Dallimi ndërmjet shi’itëve imamij dhe mu’tezilëve

 

Ai që thellohet në tërësinë e ideologjive të këtyre dy sekteve, mund të bëjë të qartë aspektet e marrëveshjes dhe të mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre. Kjo është ajo që do të mundohemi të tregojmë në mënyrë të përmbledhur, në pika të përcaktuara e të qarta. Nëse dikush mund të ketë bindjen, me injorancë, se shi’itët i kanë marrë ideologjitë e bindjet e tyre nga mu’tezilët, kundërshtohet me më shumë se një argument. Ky kërkim i yni, edhe nëse është i pasur në përmbajtje, jep përgjigje të qartë dhe, nga ana tjetër, nuk mohon se ndërmjet këtyre dy sekteve ka baza të përbashkëta, që do t’i përmendim në vendin e duhur, të cilat mund të bien dakord me sekte të ndryshme të myslimanëve:

 

1- Ndërmjetësimi: Të gjithë myslimanët kanë rënë dakord, me vërtetimin e bazës së ndërmjetësimit dhe ajo pranohet nga i Dërguari Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Por, ata janë në mosmarrëveshje në lidhje me përcaktimin e ndërmjetësuesit. Kështu që imamijtë e esh’arijtë kanë thënë se Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ndërmjetëson për ata që kanë bërë mëkate të mëdhaja, duke hedhur poshtë ndëshkimet e tyre, si dhe mundëson nxjerrjen e tyre nga zjarri. Ndërsa mu’tezilët thanë se nuk ndërmjetëson veçse të bindurit dhe ata që e meritojnë shpërblimin. Rezultati i ndërmjetësimit është ngritja e gradës.

 

2- Vepruesi i mëkateve të mëdhaja: Ai te imamijet dhe esh’arijtë është besimtar fasik. Mu’tezilët kanë thënë se ai është ndërmjet dy pozitave, pra, ndërmjet kufrit dhe besimit.

 

3- Xheneti dhe zjarri: Imamijtë dhe esh’arijtë kanë thënë se këto janë të krijuara, me argumentim të ligjshëm për këtë. Shumica e mu’tezilëve thonë se ato nuk ekzistojnë.

 

4- Urdhrimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja: Myslimanët kanë rënë dakord për detyrimin e saj. Imamijtë dhe esh’arijtë kanë thënë se janë të detyruara me dëgjim. Sikur të mos ishte teksti, nuk do të kishte argument për detyrim. Ndryshe nga mu’tezilët që kanë thënë se detyrimi i tyre është me logjikë.

 

5- El Ihbat (hedhja poshtë e një vepre): Imamijtë dhe esh’arijtë kanë rënë dakord me hedhjen poshtë të Ihbatit dhe kanë thënë: Për çdo vepër, ka një llogari të veçantë dhe bindjet nuk lidhen me mëkatet dhe as mëkatet me bindjet (nënshtrimet). El Ihbat (hedhja poshtë) ka lidhje vetëm me mëkatet, si për shembull, politeizmi e të tjera si këto. Ndërsa mu’tezilët kanë thënë se mëkati i vonë hedh poshtë shpërblimin e mëparshëm, kështu që ai që e adhuron Allahun, gjatë gjithë jetës së tij e më pas gënjen, ai është sikur nuk e ka adhuruar asnjëherë Allahun.

 

6- Ligji dhe mendja: Mu’tezilët kanë qenë më të rreptë në kapjen e tyre pas mendjes. Sipërfaqësorët janë kapur me anën e dukshme e sipërfaqësore të tekstit. Këto të dyja i kundërshtuan imamijët dhe esh’arijtë, duke i dhënë mendjes një pjesë, aq sa i takon. Po, është e vërtetë se imamijtë i dhanë një fushë më të gjerë mendjes, sesa esh’arijtë. Por, do të mjaftohesh te përmendja e mosmarrëveshjeve ndërmjet imamijve dhe esh’arijve.

 

7- Imamijtë dhe esh’arijtë kanë rënë dakord se pranimi i pendimit (et teubetu) është me mirësi prej Allahut dhe nuk detyrohet me mendje hedhja poshtë për ndëshkim. Mu’tezilët kanë thënë se pendimi bie poshtë për ndëshkim në formën e detyrimit.

 

8- Imamijtë kanë rënë dakord se Profetët janë më të mirë se engjëjt. Mu’tezilët kanë rënë dakord me të kundërtën e saj.

 

9- Imamijët kanë rënë dakord se njeriu nuk është as i detyruar me dhunë e as i lirë të zgjedhë, por është ndërmjet këtyre dy çështjeve, pra, ndërmjet detyrimit dhe zgjedhjes. Mu’tezilët kanë rënë dakord me zgjedhje.

 

10- Imamijtë dhe esh’arijtë kanë rënë dakord se që në fillim të teklifit (mosha e fillimit të kryerjes së urdhrave të Allahut) duhet të ketë një udhëzues. Mu’tezilët e kundërshtuan një gjë të tillë e thanë se intelektet veprojnë në vetveten e tyre dhe nuk pranojnë asgjë tjetër.

 

Këto janë bazat që imamijtë kundërshtuan mu’tezilët, kurse esh’arijtë ranë dakord për këto. Ekzistojnë baza të tjera, ku do të gjesh dakortësinë e imamijve me mu’tezilët dhe kundërshtimin e tyre nga esh’arijtë. 

 

 

Dallimi ndërmjet imamijve dhe esh’arijve

 

 

Ekzistojnë baza që imamijët i kundërshtojnë esh’arijtë. I kundërshtojnë me argumente e fakte, në ndjekje të imamëve të tyre. Disa prej tyre janë:

 

1- Uniteti i cilësive vetjake me vetveten: Vërtet, për Allahun e Lartësuar ka cilësi vetjake, si për shembull dituria e fuqia. Këto te esh’arijtë janë cilësi të vjetra, të ndryshueshme në vetvete e të shtuara. Ndërsa te imamijtë dhe te mu’tezilët janë në unitet me vetë Allahun.

 

2- Cilësi të paralajmëruara të përmendura në Libër (Kur’an) e në Synet, si fytyra, duart, këmbët, karrigeja e shembuj të ngjashëm me to. Këto cilësi shi’itët imamij i komentojnë me komentim të pranueshëm e jo me komentim refuzues, pra, merren me kuptimin dhe besueshmërinë e fjalisë e jo me kuptimin figurativ të frazave. “Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë.” (Sure “El Maide”, ajeti 64.)

Allahu është larg nga koprracia, madje Ai është dhënës pa masë. Ndërsa esh’arijtë e komentojnë atë me kuptimin imagjinar e thonë se vërtet, Allahu i Lartësuar ka dy duar. Ata i shmangen trupëzimit e përngjasimit me thënien: “Pa e shpjeguar se si.”

 

3- Veprat e robve te imamijtë rrjedhin nga vetë robtë, realisht e jo metaforikisht. Njeriu është kërkuesi, ngrënësi, vrasësi,falësi, lexuesi. E kemi thënë se përdorimi i fjalës “krijim” për veprat e njeriut është një përdorim jo i drejtë, kështu që nuk thuhet u krijua ushqimi, kërkimi, agjërimi e falja, por thuhet e ka bërë atë. Kështu është e saktë të thuhet:

Njeriu është veprues i veprave të tij, me aftësinë e me forcën e përftuar prej Allahut dhe kjo forcë e përftuar është shtytëse, me lejen e Allahut të Lartësuar. Ndërsa esh’arijtë thanë se veprat e robve janë krijesa të Allahut. Njeriu në të nuk ka as prodhim e as rol. Aftësia e tij nuk ka asnjë ndikim në realizimin e saj. Ata shkojnë deri atje, saqë thonë se dëshira e njeriut për intelektin (el aklu) krahasohet me ekzistencën e veprës së Allahut në botën e krijuar dhe ekzistente. Veçse ata, duke pasur frikë se mos shkojnë në detyrimin e këtyre veprave e, për më tepër, në cungimin e veprave nga ana e njeriut e si rrjedhojë nga shfajësimi i tyre i përgjegjësive, sajuan me qëllim teorinë e përftimit të lidhur e thanë: “Vërtet, Allahu është krijuesi dhe njeriu përftuesi. Kjo është një teori e çuditshme, e pakuptueshme e mbushur me paqartësi, saqë nuk e kuptojnë e nuk e kanë të qartë edhe vetë sajuesit e tyre.

 

4- Mundësia e njeriut për një vepër prej veprave nganjëherë e shoqëron njeriun dhe nganjëherë e paraprin atë. Kështu që, nëse nga aftësia dëshirohet shkaku i plotë, atëherë ajo aftësi është e shoqërueshme. Nëse dëshirohet shkaku i mangët, atëherë ajo aftësi është paraprirëse, në kundërshtim me esh’arijtë, që kanë thënë me shoqërim absolut.

 

5- Shikimi i Allahut me sy në Ditën e Ringjalljes. Kjo gjë është e pamundur te imamijtë dhe mu’tezilët dhe e mundur te esh’arijtë.

 

6- Fjala e Allahut të Lartësuar te imamijtë është vepra e Tij. Ajo është e re, jo e vjetër. Kjo është në kundërshtim me esh’arijtë, ku fjala e Allahut të Lartësuar është shprehje e fjalës vetjake, e thënë nga vetë Ai. Ajo është e vjetër, si vjetërsia e Tij.

 

7- Mirëbërja dhe keqbërja e logjikshme. Imamijtë thonë se intelekti (el aklu) e percepton të mirën dhe të keqen e disa veprave. Domethënë që vetë vepra nga cilido veprues të jetë vepruar, qoftë i ri apo i vjetër, i domosdoshëm apo i mundur, përshkruhet e mirë ose e keqe e logjikshme. Intelekti e logjikon përballjen e të mirës me të mirë, një çështje të mirë dhe përballjen e të keqes me të keqe, një çështje të keqe. Kurse esh’arijtë e kanë distancuar intelektin në perceptimin e të mirës dhe të keqes. Me këtë ide janë në kontradiktë imamijtë dhe mu’tezilët me sektet e ndryshme.

 

Këto janë bazat që imamijtë kundërshtojnë esh’arijtë e janë dakord me mu’tezilët. Ka mundësi që mu’tezitët janë dakord me imamijtët në të gjitha këto ose në të shumtën e tyre. E gjithë kjo vërteton se shi’itët imamij kanë një metodikë logjike të veçantë, që buron prej Librit dhe Synetit, te fjalët e imamëve të pastër e të intelektit të shëndoshë, për aq sa e lejon hapësira.

 

Shi’itët nuk janë imponues në metodikën e tyre logjike, me asnjë prej këtyre dy grupeve. Nëse do të ndalesh te librat e logjikës, të botuara në periudhën e Fadel Ibn Shadhanit (i cili ndërroi jetë në vitin 260 hixhri), Shejkhut tonë Et Tusij (385– 460) e pak pas tij, do të gjesh një metodikë logjike të faktuar, të ekuilibruar e të qartë, pa ngërç e zymtësi në të. Mbi këto baza e mbi këtë metodikë, vazhduan dijetarët e tyre në brezat e mëvonshëm.

 

Kështu Esh Shejkh El Halebij (374– 447) botoi librin “Takrijbul Mearif”. Shejkh Sedijdud Dijn El Humsij (i cili ndërroi jetë në vitin 600) botoi librin e tij “El Munkadh Minet Taklijd”, duke u pasuar nga botimi i filozofit të madh Nasijrudijn Et Tusij (597–672). Ibn Mejthem El Bahranij (ndërroi jetë në vitin 589) botoi librin “Takrijb El Mearif”, si dhe nxënësi i tij El Al’lameh El Hil’lij (648-726) mori pjesë në një grup botimesh me vlerë.

Të gjitha këto tregojnë se imamët i kanë hedhur bazat e ideologjive e të bindjeve të tyre, rrënjosën sahabët e nxënësit e tyre me njohuri të ndritura, që konsiderohen guri themeltar i metodikës logjike shi’ite. Plotësimi i metodikës përmes polemikës logjike e debatit shkencor me metodat më të fundit, arritën majat.

 

Ai që i hedh një vështrim librave logjikë të autorit Esh Sherijf El Murteda, si “Esh Shafij” (Botuar në Bejrut, në katër vëllime) dhe “Edh Dhakhijre”, (Botuar në Iran, në dy vëllime.) do të gjejë një burim të pasur me kërkime logjike. Gjithashtu, edhe ai që kthehet te librat e ndryshëm të Al’lame El Hil’lijit, si: “Keshful Murad” (Libri që studiohet në universitetet shi’ite) dhe “Nihajetul Miram” (Një dorëshkrim që ruhet në një kopje të vetme e që është në redaktim e sipër) e të tjera, do të vërejë ide të mëdha, që kanë lindur kërkime e debate gjatë shekujve e që ia kanë arritur qëllimit.

 

Më pas vazhduan botimet për ideologjitë e shi’itëve dhe bazat e tyre, që nga periudhat e para e deri në ditët e sotme, në një mënyrë të gjerë, që nuk numërohen aq sa numërohen pikat e shiut e të rërës. Shi’itët, edhe nëse kundërshtonin një grup prej grupeve islame, në bazat e tij gjenin dakortësi me disa të tjera. Ekzistojnë baza, të cilat gjejnë dakortësinë e të gjithëve, pa përjashtim. Kjo gjë është më se e qartë për atë që ka lexuar broshurat e librat tanë.

 

A nuk ka ardhur koha për myslimanët që të përcaktojnë, nën hijen e këtyre botimeve, bazat e Islamit, të gjejnë strehë nën hijen e tyre e të kapen fort pas rrethit të tij të ngushtë e besnik, ku parulla e tyre të jetë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre...” e të mos merren me ngatërresat përçarëse e shpifjet kundër shi’itëve dhe imamëve të tyre? Ndërsa parulla jonë në shkrim të jetë: “Hulumtim e vërtetim të doktrinave të të tjerëve e më pas hartimi i tyre.”

 

 

Dallimi ndërmjet shi’itëve imamij e sekteve të tjera

 

Pasi u njohe me dallimet mes shi’itëvee dhe mes disa grupacioneve të tjera myslimane, atëherë eja të njohim dallimet thelbësore ndërmjet tyre (shi’itëve) dhe grupacioneve të tjera, që çuan ndarjen e tyre në dy grupe dalluese. Shumica e atyre dallimeve kthehet te çështja e udhëheqjes pas të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kështu të bëjmë një studim të shkurtër në lidhje me këtë.