëtaj do të jetë edhe më shumë themeli i fortë i ringjalljes, ekzistencës dhe përparimit të mëtejshëm të Islamit e Bektashizmës në vendin tonë e gjithë vendet e tjera, ku regëtin akoma pulsi i Besimit. Botimi i këtij libri jep rast të mbushet një boshllëk i madh në universin shpirtëror të atyre që ende e shohin veten krijesa të Zotit, e u trazon ndërgjegjen atyre që tashmë jetojnë, për fat të keq, në shkretëtirën shpirtërore të indiferencës e dorëzimit te iluzionet e kësaj bote e të lloj-lloj ideologjive e autoriteteve djallëzore.

 

Me botimin e këtij libri përmbushim të gjithë nga një detyrim e shlyejmë të gjithë nga një borxh: Kryegjyshata Bektashiane - ndaj etërve e frymëzuesve shpirtërorë të Bektashizmit e klerikëve, besnikëve, simpatizantëve e martirëve të tij në gjithë kohët e vendet; vet unë - ndaj Dede Ahmed Myftarit të Ndritur, mësuesit tim, që më formoi e brumosi me bindje të patundura bektashiane; vëllezërit e mi bektashianë - ndaj sivëllezërve të tyre të çdo feje tjetër hyjnore në Shqipëri, në një çast të vështirë të historisë së saj. 

(Shkrimi i kësaj ‘Fjale’ përkon me ngjarjet tragjike të viteve 1997-98 në Shqipëri.)

 

Për këtë u jam mirënjohës të gjithëve; megjithëse s’ka dyshim se kështu i kanë shërbyer më mirë Vet Zotit e vetes së tyre, në radhë të parë. Ky hap e kjo arritje jep shpresë se bektashinjtë do ta rindërtojnë, më në fund, identitetin e tyre të plotë dhe do të bëhen të ndërgjegjshëm për përmasat e vërteta të forcës së tyre e të vendit të tyre në Shqipëri e botë, si dhe për rolin që u takon të luajnë e për detyrat e secilit anëtar të vëllazërisë sonë në emër të Zotit të Madh, të Vetëm, të Vërtetë e Mëshirëmadh. Për lehtësi botimi, ‘Nehxhul Belaga’ botohet fillimisht në tre vëllime të veçanta, që janë: ‘Thënie të zgjedhura të Imam Aliut’, ‘Letra e shkrime të zgjedhura të Imam Aliut’ dhe ‘Ligjërata e fjalime të zgjedhura të Imam Aliut.  

(Në fakt, për shkaqe të ndryshme, botimi I i këtij libri u bë në dy vëllime. I pari përmbledh thëniet e zgjedhura të Imam Aliut (Teheran, 1998), kurse i dyti (Teheran, 2000) – letrat dhe ligjëratat e tij të zgjedhura. Botimi II bëhet në një vëllim të vetëm, duke ruajtur të njëjtën renditje të pjesëve përbërëse)

 

Në fakt kjo radhë përkon me shkallën e vështirësisë së përmbajtjes së secilit vëllim dhe synon që në krye t’i japë lexuesit atë që është më e lehtë e më e asimilueshme, për ta përgatitur të kuptojë e shijojë, më pas, edhe thellësitë e filozofisë e të universit mistik të Imam Aliut.

Zoti na ndihmoftë t’ia dalim mbanë kësaj pune që mund të mbushë, pa e tepruar, një jetë të tërë njeriu!

 

Prof. Dr. Sokrat AMATAJ