Nga doktrinat bindëse e të qëndrueshme te shi’itët imamij është thënia edhe “el beda”. Dy janë fjalët që qarkullojnë te dijetarët e tyre: En Nuskh (shfuqizim, anulim), dhe el beda (tjetërsim). Të dyja këto kuptime janë binjake, veçse fjala e parë është në legjislacion (et teshri’) dhe e dyta në krijim (et tekuin). Shi’itët janë bërë shumë të njohur në përdorimin e kësaj fjale, ashtu siç janë të njohur në përdorimin e fjalës “et tekijjtu” (mbrojtja nga frika) dhe “el mut’atu” (martesa e përkohshme).
Përdorimi i këtyre të triave u bë diçka e veçantë për shi’itët. Ndërsa Ehli Syneti i mohonte e i urrente shumë këto fjalë, veçanërisht çështjen “el bedá”. Mirëpo, nëse ata do të ishin të një mendimi me shi’itët në lejimin e “el bedá”, ndaj Allahut, do të ndaleshin nga mohimi dhe do të shfaqnin dakordësinë për këtë çështje. E them seriozisht: Sikur dijetarëve të të dy grupeve t’u jepej rasti për studimin e pikave kontradiktore, larg fanatizmit e urrejtjes, e drejta do të zbardhej në mënyrën më të dukshme të saj, do të vendosnin me vërtetësinë e thënies së shi’itëve, pavarësisht se kjo shpresë nuk realizohet veçse në periudha të veçanta.
Një prej dijetarëve të Ehli Synetit më ka pyetur mua për vërtetësinë e fjalës “el beda”. Iu përgjigja shkurtimisht, siç do ta shpjegoj me këtë rast. U çudit nga racionalizmi i kuptimit të fjalës. Pavarësisht kësaj, ai pretendoi se ajo që përmenda unë, ishte një teori personale, e cila nuk kishte lidhje me teorinë imamije, në lidhje me “el beda”, kështu që kërkoi prej meje një libër prej dijetarëve të shkuar shi’itë.
I dhashë atij librin “Euailul Mekalat”, Sharh Akaidus Saduk dhe të Shejkhut të ymetit, Muhamed ibn Nu’man El Mufijd (336-413 hixhri). I lexoi ato në mënyrë të hollësishme dhe pas disa ditësh erdhi me librin e tha: “Nëse kuptimi i fjalës “el bedá” është ky që përmend autori i këtij libri, atëherë ai është boshti i doktrinës së Ehli Synetit dhe nuk i kundërshtojnë kurrën e kurrës shi’itët në këtë parim.
Për sqarimin e vërtetësisë së “el bedá”le të vijmë me disa paranteza E para: Shi’itët kanë rënë dakord të gjithë se Allahu i Lartësuar është në dijeni të të gjitha ngjarjeve, të kaluarat, të tashmet e të ardhmet. Atij nuk i fshihet asgjë në tokë e në qiell. Nuk përfytyrohet për Të shfaqja pas fshehjes, as dituria pas injorancës, madje gjërat e imëta e të mëdha janë të pranishme te Ai. Këtë e argumenton Kur’ani i Shenjtë dhe Syneti i transmetuar përmes rrugës së imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), duke shtuar edhe faktet filozofike të vendosura për këtë rast. Për çështjen e dijes absolute të Allahut të Gjithëditur po përmendim disa ajete nga Kur’ani i Shenjtë.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!” (Sure “Ali Imran”, ajeti 5.)
Dhe:
“O Zoti ynë, Ti e di vërtet çfarë fshehim e çfarë shfaqim haptazi. Allahut nuk i fshihet asgjë, as në Tokë, as në qiell.”
Dhe:
“Çfarëdo që të shfaqni apo të fshihni, (dijeni se) Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Sure “El Ahzab”, ajeti 54)
Allahu i di të gjitha, më të voglën dhe më të madhen e botës, të kaluarën e të tashmen. Çdo gjë është e lidhur me praninë e Tij. Për sqarimin e kësaj mjafton të përmendim thëniet e Allahut të Lartësuar:
“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!”
(Sure “El Hadid”, ajeti 22)
Dhe:
“S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.” (Sure “Hud”, ajeti 6)
E të tjera ajete që flasin për dijen absolute të Allahut të Madhëruar. Ndërsa përsa i përket haditheve, le të mjaftohemi me pak prej tyre. Imam Musa El Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Allahu ka qenë i ditur për gjërat përpara se t’i krijonte ato njësoj sikur është i ditur për gjërat pasi i krijoi ato.” (“El Kafij”, vëll. 1, kreu “Sifatu Dhat”, hadithi 4)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Çdo sekret për Ty është i dukshëm dhe çdo e fshehtë për Ty është e dëshmuar.” (“Nehxhul Belaga”, Predikimi 105)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Atij nuk i shpëton numri i pikave të ujit, as i yjeve të qiellit, as grimcat që mbart era në ajër, as ecja e lehtë e milingonës mbi gurin e madh e të lëmuar, as atomet e vogla në një natë të errët. I di gjethet që bien e çfarë fshihet nën qepalla.”
(“Nehxhul Belaga”, Hytbja 173, botoi shtypshkronja “Abdu”)
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), në lidhje me komentimin e thënies së Allahut të Lartësuar:
“Allahu fshin çfarë të dojë e ngulit çfarë të dojë (në këtë libër); dhe tek Ai është Libri amëz.”, (“Sure “Er Rrad”, ajeti 39) ka thënë: “Çdo gjë që dëshiron Allahu, është në dijeninë e Tij, përpara se ta krijojë atë. Çdo gjë që Ai e tjetërson, ajo ka qenë e përfshirë në dijen Tij. Vërtet, Allahu nuk e tjetërson diçka nga padituria.” Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që pretendon se Allahu i Lartësuar e i Lavdishëm bën diçka dhe nuk e ka ditur atë më parë, atëherë braktiseni dhe qëndroni larg tij.”
(“El Bihar”, 4:111, kreu. “El Beda”, Hadithi 30. “El Burhan”, 2:300, Hadithi 21)
E të tjera transmetime si këto që tregojnë gjithëpërfshirjen e diturisë së Allahut të Lartësuar, në lidhje me çdo gjë, përpara krijimit, gjatë kohës së krijimit dhe pas tij. Allahut nuk i fshihet asgjë, kurrën e kurrës.
(Për më tepër transmetime, për diturinë e Allahut të Madhëruar, shiko librin “El Bihar”, 4:121)
Intelekti (el aklu) tregon se Allahu është larg tjetërsimit e ndryshimit dhe Ai, iu shenjtërofshin emrat, është më i lartë se sa të bjerë pre e shndërrimeve dhe e ndryshimeve. Kjo është arsyeja se pse ata e ndaluan el beda-në për Të, me kuptimin e shfaqjes pas fshehjes dhe të diturisë pas injorancës, sepse Veta e Tij është e pamundur për ndryshimin dhe shndërrimin. E të tjera si këto, që janë të pamundura për Atë.
I Lartësuar është Allahu! Ajetet e Kur’anit dhe hadithet e transmetuara nga imamët shi’itë (Paqja qoftë mbi ta!) dëshmojnë për diturinë e Allahut, të papërzier me injorancë, dëshmojnë se dija e Allahut përfshin çdo gjë, përpara dhe pas krijimit.
Është e pamundur për Allahun shfaqja pas fshehjes dhe dituria pas injorancës. Bazuar mbi këtë, ai që u mvesh shi’itëve imamij të kundërtën e asaj që bie në kundërshtim me ajetet e hadithet, ka shpifur dhe kjo shpifje bazohet ose te injoranca ndaj doktrinës së Shi’izmit, ose për t’u qëndruar pranë udhëheqësve smirakë të kohës, ose kjo shpifje bazohet te fanatizmi verbues.
Me këtë vërtetohet pavlefshmëria e thenies së Rrazijut, që ka thënë për komentimin e këtij ajeti:
“Rrafidijtë ka thënë: ‘El beda’ lejohet ndaj Allahut të Lartësuar dhe ajo është që të ketë mendim për diçka e më pas të shfaqet për Të një mendim tjetër në kundërshtim me atë që mendonte më parë. Ata u kapën dhe u mbështetën te thënia e Allahut të Lartësuar: ‘Allahu fshin çfarë të dojë dhe e bën të qëndrueshme atë.’”
Më pas tha:
“Vërtet kjo është thënie e pavlerë, sepse dituria e Allahut është prej domosdoshmërive të vetes së Tij. Përderisa është kështu, te Ai është e pamundur shndërrimi dhe ndryshimi.”
(Tefsiri “Err Rrazij”, 4/216. Komentimi i sures “Er Rrad”. -141)
Ajo që rrëfen Err Rrazij për “Rrafidijtë”, nxjerr në pah injorancën e tij për doktrinën e Shi’izmit. Një mundësi tjetër për këtë mendim të tij është se ai mund ta ketë dëgjuar atë nga disa gënjeshtarë shpifës, të cilët i sajojnë gënjeshtrat për qëllime të këqija, duke e pranuar atë pa u menduar e pa e vërtetuar, duke qenë se atdheu i tij dhe vendi që vuri kokën në të ishte (provinca Raj).
Në atë kohë jo vetëm që ishte plot e përplot me shi’itë, por ishte edhe qendra e tyre. Esh Shejkh Mahmud ibn Ali ibn El Hasan Sedijdudijn El Humsij Err Rrazij, një dijetar i madh i kohës së tij, i asaj epoke në mesin e tyre, botoi librin “El Munkadh Mine Taklijd Uel Murshed Ila Teuhijd”
(Et Tahranij Aga Buzurg, “Et Tukat El Ujun Fi Sadisil Kurun”, 295 dhe u botua libri së fundi) ka thënë:
Sikur Fakhru Rrazij të kishte qenë një njeri racional, do të kthehej te ky libër për qartësimin e doktrinës së shi’itëve e nuk do t’i kishte sulmuar ata me fjalë të shëmtuara. Në këtë aspekt, Err Rrazij nuk është i vetëm në gënjeshrtën e tij. Në këtë drejtim i paraprin atij El Balkhi (319 hixhri). (Et Tusij, “Et Tibjan” 1:13)
Atë e pason Esh Shejkh El Esh’arij (260–324 hixhri). (“Mekalat El Islamijijn” 107)
Këtë e ka transmetuar Ebul Hasan En Neubekhtij te sektet e shi’itëve për disa sekte të zejdive.
(“Firakush Shijah” 76, e transmeton atë nga Sulejman ibn Xherijri, që e bëri atë qafir Ehli Syneti për mohimin e Othmanit. Kështu që a është e drejtë të mbështetemi te thënia e tij?)
* * *
E dyta: Siç tregojnë ajetet dhe hadithet, (“El Bihar”, vëll. 4, Hadithi 17 e të tjerë)
Allahu i Lavdishëm nuk lë gjë mangët në çështjet e krijimit, të ekzistencës, të rregullimit e të menaxhimit. Por, kjo tregon se rrugëtimi i robve të Tij ndryshon me veprat e mira të tyre, me sadaka, me mirësi, me dashuri ndaj të afërmve, me respektimin e prindërve, në kërkimin e faljes, në pendim, në falënderim të begatisë, në kryerjen e zekatit, e të tjera si këto, që janë prej çështjeve që ndryshojnë e shndërrohen, që të vobektin e atë që është në siklet, e nxjerrin nga një situatë e vështirë, duke ua shtuar furnizimet, shirat, jetën e njerëzve.
Gjithashtu, për atë që bën vepra të ndaluara e të këqija, si: është koprrac, ka marrëdhënie të këqija me të afërmit, nuk u bindet prindërve, është mosmirënjohës, nuk pendohet, mohon begatinë e të ngjashme me to, ndikojnë në ndryshimin e rrjedhës së tij, në të kundërt të shtimit të anktheve e të streseve, në mangësi të furnizimeve, të shirave e të ngjashme me to.
Njeriu nuk ka një ecuri të vetme e caktim individual, që e godet atë në mënyrë të prerë, që e arrin atë, do apo nuk do. Përkundrazi ecuria apo caktimi ndryshon e shndërrohet me vepra të mira e të këqija, falënderim të begatisë e mohim të saj. Me besim e devotshmëri, me mohim e mosmirënjohje. Kjo është prej gjërave të pamundura për atë që ka sadopak lidhje me Kur’anin dhe Synetin, pra, mohimin e saj apo pretendimin e mosdijes së saj. Ne do të pasqyrojmë tani disa ajete e hadithe në lidhje me këtë. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an:
“…e u thashë: ‘Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!" (Sure “Nuh”, ajetet 10-12)
Profeti Nuh (Paqja qoftë mbi të!) i thotë popullit të tij se kërkimi i faljes është shkak ndikues në zbritjen e shiut, në shtimin e pasurisë e të fëmijëve, në lundrimin e lumenjve e të tjera si këto. Ndërsa sqarimi i mënyrës së ndikimit të veprës së robit te qeniet natyrore kërkohet në vendin e ku veprohet ajo vepër.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Vërtet Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një kombi derisa të ndryshojnë në vetveten e tyre.” (Sure “Er Rrad”. ajeti 17.)
Dhe:
“Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Sure “El Enfal”, ajeti 53)
Dhe:
“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (Sure “El A’raf”, ajeti 96.)
Dhe:
“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk nga nuk e pret.” (Sure “Et Talak”, ajeti 3)
Dhe:
“(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia, por nëse ju mohoni mirësitë e mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” (Sure “Ibrahim”, ajeti 7)
Dhe:
“(Kujtoje) Nuhun kur ai na thirri më përpara, dhe Ne ju përgjigjëm atij, duke e shpëtuar atë dhe familjen e tij nga mjerimi i madh (mbytja).” (Sure “El Enbija”, ajeti 76.)
Dhe:
“(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve! Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte.” (Sure “El Enbija”, ajetet 83-84.)
Dhe:
“Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.”
(Sure “El Enfal”, ajeti 33.)
Dhe:
“...dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. Por, Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije).” (Sure “Es Safat”, ajetet 143-146)
Dhe:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Sure “El Enbija”, ajeti 88.)
Dhe:
“Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe.”
(Sure “Junus”, ajeti 98. Imam Aliu, Princi i besimtarëve, (Paqja qoftë mbi të!) ka dëshmuar me disa vargje: “Allahu i sprovon robtë e Tij te veprat e këqija me mangësi në fryte …” “Nehxhul Belaga, Ligjërata 143.)
Këto ajete, po ashtu edhe shumë hadithe, na përshkruajnë se veprat e mira kanë ndikim në ecurinë e njeriut. Njeriu, me veprën e tij, jo vetëm ndikon në caktimin e kaderit të tij, por edhe në ndryshimin e kadasë së tij. Pra, nuk ekziston një kader i prerë, që kthehet te veprat e tij me zgjedhje dhe njeriu të qëndrojë përballë tij me duar e këmbë të lidhura.
Hadithet që na tregojnë për këtë, janë të shumta, të shpërndara në librat e ndryshëm të haditheve, me nëntemat: Sadakaja, Kërkimi i faljes, Lutjet, Lidhjet farefisnore, e të ngjashme me këto.
Në vijim do të përmendim shembuj të ndryshëm të këtyre haditheve, që argumentojnë një gjë të tillë:
a. SADAKAJA DHE NDIKIMI I SAJ NË SHMANGIEN E FATKEQËSISË
Es Saduku, në librin e tij “El Khisal”, nga Enesi ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shtoje sadakanë e fshehtë, sepse ajo e shuan zemërimin e Zotit. I Lavdishëm e i Lartësuar është Ai.”
Në librin e tij “Ujunul Akhbar” imam Er Rida (Paqja qoftë mbi të!), ka transmetuar nga baballarët e tij, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nxitoni me sadaka, sepse ai që konkurron me të, nuk e zë belaja.”
Esh Shejkh Et Tusij, në librin e tij “Emalij”, ka transmetuar nga El Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) se Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
“Mjeti më i mirë, me anë të të cilit arrihet besimi te Allahu, është sadakaja e fshehtë, sepse ajo jo vetëm që e shlyen gabimin dhe shuan zemërimin e Zotit, por shton veprat e mira, sepse ajo e largon të fëlliqurën dhe mbron poshtërimet.”
Es Saduku, në librin “Theuabul A’amal”, ka transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!): “Sadakaja dorazi largon të fëlliqurën, si dhe shmang shtatëdhjetë lloje prej llojeve të belave.”
Janë shumë transmetime të tjera, që, po t’i përmendim këtu, do të zgjatemi. Ai që dëshiron të zgjerohet, le t’i kthehet librit “Biharul Enuar”, të dijetarit të madh El Mexhlisij te kapitujt “Zekati”, “Sadakaja”, etj.
(“Biharul Envar”, Pjesa 93, kreu 21, Hadithet 4,7,9,26.)
b. NDIKIMI I KËRKIMIT TË FALJES NË FURNIZIM
Es Saduku, në librin e tij “El Khisal”, ka transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Kërkimi i faljes shton rizkun.“ Transmetohet, gjithashtu, nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Shtojeni kërkimin e faljes, që të përfitoni furnizim.”
(I njëjti burim, Pjesa “Përmendja dhe lutjet”, kreu “Kërkimi i faljes, mirësia e llojet e tij”, Hadithet 4-17. (Hadithet janë transmetuar nga të dy grupet.))
c. LUTJA DHE NDIKIMET E SAJ
El Humejrij, në librin “Kurbul Isnad”, ka transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:
“Lutja e kthen Kadanë. Nëse besimtari mëkaton, furnizimi i ndalohet me mëkatin e tij.”
Gjithashtu, El Humejrij ka transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka dhe largojini portat e belasë me lutje.”
Es Saduku ka transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Largojini dallgët e belasë me lutje, përpara se t’ju vijë belaja.” (“El Bihar”, Pjesa 93, “Përmendja dhe lutjet”, “Portat e lutjes”, kreu 16, Hadithi 2,3,5. (Hadithet janë transmetuar nga të dy grupet.))
El Kulejnij, te libri i tij “El Kafij”, i ka kushtuar një kapitull të veçantë, që e ka quajtur “Lutja shmang belanë e kadanë”. Po përmendim diçka nga tërësia e këtyre haditheve në këtë kapitull: Hamad ibn Uthmani ka transmetuar: E kam dëgjuar imam Sadikun të thotë:
“Duaja e shmang kadanë, e shtyn atë, ashtu siç futet peri në vrimën e gjilpërës.” (“El Kafij”, Pjesa e dytë, kreu “Lutja shmang kadanë”, f. 469, Hadithi 1.)
Po ashtu, Hamad ibn Uthmani ka transmetuar nga imam Ebu Hasan, Musa Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë:
“Është detyra juaj të luteni, sepse lutja është për Allahun. Kërkesa drejt Allahut, e zmbraps belanë. Është caktuar, e kryer dhe nuk ka mbetur gjë tjetër,
veçse kryerja e saj. Por, nëse i lutet Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar, Ai e shmang belanë në mënyrë të menjëhershme.” (I njëjti burim, f. 470, Hadithi 8.)
Ndërsa nga transmetimet e Ehli Synetit, El Hakim ka transmetuar nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
“Nuk ka dobi paralajmërimi nga kaderi, por Allahu e fshin me lutje atë që do prej kaderit.” Ibn Ebu Shejbe në librin “El Musennaf” dhe Ibn Ebu Ed Dunja në librin “Ed Dua”, kanë transmetuar nga Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “Nuk lutet një njeri me këto lutje, veçse ia zgjeron Allahu mirëqenien e tij:
‘O Posedues i mirësisë, që nuk ka nevojë për mirësi!
O Posedues i Lavdisë e i Fisnikërisë, o Posedues i gjithçkaje, nuk ka Zot tjetër përveç Teje! Ti je Mbështetësi i strehuesve dhe siguria e atyre që frikësohen! Nëse Ti, në Librin Kryesor, ke shkruar për mua, si i mjerë, atëherë fshije për mua emrin e mjerimit e më bëj mua të qëndrueshëm e të mirëqenë te Ti.
Nëse Ti, në Librin Kryesor, ke shkruar për mua, si i ndaluar dhe do të ma vështirësosh furnizimin, atëherë fshije ndalimin e më lehtëso furnizimin tim, më bëj mua të qëndrueshëm te Ti, të lumtur e në dakortësi me të mirën, sepse në Librin që ke zbritur, Ti thua: ‘Allahu, atë që dëshiron, e fshin dhe e bën të qëndrueshëm. Te Ai është Libri Kryesor." (Es Sujutij “Ed Durr’rrl Menthur”, 4:66)
d. NDIKIMI I LIDHJES FAREFISNORE
El Kulejnij ka transmetuar nga imam Ebu Hasan Err Rrida, i cili ka thënë:
“Një person që mban lidhjet farefisnore dhe atij i kanë mbetur edhe tre vite jetë, Allahu i Lartësuar ia shndërron ato në tridhjetë vjet. Allahu vepron çfarë të dojë.” (“El Kafij”, vëll. 2, kreu “Silatu Rahm”, Hadithi 3)
Gjithashtu, nga imam Ebu Xhafer, transmetohet:
“Forcimi i lidhjes së të afërmve pastron veprat, shton pasuritë, shmang belatë, lehtëson llogarinë dhe harrohet në ndërrimin e jetës.”
(I njëjti burim, Hadithi 4. Shiko “El Bihar”, vëll. 4, kreu “El Beda” f. 121, Hadithi 66.)
Edhe te Ehli Synetit janë transmetuar hadithe të shumta për këtë kontekst.
Le të mjaftohemi me atë që transmeton Es Sujutij, nga Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), te libri “Ed Durr’ul Menthur”, kur ai (Imam Aliu) e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për këtë ajet:
“Allahu i fshin.”, e Profeti i është përgjigjur: “Unë do t’i kënaq sytë e ty dhe sytë e ymetit tim pas meje me komentimin e këtij ajeti: Sadakaja, në llojin e vet, mirësjellja ndaj dy prindërve dhe veprimet e mira, e shndërrojnë pikëllimin në lumturi, e shtojnë jetën dhe e mbrojnë nga shtigjet e këqija.”
Ashtu si veprat e mira ndikojnë në ecuri, deri në një fund të mirë, grumbullim mëshire, shtim të jetës, bollëk të madh, ashtu edhe veprat e ulëta e të këqija, kanë ndikimin e kundërt, që nuk i fshihen askujt në ecurinë e jetës. Prej ajeteve, këtë e argumenton thënia e Allahut të Lartësuar:
“Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” (Sure “En Nahl”, a jeti 112.)
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Sure “El Enfal”, ajeti 53.)
Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend.” (Sure “El A’raf”, 130.)
Ndërsa përsa u përket transmetimeve në lidhje me këtë, ka plot. Po përmendim atë që ka thënë Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) në fillim të një ligjërate të tij:
“Kërkoj mbrojtjen e Allahut prej mëkateve, që përshpejtojnë shkatërrimin.” Abdullah ibn El Keva El Jeshkerij u ngrit e i tha: “O Prijësi i besimtarëve, a e përshpejtojnë mëkatet shkatërrimin?” Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Po. Mjerë ti po i ndërpreve lidhjet me të afërmit!” Gjithashtu, ka thënë: “Nëse ndërpriten lidhjet farefisnore, pasuritë shkojnë në duart e keqbërësve.”
(“El Kafij”, vëll. 2, Pjesa “el ijmanu uel kufru”, kreu “Ndërprerja e lidhjes me të afërmit”, Hadithet 7-8.)
Për ndikimet e veprave janë transmetuar hadithe të shumta, që, po t’i përmendim këtu, do të zgjatemi. Shiko se çfarë transmetohet në lidhje me kurvërinë. Ajo përshkruhet me gjashtë cilësi, tre prej tyre janë në këtë botë, ndërsa tre të tjerat në Botën Tjetër. Cilësitë e atyre që janë në këtë botë janë: u ikën bukuria, u përshpejtohet shkatërrimi dhe u ndërpritet furnizimi.
(“Sefijnetul Bihar”, 1/560. Lënda “zina, kurvëria”)
Gjithashtu, ajo që transmetohet në lidhje me urdhërimin me të mirë e ndalimin nga e keqja, është transmetimi nga imam Ebu Hasan Err Rrida (Paqja qoftë mbi të!):
“Ose do të urdhëroni me të mirë e do të ndaloni nga e keqja, ose keqbërësit tuaj do të veprojnë kundër jush. Më i miri ndër ju do të thërrasë e nuk do të merrni përgjigje.”
(“El Uesail”, vëll. 11, Pjesa “Urdhërimi me të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, kreu 1, Hadithi 4)
Prijësi i besimtarëve, Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vërtet, ata kur mësohen me mëkate dhe priftërinjtë nuk i ndalin, mbi ta zbresin ndëshkimet.” (I njëjti burim, Hadithi 7)
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!):
“Ymeti im do të vazhdojë të jetë mirë, përderisa urdhërojnë me të mirë e ndalojnë nga e keqja, bashkëpunojnë në të mirë. Nëse nuk e bëjnë këtë, prej tyre ikin begatitë, disa prej tyre shtypin të tjerët dhe nuk ka për ta triumfues as në tokë e as në qiell.” (I njëjti burim, Hadithi 18.)
E të tjera perla të shumta që kanë për këtë çështje.
Nga ato që përmendëm rezulton:
Së pari:
Dituria e Allahut përfshin çdo gjë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Së dyti:
Allahu i Lartësuar është çdo ditë në një çështje.
Së treti:
Vërtet veprat e njerëzve ndikojnë në shpërblimin me të mirë, ose me të keq, zbritjen e së mirës e të begatisë, ose të ndëshkimit e të mjerimit. Nëse ndalesh te këto tre paranteza, dije se fjala “el bedá” qëndron në dy pozita:
1. “El Bedá”, në pozitën e qëndrueshmërisë: Pra, ndryshimi i ecurisë me vepra të mira, ose të këqija.
2. “El Bedá”, në pozitën e qëndrimit: Pra, lajmërimi për realizimin e diçkaje, duke pasur dijeni me kryerjen, me fshehjen e ndalesës.
E vërtetë e “el bedá” është, se Allahu i Lartësuar, në kundërshtim me atë që pretendojnë jehudët e të krishterët në lidhje me të drejtën e Tij, është i Gjithëditur dhe në gjithçka duket fuqia e Tij: në çështjet e krijimit e të rregullimit, të ngjalljes e të vdekjes, të zgjerimit e të përcaktimit në furnizim, pakësim e shtim të furnizimit, e të tjera si këto, që kanë lidhje me universin e njeriun. Allahu i Lartësuar është Ngadhënjimtari dhe Rregulluesi i çështjeve të ndryshme.
Duart e Tij nuk janë të mbyllura, përkundrazi duart e Tij janë të shtrira (në çdo gjë). Fshin dhe bën të qëndrueshëm, sipas urtësisë së Tij dhe sipas dëshirës së Tij zbatuese. Ai, me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tij të larta, është i Lavdishëm e i Lartësuar në çdo kohë, siç janë cilësia e krijimit, e furnizimit, e ringjalljes, e sjelljes në jetë e të tjera cilësi e emra të Allahut të Madhëruar.
Nga degët e kësaj çështjeje është se Allahu i Lavdishëm shton në furnizim e moshë dhe e pakëson atë, zbret mëshirën e begatinë, ashtu siç zbret belanë e mjerimin. Sipas vullnetit të Tij të urtë e zbatues, çështjet nga Ai nuk dalin me rrezik e aventurë, por sipas gjendjes së kryerjes së tyre nga njerëzit, punë të mira ose të këqija, vepra të mira ose të fëlliqura. Kështu që njeriu mund të jetë shkruar ndër fatkeqit e të pikëlluarit, më pas, Allahu e fshin atë dhe e shkruan nga të lumturit, ose të kundërtën, për shkak të veprave të ndërmarra prej tij.
Me një fjalë: El Bedá, në botën e qëndrueshmërisë, është në kundërshtim me pretendimin e jehudëve e të krishterëve. Këtë e tregon thënia e Allahut të Lavdishëm:
“Hebrenjtë thonë: ‘Dora e Allahut është e shtrënguar’. Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë. Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt, me siguri që shumicës prej tyre do t’ua shtojë mosbindjen dhe mohimin. Ne kemi futur ndërmjet tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Kiametit. Kurdo që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu e shuan atë. Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në Tokë, por Allahu nuk i do ngatërrestarët.”
(Sure “El Maide”, ajeti 64.)
Ashtu siç është e qartë për ty, në këtë ajet, Allahu i Lavdishëm iu kundërpërgjigj kësaj ideologjie të padrejtë jehude. Duart e Tij, i Lavdishëm është Ai, janë të shtrira kudo, jo vetëm që shton në krijim çfarëdo gjëje, edhe në moshë, por edhe e shkurton atë, sipas ecurisë së Tij të mençur. Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Lavdërimi qoftë për Allahun, krijuesin e qiejve dhe Tokës, i Cili i ka bërë engjëjt të dërguar me nga dy, tre dhe katër krahë. Ai shton në krijim çfarë të dojë. Allahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë.”
(2 Sure “El Fatir”, ajeti 1.)
Dhe:
“Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe më në fund ju ka bërë çifte. Dhe asnjë femër nuk mbetet shtatzënë e as nuk lind pa dijeninë e Tij. Jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!” (Sure “El Fatir”, ajeti 11.)
Bazuar mbi këtë, me këtë kuptim, çdo mysliman, me medh’hebet e ndryshme dhe pa u specifikuar me termin shi’itë, është pjesëmarrës në el bedá. Nuk ka ndonjë mysliman që mohon se Allahu i Lartësuar trajton çdo ditë një çështje. Allahu i Lartësuar dhe i Lavdishëm krijon e kthen, jep e merr jetë. Gjithashtu, i Lartësuari, shton dhe pakëson në furnizim, në moshë, e të tjera si këto, sipas vullnetit të urtë e sipas interesave që fshihen në veprat e Tij.