Çështja e tetë: mes’hi (fshirja) e këmbëve gjatë abdesit

 

Myslimanët kanë mospajtim për larjen e këmbëve dhe mes’hin e tyre (fshirjen e shpinës së këmbëve me dorë të lagur). Katër imamët e medh’hebeve thonë se vetëm larja është e detyruar. Shi’itët Imamij thonë se është mes’hi i tyre. Daud ibn Aliu, triumfuesi i së drejtës prej zejdijëve, ka thënë: Është e detyruar t’i bashkojmë të dyja. E kjo është thënia e Tabariut në komentimin e tij, që e ka transmetuar nga Hasan El Basriu, i cili ka thënë: “Ai është i lirë të zgjedhë ndërmjet të dyjave.”  (Et Tabarij, “Komentimi” 6/86.)

 

Ajo që të çudit, është kontradikta midis myslimanëve për këtë çështje, megjithëse ata e kanë parë abdesin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Duhet të themi se myslimanët kanë qenë dakord me një veprim të vetëm, përndryshe kjo çështje nuk do të ishte e fshehur. I Dërguari i Allahu (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka sqaruar atë.

 

Mund të themi se ata që kanë qenë të pranishëm, në kohën e zbritjes së ajetit, kanë kuptuar një kuptim të vetëm nga ajeti, ose mes’hin, ose larjen. Nuk ishin të lëkundur në dispozitën e dy këmbëve. Nëse është fshehur dispozita e kësaj çështjeje, pas largimit nga kjo jetë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) te brezat e ardhshëm, nuk është e çuditshme që t’u jenë fshehur myslimanëve dispozitat e shumë çështjeve. Nuk ka gjë më të besueshme se sa Libri i Allahut. Kështu që detyra jonë është ta studiojmë atë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“O që keni besuar! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët dhe këmbët deri në nyje...” 

(Sure “El Maide”, ajeti 6.)

 

Lexuesit kanë mendime të ndryshme për leximin e pjesës “ve erxhulukum ilel ka’bejni”. Pati prej tyre që e lexuan fjalën “erxhul” me “fet’ha” zanoren “e, pra “erxhlulekum”. Të tjerë e lexuan me “kesra”zanoren “i”, pra “erxhlulikum”.

 

Është e largët që çdonjëri prej dy leximeve të jetë i lidhur me Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), sepse lejimi i të dyjave hedh dyshime e paqartësi te ajeti, duke e bërë ajetin të mistershëm e enigmatik. Kur’ani është një libër udhërrëfyes e udhëzues dhe ky qëllim kërkon në vetvete qartësim, sqarim e kthjelltësi, veçanërisht kur lidhet me vepra e dispozita ligjore, të cilat ndiqen nga të gjithë myslimanët e nuk krahasohen me njohuri e ideologji që janë të veçanta.

 

Sidoqoftë, ka prej atyre që e kanë hulumtuar dhe e kanë qartësuar ajetin. Një prej tyre është Imam Er Raziu. Po e transmetojmë shkurtimisht thënien e tij:

 

“Argumenti i atij që ka thënë se duhet bërë mes’hi, bazohet te dy leximet e njohura te thënia e Allahut të Lartësuar “ue Erxhulukum”.

 

Ato dy lexime janë:

 

Leximi i parë: Ibn Kethijri, Hamzai, Ebu Amr dhe Asimi, sipas transmetimit të Ebu Bekrit i lexuan me “i”, pra “erxhlulikum”.

Leximi i dytë: Nafiu, Ibn Amir dhe Asimi, mbi bazën e transmetimit të Hafsit, e lexuan me “e”, pra “erxhlulekum”. Leximi me “i” bën të kryer, që këmbët janë të lidhura me kokën. Përderisa mes’hi është i detyrueshëm në kokë, e njëjta gjë është edhe për këmbët. Ndërsa leximi me “e”, pra “erxhlulekum”, obligon mesin, sepse “bi ru’usikum” te thënia e Allahut të Lartësuar “femsehu bi ru’usikum”, në fakt, është në pozitën e nasbit, (Thuhet: “Lejse Hadha bi Alimin ve La Amilen.” Ka thënë poeti Muavi: “Innena Besherun Fesxhah/ Felesna Bil Xhibali Ve la El Hadijda.” Shiko, “El Mugnij”, Ibn Hisham, K. 4.) me fjalën “imsahu”, sepse ai është kundrinor dhe ajo është me “i”, ngaqë është i lidhur me pjesëzën “bi” vetëm për shqiptim e jo kuptim. Kështu që, nëse i lidh këmbët me kokën, lejohet për “el erxhulu” (këmbët) që të lexohet me “e”, duke e lidhur me kokën.

 

Për sqarim të mëtejshëm themi: Leximi i fjalës “el erxhulu” me “e”, pra “erxhlulekum”, përcaktohet lidhja e fjalës “el erxhulu” (këmbët) me fjalën “ru’usikum” (kokat tuaja) dhe nuk lejohet lidhja, në dukje (Ejdijekum), për arsye të pranisë së ndarjes ndërmjet lidhëzës dhe të lidhurës, me një fjalë tjetër të panjohur, që nuk është e lejuar te njëjësi. Kjo është ajo që njohin ekspertët në Librin e ndritur. Një myslimani nuk i shkon të bëjë drejtësi për dikë tjetër me Kur’anin.

 

Nëse ai është mbisundues nga të gjithë librat e tjerë qiellorë, është më parësore që të jetë mbisundues i asaj që kanë në dorë njerëzit prej të vërtetës e të pavërtetës. Transmetimet për të cilat bëhet fjalë kanë kontradikta.

 

Por, me gjithë përplasjen e tyre në këtë kontekst, urdhri ka ardhur për “mes’h” - “fshirje”. Këtë e ka përcjellë Tabari nga sahabët dhe tabi’inët:

 

1- Ibn Abasi ka thënë: “Abdesi është me dy larje dhe dy fshirje.”

 

2- Enesi, kur i fshinte këmbët, i lagte ato. Gjatë mbajtjes së predikimit, El Haxhaxh tha:

“Nuk ka gjë më të pisët te njeriu se sa këmbët e tij, kështu që lajini ato, poshtë, lart dhe anash. Enesi tha: “Allahu ka thënë të vërtetën dhe Haxhaxhi gënjen. Allahu ka thënë: “Fshini me duar të lagura kokën dhe këmbët tuaja deri në nyje. Enesi, kur i fshinte këmbët, i lagte pak ato.”

 

3- Akreme ka thënë: “Nuk ka për dy këmbët larje, sepse për ato ka zbritur fshirja.”

 

4- Esh Sha’bij ka thënë: “Xhibrijli e zbriti me fshirje e tha: ‘A nuk e shikon se tejemumi është të fshish atë që lan dhe anulon fshirjen?’”

 

5- Amiri ka thënë: “Urdhëroi të fshihet në tejemum atë që urdhëroi të lahet në abdes dhe e bëri të padrejtë atë që urdhërohet të fshihet te abdesi: Kokën e këmbët.” Iu tha atij: “Disa njerëz thonë se Xhibrijli e zbriti me larjen e dy këmbëve.” Ndërkohë tha: “Xhibrijli zbriti me fshirje.”

 

6- Kutade, në komentimin e ajetit, thotë: “Allahu obligoi dy larje dhe dy fshirje.”

 

7- El A’mashi thotë: “E ka lexuar (Erxhulikum) me “lam” të cunguar e të prerë.”

 

8- Alkametu thotë: “E ka lexuar (Erxhulikum) me “lam” të cunguar e të prerë.” 9- Ed Dahhak thotë: “E ka lexuar (Erxhulikum) me “i”.”

10- Muxhahid thotë: Si ky i fundit.  (Et Tabarij, “Komentimi” 6, f. 82-83)

 

Këta janë disa nga personalitetet më të mëdha të tabi’inëve. Prej atyre që përmendëm janë edhe dy sahabë, Ibn Abasi dhe Enesi, të cilët e kanë përkrahur fshirjen dhe leximin me “i” dhe fshirja është më parësore se sa larja. Ehli Syneti argumenton thëniet e tyre në aspekte të ndryshme. Po përse janë shmangur prej këtij aspekte të rëndësishme e të ndjeshme në adhurimin e myslimanëve?!

Thënia për fshirjen e këmbëve është me tekst nga imamët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe atyre u ka arritur nga Profeti më Fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që tregojnë për abdesin e tij. Ebu Xha’fer El Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

“A nuk doni t’ju rrëfej abdesin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)?” Më pas mori një grusht ujë dhe e hodhi në fytyrën e tij … Në fund tha: “Fshiu kokën e këmbët e tij.” Në një transmetim tjetër lexojmë: “Pastaj me atë që mbeti nga duart e tij fshiu kokën dhe këmbët. Nuk i futi ato të dyja përsëri në enë.” 

(El Hurr’rru El Amilij, “El Uesail”, Libri 15, kreu “Abdesi”, Hadithet 9-10.)

 

Nën dritën e këtyre transmetimeve e gjurmëve ranë dakord njëzëri shi’itët imamij: Për abdesin ka dy larje e dy fshirje. Këtë na e tregon edhe dijetari i madh Bahrul Ulumi, në prozën e tij, në Ed Durul Nexhefijeh:

 

“Te ne, abdesi është dy larje, dy fshirje.

Libri është me ne.

Larja është për fytyrën dhe duart,

kurse fshirja për kokën e dy këmbët.

 

Pas sqarimit të argumentimit të ajetit dhe unanimitetit të imamëve të Ehli Bejtit, për fshirjen, e mbështetur nga argumente të sakta, disa prej tyre i thanë se thënia e kundërt me këtë duket e dobët dhe nuk është e qëndrueshme përballë diskutimit e debatit. Gjithsesi, ne do të përpiqemi të transmetojmë disa aspekte, me anë të të cilave argumentojmë ata që thonë me larje, në mënyrë që të bëhet e qartë për lexuesin e nderuar dobësia e këtyre fakteve dhe argumenteve:

 

1- Shumë lajme janë transmetuar për detyrimin e larjes. Larja përmbledh edhe fshirjen dhe e kundërta nuk ndodh. Përderisa larja është më pranë gjithëpërfshirjes, shkuan drejt obligimit të saj. Larja e këmbëve me këtë zëvendëson fshirjen. (“Mefatijhul Gajb”, 11:162.)

 

Këtu vërehet diçka, lajmet e larjes janë në kundërshtim me lajmet e fshirjes. Nuk ka gjë më të besueshme se sa Libri i Allahut. Kështu që, nëse argumenton obligimin e fshirjes, nuk mbetet hapësirë për saktësimin e saj me transmetimet e fshirjes.

Kur’ani është mbisundues mbi gjurmët e transmetimet dhe ajo që bie në kundërshtim me të, nuk ka peshë. Më e çuditshme se kjo është thënia e autorit të librit “Mefatijhul Gajb”, i cili thotë: Larja përmbledh edhe fshirjen, megjithëse këto janë dy realitete të ndryshme.

 

Kështu që larja është kalimi i ujit në pjesën e larë dhe fshirja është kalimi i dorës mbi pjesën e fshirë. (Allahu i Lartësuar, duke i rrëfyer Sulejmanit, ka thënë: “Kthejeni atë duke e fërkuar me dorë në supe e qafë.”, f. 33.)

 

Ato janë dy realitete të ndryshme gjuhësore, zakonore e ligjore. Nëse përpiqet të përfshijë obligimin e bashkimit ndërmjet fshirjes e larjes, larja do të ishte e mjaftueshme.

 

2- Thënia e përcjellë nga Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), në lidhje me këtë çështje, i ka sqaruar njerëzit: “uerrxhulikum” është prej të paraprirave dhe të vonuarave në thënie. Nga kjo duket sikur Allahu i Lartësuar ka thënë: “Lani fytyrat e duart tuaja deri në bërryla. Lani këmbët dhe fshini kokat tuaja.”

 

Kësaj thënie i përgjigjemi duke thënë se: Imamët e Ehli Bejtit, si El Bakiri dhe Es Sadiku (Paqja qoftë mbi ta!) e dinë më mirë se çfarë kanë në shtëpi. Këta të dy kanë rënë dakord për fshirjen (mes’hin) e këmbëve. A është e mundur dakortësia e tyre për fshirjen, ndërkohë që i madhi i tyre beson te larja e këmbëve?! Është e sigurt se ky transmetim është i vendosur, në mënyrë që të nxisë dyshime te ndjekësit dhe te shi’itët e tij.

 

Me përjashtim të kuptimit të ajetit, diçka më e zymtë kërkohet të transmetohet, në një kohë kur kërkohet qartësi, që në të të kthehet fshatari e beduini, ai që ka qenë i pranishëm në momentin e zbritjes e ai që ka munguar. Kështu që e mira është që të jetë i rregullt e të përçojë qëllimin. Pastaj çfarë nevoje kryen kjo paraprirje e prapambetje, ku do të ishte e mundur përmendja e këmbëve përpara duarve, pa u vonuar?

Nëse shtytësi i vonesës është sqarim i renditjes dhe larja e këmbëve, pas fshirjes së kokës, do të ishte e mundur të përmendej veprimi i tij e të thuhej: Fshini kokat dhe lani këmbët tuaja deri te nyjet. Të gjitha këto tregojnë se janë përpjekje të dështuara për sqarimin e ixhtihadit në drejtim të tekstit dhe të asaj që shi’itët janë të bindur me fshirje.

 

3- Transmetimi nga Ibn Umeri te dy Sahihat, i cili ka thënë: Në udhëtimin e tij, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbeti mbrapa nesh dhe na kaloi Ikindia. Filluam të marrim abdes e të fshijmë këmbët. Ndërkohë, thirri me zë të lartë: “Mjerë këmbët e poshtme nga zjarri!” Këtë e tha dy ose tre herë. (“Sahijh” El Bukharij, vëll.1, Libri “Dituria”, f. 18, K. “Ai që e ngre zërin e tij”, Hadithi 1.) I kundërpërgjigjemi këtij argumentimi: Ky transmetim, kundër përcaktimit të fshirjes, është më argumentues se sa argumenti i tij për larjen e këmbëve. Vërtet, ai është një deklarim i qartë se sahabët i kanë fshirë këmbët. Ky argument vërteton se për ta ka qenë e njohur fshirja. Ajo që ka përmendur El Bukhari, se mohimi ka qenë për shkak të fshirjes e jo për shkak të mangësisë së disa burrave, është një ixhtihad i tij, është argument për të e jo për të tjerët.

Si mund të fshihet për djalin e Umerit dispozita ligjore për të dy këmbët, kur i ka fshirë këmbët vite me radhë, deri sa atij ia mohoi fshirjen Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)?!

 

Ky transmetim ka një kuptim tjetër, që e mbështesin disa transmetime të tjera. Transmetohet se disa arabë po urinonin në këmbë dhe urina spërkaste këmbët e tyre. Ata po futeshin në xhami për falje pa i larë këmbët. Ky ishte shkaku i kësaj thirrjeje. (“Mexhmaul Bejan”, 2:167.)

 

Këtë e mbështet edhe përshkrimi i disa arabëve: “Urinues mbi A’akabihim, pjesët e poshtme të këmbëve të tyre. Pavarësisht qëllimit të asaj që ka përmendur El Bukhari, nuk e sfidon transmetimin e tekstit të Librit.

 

4- Ibn Maxhe El Kazvijnij ka transmetuar nga Ebu Is’haku dhe nga Ebu Hajjetu, i cili ka thënë:

“Kam parë Aliun duke marrë abdes e duke larë këmbët e tij deri në nyje.” Pastaj tha: “Desha t’ju tregoj ju pastrimin e Profetit tuaj (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).” (“Synen” Ibn Maxhe, 1:170, K. “Larja e këmbëve”, Hadithi 1.)

 

Ajo që vërejmë këtu është se Ebu Hajjetu është i panjohur, nuk njihet. Ebu Is’haku e transmetoi atë prej tij, kur arriti një moshë që harronte dhe i përziente gjërat. Njerëzit e lanë transmetimin e tij.

(Shiko korrektimet e Ibn Maxhes, 170. “MijzanulI ‘tidal Edh Dhehebij”, 4:519, Nr. 10138, f. 489, K. “Ebi Is’hak”.)

 

Ky transmetim bie në kundërshtim me transmetimet e Ehli Bejtit, me imamët e Ehli Bejtit, e në mënyrë të veçantë me atë që e shoqëroi në jetën e tij, me Ibn Abasi, siç e përmendëm edhe më parë.

 

5- Autori i librit “El Menar” ka thënë: “Ndër argumentet më të forta kundër imamijve është bërja qëllim e pastrimit të pjesëve të poshtme të dy këmbëve. Kjo nuk arrihet veçse me përthithjen e ujit prej tyre, sepse “ka’bejn” janë dy kockat në dy anët e këmbës. Diskutim për këtë thënie: Supozojmë se qëllimi i përdorimit të fjalës “ka’bejni” është ajo që përmendi ai.

Ne e pyesim atë: Përse nuk arrihet ndryshe ky qëllim, veçse me përthithjen e ujit nga ana e këtyre të dyjave? Këtë qëllim mund ta arrijmë me pjesën e mbetur të ujit në dorë. Prova është e lehtë. Ja, pra, ne i fshijmë këmbët dhe dy kockat e tyre fundore me lagështirën e dorës. Në këtë veprim nuk shohim ndonjë pengesë e vështirësi.

 

6- Gjihashtu, autori i librit “El Menar” ka thënë: “Vërtet imamijët fshijnë kurrizin e këmbës deri në nyje ndërmjet kockës së parakëmbës e këmbës e thonë se ajo është “el ka’b”. Kështu që, sipas mendimit të tyre, në këmbë ka një “ka’b”. Sikur të ishte e saktë kjo, do të thuhej: “Deri në “kiab” (pra, njëjës e jo shumës), ashtu siç ka thënë për të dy duart: “ilel merafik” – “deri në bërryla”. (“El Menar”, 6:234.)

 

Them: Është shumë i njohur ndërmjet imamijve komentimi i fjalës “ka’b” me kupën e këmbës, e cila është pjesa e ngritur, e fryrë e shputës së këmbës. Ka edhe prej atyre që mendojnë se qëllimi i përdorimit të kësaj fjale është ndarja e kockës së pjesës së poshtme të këmbës. Pak prej tyre thonë se qëllimi i tyre janë të dy kockat, në të dy anët e këmbës. Me gjithë këto, është i saktë përdorimi i fjalës “ka’bejni”, edhe pse kufiri i fshirjes është te dy kockat apo ndarja e tyre me kockën.

 

Si përfundim, kuptimi është: Fshijini këmbët tuaja deri në nyje. Nuk ka dyshim se çdo i ngarkuar me detyrime ka dy “ka’bejn”. Nëse komentimi i përmendur është i saktë, atëherë ai duhet ta zgjerojë vendin e fshirjes e ta vërë kufirin te dy kockat e jo të ndërrojë fshirjen me larjen. Ai ëndërron se fshirja me ujin e mbetur në duar nuk realizohet, edhe nëse thahet dora përpara mbërritjes te ato. Pasha jetën time, këto ixhtihade janë iluzione e pretendime të pavlera përballë Librit të Ndritur.

 

7- Diçka tjetër që përmend autori i librit “El Menar”, për larjen e këmbëve, është thënia e tij: “Nuk është e logjikshme detyrimi i fshirjes së kurrizit të këmbëve me dorë të lagur me ujë. (dispozitë ligjore) Madje ajo është e kundërta e një dispozite ligjore te abdesi, sepse hedhja e një sasie të pakët në pjesën e trupit, që është me dhè ose me papastërti, e shton pisllëkun. Edhe dora që e prek, merr prej këtij pisllëku. Kësaj thënieje i kundërpërgjigjemi: Kjo që përmend ai është Istihsanun dhe nuk mund të bazohesh te ai me praninë e tekstit të qartë.

 

Pa dyshim që dispozitat ligjore kushtetuese janë në ndjekje të interesave reale dhe nuk jemi të detyruar të ndalemi te ato. Atëherë, çfarë interesi e vlere ka në fshirjen e kokës, qoftë edhe me gisht apo me dy gishta? Shafiu ka thënë: “A shpërblehet njeriu, nëse e fshin me një gisht të vetëm, ose me disa gishtërinj, ose me pëllëmbën e tij, ose urdhëron dikë që të fshijë?! 

 

Ekziston një thënie me vlerë e imamit Sherefudijn El Musauijit (Allahu e mëshiroftë!): “Ne kemi besim se Allahu i Ditur ndaj robve të Tij për gjithçka që i ka ngarkuar me dispozita ligjore kushtetuese. Nuk i ka urdhëruar ata veçse në interes të tyre, nuk i ndalon ata veçse t’i ruajë nga shkatërrimi i tyre. Megjithëkëtë ajo nuk ka bërë gjë nga perceptimet e këtyre dispozitave në rritje, përsa u përket interesave e shkatërrimeve nga mendimet e robve. Madje i përforcoi ato me argumente të forta, duke caktuar e duke përcaktuar për to, duke mos bërë për të rrugë tjetër, me përjashtim të asaj.

 

 I pari i këtyre argumenteve të urta është Libri i Allahut, i cili ligjëroi me fshirje të kokës e të këmbëve në abdes dhe nuk ka rrugëzgjidhje tjetër ndaj ligjit të Allahut. Ndërsa pastrimi i këmbëve nga pisllëku i madh duhet të bëhet patjetër përpara fshirjes. Këto argumente të veçanta na tregojnë për kushtëzimin e pastërtisë së pjesëve të abdesit, përpara se të veprojmë me të."

(Kjo është arsyeja që shikon bujq dhe punëtorë të tjerë shi’itë, që nuk e kanë problem pastërtinë e këmbëve jashtë kohëve të namazeve të kushtëzuara. Nëse dëshirojnë të marrin abdes, i lajnë këmbët e tyre, pastaj marrin abdes me fshirje mbi pjesën e pastër e të thatë)

 

Ndoshta larja e këmbëve nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), pretenduar në lajmet e larjes, ka qenë në këtë aspekt, ose në aspektin e freskimit të këmbëve, ose të përsosmërisë në pastërti, kur ka pasur kohë të mjaftueshme për një gjë të tillë.

Allahu e di më së miri. (“Mesail Fikhije”, 82.)