Fjalë për Botimin e Dytë

 

Kanë kaluar rreth pesëmbëdhjetë vjet që nga botimi i parë i plotë në Shqip i librit ‘Nehxhul Belaga’. Sot jam më i bindur se asnjëherë tjetër që jeta e një njeriu është vërtet pak për të shquar e përcjellur tek lexonjësit të gjitha vlerat e një vepre si ajo. Tërë këtyre viteve i jam kthyer e rikthyer shqipërimit tim vazhdimisht duke e përkëdhelur e ledhatuar, sa shpesh herë më është dukur si fëmija ime e si pjesëtar i familjes sime.

Kjo ‘fëmijë’ kishte përherë një pushtet të çuditshëm e të parezistueshëm mbi mua: Mund të më merrte për dore e shpinte drejt mrekullive e zbulimeve të reja, e të më bëhej mësues i rreptë dhe i pagabueshëm në çështjet e kuptimit të jetës, formimit tim si njeri, Zotit dhe Emrave të Tij, sjelljes, etikës, vetëpërmbajtjes, qëllimshmërisë së qenies në këtë botë, etj. 

 

Përtej lustrave bajate, që u vijnë për shtat veç interesave të vogla e meskine të një pjese të mirë të klasës sonë politike e sahanlëpirësve tanë të çdo kohe, mbetem përherë i mendjes se ne Shqiptarët kemi nevojë të ndryshojmë më shumë se çdo popull tjetër në këto çështje e ta largojmë një herë e mirë mallkimin që na bën ta kërkojmë të keqen tonë tek tjetri, e jo te vetja; përndryshe do mbetemi si jemi - modele të krenarisë boshe, papërgjegjshmërisë, dembelizmit, injorancës, paqytetarisë, egoizmit, makutërisë, tradhtisë, lakmisë, vanitetit, servilizmit, mosnjohjes dhe shpërfilljes së autoritetit e të ligjit, nënshtrimit ndaj së keqes e së ligës, mburrjes, kapadaillëkut, mungesës së dinjitetit, thashethemit, arrogancës e të shumë e shumë paudhësive të tjera, që na kërrusin përditë, na korruptojnë në çdo nivel e qelizë dhe na shpien larg e më lag asaj që kemi qenë e që duhet të jemi.

 

Imam Aliu mëson:

Mjaft më me këmbënguljen kokëfortë në përqafimin e së keqes, vetëm sepse ka të tjerë, që rrijnë ende qafë-më-qafë me të! Mjaft me të tjerët! Bëj vetveten!

E ky mësim i tij vlen për të tërë, edhe për ata që nuk besojnë në Zot e amshim, nëqoftëse duan vërtet që të ketë humanizëm e drejtësi në shoqëritë ku jetojmë. Si e tillë, vepra e Imam Aliut nuk e ka vendin vetëm në këndin e librit bektashian.

Ajo u drejtohet zemrave të të gjithë njerëzve, pavarësisht besimit e bindjes që kanë. Nëpërmjet saj njeriu mund ta ndryshojë vetveten përnjëmend, mjafton që ta kuptojë vërtet nevojën e ndryshimit dhe të dëshirojë vërtet që ta ndryshojë.

 

Sigurisht, Zoti e ka bërë të bukurën që t’u tregojë njerëzve udhën drejt Tij. Ky është edhe parimi kryesor, që unë respektoj më shumë në punën time si propagandues dhe përhapës i vlerave të botës islame e të botëkuptimit islam kryesisht në rrafshin personal, por edhe në atë shoqëror, larg çdo politizimi, ideologjie dhe sëmundjeje tjetër të kohës. Po ai më është bërë një obsesion i vërtetë, sidomos gjatë shqipërimit të kësaj vepre, sepse gjithmonë kam dashur që ajo të zinte vend në bibliotekat e atyre që s’janë çliruar ende nga paragjykime e ide të gabuara për fenë Islame dhe personalitetet e saj. Nuk përjashtoj këtej besimtarët e Islamit.

Po duket se ata që lëvrojnë e konsumojnë letrat islame i drejtohen më shumë, për fat të keq, vetëm njëri-tjetrit, vetëm muslimanëve, duke krijuar, dashje pa dashje, mjedise të mbyllura, ku është e natyrshme të mendohet për ngritje muresh e thellim hendeqesh që ndajnë, pa vrarë mendjen se si i shohin ‘të tjerët’ të ngujuarit brenda tyre.

 

E pra, për mua, ruajtja e urave dhe folja e një gjuhe të kuptuar e pranuar nga të gjithë është një instrument që i jep shumë mirëkuptimit dhe bashkekzistencës së të gjithëve. Kjo është arsyeja pse në shqipërimet e mia s’u përmbahem disa konvencioneve rutinë, herë-herë të detyrueshme, për besimtarët muslimanë: Jo se i shpërfill a i quaj të tepërta, por sepse çdo gjë duhet t’i përshtatet kohës, vendit dhe qëllimit të përdorimit të saj.

 

 Dua të besoj se kjo është më e mira mënyrë për të qenë të njohur e të mirëkuptuar nga të gjithë vëllezërit tanë në krijim. Sepse, siç thotë Imam Aliu, njerëzit janë armiqësorë ndaj asaj që nuk njohin e nuk kuptojnë. E nëse kështu ia dalim të përfaqësojmë vlerat e vërteta të kulturës, qytetarisë, fesë, filosofisë e traditës islame dhe t’i bëjmë të respektohen, siç e meritojnë, nga ‘të tjerët’, patjetër që do ta kemi vëmendjen, res-pektin, mbështetjen, madje edhe zemrën e mendjen e gjithë bashkëqytetarëve tanë të kësaj bote.

 

Prof. Dr. Sokrat AMATAJ