Çështja e shtatë: martesa e përkohshme

 

Nga gjërat e përfolura kundër shi’itëve është është thënia e tyre (shi’itëve) për lejimin e martesës së përkohshme. Ata që flasin keq për shi’itët për këtë temë e konsiderojnë legjitimitetin e saj apo mos shfuqizimin e anulimin e saj, se është në kundërshtim me Librin (Kur’anin) e Synetin. Meqenëse çështja është degë e jurisprudencës, nuk përshtatet një kërkim studimor në librat e historisë e të doktrinës.

Por, meqë kjo çështje është prej simboleve në jurisprudencën shi’ite, vendosëm të bëjmë për të një kërkim të përmbledhur studimor, në Libër (Kur’an) e në Synet, në mënyrë që lexuesi të kuptojë se bazën e legjitimitetit e të mosshfuqizimit të martesës së përkohshme e vërteton Kur’ani dhe Syneti. Kurse thënia për mos legjitimitetin e saj në mënyrë absolute dhe pretendimi i shfuqizimit të saj është e kundërta e asaj që thamë.

 

Më poshtë do të përmendim se një grup sahabësh e tabi’inësh kanë dhënë fetva për lejimin e martesës së përkohshme dhe kanë thënë se ajo nuk është anulluar. Është e vërtetë, se atë (martesën e përkohshme) e ndaloi Umer ibn Khattabi, bazuar në mendim vetjak dhe ixhtihad individual për të cilin nuk ka argument e nuk është argument për të tjerët.

 

Martesa e përkohshme është martesa e një gruaje të lirë dhe e plotësuar në vetvete, nëse nuk ekziston pengesë ndërmjet saj dhe burrit që dëshiron të martohet me martesë të përkohshme, prej gjenezës, shkakut, qumështit, martesës, periodave, e të tjera si këto ndalesa të Sheriatit, me një shumë të caktuar, deri në një periudhë kohe të caktuar, me pëlqim e marrëveshje.

 

Nëse përfundon afati, ndahet prej tij, pa divorc. Është detyrë, kur ajo kryen marrëdhënie seksuale, nëse nuk është në menopauzë dhe është prej grave që u vijnë periodat mujore, duhet që të zbatojë kohën e ndarjes, dyzet e pesë ditë. (Shiko librat e jurisprudencës të shi’itëve imamij.)

 

Fëmija i martesës së përkohshme, qoftë djalë apo vajzë, i përket babait dhe nuk thërritet veçse me të. Atij i takon nga trashëgimia ashtu siç na porosit Allahu i Lartësuar në Librin e Tij të Lavdishëm.

 

Gjithashtu, Ai përfshihet në të gjitha përgjithësitë e përmendura në lidhje me baballarët, bijtë e nënat, gjithashtu, edhe te përgjithësitë e përmendura në lidhje me vëllezërit, motrat, xhajat e hallat. Në mënyrë të përmbledhur: Ajo grua që martohet me martesë të përkohshme është grua e vërtetë dhe fëmija i saj është i vërtetë. Nuk ka dallim ndërmjet dy martesave, e përhershme apo e përkohshme.

 

Veçse në këtë rast nuk ka trashëgimi ndërmjet dy bashkëshortëve dhe nuk ka as pjesë e as shpenzim për të. Burri ka të drejtë, gjithashtu, të shkëputet prej saj. Këto dallime të pjesshme janë dallime në dispozita e jo në thelb, sepse thelbi është një i vetëm, pavarësisht se njëra prej tyre është e përkohshme e tjetra e përhershme.

E para (martesa e përkohshme) përfundon me përfundimin e kohës, kurse tjetra (martesa e përhershme) përfundon me divorc, ose me zhbërje të saj. Myslimanët ka rënë dakord njëzëri se Allahu i Lartësuar e legjitimoi martesën e përkohshme në fillimet e Islamit. Nuk dyshon askush në thelbin e legjitimitetit të saj, por bëhet fjalë për anulimin apo qëndrimi i legjitimitetit të saj.

 

Baza e legjitimitetit të saj është thënia e Allahut të Lartësuar:

“Ju ndalohet martesa me gratë e bijve tuaj dhe t’i bashkoni dy motra, përveç rasteve që tashmë kanë kaluar. Pa dyshim, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. (Ju ndalohet martesa) edhe me gratë që gjenden nën kurorë, përveç atyre që i zini robëresha. Ky është urdhri i Allahut. Ju janë lejuar të tjerat, me kusht që t’i kërkoni me pasurinë tuaj për martesë e jo për jetë të përkohshme. Grave, me të cilat kaloni jetë bashkëshortore, jepuni dhuratat e detyrueshme. S’ka gjynah për ju, me pëlqimin e të dyja palëve, që ta shtoni apo ta pakësoni sasinë e dhuratës së premtuar. Se, Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” 

 

 

Ajeti e sheh të udhës martesën e përkohshme, sepse:

 

1. Mbartja e kuptimit për martesën e përhershme imponon përsëritje pa arsye

 

 

Surja “En Nisa” është marrë më shumë me dispozitat e të drejtat e grave. Ajo përmend llojet e martesave, sidomos në fillim të saj, me një sistem të veçantë. Përsa i përket martesës së përhershme Allahu i Lartësuar na e tregon në thënien e Tij:

“Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua...” 

(Sure “En Nisa”, ajeti 3)

 

Ndërsa dispozitat e mehrit (prikës) vijnë në ajetin e mëpasshëm: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit e, nëse ato u falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhuratave, pranojeni atë pa frikë dhe me kënaqësi!” (Sure “En Nisa”, ajeti 4)

 

Martesa e robëreshës përmendet në thënien e Allahut të Lartësuar: “Cilido nga ju që nuk mund të martohet me gra të lira besimtare, për shkaqe të vështira materiale, le të martohet me një vajzë besimtare që gjendet nën pushtetin tuaj (robëreshë) - e Allahu e di më së miri besimin tuaj-, se jeni nga njëri-tjetri. Martohuni me to me lejen e pronarëve të tyre. Jepuni dhuratat si është e zakonshme për gra të ndershme e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me dashnor...” (Sure “En Nisa”, ajeti 25)

 

Thënia e Allahut të Lartësuar për martesën me robëresha është tregues i martesës së zotërisë me robëreshën e vet. Kjo është dhënë mjaft qartë nga Allahu i Lartësuar: “Përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim - dhe, për këtë, nuk janë fajtorë.” (Sure “El Mu’minun”, ajeti 6.)

 

Thënia e Allahut të Lartësuar:

“Martohuni me to me lejen e pronarëve të tyre.”, është tregues i martesës me robëreshën e tjetërkujt. Këtu mbaron sqarimi i të gjitha llojeve të martesave dhe nuk ka mbetur veçse martesa e përkohshme, e cila përmendet në ajetin e lartpërmendur. Mbartja e kuptimit të thënies së Allahut: “Grave, me të cilat kënaqeni jepuni dhuratat e detyrueshme” se është për martesën e përhershme dhe dhuratat janë mehri çojnë në përsëritjen pa arsye, sepse ai që i vështron me vëmendje ajetet do të shohë se të gjitha llojet e martsës janë sqaruar në fillim me një renditje të posaçme.

 

Dhe kjo thënie e ajetit nuk vërteton gjë tjetër veçse ngarkimin e kuptimit të ajetit me martesën e përkohshme, siç është edhe ana e jashtme e tij.

 

 

2. Komenti i pagimit të shumës për kënaqësinë

 

 

Komenti i pagimit të faturës së kënaqësisë së përkohshme te thënia e Allahut të Lartësuar: “Brenda mundësive tuaja për to, jepuni dhuratat si është e zakonshme.”, përshtatet me martesën e përkohshme dhe jo me martesën e përhershme. Mehri (dhurata) këtu është i detyrueshëm me vendosjen e marrëveshjes.

Nuk kërkohet domosdoshmëria e pagesës së të tërës, veçse me kontakt seksual. Ndërsa ata që njihen, ndryshojnë sipas ndryshimit të zakoneve e traditave dhe ndoshta merren përpara kontratës. Dikush tjetër e lë derisa të trashëgojë njëri prej tyre tjetrin.

 

 

3. Deklarimi i qartë i një grupi sahabësh për arsyen e zbritjes së ajetit

 

 

 Një grup i madh muhadithinësh e ka përmendur zbritjen e këtij ajti për martesën e përkohshme. Prej tyre janë: Ibn Abasi, Ubej ibn Ka’abi, Abdullah ibn Mesudi, Xhabir ibn Abdullah El Ensariji, Habijb ibn Ebu Thabi, Saijd ibn Xhubejri e personalitete të tjera të hadithit, të cilët nuk mund të akuzohen me vendosje e sajim. E kanë përmendur zbritjen e këtij ajeti për martesën e përkohshme edhe komentues e muhadithë, si:

 

  • Imami i Hanbelijve Ahmed ibn Hanbeli te “Musnedi” i tij. (“Musned” Ahmed, 4:436.)
  • Ebu Xha’fer Et Tabarij në komentimin e tij. (“Komentimi” Et Tabarij, 5:9.)
  • Ebu Bekr El Xhassas El Hanefij te “Ahkamul Kur’an”. (“Ahkam El Kur’an”, 2:178.)
  • Ebu Bekr El Bejhakij te “Sunenul Kubra”. (“Sunenul Kubra”, 2:178.
  • Mahmud ibn Umer Ez Zamakhsherij te “El Keshaf”. (“El Keshaf”, 1:360)
  • Ebu Bekr ibn Sa’dun El Kurtubij në komentimin “Xhamiul Ahkamil Kur’an”. (“Xhamiul Ahkam El Kur’an”, 5:13)
  • Fakhrudijn Err Rarzij te “Mefatijhul Gajb”. (“Mefatijhul Gajb”, 3:267.)

 

Ka dhe shumë muhadithinë e komentues të tjerë që erdhën pas tyre, deri në kohën tonë. Nuk po zgjatemi me përmendjen e tyre. Nuk është e drejtë e askujt që t’i akuzojë këta dijetarë të mëdhenj me përmendjen e asaj që nuk bien dakord me të e me vërejtjet e këtyre shembujve. Nuk dyshohet te transmetimi i tyre për martesën e përkohshme. E sqarojmë edhe më tepër këtë me thënien e Allahut të Lartësuar: “Dhe lejohet për ju përpos këtyre, të kërkoni me pasurinë tuaj qartazi e haptazi e jo me kurvëri.”

 

Fjala “muhsinijn” – “të mbrojtur”, që përdoret në thënien e Allahut të Lartësuar, rrjedh nga fjala “mbrojtje”, me kuptimin e mbrojtjes së vetes nga rënia në haram. Fjala “gajru musafihijne” – “e jo kurvar”, që përdoret në thënien e Allahut të Lartësuar, është shumësi i fjalës “musafih”, me kuptimin e kurvarit, kjo fjalë vjen nga fjala “es sefhu” dhe ka kuptimin e hedhjes së ujit. Në këtë fjali kuptimi është për kurvarin. Kjo sqarohet te thënia e Allahut të Lartësuar në ajetin e fundit, ku flet për martesën e robëreshave: “Jepuni dhuratat si është e zakonshme për gra të ndershme e jo imorale të hapura apo të fshehta, që jetojnë me dashnor.”

 

Pra, të jenë të ndershme dhe jo kurvare. Kuptimi i ajetit është: Allahu i Lartësuar, pas këtyre të ndaluarave, e ligjëroi martesën për to, në mënyrë që robëreshat të kërkojnë pasurinë e tyre. Kjo gjë i ruan, e mbron nderin e tyre dhe  i shmang nga kurvëria. Ky model është për të gjitha llojet e martesave, të përhershme, të përkohshme e me robëreshën e dikujt tjetër, të përmendura në këtë sure nga ajeti i parë e deri te ajeti 25.

 

Kjo është ajo që kupton çdo njeri nga ajetet, pavarësisht se ai që nuk e gëlltit dot marrjen e anës së jashtme të ajetit: “Brenda mundësive tuaja për to, jepuni dhuratat si është e zakonshme.”, për mangësi psikike apo mjedisore, u përpoq të vërë në zbatim kuptimin e ajetit mbi një kontratë të përhershme, duke përmendur burimin.

 

 

Mohuesit e ndalimit

 

 

Thamë më lart se një grup i njohur prej sahabëve e tabi’inëve e mohuan këtë ndalim dhe nuk e miratuan atë. Prej tyre ishin:

 

1- Aliu, Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!). Et Tabarij, me zinxhirin e transmetimit deri te ai, ka transmetuar fjalën e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!): “Sikur mos të mos e ndalonte Umeri martesën e përkohshme, askush nuk do të kishte bërë kurvëri, veçse ndonjë fatkeq.”  (Et Tabarij, “Komentimi”, 5:9.)

 

2- Abdullah ibn Umeri. Imam Ahmedi ka përcjellë hadithin nga Abdullah ibn Umer, i cili është pyetur për martesën e përkohshme, dhe ka thënë: Pasha Allahun, nuk kemi qenë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kurvarë e të shthurur. Pasha Allahun, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) të thotë:

“Do të jenë përpara Ditës së Ringjalljes El Mesijh dhe Ed Dexhal dhe tridhjetë e më shumë gënjeshtarë.”  (“Musned” Ahmed, 2:95.)

 

3- Abdullah Ibn Mesudi. Bukhariu transmeton nga Abdullah ibn Mesudi se ka thënë: “Ishim duke luftuar me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nuk kishim femër me vete, kështu që i thamë: “A të mastrubohemi?” Ai na ndaloi nga kjo. Më pas na lejoi të kryejmë marrëdhënie me femrën, me rroba deri në një periudhë të caktuar. Pastaj lexoi për ne: “O ju që keni besuar, mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin! Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin.” (Sure “El Maide”, ajeti 87)

 

4- Imran Ibn Hasijn. (“Sahijh” El Bukharij, Libri “Martesa”, K. 8, Hadithi 3.) El Bukharij ka përcjellë prej Imran Ibn Hasijn në Sahijhun e tij, i cili ka thënë: “Në librin e Allahut zbriti ajeti i martesës së përkohshme dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) veproi me të. Nuk zbriti në Kur’an gjë që e bën haram atë, apo e ndalon atë, derisa vdiq. Një person me mendimin e tij tha çfarë deshi.”  

(“Sahijh” El Bukharij, 6:27. Libri “Tefsiri”, Komentimi i thënies së Allahut të Lartësuar (ai që bën Haxh ose Umre të përkohshme) nga surja “El Bekare”.)

 

Ahmedi ka përcjellë në “Musnedin” e tij, nga Ebu Rixha dhe nga Imran ibn Hasijni, i cili ka thënë: “Kur zbriti ajeti i martesës së përkohshme në librin e Allahut, vepruam me të, me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Nuk zbriti ajet që ta ndalonte atë dhe as Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), derisa vdiq, nuk na e ndaloi ne.”  

(“Musned” Ahmed. Shih “Mesail Fikhije” – “Çështje juridike” të Sejjid Sherefuddijn, 70.)

 

5- Gjithashtu, khalifi abasit, El Me’mun, gati sa nuk thërriti në kohën e sundimit të tij, për lejimin e martesës së përkohshme, veçse u ndal nga frika e ngatërresës dhe e përçarjes ndërmjet myslimanëve.

 

Ibn Khalkani ka transmetuar nga Muhamed ibn Mensuri:

“Ishim me Me’munin rrugës për në Sham, kur urdhëroi e thërriti për lejimin e martesës së përkohshme. Ndërkohë Jahja ibn Ekthem, më thotë mua dhe Ebu El Ajna:

“Nesër herët në mëngjes shkoni te ai e, nëse shihni në thënie ndonjë gjë, flisni e, nëse jo, heshtni deri sa të hyj unë.”

Kur hymë te ai, shfrynte e turfullonte si i xhindosur:

“Dy të përkohshme ka pasur në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Unë i ndaloj ato të dyja.”

E kush je ti o i trashë që të ndalosh atë që ka vepruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!)?!”

Ebul Ajnae iu drejtua Muhamed ibn Mensurit dhe i tha: “Një burrë që thotë nga Umer ibn Khatabin i flasim ne?”

Ne heshtëm. Jahja Ibn Ekthem erdhi dhe u ul. U ulëm edhe ne.

Me’muni i tha Jahjas. “Të shoh që të paska ndryshuar fytyra.”

Tha: “Është bërë nami, o Prijësi i besimtarëve, ajo që ka ndodhur me Islamin. “Çfarë ka ndodhur me të?”

Tha: “Thirrja për lejimin e kurvërisë.”

Tha: “Kurvërisë?”

Tha: “Po. Martesa e përkohshme është kurvëri.”

Tha: “E nga e nxorre këtë?”

Tha: “Libri i Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar dhe hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e thotë këtë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zekatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim - dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve).” (Sure “El Mu’minun”, ajetet 1-7)

O Prijësi i besimtarëve, bashkëshorti i martesës së përkohshëme është posedues i skllaves?”

Tha: “Jo.”

Tha: “Ajo është bashkëshortja që te Allahu trashëgon e lind dhe ajo ka kushtet e saj.” Tha: “Jo. U bë e lejuar nga ata që e kanë shkelur dhe e kanë kaluar kufirin.” (Ibn Khalkan, “Vefijat El A’jan”, 6:149-150)

 

Unë them:

“A nuk e ka parë Ibn Ekthem, i cili ka qenë prej atyre që nxiste armiqësi kundër Ehli Bejtit, se martesa e përkohshme është brenda thënies së Allahut të Lartësuar: “Me përjashtim të bashkëshorteve të tyre” dhe mostrashëgimia është specifikë në ligj dhe se ai nuk mohon vërtetësinë e martesës së përkohshme. E sa e sa shembuj të ngjashëm ka për të.

 

Kështu për shembull: Jobesimtarja (qafirja) nuk trashëgon nga burri mysliman dhe e kundërta. Gjithashtu, edhe vrasësja nuk trashëgon, po kështu e kundërta. Ndërsa fëmija me martesë të përkohshme është e tyre në mënyrë absolute dhe se thënia se fëmija nuk është e tyre, është i përhapur nga injoranca për ligjet ose nga mospërfillja e njohjes së tyre. Sa e keqe është fjala e tij, kur ai komenton martesën e përkohshme me kurvëri, që ymeti e ka përkrahur lejimin e saj në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të halifes së parë.

 

A po mendon ti o Ibn Ekthemi se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka lejuar kurvërinë, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër?!!!

 

 

FJALË E MADHE DEL NGA GOJA E TYRE

 

 

Ka transmetime nga vetë khalifi, që përshkruajnë se ndalesa ka qenë vendim i tij, pa e marrë nga ndonjë ajet apo transmetim. Muslimi, në “Sahijhun” e tij, transmeton nga Ibn Ebu Nadre: “Ibn Abasi ka urdhëruar për martesën e përkohshme, ndërsa Ibn Zubejri e ndalonte atë.” Ia përmendën këtë Xhabirit e tha:

“Brenda përbrenda hadithit, e kemi zbatuar martesën e përkohshme me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kur erdhi në pushtet Umeri, tha: “Allahu i ka lejuar të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) çfarë ka dashur e si ka dashur.” Kështu që e plotësuan Haxhin dhe Umren dhe u martuan përkohësisht me gratë. Nëse më sjellin një burrë që është martuar përkohësisht me një grua, do ta gurëzoj atë më gurë.” 

(“Sahijhu Muslim”, 4:130. K. “Martesa e përkohshme”, Hadithi 8. E botoi Muhamed Alij Sabijh.)

 

Imam Ahmedi, në “Musnedin” e tij, ka transmetuar nga Ebu Nadre, i cili ka thënë:

“I thashë Xhabirit: ‘Ibn Zubejri e ndalon martesën e përkohshme, ndërsa Ibn Abasi urdhëron me të." Më tha mua (sipas hadithit të transmetuar): “E zbatonim martesën e përkohshme me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe me Ebu Bekrin. Kur erdhi në pushtet Umeri, mbajti një ligjëratë.

Midis të tjerash, tha: “Kur’ani është Kur’an dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është i Dërguari i Allahut. Kanë qenë dy të përkohshme në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), njëra prej tyre është Haxhi i përkohshëm, kurse tjetra është martesa e përkohshme me gratë.”  (Ahmed, “El Musned”, 1/52.)

 

Këto transmetime perifrazojnë vërejtje, që ne do t’i përmbledhim në dy:

Së pari: Martesa e përkohshme ka qenë që në kohën e halifes Umer ibn Khatabit dhe mbeti për një periudhë kohe në epokën e tij, derisa e ndaloi atë.

 

Së dyti: Ixhtihadi i tij doli me rezultatin e ndalimit të asaj që e lejoi Libri dhe Syneti. Dihet se ixhtihadi i tij (nëse është i saktë emërtimi i tij me ixhtihad) është argument për veten e tij e jo për të tjerët.

 

 

NË MBYLLJE THEMI

 

 

Injoranca, rreth jurisprudencës shi’ite, çoi që shumë shkrimtarë të përflasin Shi’izmin, veçanërisht çështjen e martesës së përkohshme. Si pasojë hartuan dispozita ligjore, të cilat tregojnë injorancë, ose kotësi të nxituar e pa logjikë. Prej atyre dispozitave të tyre trilluese rreth martesës së përkohshme, që ia mveshin Shi’izmit janë: Fëmija nuk ka pjesë në trashëgimi nga babai i tij dhe se bashkëshorti nuk ka një periudhë kohe të caktuar. Gruaja mund të kalojë nga një burrë te një tjetër, nëse do. Për këtë arsye, e bënë të keqe martesën e përkohshme, e mohuan atë dhe i përçmuan ata që e lejuan atë. Por e vërteta iu fsheh atyre.

 

Vërtet martesa e përkohshme te shi’itët është e ngjashme me martesën e përhershme me kontratë të argumentuar, me synim martesën e deklaruar qartë. Bashkëshorti duhet të jetë i lirë nga të gjitha pengesat. Fëmija i saj, ashtu si fëmija te martesa e përhershme, trashëgon shpenzimet dhe të gjitha të drejtat materiale. Është detyrë e gruas të presë për të kryer marrëdhënie, pas përfundimit të periudhës kohore. Nëse bashkëshorti i saj vdes dhe ajo është nën kujdestarinë e tij, është detyrë e saj, që të presë periudhën e caktuar, njëjtë si te martesa e përhershme, pa kurrfarë ndryshimi. Jo vetëm këto rregulla, por edhe rregulla të tjera janë si te martesa e përhershme.

(El Ithnej Asherije dhe Ehli Bejti, i autorit Mugnije, 46)

 

Çështja për të cilën duhet të jemi të vëmendshëm dhe ta perceptojmë atë me qartësi është: Shi’itët, pavarësisht perceptimit e besimit të tyre në lejimin e martesës së përkohshme dhe mos ndalimin e saj, e shpallin hapur atë, pa u lëkundur. Ata nuk shkojnë drejt kësaj martese, veçse në kufij të ngushtë e të veçantë. Nuk është ashtu siç e përfytyrojnë disa, një dukuri e përhapur në shoqërinë e tyre.