Planet dhe linjat e kërkimit studimor Mus’hafi (Libri i madhërishëm):
1. Në kuptimin gjuhësor
2. Në terminologjinë e sahabëve
3. Në transmetimet e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)
4. Në lajmet e shkollës së kalifave, mus’hafi i Halid bin Mi’danit
5. Njohja e mus’hafit me gjithçka që është shkruar dhe është bërë nga të dy faqet
6. Mus’hafi në terminologjinë e popujve të mëparshëm
7. Mus’hafi i Fatimes, vajzës së të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
8. Mus’hafet e sahabëve
9. Mus’hafi i të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Politika e zhveshjes dhe e mëvetësimit të mus’hafit, nga hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
1. Në kuptimin gjuhësor
Es-Sahijfetu - fleta, pergamena është ajo mbi të cilën mund të shkruhet. Shumësi i kësaj fjale është sahaif dhe suhuf, ndërsa mus’haf dhe mis’haf: Grumbullimi e tubimi i këtyre letrave në një libër, ndërmjet dy kapakëve të tij. (Kthehu tek Lënda “Suhuf”, te fjalori “Es-Sihah”, i El-Xhevherij (ka ndërruar jetë në vitin 393 hixhri). Fjalori “El-Muhkem”, i Ibn Sejideh (ka ndërruar jetë në vitin 458 hixhri). “El-Mufredat”, i Er-Ragib (ka ndërruar jetë në vitin 502 hixhri). “Lisanul-Arab”, i Ibn Mendhurit (ka ndërruar jetë në vitin 711 hixhri). Fjalori “El-Muhijt”, i Fejruz Abadij (ka ndërruar jetë në vitin 816 ose 817 hixhri).
Në lidhje me komentimin e fjalës ed-dufetu kanë thënë: “Është ana e gjithçkaje dhe faqja e saj. Dy anët e daulles janë dy lëkurat që e rrethojnë atë dhe që goditet mbi to.” Nga ky kuptim vjen edhe dy anët e mus’hafit. Thuhet: E ka mësuar librin nga kapaku në kapak, (Kthehu te fjalori “Taxhul-Arus”, i Ez-Zubejdij (ka ndërruar jetë në vitin 1205 hixhri), si dhe te fjalori “El-Vesijt”, Lënda “Defefe”) pra, e ka memorizuar të gjithë librin. Bazuar në ato që përmendëm, mus’hafi është emri i një libri me kapak të trashë.
(Në gjuhën e sotme njihet me termin: kapak me lidhje speciale (Sh. P.))
Kjo për arsyen se, po të ishte fletushkë, mbi të cilën mund të shkruhet, shumësi i saj do të ishte suhuf, ndërsa mus’hafi është shumësi i suhufeve– fletëve, dy faqet e saj. Ndërsa duffetane janë dy kapakët e librit. Kështu që mus’hafi, në këtë rast, për ne, ka kuptimin e librit me kapak të trashë (me lidhje speciale).
Kështu që: Mus’hafi është një emër që përdoret për çdo libër me kapak të trashë, qoftë ai Kur’an apo ndonjë libër tjetër.
2. Në terminologjinë e sahabëve
Termi mus’haf, në kuptimin gjuhësor, është përdorur në transmetimet e grumbullimit të Kur’anit, deri në kohën e Othmanit. Buhariu transmeton nga Zejd ibn Thabit, se kalifi Ebu Bekër e urdhëroi atë me grumbullimin e Kur’anit. Zejdi ka thënë:
“Unë fillova ta grumbulloj Kur’anin. Suhufet kanë qenë tek Ebu Bekri, deri sa ai ndërroi jetë. Më pas tek Omeri, e pastaj tek Hafsaja, vajza e Omerit.”
Pas kësaj, transmetohet nga Enesi dhe përmbledhja e këtij transmetimi është:
“Kur Othmani donte të grumbullonte (tubonte) Kur’anin, e dërgoi atë tek Hafsaja. Na i dërgoi suhufet, që t’i shtojmë (kopjojmë) në mus’hafe dhe pastaj t’i kthejmë ato tek ti…"
(Sahijhul-Buharij, “Virtytet e Kur’anit”, K. “Grumbullimi i Kur’anit”, 3:150.)
Është e qartë se fjalët suhuf dhe mesahif, në të dy transmetimet e mësipërme, janë përmendur me të njëjtin kuptim gjuhësor, “Libër me kopertinë”. Një tjetër sqarim, më i madh se sa ai i Buhariut, është ai i ardhur nga Ibn Daud Es-Segjestani, tek libri i tij “El’-Mesahif”, në kapitullin “Grumbullimi i Kur’anit në mus’hafe”, ku transmeton nga:
a- Muhamed bin Sijrijn ka thënë:
“Kur Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ndërroi jetë, Aliu (Paqja qoftë mbi të!) u betua se do ta vishte rrobën e tij vetëm për xhuma, deri sa Kur’anin ta grumbullonte në mus’haf."
b- Ebi El-Alijeh ka thënë:
“Ata e kanë grumbulluar Kur’anin në mus’haf gjatë udhëheqjes së Ebu Bekrit.”
c- Husejni ka thënë:
“Umer ibn El-Hatabi urdhëroi grumbullimin e Kur’anit dhe ai ka qenë i pari që e ka grumbulluar atë në mus’haf.”
(Libri “El-Mesahif”, i autorit El-Hafidh Ebij Beker Abdullah bin Ebij Daud Es-Sexhestani (i cili ndërroi jetë në vitin 316 hixhri, i korrektuar nga dr. Ether Xhefrij, Botimi i parë, Kajro, 1355 hixhri. Dy transmetimet a dhe c janë në f. 10, ndërsa b në f.9 të tij.)
I sollëm këto tre transmetime si dëshmi, sepse ato tregojnë se në kohën e transmetimit të tyre, mus’hafi, në thëniet e transmetuesve, ka qenë më përgjithësues se Kur’ani. Në ato transmetime është thënë:
a- Deri sa të grumbullojë Kur’anin në mus’haf.
b- E grumbulluan Kur’anin në mus’haf.
c- U urdhërua të grumbullojë Kur’anin dhe e grumbulloi
Nëse fjala mus’haf tek ata do të ishte Kur’ani, atëherë komentimi i transmetimeve do të ishte si më poshtë vijon:
a- Deri sa të grumbullonte Kur’anin në Kur’an.
b- E grumbulluan Kur’anin në Kur’an.
c- Ishte i pari që e grumbulloi Kur’anin në Kur’an.
3. Në transmetimet e Imamëve të Ehli Bejtit
(Paqja qoftë mbi ta!)
Mus’hafi, në transmetimet e Imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), ka ardhur me të njëjtin kuptim gjuhësor si ai i shkollës së kalifave. Transmetohet nga El Kulijnij, tek kapitulli “Leximi i Kur’anit në mus’haf”, në hadithin e parë nga Ebu Abdullah Xha’fer Es Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:
“Ai që e lexon Kur’anin në mus’haf, kënaq shikimin e tij dhe lehtëson ndëshkimin e dy prindërve të tij, edhe nëse janë qafirë.” Në hadithin e katërt të tij, gjithashtu, nga Ebi Abdilah, Es Sadik (Paqja qoftë mbi të!), lexojmë: “Leximi i Kur’anit në mus’haf lehtëson ndëshkimin e dy prindërve, edhe sikur të kenë qenë jobesimtarë.”
(“Usulul Kafij”, 2: 613, botuar në Teheran, viti 1388 hixhri.)
Bazuar në ato që përmendëm më sipër, vërtetohet plotësisht se kuptimi i fjalës mus’haf, që përdorej në fjalët e sahabëve, tabi’inëve, tek transmetuesit e shkollës së kalifave dhe tek transmetuesit e shkollës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) ishte për librin me kopertinë. Pra, në fillim të Islamit është përdorur fjala mus’haf në kuptimin e tij gjuhësor. Pastaj në shkollën e kalifave u bë i njohur emri Kur’an, i shkruar dhe i përhapur në formën e librit me dy kapakë.
4. Në transmetimet e shkollës së kalifave
Në shkollën e kalifave, përveç Kur’anit janë emërtuar me emrin mus’haf si vijojnë: Mus’hafi i Halid ibn Mi’danit Ibn Ebu Daud (ndërroi jetë në vitin 316 hixhri),
Ibn Asakir (ndërroi jetë në vitin 571 hixhri),
El Mezij (ndërroi jetë në vitin 742 hixhri),
Ibn Haxher (ndërroi jetë në vitin 852 hixhri), për biografinë e Halid ibn Mi’danit, kanë thënë: “Dituria e Halid ibn Mi’danit për mus’hafin e tij ka qenë çelës, buton e komçë (pra, ka ditur gjithçka në lidhje me të).
(“El-Mesahif”, 134-135. “Historia e Damaskut”, dorëshkrim i Bibliotekës Dhahirije në Damask, Departamenti i Grupit Shkencor Islam, në Teheran 5/2/259A. “Tehdhijbul-Kemal”, dorëshkrim i Bibliotekës Dhahirije në Damask, Departamenti i Grupit Shkencor Islam, në Teheran 2/ 170. “Tehdhijbut-Tehdhijb”, 3: 118-119.)
Kush është Halid bin Mi’dani, autori i mus’hafit?
Halid ibn Mi’dani ka qenë një prej dijetarëve më të mëdhenj të Shamit dhe nga tabi’inët. E kanë njohur shtatëdhjetë prej sahabëve. Biografinë e tij e ka shkruar Ibn El Ethijr (ndërroi jetë në vitin 630 hixhri), te lënda “ElKelaij” (“El-Lubab Fi Tehdhijbul-Ensab”, 3: 62-63. Kthehu tek burimet e biografisë së tij, tek futnota me numër 8) dhe ka thënë: “Halidi ndërroi jetë në vitin 103, 104, ose 108 hixhri.”
5. Njohja e mus’hafit me gjithçka që është shkruar dhe është vendosur mes dy kapakëve, me emrin Libri me kapak
Mus’hafi, libri me kapak, ka qenë shumë i njohur, qarkullonte tek dijetarët e studiuesit e shkollës së kalifave. Për këtë po marrim dy shembuj:
a. Anun ibn Ebu Daud Es Sexhestanij, një nga dijetarët e mëdhenj të shekullit të tretë hixhri, në librin e tij “El Mesahif”, thotë:
1. “Ebu Bekr Es Sidijk (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e grumbulloi Kur’anin në mesahif, pas të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
2. Ali ibn Ebiu Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e grumbulloi Kur’anin në mus’haf.
3. Umer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e grumbulloi Kur’anin në mus’haf.”
(Libri “El-Mesahif”: 5 dhe 10, sipas serisë së transmetimit.)
Prej bashkëkohësve, Nasirud-Dijn El-Esed, në librin e tij “Esh Shi’rul Xhahilij”, ka thënë: Librin e grumbulluar e quanin mus’haf dhe synonin librin në përgjithësi dhe jo vetëm Kur’anin. Pastaj lajmin e mus’hafit e transmetoi Halid ibn Mi’dan, nga libri “El-Mesahif”, i autorit Ibn Ebu Daud Es Sexhestanij.
(Burimet e poezisë para Islamit: 139, Botimi i pestë. Dhe e ka transmetuar atë Es-Sexhestanij, te “El-Mesahif”, 134-135.)
6. Termi Mus’haf në terminologjinë e popujve të mëparshëm Emërtimi i librave fetarë te popujt e mëparshëm me emrin mus’haf
Gjithashtu, edhe librat e tjerë fetarë të popujve të mëparshëm janë quajtur mus’haf, siç ka ardhur te libri “Tabakat” i Ibn Sa’adit, me zinxhirin e tij të transmetimit, nga Sehl Meula Utejbe, i cili ka qenë i krishterë prej banorëve të Merijs. Ai u rrit jetim, nën kujdesin e nënës dhe të xhaxhait të tij dhe lexonte Ungjillin.
Sehli ka thënë:
“E mora mus’hafin nga xhaxhai im dhe e lexova atë, por hasa në një fletë, që nuk mund ta lexoja. E fërkova atë me dorën time, ndërkohë vura re se disa fletë ishin të ngjitura me zamkë. I ndava ato, lexova për cilësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!):
“Ai nuk ishte as i gjatë dhe as i shkurtër, i bardhë, me dy gërsheta, ndërmjet dy shpatullave kishte një nishan, jepte shumë dhe nuk e pranonte sadakanë, hipte në gomar e deve, milte delet, vishte një këmishë me arna. Ai që e bën këtë është i shfajësuar nga mendjemadhësia. Ai e bënte një gjë të tillë. Ai është nga trashëgimtarët e pasardhësit e Ismailit. Emri i tij është Ahmed.”
Ndërkohë që po mbaroja leximin e cilësive të Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), erdhi xhaxhai im dhe, kur e pa letrën, më qëlloi e më tha: “Kush të tha ta hapësh këtë faqe e ta lexosh atë?”
I thashë: “Në të ka një cilësi të Profetit Ahmed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).”
Xhaxhai m’u përgjigj: “Ai nuk ka ardhur ende.”
(“Tabakat ibn Sa’ad”, 1: 363, Botim i Bejrutit)
Në këtë mënyrë ne gjetëm se mus’hafi është një emër i përgjithshëm për librat me dy kapakë. Nëse është e saktë ajo që ka ardhur në transmetimin e “El Mesahif” të Ibn Ebu Daud se Ebu Bekri e ka quajtur Kur’anin mus’haf, ky emërtim nuk ka qenë shumë i njohur deri në kohën e Othmanit, siç bëhet e qartë në dy hadithet e sakta të Buhariut, të përmendura më parë. Porse emërtimi i Kur’anit me mus’haf u bë i njohur pas kësaj. Gjithashtu, në atë kohë ky emërtim nuk mbeti i kufizuar me Kur’anin, sepse me emrin mus’haf u quajtën edhe libra të tjerë të shkollës së kalifave e të shkollës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Prej tyre ishte mus’hafi i Fatimes, vajzës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
7. Mus’hafi i Fatimes (Paqja qoftë mbi të!), vajzës së të Dërguarit të Allahut
(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Nga transmetime ka ardhur se Fatimja, vajza e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka pasur një libër që quhej mus’haf, në të cilin kishte lajme të fshehta.
Tek libri “Basairud-Derexhat” ka ardhur me më shumë se një zinxhir transmetimi se Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Ka pasur fise e popuj që vinin e pyesnin atë se çfarë i la Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe çfarë i la Aliu Hasanit (Paqja qoftë mbi ta!):
“I Dërguari i Allahut na ka lënë neve çdo gjë të nevojshme, deri edhe llakosjen e flokëve apo manikyrin e thonjve. Fatimesë i ka lënë një mus’haf, që nuk është Kur’an…”
(“Basairud-Derexhat”: 156. Transmetuam tematikën e nevojshme të hadithit. Për detaje të lajmit, kthehu te “Direktivat e dy shkollave”, 2: 322)
Pra, vajza e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka pasur një mus’haf, ashtu siç ka pasur Halid ibn Mi’dani një libër, që emri i tij ishte mus’haf dhe përmbante diturinë e tij. Imamët e Ehli Bejtit, të cilët e përhapën këtë lajm, kanë thënë me tekst se ai nuk është Kur’an dhe se në të nuk ka asgjë prej Kur’anit.
Përkundrazi, ai ka lajme të ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen. Për fat të keq, disa shkrimtarë të shkollës së kalifave kanë shpifur e kanë thënë:
“Mus’hafi i Fatimesë, tek ndjekësit e shkollës së Ehli Bejtit është Kur’an tjetër.”
Por ndjekësit e Ehli Bejtit nuk e kanë thënë një gjë të tillë për mus’hafin e Halidit dhe as për librin e Sibeuejhit.
8. Mesahifus-Sahabe (Librat e shokëve)
Shumë prej sahabëve kanë pasur mesahif, ku çdonjëri prej tyre ka shkruar në mus’hafin e tij, Kur’anin dhe atë që ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në lidhje me komentimin e disa prej ajeteve të Kur’anit. Pra, në këtë rast, kuptimi i mesahifeve të sahabëve, në kohën e tyre, ka qenë Kur’ani i shkruar, së bashku me hadithet e Profetit dhe me komentimin e disa ajeteve të tij, ashtu siç është rasti i librave të komentimit, si për shembull: “Ed Durrul Menthur Fi Tefsijril Kur’an”, i autorit Es Sujutij, i shkollës së kalifave; libri “El Burhan Fi Tefsijril Kur’an”, te ndjekësit e shkollës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)
Dy shembuj të Mesahifus Sahabe:
a- Mus’hafi i nënës së besimtarëve, Aisheja
Nga Ebu Junus, shërbyesi Meula i Aishes, transmetohet:
“Aishja më urdhëroi mua që të shkruaj një mus’haf për të e tha: “Kur të arrish tek ky ajet: “Mësohuni e bëjeni shprehi namazet dhe namazin e mesëm.”, më thuaj. Kur arrita tek ky ajet, e lajmërova atë. Më pas më tha të shkruaj: “Bëjeni shprehi namazin dhe namazin e mesëm, namazin e ikindisë. Ngrihuni të frikësuar për Allahun.”
Aishja tha: “E kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).”
b- Mus’hafi i nënës së besimtarëve, Hafsa
Nga Ebu Rafiu, shërbëtori i Hafsasë, transmetohet:
“Hafsaja më kërkoi mua që t’i shkruaj një mus’haf e më tha se, nëse mbërrij tek ky ajet, të shkoj te ajo, që të shkruaj diçka. Në momentin që mbërrita tek ky ajet: “Bëjini shprehi namazet.”, më tha: “Shkruaj: “Bëjini shprehi namazet dhe namazin e mesëm, namazin e ikindisë.”
(Do t’i shpjegojmë me detaje lajmet e mesahifeve (librave) të sahabëve, me zinxhirët e transmetimit të tyre, nëse do Allahu i Lartësuar në broshurën e dytë të këtij libri, në kërkimin studimor, në lidhje me mosmarrëveshjes ndërmjet mesahifeve të sahabëve)
Me lejen e Allahut të Lartësuar, në vijim, do të përmendim të tjerë mesahif.
9. Mus’hafi i të Dërguarit të Allahut
(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Në kërkimin studimor të historisë së Kur’anit, në periudhën e Ebu Bekrit, do të lexojmë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka porositur e ka këshilluar Imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) që pas vdekjes së tij, të mos e veshë rrobën e tij, deri sa të grumbullojë suhufet (fletushka) që ishin në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në të cilat u shkrua Kur’ani me urdhër të të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kishte urdhëruar Imam Aliun me shkrimin e çdo gjëje që kishin nevojë myslimanët, në lidhje me komentimin e ajeteve, që i kishte nxënë ato përmes rrugës së shpalljes.
(Siç e faktuam në kërkimin studimor: “Kur’ani dhe Suneti janë dy burimet e legjislacionit të shkollës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), të volumit të dytë të direktivave të dy shkollave.”)
Bazuar e mbështetur në ato që thamë më parë, mus’hafet kanë qenë në fillimet e Islamit, ashtu si kemi sot komentimet e Kur’anit, që përfshijnë Kur’anin dhe atë që ka sqaruar i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në komentimin e ajeteve. Por pas të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u zbatua politika e kalifave në zhveshjen dhe mëvetësimin e Kur’anit, nga hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).