IMAM ER RIDA (Paqja qoftë mbi të!) I SHKRUAN ME’MUNIT PËR DËLIRËSINË E ISLAMIT

 

Es Saduku, me zinxhirin e transmetimit të tij, nga El Fadl ibn Shadhan, ka transmetuar:

“Me’muni i kërkoi Ali ibn Musa Er Rida që t’i shkruajë në mënyrë të përmbledhur e të shkurtër Islamin e dëlirë. Ali ibn Musa Er Rida (Paqja qoftë mbi të!) i shkroi atij:

“Islami i dëlirë është të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i vetëm është Ai, nuk ka ortak për të, një Allah i vetëm, Ngadhënjyes, Krijuesi i gjithçkaje, dëgjon gjithçka, sheh çdo gjë, i aftë për çdo gjë, i qëndrueshëm, i përhershëm, i gjithëditur.

Nuk ka asgjë, që nuk di, i aftë për gjithçka. Shumë i pasur, që s’ka nevojë për asgjë. Shumë i drejtë, që nuk bën padrejtësi. Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ka si Ai asgjë, nuk ka të ngjashëm, as opozitar, as binjak e asnjë si Ai. Ai synohet me adhurim, lutje, dëshirë, frikë e respekt.

Muhamedi është robi i Tij, i Dërguari, i dëlirti, elita prej krijesave të Tij. Zotëria i të Dërguarve, vula e Profetëve, më i miri i të gjitha botëve. Nuk ka Profet pas tij. Nuk ka ndryshim e ndërrim të sojit të tij. Nuk ka ndryshim për legjislacionin e tij. Gjithçka që ka ardhur me Muhamed ibn Abdullahun është më se e vërtetë, duhet të kihet besim te ai dhe te të gjitha ato që kanë ardhur nga të Dërguarit, Profetët dhe argumentet e Allahut përpara tij. Duhet të besohet në Librin e tij të sinqertë e të lavdishëm, i cili thotë:

“Atij  nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është Shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.”  (Sure “Fusilet”, ajeti 42)

 

Ai është mbizotërues mbi të gjithë librat. Ai është i drejtë, që nga surja “El Fatiha” e deri në fund të tij. Besojmë të qartat dhe të paqartat e tij, të veçantat e të përgjithshmet, premtimin dhe takimin e Tij, shfuqizimin e të shfuqizuarën e një dispozite, tregimet dhe rrëfimet e tij. Asnjë krijesë nuk ka aftësi që të vijë me një të ngjashëm me të Fakti pas tij, argument për besimtarët, ai që merret me çështjen e myslimanëve, ai që flet për Kur’anin, dijetari i dispozitave të tij është vëllai, halifja, këshilltari.

Pasuesi i tij është ai që ka qenë me pozitën e Harunit ndaj Musait, Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!), Princi i besimtarëve, prijësi i të devotshmëve, komandanti i furisë rinore, më i miri i këshilltarëve, trashëgimtari i diturisë së Profetëve e i të Dërguarve.

Pas tij vjen Hasani dhe Hysejni (Paqja qoftë mbi ta!), dy zotërinjtë e rinj të banorëve të Xhenetit.

Pastaj Ali ibn El Hysejn Zejnul Abidijn (Paqja qoftë mbi të!).

Pastaj Muhamed ibn Ali Bakiri (Paqja qoftë mbi të!), dituria e Profetëve.

Më pas Xha’fer ibn Muhamed Es Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), trashëgimtari i diturisë së këshilltarëve.

Më pas Musa ibn Xha’fer El Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!).

Pastaj Ali ibn Musa Er Rida (Paqja qoftë mbi të!).

Pastaj Muhamed ibn Aliu (Paqja qoftë mbi të!). Pastaj

Ali ibn Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!).

Pastaj El Hasan ibn Ali,

e më pas argumenti i vazhdueshëm e i pritur, Muhamed Mehdiu (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!).

 

Dëshmoj për ta me këshillë e prijësi. Toka nuk do mbetet pa argumentin e Allahut të Lartësuar ndaj krijesës së Tij në çdo kohë. Ata janë rrethi i tij i ngushtë besnik, prijësit udhëzues, si dhe argumente e fakte për banorët e kësaj bote, deri në momentin që Allahu ta kolapsojë tokën e çfarë ka në të. Kushdo që e kundërshton atë, është humbës, i humbur e i padrejtë, lënës i së drejtës e i udhëzimit.

Ata janë përshkrues të Kur’anit, kumtues të qartë të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai që ndërron jetë e nuk i njeh ata, vdes injorant. Feja e tyre është frika me respekt, nënshtrimi, jurisprudenca, sinqeriteti, falja, drejtësia, përkushtimi, kryerja e amanetit për të mirin e për të keqin, kohëzgjatja e madhe në sexhde, agjërimi gjatë ditës dhe ngritja në mes të natës, shmangia ndaj gjërave të ndaluara, pritja për zgjidhjen e problemit me durim dhe shoqërimin me të tjerët me fisnikëri, ndershmëri e bujari.” 

 

Më pas Imami përmendi degë të llojllojshme e të ndryshme të jurisprudencës, duke vënë në pah disa dallime ndërmjet medh’hebit të Ehli Bejtit e të tjerëve. Nuk e shohim të arsyeshme t’i përmendim. Ai që dëshiron të ndalet më shumë në lidhje me këtë, le t’i kthehet burimit.