Festimet në përkujtim të Profetëve dhe njerëzve të mirë të Allahut të Madhëruar

 

 

Allahu i Madhëruar thotë:

“Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Sure “Haxh”, ajeti 32)

 

 

Mospajtimi rreth festimeve në përkujtim të profetëve dhe njerëzve të mirë të Allahut

 

 

Argumentet e miratuesve të pëlqimit të festimeve Ata që mendojnë se përkujtimi i profetëve dhe i njerëzve të mirë të Allahut të Madhëruar është i pëlqyeshëm, e argumentojnë, duke thënë se kryerja e ritualeve të Haxhit është festë në kujtim të profetëve dhe njerëzve të mirë të Allahut. Për këtë po përmendim disa shembuj:

 

a) Mekami i Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!):

Allahu i Madhëruar thotë:

“Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!”  (Sure “El-Bekare”, ajeti 125)

 

Po përmendim shkurtimisht çfarë gjendet në Sahihun e Buhariut:

“Ibrahimi dhe Ismaili (Paqja qoftë mbi të ta!), ndërtuan Shtëpinë (Qaben). Ismaili sillte gurët, ndërsa Ibrahimi ndërtonte faltoren.” 

(Sahihu Buhari, Kitabul enbija, Babu: jezifune en neselan fil meshij, vëll. 2, f. 158-159)

 

Në një transmetim tjetër, pas këtij, thuhet:

“Kur u ngrit ndërtesa, plaku ishte i dobët për transportimin e gurëve. Ai qëndronte mbi gurin e mekamit, ndërsa Ismaili i sillte gurët.”

Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit që ta shohin dhe ta kujtojnë Qaben si Shtëpinë e Tij të Shenjtë, si ringjallje dhe përjetësi e kujtimit të Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!). Në të nuk ka asgjë prej shirkut (idhujtarisë, politeizmit).

 

b) Safa dhe Merua:

Allahu i Madhëruar thotë: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për Haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre." (Sure “El-Bekare”, ajeti 125.)

 

Buhariu transmeton: “Kur Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) e la Haxhiren me djalin e saj Ismailin (Paqja qoftë mbi ata të dy!) në Mekë, asaj iu mbarua uji. Ajo u nis për të kërkuar ujë në kodrinat e Safas. U ngjit mbi të dhe filloi të kërkonte se mos shihte njeri. Por nuk pa asnjë, kështu që ajo zbriti nga Safaja, derisa arriti në luginë. Pastaj shkoi te Merua dhe u ngjit, duke shpresuar se mos shihte dikë. Këtë e bëri shtatë herë.”  

 

Ibn Abasi ka thënë:

“Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Ajo është ecja e njerëzve mes tyre…"

(Sahihu Buhari, Kitabul enbija, Babunn, jezifune en neselan fil meshij, vëll. 2, f. 158. Shih, “Mu’xhemul Bilad”, fjala “Zemzeme”. “Dhikru tarikhu Ismail” prej historisë së Tabarit dhe ibn Kethijrit.)

 

Allahu i Madhëruar e ka bërë ecjen mes Safasë dhe Meruasë një prej riteve të Haxhit, si shenjë ringjalljeje dhe rikujtim të veprimit të Haxhires. 

 

c) Gjuajtja e guralecëve (remjul xhimar)

 

Ahmedi dhe Tajalisij, në musnesdin e tyre, transmetojnë, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

“Xhebraili e çoi Ibrahimin (Paqja qoftë mbi të!) te vend’hedhja e madhe e guralecëve (xhemeretul akabeh). Atij iu shfaq shejtani dhe Ibrahimi e goditi atë me shtatë guralecë dhe ai u largua. Më pas e dërgoi atë të vendgjuatja e mesme.” Atij iu shfaq sërish shejtani. Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) e goditi atë sërish me shtatë guralecë dhe ai përsëri u largua. Pastaj e çoi te vendgjuatja e vogël. Atij iu shfaq shejtani dhe Ibrahimi e goditi me shtatë guralecë e ai u largua.” 

(“Musned Ahmed”, 1: 306. Përafërsisht si ai në faqen 127. Musned et Tajalisij, Hadithi 2697. Shih në “Mu’xhemul buldn”, Fjala “El Ka’betu” dhe shih gjithashtu “Historia e Ibrahimit dhe e Ismailit” në Tarikh Et Tabarij dhe ibn Ethijr.)

 

Kështu, Allahu e ka bërë gjuajtjen e shejtanit një prej riteve të Haxhit, në përkujtim të gjuajtjes së Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!).

 

d) Kurbani

 

Allahu i Madhëruar e ka mbajtur të gjallë kujtimin e flijimit të Ismailit, djalit të Ibrahimit (Paqja qoftë mbi ta!), me dërgimin e dashit, duke e bërë atë pjesë të riteve të Haxhit. Ai i urdhëron Haxhinjtë të bëjnë kurban në Mina, në nder të Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!) dhe si festë për bindjen e tij ndaj Allahut.

“Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit, aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: ‘O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?’ – I biri i tha: ‘O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!’ Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: ‘O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.’ Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (Sure “Safat”, ajetet 101-107) 

 

Në vijim po përmendim përhapjen e bereqetit prej Ademit (Paqja qoftë mbi të!), babait të njerëzimit.

 

 

Përhapja e bereqetit prej Ademit (Paqja qoftë mbi të!) dhe festimi në përkujtim të tij

 

 

Në disa lajme thuhet se Allahu i Madhëruar ia pranoi pendimin Ademit pasditen e datës së nëntë të muajit Dhil Hixheh, në Arafat. Pastaj, në perëndim të diellit, Xhebraili e dërgoi në Mesh’arin e Shenjtë. Aty qëndroi natën e dhjetë të muajit Dhul Hixheh, duke iu lutur Allahut të Madhëruar dhe duke e falënderuar për pranimin e pendimit.

 

Në mëngjesin e ditës së dhjetë e dërgoi në Mina dhe ia rruajti kokën, si shenjë e pranimit të pendimit dhe e lirimit të tij prej gjynahut. Atë ditë Allahu i Madhëruar e bëri festë për të dhe për pasardhësit e tij (Ademit). Çdo gjë, prej veprimeve që bëri Ademi, Allahu i Madhëruar e ka bërë pjesë të riteve të Haxhit për pasardhësit e tij. Allahu i Plotfuqishëm ua pranon pendimin, pasditen e ditës së nëntë në Arafat.

 

Ata e përmendin Allahun e Madhëruar natën në Mesh’arul Haram dhe rruajnë kokat e tyre në ditën e dhjetë në Mina. Këtyre riteve i është shtuar edhe veprimi i Ibrahimit, i Ismailit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe i Haxhires. Pra, të gjitha veprat e Haxhit janë bereqet për ato vende dhe kohë ku jetuan njerëzit e mirë të Allahut. Të gjitha ato janë festë në shenjë të përmendjes së tyre gjatë gjithë kohëve.

 

 Më poshtë po paraqesim disa shembuj të përhapjes së ndjellkeqjes. Muslimi transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në vitin e Tebukut i çoi njerëzit në Haxhr, te shtëpia e Themudit. Njerëzit pinë ujë nga të njëjtat puse që pinte edhe Themudi. Ata bënë brumë me atë ujë dhe përgatitën tenxheret me mish. I Dërguari i Allahut i urdhëroi njerëzit që ta djegin ushqimin e tenxhereve, brumin t’ua japin deveve. Pastaj u nis me ta, derisa arritën te pusi, ku do pinte ujë deveja. Ai i ndaloi ata të hynin te populli që u dënua. Ai u tha: “Unë frikësohem se do të goditeni njësoj si u goditën ata, prandaj mos hyni tek ata.”

(E ka përcjellë Muslimi, me përmbledhje në Sahihun e tij, Kitabu Zuhd dhe rekaik, Kreu “Mos hyni në vendet e atyre që i bënë padrejtësi vetes së tyre”. Hadithi 40. Shprehja e Musned Ahmed, 2:117. Sahihu Buhari, Kitab El Megazij, Kreu “Zbritja e Profetit në Haxhr”.)

 

Sipas thënies së Muslimit: “Mos hyni në vendbanimet e atyre që i bënë padrejtësi vetes së tyre, vetëm duke qenë duke qarë. Kujdes se mos goditeni edhe ju njësoj si u goditën ata.’ Pastaj urdhëroi dhe shpejtoi, derisa e la pas atë.” Sipas thënies së Buhariut: “Pastaj mbuloi kokën e tij dhe shpejtoi ecjen, derisa e kaloi luginën.” Në një transmetim tjetër, në Musnedin e Ahmedit: “Ai u mbulua me rrobën e tij dhe kishte hipur mbi deve.”

(Musnedi i Ahmedit, 2: 66)

 

 

Zanafilla e ndjelljakeqes dhe e bereqetit të një vendi

 

 

Prej nga erdhi keqndjellja e vendbanimit të Themudit dhe si u përhapën puset e tij në të? Keqndjellja nisi nga populli i Themudit, u përhap prej tyre dhe puset qëndruan deri në kohën e vulës së profetëve dhe deri sa të dëshirojë Allahu i Madhëruar. Po ku e ka zanafillën mirësia e pusit të devesë së Salihut? (Përveç pirjes së devesë së Salihut prej tij, mirësia e të cilit qëndroi deri në kohën e vulës së profetëve dhe do të qëndrojë sa të dëshirojë Allahu i Madhëruar.)

 

Deveja e Salihut dhe pusi i saj nuk janë më të mirë te Allahu se sa Ismaili (Paqja qoftë mbi të!) dhe uji Zemzem. Mirësitë e Zemzemit, Allahu i Plotfuqishëm i ka bërë pjesë të bereqeteve të Ismailit (Paqja qoftë mbi të!) përgjatë kohërave. Po ashtu, përhapja e mirësive të Allahut për robtë e Tij është në kohë të veçanta, siç është edhe dita e premte (xhuma).  

 

 

Bereqetet e ditës së premte (xhuma)

 

 

Në Sahihun e Muslimit thuhet:

“Vërtet, Allahu e krijoi Ademin ditën e premte (xhuma) dhe e futi atë në Xhenet po në këtë ditë…”

(Sahihu i Muslimit, Kapitulli i xhumasë, Kreu “Mirësitë e xhumasë”, Hadithi 17 dhe 18)

 

 

Të gjitha mirësitë që Allahu i Madhëruar u jep robëve të Tij punëmirë ditën e premte (xhuma), janë të përhershme.

 

 

Mirësitë e Muajit të Ramazanit

 

 

Po ashtu, edhe mirësitë në Muajin e Ramazanit janë të shumta. Allahu i Madhëruar thotë:

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)…”  (Sure “El-Bekare”, ajeti 185.)

37

Dhe:

“Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”

(Sure “El-Kadr”, ajetet 1-3.)

 

Një nga mirësitë e Natës së Kadrit është se Allahu i Madhëruar, në këtë natë të bekuar, i zbriti Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) Kur’anin Famëlartë, si dhuratë për të gjithë njerëzimin.

Së fundi, krahas ceremonive në përkujtimin e të zgjedhurve të Allahut, vërtetojmë dhe dëshmojmë se qëllimi ynë me ceremonitë e përkujtimit të tyre është: Leximi i jetëshkrimit të saktë të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në natën e lindjes së tij, të ushqyerit në këto ceremoni për hir të Allahut të Madhëruar, dhurimi i shpërblimit të kësaj vepre të Dërguarit të Allahut dhe mosveprimi i veprave që i shpikën disa mistikë.