Allahut i Lartësuar thotë:
“Allahu fshin çfarë të dojë e ngulit çfarë të dojë (në këtë libër) dhe te Ai është Libri amëz.” (Sure “Er Rard”, ajeti 38)
Ky ajet është thelbi dhe baza te el bedá, në pozitën e qëndrueshmërisë. Mjafton për sqarimin e argumentit të saj, përcjellja e thënieve të hulumtuesve dhe të komentuesve, në mënyrë që lexuesi të kuptojë saktë el bedá-në e përhapur te ymeti.
1- Et Tabarij (310 hixhri), në lidhje me komentimin e ajetit, transmeton nga një grup i vogël sahabësh e tabi’inësh, se ata e kanë lutur Allahun e Lartësuar me ndryshimin e ecurisë dhe daljen e tyre nga mjerimi (nëse është shkruar për to) në lumturi, për shembull: Umer ibn Khattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte kur rrotullohej rreth Qabes: “O Allah i Plotpushtetshëm, nëse më ke shkruar mua prej të lumturve, atëherë më bëj të qëndrueshëm në të dhe, nëse më ke shkruar mua në mëkat (mjerim), atëherë më fshi mua e më bë të qëndrueshëm te banorët e lumtur, sepse, vërtet, Ti fshin e bën të qëndrueshëm çfarë do. Te Ty është Libri i amzës.
Një thënie e njëjtë me këtë transmetohet nga Ibn Mesudi, Ibn Abasi, Shekijk dhe Ebij Vaili.
(Et Tabarij, komentimi “Xhamiul Bejan”, Pjesa 13:112-114. 3)
Nga Ibn Zejdi transmetohet thënia e Allahut të Lartësuar: “Allahu fshin çfarë të dojë.”, është për atë që zbret te Profetët dhe e bën të qëndrueshme atë. “Te Ai është Libri amëz.”, nuk e ndryshon dhe nuk e shndërron.” (Haman)
2- Ez Zamakhsherij (528 hixhri) ka thënë: “Allahu fshin çfarë të dojë”, shfuqizon atë që është e drejtë të shfuqizohet dhe e bën të qëndrueshme në vend të tij, atë që e sheh me interes ta bëjë të qëndrueshme, ose e zbret atë të pashfuqizuar. (Ez Zamakhsherij “El Keshaf”, 2:169)
3- Et Tabrasij (471-548 hixhri) në komentimin e ajetit, përmend komente të përafërta:
“E katërta është se ajo është e përgjithshme në çdo gjë. Kështu që fshin furnizimin, e shton atë, madje edhe jetëgjatësinë. Fshin lumturinë e mjerimin dhe i bën të qëndrueshme ato."
Umer ibn Khattabi, Ibn Mesud, Ebu Vaili dhe Kutade transmetojnë këtë: “Amza e librit është thelbi, baza dhe origjina e librit në të cilin u bënë të qëndrueshme ndodhitë e qeniet e krijuara.”
Ebu Kilabe ka transmetuar nga Ibn Mesudi: “O Allah i Plotpushtetshëm, nëse më ke shkruar mua nga të mjerët, atëherë më fshi mua nga të mjerët …” (EtTabarij, “Mexhmaul Bejan”, 6:398.)
4- Err Rrazij (608 hixhri) ka thënë: Në lidhje me këtë ajet, ka dy thënie:
Thënia e parë:
Ajo është e përgjithshme për çdo gjë, siç duket edhe nga ana e jashtme e termit. Allahu e fshin furnizimin dhe e shton atë. E njëjta thënie është edhe për jetëgjatësinë, lumturinë, mjerimin, besimin, mosbesimin. Ai është medh’hebi i Umerit dhe i Ibn Mesudit. Ata që e kanë thënë këtë, i luteshin e i nënshtroheshin Allahut të Lartësuar, që t’i bëjë të lumtur e jo të mjerë. Këtë komentim e ka transmetuar Xhabiri nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Thënia e dytë:
Ky ajet është i veçantë për disa të mjerë, pa disa të tjerë.
5- El Kurtubij (671 hixhri), pas transmetimit të dy thënieve për fshirjen dhe qëndrueshmërinë, a i përmbledhin të gjitha gjërat apo janë të veçanta me disa prej tyre, ka thënë: Puna e kësaj nuk perceptohet me mendje e as me punë të lodhshme e të përkushtuar (ixhtihád), por merret me dakortësi. Nëse vërtetohet, e themi atë. Kështu që është e domosdoshme të ndalemi këtu, përndryshe ajeti është për të gjitha gjërat e kjo është më e dukshme. Më pas transmeton lutjen e Umer ibn Khattabit gjatë rrotullimit në Qabe (Tauafit), si dhe lutjen e Abdullah ibn Mesudit. Në vijim ka thënë:
“Në dy librat e saktë, nga Ebu Hurejre është transmetuar: Kam dëgjuar Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) të thotë: ‘Kush dëshiron që Allahu i Lartësuar t’ia shtojë atij furnizimin dhe t’ia shtyjë vdekjen, atëherë le t’i mbajë lidhjet me të afërmit e tij."
(El Kurtubij, “El Xhamiu li ahkamil Kur’an”, 5:329)
6- Ibn Kethijr (774 hixhri), pasi transmetoi një pjesë të transmetimeve, ka thënë: “Kuptimi i këtyre transmetimeve është se Allahu shfuqizon ato që do nga caktimet, dhe lë ato që do prej tyre.”
Këtë thënie e forcon thënia e transmetuar nga Imam Ahmedi, i cili ka transmetuar nga Theubani, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:
“Njeriu privohet nga furnizimi me mëkatin që ai i bën. Caktimi nuk ndryshon veçse me lutje dhe nuk shtohet jeta, veçse me mirësjellje.”
Më pas ka përcjellë thënien i Ibn Abasit, i cili ka thënë: “Libri është në dy libra. Allahu fshin çfarë të dojë në një libër dhe bën të qëndrueshëm te Ai çfarë të dojë. Te Ai është Libri amzës (ummul kitab).” (Ibn Kethijr, 2:520.)
7- Es Sujutij (911 hixhri), në lidhje me komentimin e ajetit, ka transmetuar nga Ibn Abasi:
“Një njeri punon gjithë kohës me bindje ndaj Allahut. Pastaj kthehet në rrugën e keqe, duke mëkatuar ndaj Allahut, derisa vdes në humbje. Allahu është ai që ia fshin dhe e bën të qëndrueshme (veprën e tij). Një njeri që bën mëkate ndaj Allahut të Lartësuar dhe i parapriu një të mirë, para se të vdiste, ishte në bindje ndaj Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar. Pastaj ka transmetuar atë që transmetuam prej lutjeve të një grupi të vogël sahabësh e tabi’inësh.”
(Es Sujutij, “Ed Durr’rrul Menthur”, 4:660. Shiko se çfarë ka transmetuar në këtë kontekst prej transmetimeve të haditheve.)
8- El Alusij (1270 hixhri), në komentimin e ajetit, përmend një pjesë të haditheve të transmetuara, në lidhje me këtë dhe ka thënë:
“Ibn Merdevije dhe Ibn Asakir kanë transmetuar nga Imam Aliu (Allahu ia ndriçoftë fytyrën!) se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për thënien e Allahut të Lartësuar: ‘Allahu fshin çfarë do …’, ai u përgjigj: ‘Pasi ta komentoj ajetin, do ta bëj të qartë si sytë e tu, si dhe do t’ia bëj të qartë, si sytë e ballit, ymetit tim: Sadakaja, në llojin e vet, mirësjellja ndaj dy prindërve dhe veprimet e mira, e shndërrojnë pikëllimin në lumturi, e shtojnë jetën dhe e mbrojnë nga shtigjet e këqija." (El Alusij, “Ruhul Meanij”, 13:111)
9- Sidik Hasan Kani (1307 hixhri), në komentimin e ajetit, ka thënë:
“E dukshmja e sistemeve kur’anore është përgjithësimi për çdo gjë që është në Libër, kështu që Allahu i Madhëruar fshin çfarë të dojë nga mjerimi, lumturia, furnizimi, mosha, e mira, e keqja. E ndryshon këtë me atë dhe e vendos këtë në vend të saj. Nuk pyetet se çfarë bën, ndërsa ata pyeten.”
Drejt kësaj shkuan edhe Umer ibn Khattabi, Ibn Mesudi, Ibn Abasi, Ebu Vail, Kutade, Ed Dahhak, Ibn Xherijh, e të tjerë … (Siddijk Hasan Khan, “Fet’hul Bejan”, 5:171)
10- El Kasimi (1332 hixhri) ka thënë:
“Një grup u kap me anën e jashtme të thënies së Allahut të Lartësuar: ‘Allahu fshin çfarë të dojë dhe e bën të qëndrueshme.’ Thanë: ‘Vërtet, ajo është e përgjithshme e për çdo gjë, ashtu siç e përfshin ana e jashtme e termit, Allahu fshin dhe e shton furnizimin. E njëjta gjë thuhet edhe për jetëgjatësinë, për lumturinë, për mjerimin, për besimin dhe për mosbesimin."
(El Kasimij “Mehasin”, 9:372.)
11- El Meragij, në lidhje me komentimin e ajetit, ka thënë:
“Nga imamët e parë e të hershëm transmetohen thënie që nuk bien në kundërshtim, madje ato janë brenda tyre. Më pas i transmetoi të gjitha thëniet.” (El Meragij, Komentimi 5:155-156)
Këto fraza e perla të ndritura nga sahabët, tabi’inët e komentuesit përshkruajnë mendimin e përgjithshëm midis myslimanëve, në aspektin e mundësisë së ndryshimit të ecurisë me vepra të mira apo të këqija. Jo çdo caktim është i prerë, nuk ndryshon e nuk shndërrohet. Allahu i Lartësuar ka dy Libra caktimesh: Librin e fshirjes dhe të qëndrueshmërisë dhe “Pllakën e mbrojtur”. Ai që nuk pranon ndryshim, është i dyti dhe jo i pari.
Thënia se kaderi (caktimi) e udhëheq zgjedhjen e njeriut në aspektin e bindjes e të mosbindjes, është thënie e pavlerë, është kundra logjikës dhe ajeteve të qarta të Kur’anit. Ai që anon nga kjo, është i detyruar të flasë për kotësinë e dërgimit të të Dërguarve dhe të zbritjes së librave.
“Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë ndodhet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr!” (Sure “Sad”, ajeti 27.)
1
Ashtu siç janë të hapura dy duart e Allahut të Lartësuar, edhe njeriu është i zgjedhur në veprat e tij e jo i detyruar, i lirë në sjelljet e tij e jo i imponuar. Ai ka të drejtë të ndryshojë rrjedhën e caktimit me veprën e mirë të tij, me cilësinë e punës, të nxjerrë emrin e tij nga të mjerët e ta fusë atë te të lumturit. Ashtu siç ka mundësi ta nxjerrë emrin e tij nga të lumturit e ta fusë atë te të mjerët me veprën e tij të keqe.
Allahu i Lartësuar, ashtu siç fshin e bën të qëndrueshme në krijim, jep e merr jetë, në të njëjtën mënyrë e fshin ecurinë e robit dhe e ndryshon atë sipas ndryshueshmërisë së robit me veten e tij (punën dhe veprën e tij). Le të përmendim thënien e Allahut të Lartësuar: “Vërtet Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata ta ndryshojnë vetveten e tyre.” (Sure “Er Rrad”, ajeti 11)
E gjitha kjo shpjegohet: Duart e Allahut të Lartësuar janë të hapura, se robi është i lirë dhe zgjedhës, i aftë në ndryshimin e kadasë e të shndërrimit të kaderit me veprën e tij, të mirë apo të keqe. Një gjë të tillë e argumentojnë ajetet dhe transmetimet. Këtu nuk ka vend për të kërkuar ndjesë apo për kundërshtimin e logjikës, as të Kur’anit e as të Synetit. Madje ndryshimi i kadasë me vepër të mirë dhe ndryshimi i kaderit me vepër të keqe, është, gjithashtu, prej kaderit, kadasë, ligjit të Tij, për të cilat nuk ka ndryshim e shndërrim.
Kështu që Allahu i Lartësuar, nëse cakton për robin e Tij diçka, apo ka vendosur (kada) për të një çështje, nuk ia cakton (lem jukaddir lehu) atij dhe nuk e ka vendos (ue lem jekdi lehu) atë në mënyrë të prerë në mënyrë që të mos ndryshohet, por ka vendosur për të në mënyrë të posaçme, me kuptimin që kadaja dhe kaderi zbatohen për robin nëse ai nuk e ndryshon gjendjen e tij.
Por, nëse e ndryshon gjendjen e tij me vepër të mirë apo të keqe, ndryshon kadaja dhe kaderi dhe shndërrohen e zëvendësohen me një kada e kader tjetër në vend të së parës. E gjithë kjo, gjithashtu, është kada dhe kader prej Allahut e nuk fshihet.
El beda, në qëndrueshmëri, është më parësore në emërtim, në fshirje, në ndryshim e në shndërrim, në univers e në ecurinë e njeriut. Pavarësisht se fshirja dhe qëndrueshmëria në univers është në dorën e Allahut të Lartësuar e që sillet sipas vullnetit të Tij, dëshira e njeriut nuk mund të futet në përmirësimin e veprës së Tij apo të shkatërrimit të saj. Ndërsa ndryshimi në ecurinë e njeriut mbështetet në lidhjen e ecurisë së tij, mbi mënyrën e gjendjes së robit dhe mënyrën e veprës së tij të mirë apo të keqe.
NDIKIMET EDUKATIVE TË BESIMIT NË EL BEDĂ
Besimi në fshirje e qëndrueshmëri dhe se robi është i aftë të ndryshojë ecurinë e tij me punët dhe veprat e veta, patjetër që duhet të dërgojë shpresë në zemrën e atij që dëshiron të pastrohet e të zhvillojë bërthamat e mira që gjenden brenda tij. Legjitimimi i el bedá-së është i ngjashëm me legjitimimin e pranimit të pendimit, të ndërmjetësimit, të faljes së gjynaheve të vogla, duke u shmangur nga të mëdhatë, që të gjitha këto për hir të dërgimit të shpresës dhe të ndezjes së dritës në zemrat e mëkatarëve, në mënyrë që të mos plogështohen nga mëshira e Allahut e të mos kthehen prapa, duke pandehur se janë të mjerë e fatkeqë, janë banorë të zjarrit me kader dhe se nuk ia vlen për të punuar.
Njeriu duhet ta dijë se Allahut të Lartësuar nuk i është tharë penda në Librin e caktimeve, të fshirjes e të qëndrueshmërisë. Ai mund të fshijë e të bëjë të qëndrueshme çfarë të dojë. Lumturon atë që do, e bën fatkeq atë që do. Vullneti i Tij nuk është i pamenduar e as kuturu që nuk pasohet nga rregulla e standarde logjike. Nëse robi pendohet, zbaton detyrimet, kapet fort pas rregullave të Allahut, atëherë ai del nga linja e të mjerëve e futet në radhët e të lumturve dhe e kundërta.
Gjithçka që është caktuar në të drejtë të tij, si vdekja, sëmundja, varfëria, mjerimi, mund të ndryshohen me lutje (dua), sadaka, lidhjen e ngushtë me të afërmit, respektimin e prindërve, e të tjera si këto. Të gjitha këto janë nga porta e mëshirës së Allahut, me qëllim dërgimin e shpresës në zemrën e njeriut. Duke pasur parasysh këto, besimi në këtë është prej domosdoshmërive
të Librit, deklaratave të qarta të ajeteve dhe lajmeve të udhëzuesve. Me këtë bëhet e qartë se el bedá është prej njohurive të mëdha, që myslimanët kanë rënë dakord me unanimitet, edhe pse nuk e dinë kuptimin e saj, sepse, po ta dinin, do ta përkrahnin e do ta zbatonin atë. Ndërsa jehudët besojnë se njeriu ka një ecuri të vetme e është i pamundur ndryshimi apo shndërrimi i saj. Ai do të marrë atë që është caktuar për të, të mirën, ose të keqen.
Sikur të ishte e vërtetë kjo, do të ishte e pavlerë lutja e përgjërimi, do të ishte e pavlerë thënia se veprat e mira e të këqija kanë ndikim në ndryshimin e ecurisë së njeriut. Nën dritën e këtij sqarimi, bëhet e mundur të kuptojmë mirësinë e el bedá dhe rëndësinë e saj që përmenden në transmetime. Prej atyre transmetimeve është ai që ka transmetuar Es Zuraretu nga imam El Bakir ose Es Sadiku (Paqja qoftë mbi ta!) në të cilin thuhet: “Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar nuk adhurohet me diçka më të mirë se sa el bedá.”
(“El Bihar”, 4:107, kreu “el bedá”, Hadithet 19-20.)
Po ashtu, Hisham ibn Salimi, ka transmetuar nga Ebu Abdullahu, imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Allahu i Lavdishëm e i Lartësuar nuk madhështohet me gjë më të mirë se sa el bedá.”
(“Et Tevhijd” i Es Saduk, kreu “el bedá”, Hadithi 2.)
Sikur el bedá të mos ishte përcaktuar me këtë kuptim, Allahu nuk do të njihej me plot kuptimin e fjalës. Madje, Ai do të dukej për mendimin e dikujt - bazuar mbi besimin e pavërtetësisë së el bedá - duarlidhur, nuk ka aftësi të ndryshojë atë që ka caktuar e as të fshijë atë që e ka bërë të qëndrueshme për të. Nga transmetimet me këtë kuptim, është ajo që transmetohet nga Es Sadiku (Paqja qoftë mbi të!):
“Sikur njerëzit ta dinë se çfarë shpërblimi ka në lidhje me el bedá, nuk do të bënin fjalë më për të.”
(“El Kafij”, 1:115. “Et Tevhijd” i Es Saduk, kreu “el bedá”, Hadithi 7.)
Besimi në el bedá është simotra e besimit në ndikimin e pendimit dhe ndërmjetësimit që e bëjnë njeriun të kthehet nga bërja ves e mëkatit, e humbjes, në vepra të mira e në udhëzim.
EL BEDĂ, NË POZITËN E VËRTETIMIT
Meqë u njohe me ato që përmendëm, dije se qëllimi i el bedá, në pozitën e vërtetimit, është ndodhia e ndërrimit të disa dukurive të diturisë së Allahut të Lavdishëm. Për diturinë e Tij ka dukuri të ndryshme, disa e pranojnë ndryshimin, disa jo.
E para, është ajo që përshkruhet një herë me “Leuhul Mahfudh” – “Libri i caktimeve” dhe herë tjetër me “Ummul Kitab” – “Libri i amzës”.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përkundrazi, ai është një Kur’an i Lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).” (Sure “Buruxh”, ajetet 21-22.)
Thënia e Allahut të Lartësuar e miraton këtë gjë: “...e ai është te Ne, në Librin e caktimeve (Leuhi Mahfûdh), i lartësuar dhe plot urtësi.”
(Sure “Zukhruf”, ajeti 4.)
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!”
(Sure “El Hadid”, ajeti 22.)
Kështu që Libri i caktimeve e i mbrojtur (Leuhul Mahfudh) dhe Libri amzës (Ummul Kitab) mund ta përshkruajmë atë. Ai është një Libër, ku është shkruar ajo që do t’i ndodhë njeriut gjatë jetës së tij, si: fatkeqësi, ngatërresa, begati, gëzime, në një mënyrë që nuk mund të merret me mend fshirja apo qëndrueshmëria as sa një fije floku. Për këtë, sikur njeriu të kishte mundur të lidhej me të, do të qëndronte në ndodhi e ngjarje, ashtu siç duhet, pa gabuar e pa kundërshtuar.
E dyta: Ai është Pllaka e fshirjes dhe e qëndrueshmërisë, për të cilin na tregon Allahu i Lartësuar: “Allahu fshin çfarë të dojë e ngulit çfarë të dojë (në këtë libër), dhe tek Ai është Libri amëz.” (Sure “Er Rrad”, ajeti 39.)
Dispozitat e qëndrueshme në të janë dispozita të varura mbi ekzistencën e kushtit të tyre, ose të mos ndalimit të tyre. Kështu që ndryshimi i tyre është te mangësitë e kushtit ose të realizimit të pengesës. Për shembull, në të mund të shkruhet vdekja, duke pasur parasysh kryerjet e veprimeve të tij, në një kohë të caktuar, që lidhet me kryerjet.
Por, ndoshta Allahu e fshin dhe e zgjat, dhe shkruan në vend të tij shëndet të plotë, si rezultat i humbjes së kushtit të përcaktimit të parë, ose të mospengesës nga ndikimi i të kryerës. Rezultati i parë obligohet për arsye të analogjisë së ndodhisë me kryerjen e tij, ndërsa rezultati i dytë, përfytyrohet mbi bazën e të gjitha pjesëve të shkakut të tij, sepse gjëja, nëse krahasohet me kryerjen e tij, ka nevojë të nxirret prej tij ekzistenca e kushteve dhe e mos pengesave.
Mund të përcaktojë ekzistencën e tij, duke pasur parasysh përbërjen e pjesëve të shkakut, prej të cilave dalin kushtet dhe mos pengesat dhe përcakton jo vetëm ekzistencën e tij, si obligim i mosqënies së kushteve të tij, por edhe realizimin e pengesave të tij. Kjo është el bedá në botën e qëndrimit.