Çështja e tretë: imami i pritur

 

Doktrina për Imam Mehdiun e pritur (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) është një doktrinë e përbashkët ndërmjet të gjithë myslimanëve, me përjashtim të atij që është i shurdhët. Kushdo që ka njohuri, në lidhje me hadithin, qëndron në pritje të lajmit të gëzuar nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nga familja dhe nga sahabët e tij, me shfaqjen e Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) në fund të kohës, për të zhdukur injorancën, padrejtësinë, si dhe për të përhapur diturinë, drejtësinë, lartësimin e fjalës së drejtë, shfaqjen e të gjithë fesë, edhe nëse politeistët e urrejnë.

 

Ai, me lejen e Allahut, do ta shpëtojë botën nga adhurimi i tjetërkujt, përveç Allahut. Do të prishë ligjet mohuese, që kanë hartuar me prirjet e tyre. Do presë fanatizmat etnikë e racistë. Do t’i japë fund armiqësisë e urrejtjes, e cila ka qenë shkak i mosmarrëveshjes së ymetit e i lëkundjes së fjalës, që është një burim i rrezikshëm për ndezjen e zjarrit të ngatërresës e të konfliktit.

 

 Allahu, me shfaqjen e imam Mehdiut, realizon premtimin e Tij, me anë të të cilit u premtoi besimtarëve, duke thënë:

“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (Sure “En Nur”, 55)

 

Dhe: “Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë.”  (Sure “Enbija”, 105)

 

Kjo është ajo për të cilën ranë dakord të gjithë myslimanët, që në fillimet e para edhe në kohërat e mëpasshme. Nga kjo del në pah përmbajtja e hadithit të të Dërguarit më Fisnik, Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!):

 

“Sikur të mbesë nga kjo botë qoftë edhe një dite e vetme, Allahu do ta zgjaste këtë ditë, derisa të dalë një burrë nga bijtë e mi e ta mbushë atë me drejtësi e racionalizëm, ashtu siç është mbushur me padrejtësi e shthurje.”

 

Natyrisht që po. Vërtet, të gjithë myslimanët janë të një mendimi me idenë e ardhjes së Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) në këtë botë. Periudha e tij do të përfshihet nga drejtësia, siguria, mirësia e mirëqenia. Nëse do këtë mosmarrëveshje në kontekstin e kësaj çështjeje madhështore, ajo vërtitet te përcaktimi i lindjes së tij. Shumica e Ehli Synetit thonë se ai do të lindë në fund të epokës.

 

Ndërsa shi’itët, si rezultat i një sasie të madhe transmetimesh e argumentesh të sakta, thonë se Imam Mehdiu (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) ka lindur në vitin 255 hixhri dhe u fsheh me urdhrin e Allahut të Lartësuar, pas ndërrimit jetë të babait të tij, Imam El Hasan ibn Ali El Askerij (Paqja qoftë mbi të!) në vitin 260 hixhri. 

 

Ai bën një jetë të natyrshme, si të gjithë njerëzit, pavarësisht se njerëzit nuk e shohin atë. Allahu i Lartësuar do ta shfaqë atë e do ta vërë në vend drejtësinë e Tij. Kjo mosmarrëveshje nuk e bën doktrinën dhe bindjen, në lidhje me Imam Mehdiun (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!), një doktrinë kontradiktore. Ai që dëshiron të ndalet te doktrina synite dhe shi’ite, le t’u kthehet librave të poshtëshënuar, të studiuesve synij e të muhadithëve (haditholgëve) të tyre:

 

1- “Sifetul Mehdij”, El Hafidh Ebij Naijm El Asfahanij.

2- “El Bejan Fi Akhbar Sahibu Zeman”, El Kenxhij Esh Shafiij.

3- “El Burhan Fi Alamat Mehdij Sahibu Zeman”, El Mul’la Alij El Muttekij.

4- “El Urf El Verdij Fi Akhbaril Mehdij”, El Hafidh Es Sujutij.

5- “El Kaulul Mukhteser Fi Alamatil El Mehdij El Muntedher”, Ibn Haxher.

6- “Akdu Durrar Fi Akhbar El Imam El Muntedhar”, Esh Shejkh Xhemalud Dijn Ed Dimashkij.

 

Ai që dëshiron detaje më të shumta, atëherë le t’i kthehet librit “Muntekhabul Ether Fil Imam Eth Thanije Asher”, të eruditit të madh Es Safij dhe te libri “El Mehdij inde ehli sunneh”, që ka dalë në dy vëllime dhe që është botuar në Bejrut.

 

Transmetimet dhe lajmet e qarta e të sigurta, në lidhje me çështjen e Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!), për nga sasia dhe fuqia argumentuese nuk lënë vend për dyshime, debat, pavarësisht përmbajtjes apo mënyrës së transmetimit të tyre. Mbi këtë rrugë ecën të mëparshmit e të mëvonshmit, me përjashtim të asaj që transmetoi Ibn Khalduni, në hyrjen e librit të tij, për dobësinë e këtyre lajmeve, për dyshimin e saktësisë së fuqisë së tyre argumentuese. Muhamed Sidijku e hedh poshtë thënien e tij, në broshurën që e quajti “Ibrazul Uehmil Meknun Min Kelam Ibn Khaldun”.

 

Doktor Abdul Bakij, së fundi ka shkruar një libër me vlerë, që e quajti “Bejne Jedejji Es Sa’ah”. Në të citon triumfin e lajmeve të transmetuara, në të drejtë të Mehdiut. Ai thotë: “Problemi nuk qëndron te një apo dy hadithe, te një apo dy transmetime, por është një grumbull hadithesh e lajmesh, që arrijnë në tetëdhjetë afërsisht, që janë në unanimitet qindra transmetues me transmetimin e tyre, ku shumica e tyre janë autorë të librave të saktë. Atëherë, përse e kundërshtojmë këtë sasi?

Mos vallë, që të gjitha janë pa vlerë? Sikur të ishte i vërtetë ky gjykim, do të shtrembërohej feja (Allahu na mbrojttë!), si rezultat i trokitjes së dyshimit e i supozimit të pavlerë të asaj që njihet si Syneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Pastaj, për më tepër unë nuk gjej kontradiktë rreth shfaqjes së Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) apo arritjes së nevojës së botës për të. Atëherë kontradikta është kush është ai, a është nga Hasani apo nga Hysejni?

 

A do të jetë në fund të kësaj bote apo është i pranishëm tani? Është i fshehur apo i dukshëm? Është shfaqur apo do të shfaqet? Nuk do të marrim mend nga pretenduesit e gënjeshtarët, ata nuk janë për t’u marrë në konsideratë.

 

Pastaj, unë nuk gjej një debat tematik në boshtin e haditheve. Por ajo që ndesh janë debate e kontradikta rreth zinxhirit të transmetimit, lidhja apo moslidhja e tij, grada e transmetuesve të tyre, kë kanë marrë e kë kanë lënë.

 

Nëse i hedhim një vështrim të shpejtë shfaqjes së Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!), nuk do të hasnim në ndonjë pengesë për ta pranuar e për ta besuar atë, ose më e pakta, në mos refuzimin e tij.

 

Shfaqja e Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) mbështetet nga hadithe të shumta e të llojllojshme, si dhe transmetuesit e tyre janë myslimanë të besueshëm. Librat që na kanë mbërritur ne, janë libra me vlerë. 

 

Et Tirmijdhij është nga burrat që ka nxjerrë hadithe e dispozita të mençura, duke shtuar se hadithet e Imam Mehdiut (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!) saktësohen me zinxhirin e transmetimit të tyre nga Buhariu dhe Myslimi, si puna e hadithit të Xhabirit te Muslimi, në të cilin thuhet: “E ndërkohë thotë princi i tyre (pra, për Isain): “Hajde falu me ne.”

(“Sahijh” Muslim, kreu “Zbritja e Isait”, 59.)

 

Hadithi i Ebu Hurejres te Buhariu, në të cilin thuhet: “Si do t’ia bëni, nëse do të zbresë te ju Mesihu, i biri i Merjemes dhe Imami juaj është prej jush?” 

(“Sahijhul” Bukharij 14 / 334.)

 

Nuk është e çuditshme që ky të jetë princi dhe Imami të jetë Mehdiu (Allahu i Lartësuar e shpejtoftë daljen e tij fisnike!). Duke i shtuar kësaj se shumica e të parëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) nuk e kanë kundërshtuar këtë thënie, përkundrazi shpjegimet dhe vendimet e tyre erdhën në dakortësi me vërtetimin e kësaj doktrine te myslimanët.

(“Bejne Jedejjis Sa’ah”, Dr. Abdul Bakij, f. 123-125.)