Metodologjitë kelamijeh, që i përçanë myslimanët në medh’hebe, kanë ndodhur në fundin e shekullit të parë hixhrij e vazhduan edhe në shekujt pasardhës. Prej tyre lindën sekte të ndryshme islame, si: Merxhije, Xhehmije Mu’tezile, Hashvije, Esh’arije e Keramije, si edhe rryma e fraksione të tjera brenda këtyre sekteve. Këto sekte, së bashku me grupet e tyre, përbëjnë një produkt real e një punë të vështirtë për kërkime shkencore.
Ai shihet si një rezultat logjik i zgjerimit të horizontit, e kësaj hapësire të madhe islame, të përbërë nga një numër kombesh e racash të ndryshme, nga të cilat lindin fërkime, luftëra ideologjike, ndikime e nxitje ideologjike, duke ndërhyrë pa u ndier, në të shumtën e rasteve me/ose pavetëdije, te pikat mbështetëse të ekzistencës së këtyre perceptimeve konceptuale, të cilat u pasqyruan më pas te ato që u quajtën sekte islame.
Që këtu njeriu nuk arrin të gjejë një datë historike, që lidhet me periudhën e Profetit Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e t’u qëndrojë besnik atyre që përmendëm te pjesët e tjera të këtij libri. Khavarixhët, për shembull, ka qenë një sekt politik, që u përhap në vitin 37 hixhri gjatë periudhës së luftës së Sefijnit. Në fund të shekullit të parë e në fillim të shekullit të dytë u shndërrua në një sekt fetar.
El Murxhie u shfaq në mjedisin islam pas kontradiktave të njerëzve për halifatin midis Othmanit dhe Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), që më pas mori një kuptim tjetër. Si rezultati i kësaj ishte “paraprirja e besimit ndaj veprës”. El Xhehmije erdhi si rezultat i ideve të Xhehm ibn Safvanit. Ai ndërroi jetë në vitin 128 hixhri.
El Mu’tezile rrjedh prej Vasil ibn Ata, nxënës i Hasan El Basriut, i cili ndërroi jetë në vitin 130 hixhri. Po kështu, edhe sektet El Kaderije, Keramije, Dhahirije e Esharije, që të gjitha, kanë lindur si rezultat i kërkimeve kelamiste, dhe nga fryti i polemikave gjatë shekujve. Nuk gjen për këto sekte zinxhir transmetimi, që lidhet me Profetin Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Ndërsa ideologjitë e Shi’izmit imamij janë në kundërshtim me këto. Shi’izmi nuk ka kurrfarë lidhjeje në përhapjen e tyre, sepse ai e ka bazën te burimet e legjislacionit të vërtetë islam, që janë, së pari, Kur’ani i Shenjtë, së dyti, Syneti Profetik, së treti, thëniet e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe të Familjes së pastër (Ehli Bejtit) që e kanë burimin te Profeti Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Kjo është arsyeja që historia e ideologjive dhe e bindjeve të tyre (shi’itëve) është e lidhur me historinë e Islamit dhe me jetën e Imamëve të tyre të pastër. Kjo nuk do të thotë se shi’itët në parimet e tyre të sipërpërmendura bazohen te tekstet, pa i analizuar e pa i menduar ato. Por përkundrazi, bazat e ideologjive e të bindjeve, të transmetuara më sipër, dijetarët e tyre i kanë marrë duke i redaktuar në mënyrën më të saktë e duke i përforcuar me argumente të qarta.
Gjithashtu, ata nuk i japin rëndësi ndërtimit të bindjeve e formimit të tyre të ngritur mbi bazat e transmetimeve individuale. Madje ata e kushtëzojnë me zinxhirin e transmetimit, duke mos i munguar asnjë hallkë. Këto transmetime janë të mbushura me dëshmi të vlefshme për diturinë e sigurinë.
Për t’u bindur për diçka, nuk kërkohet thjesht punë e vepër, por kërkohet pranim e besim. Kjo nuk arrihet me transmetime individuale. Vlen të përmendim këtu, se pika mbështetëse për ndërtimin e ideologjisë së veçantë të Shi’izmit imamij është bindja se për Imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) ka ardhur me tekst, si këshilltar, me gjuhën e Profetit Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), se ai dhe rrethi i tij i ngushtë e i pastër janë burimi më i lartë pas Kur’anit të Ndritur.
Ky është elementi përbërës e kushtetues i Shi’izmit, ndërsa elementet e tjera janë ideologji e bindje islame, që nuk janë të veçanta vetëm te shi’itët imamij.
Në faqet në vijim do të përpiqemi të paraqesim disa prej aspekteve të ideologjive e të bindjeve të shi’itëve imamij, të transmetuara, së pari, nga hadithet e imamëve të tyre, së dyti, nga fjalët e dijetarëve të tyre të mëparshëm, në mënyrë që lexuesi të qëndrojë te rrënjët e këtyre ideologjive dhe bindjeve. Të bëhet i qartë imazhi i vërtetë i pikave mbështetëse të këtyre bindjeve.
Ekzistenca e saj rrjedh prej lajmeve e thënieve të transmetuara nga imamët e tyre të pastër. Pjesën më të madhe të saj e përbëjnë fjalët e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), predikimet e tij apo mendimet e dijetarëve të tyre, të cilat bien në dakortësi me pjesën më të madhe të myslimanëve në intervale kohe e dimensione të ndryshme.