Çështja e katërt: “et tekijjetu”

 

“Et tekijetu” është nga kuptimet, konceptet kur’anore që janë përmendur në shumë vende të Kur’anit të Shenjtë. Në këto ajete ka shenja të qarta për burimet, që duhet t’i drejtohet besimtari, në përdorimin e këtij shtegu ligjor gjatë jetës së tij, sidomos në situata të vështira, në mënyrë që të mbrojë me to jetën, nderin dhe pasurinë e tij apo jetën e atij që ka lidhje farefisnore me të, nderin dhe pasurinë e tij, ashtu siç veproi një besimtar i familjes së Faraonit për të mbrojtur Musain nga vrasja e kryqëzimi, (Shih sure “El Kasas”, ajeti 20.)

dhe në të u strehua Amari, kur e zunë rob dhe e kërcënuan me vdekje. (Shih sure “En Nahl”, ajeti 106.)

Shumë burime të tjera si këto i gjejmë të transmetuara në Kur’an e Synet.

 

Është detyra jonë, që të njihemi me të, me kuptimin, me qëllimin, me argumentin e me kufirin e këtij termi, në mënyrë që të shmangim hiperbolizimin e kalimit të kufirit në kryerje e në zbatim. “Et tekijetu” është emër foljor i “itteka”, “jettekij”, folje në kohën e shkuar e të tashme” dhe “ta” në vend të “vavit”. Prejardhja e fjalës është nga “uikaje”. Që këtej thuhet “tekua” - “për bindje ndaj Allahut”, sepse ai që është muttekij (i devotshëm, i bindur), e merr et tekijjetu mbrojtje nga zjarri e ndëshkimi. Qëllimi i et tekijjetu është ruajtja dhe mbrojtja nga dëmi i tjetrit, qoftë nga fjalët apo nga veprat e tij dhe që janë kundërshtim me të drejtën dhe të vërtetën.

 

 

Kuptimi i saj 

 

 

Nëse “et tekijjetu” është mbrojtje nga e keqja, atëherë kuptimi i kësaj fjale në Kur’an e Synet është: Shfaqja e mohimit dhe fshehja e besimit, ose shtirje me të padrejtën e fshehje e së vërtetës. Nëse ky është kuptimi i saj, atëherë ky kuptim është e kundërta e hipokrizisë, e kundërta e, mohimit e besimit. Hipokrizia është e kundërta e et tekijjetu, sepse hipokrizia, është shfaqja e besimit dhe fshehja e mosbesimit, shfaqja e së drejtës dhe fshehja e të padrejtës.

 

Kështu që, me praninë e ndryshimit të madh ndërmjet këtyre të dyjave, nuk lejohet ta konsiderojmë et tekijjetu një nga degët e hipokrizisë. Ai që e komenton hipokrizinë se është kundërshtim absolut i të dukshmes ndaj të fshehtës, dhe me këtë komentim përshkruan fjalën “et tekijetu”, që përmendet në Kur’an dhe Synet, atëherë e ka komentuar atë me kuptim më të gjerë, se sa ai që ndodhet në Kur’an.

 

Ndërkohë që Kur’ani i përshkruan hipokritët me shfaqjen e besimit dhe fshehjen e mosbesimit: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: ‘Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut!’ Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!”.  (Sure “El Munafikun”,1)

 

Nëse ky është kufiri i hipokritit, atëherë si përgjithësohet përdorimi i fjalës “et tekijjetu” në drejtim të qafirëve e të mëkatarëve, që e fshehin besimin dhe që shfaqin dakortësinë, për të mbrojtur jetën, nderin e pasurinë?! Vërtetësia e kësaj del qartë, nëse qëndrojmë te përmendja e et tetkijjetu në legjislacionin islam. Sikur kjo të ishte pjesë e hipokrizisë, do të ishte një çështje e keqe, sepse është e pamundur që Ligjvënësi të urdhëronte një gjë të tillë:

“...Thuaj: ‘Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?" (Sure “El A’raf”, 28)

 

 

Qëllimi i saj  

 

 

Qëllimi i përdorimit të fjalës “et tekijjetu” është mbrojtja e jetës, e nderit dhe e pasurisë. Kjo në situata të vështira e të jashtëzakonshme, ku besimtari nuk mund ta shfaqë hapur qëndrimin e tij të drejtë, duke pasur frikë se mos i ndodh ndonjë e keqe e shkatërrohet nga forcat mizore, si puna e qeverive mizore e të padrejta, që drejtohen me terrorizëm, persekutime, mohime, vrasje, kryqëzime, sekuestrim të pasurive e marrjen e të drejtave më themelore.

Kështu që, ai që ka besim dhe është me të drejtën dhe të vërtetën, nuk sheh për veten e tij ndonjë rrugëdalje, veçse ta fshehë atë që beson dhe që e përkrah dhe të shfaqë atë që është në dakortësi me prirjet e udhëheqësve dhe me botëkuptimin e tij, deri sa të shpëtojë nga persekutimi, kryqëzimi e vrasja, derisa Allahu ta ndryshojë çështjen.

 

Vërtet, “et tekijjetu” është arma e të dobëtit kundrejt të fortit mizor. Arma e atij që sprovohet ndaj atij që nuk e respekton gjakun, nderin e pasurinë e tij, jo për ndonjë gjë, veçse për arsyen se ai nuk është dakord për disa parime e mendime.

 

“Et tekijjetu” praktikohet nga dikush që jeton në një mjedis ku në të nuk gjendet liria në thënie e veprim, mendim e besim. Kështu që kundërshtari në këto mjedise nuk shpëton veçse me heshtje e mbyllje të gojës e i detyruar, ose të hiqet sikur është dakord me prirjet e pushtetit dhe idetë e tij, ose disa prej tyre mund të drejtohen si mjete të vetme e të patjetërsueshme për hir të shpëtimit nga rrënimi, persekutimi. Ky individ nuk ka as përpjekje dhe as fuqi të veprojë, por detyrohet të shfaqet në punë pranë qeverisë mizore. Kjo situatë është e ngjashme me situatën që na rrëfen Allahu i Lartësuar në Librin e Tij, për besimtarin e familjes së Faraonit.

 

Gjëja më e shëmtuar me të cilën akuzohet zbatuesi i “et tekijjetu” është se ai kërkon me përdorimin e et tekijjetu formimin e grupeve sekrete, me qëllim shkatërrimin e rrënimin, ashtu siç njihen me të fshehtit e partive sekrete ateiste. Ky është një përshkrim i gabuar, që e bëjnë, ose nga injoranca, ose me qëllim, pa e mbështetur në mendjen e tyre këtë me ndonjë argument apo me ndonjë fakt bindës,

 

Ku jemi ne nga ato që u përmendën? Nëse këtë grup të dobët besimtarësh, nuk e shtyjnë rrethanat e vështira e ligjet famëkeqe, nuk do ta kishin përdorur me qëllim “et tekijjetu” (fshehjen). Nëse nuk do të ishin rrethanat e vështira, ata nuk do ta kishin bartur barrën e fshehjes së besimit së tyre por do i kishin ftuar hapur njerëzit, pa u lëkundur e pa mëdyshje.

 

Është larg vepra mbrojtëse nga veprat që ndërmarrin përfaqësuesit e grupeve sekrete, për të rrëzuar qeverinë e për të marrë frerët e qeverisjes në dorë. Kështu që veprat e tyre janë plane të dështuara për qëllime të rrëzuara. Ata trumbetojnë parullën “Qëllimi justifikon mjetin!”. Kështu që çdo e keqe logjike apo e ndaluar me Sheriat, lejohet për ta, me qëllim që të arrijnë në synimet e tyre fatkeqe,

 

Thënia për ngjasimin ndërmjet këtyre e ndërmjet atyre që e zbatojnë “et tekijjetu”, si mburojë e armë mbrojtëse, në mënyrë që të shpëtojnë nga e keqja e tjetrit, që të mos vritet, të mos asgjesohet e të mos dëbohet nga shtëpia e pasuria e tij, derisa Allahu ta ndryshojë gjendjen, është si puna e dy të kundërtave që kurrë nuk bashkohen. Myslimanët që jetonin në ish Bashkimin Sovjetik janë ndeshur me fatkeqësi e dhunë, që nuk mund t’i marrë njeri me mend e që nuk mund t’i përshkruajë.

 

Komunistët, gjatë gjithë sundimit të tyre në zonat me popullsi myslimane, i kanë persekutuar ata, duke ua marrë pasuritë, tokat, banesat, xhamitë, shkollat dhe i dogjën bibliotekat e tyre. Shumë prej tyre i vranë në mënyrën më çnjerëzore e barbare, duke mos shpëtuar askush prej tyre, me përjashtim të atij që është hequr me frikë, respekt e bindje ndaj tyre. I fshehu ritualet fetare dhe veprën e ikametit e të ezanit në shtëpi, derisa Allahu i shpëtoi, pavarësisht forcës mohuese, që ushtrohej. Myslimanët u shfaqën në arenë, nga e para, duke marrë tokën e shtëpitë e tyre dhe filluan të ngrenë pak e nga pak lavdinë e tyre.

 

Kjo nuk është gjë tjetër veçse një fryt prej fryteve të fjalës “et tekijjetu”, të cilën Allahu i Lartësuar e lejoi për robtë e Tij me mirësinë e fisnikërinë e Tij ndaj të dobtëve. Nëse ky është kuptimi i fjalës “et tekijjetu”, koncepti, synimi e qëllimi i saj, atëherë kjo është një çështje instiktive e lindur, që njeriu shkon drejt saj para së të gjithash me mendjen dhe zemrën e tij, duke e thërritur vetë instinkti i tij. Për këtë, atë e përdor kushdo që sprovohet me mbretër e politikanë, të cilët nuk respektojnë asgjë, me përjashtim të mendimit, të ideve, të shijeve, të pushtetit të tyre e që nuk lëkunden në kryqëzimin e kujtdo që i kundërshton ata, duke mos bërë dallim, myslimanë, shi’itë apo syni, apo cilado fe tjetër qoftë. Këtu del në pah vlera e fjalës “et tekijjetu” dhe dobia e saj. Për mbështetjen e kësaj baze jetike, pra, et tekijjetu, le të mësojmë argumentin e saj në Kur’an dhe Synet.

 

Argumenti i “et tekijjetu” në kur’an dhe synet

 

Fjala “et tekijjetu” është legjitimuar në Kur’anin e Shenjtë (Sure “Gafir”, ajeti 28 dhe 45. Sure “El Kasas”, ajeti 20. Ajetet e tjera do t’i paraqesim në vazhdimësi të hulumtimit.) në të cilin përmenden një sërë ajetesh. Ato ajete po i paraqesim si vijon:

 

Ajeti i parë

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim. Ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh.” (Sure “En Nahl”, ajeti 106)

 

Allahu i Lartësuar e lejon shfaqjen e mosbesimit, i detyruar nga mosbesimtarët dhe nga frika e tyre, me kusht që zemra të jetë e qetë me besim. Disa komentues, të shkuar e të tashëm, e kanë deklaruar një gjë të tillë. Do të përpiqemi të paraqesim thëniet e disa prej tyre, duke mos u zgjatur. Ai që do më tepër, le t’u kthehet librave të ndryshëm të komentimit.

 

1- Et Tabarsij ka thënë:

“Ajeti ka zbritur për një grup që u detyruan të shfaqin mosbesimin. Ata janë Amari, babai, Jasiri dhe nëna, Sumeja. Prindërit ia vranë, sepse nuk e shfaqën mosbesimin.

Këta të dy nuk e tradhëtuan Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Amari u dha atyre çfarë deshën dhe e lëshuan atë. Më pas Amari e njoftoi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ky lajm u përhap midis besimtarëve. Një pjesë e popullit tha se Amari ka mohuar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “Në asnjë mënyrë. Amari është i mbushur me besim, nga maja e kokës deri në fund të këmbëve. Besimi i tij është përzier me mishin e gjakun e tij.” Për këtë zbriti ajeti i mëparshëm dhe Amari qante. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ia fshiu sytë, duke i thënë. “Nëse kthehen te ti, ktheja ashtu siç i ke thënë.”  (Et Tabrasij, “Mexhmaul Bejan”, 3:388.)

 

2- Ez Zamakhsherij ka thënë:

“Transmetohet se disa banorë të Mekës u ngatërruan dhe u zmbrapsën nga Islami, pas pranimit të tij. Kishte prej tyre që e urryen dhe e thanë fjalën e mosbesimit me gojën e tyre, duke qenë të bindur në besim. Prej tyre ishin: Amar ibn Jasir dhe dy prindërit e tij, Jasiri e Sumeja, si dhe Suhejbi, Bilali e Khabbabi. Ndërsa Amari u dha, i detyruar, me gojën e tij atë që deshën…”.

(Ez Zamakhsherij, “El Keshaf An Hakaik Et Tenzijl” 2:430)

 

3- El Hafidh Ibn Maxhe ka thënë:

“Fjala ‘el ijtau’ do të thotë t’i japësh politeistëve, duke përdorur et tekijjetu, atë që dëshirojnë. Et tekijjetu, në një rast të tillë, është e lejuar. Këtë e miraton edhe Allahu i Lartësuar: “Përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim.”  (Ibn Maxhe “Es Sunen” 1:53, shpjegimi i hadithit numër 150.)

 

 4- El Kurtubij ka thënë:

“Hasani ka thënë: ‘Et tekijjetu’ lejohet për njeriun deri në Ditën e Ringjalljes.’ Më pas tha: ‘Dijetarët kanë rënë dakord se ai që detyrohet me dhunë në mosbesim, duke pasur frikë se mos e vrasin, nuk është mëkatar, nëse e mohon, ndërkohë që zemra e tij është e mbushur me besim, as nuk ndahet nga bashkëshortja e tij dhe as nuk gjykohet se është mohues."

Kjo thënie është e Malik, e dijetarëve të Kufes dhe e Esh Shafiiut.

(El Kurtubij “El Xhamiu Li Ahkamul Kur’an”, 4/57.)

 

 5- El Khazin ka thënë:

“Et tekijjetu” nuk përdoret vetëm në rastin e frikës nga vrasja duke patur qëllim të shëndoshë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim.” Pra, kjo lloj “et tekijjetu” është lejuar. (Tefsir “El Khazin”, 1:277.)

 

6- El Khatijb Esh Sherbijnij ka thënë:

“Me përjashtim të atij që detyrohet me dhunë, pra, duke e shqiptuar atë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim, nuk ka gjë kundër tij, sepse vendi i besimit është në zemër."  (El Khatijb “Esh Sherbijnij”. “Siraxhul Munijr”)

 

7- Ismail Hakij ka thënë:

“Përveç atij që është i detyruar me forcë, është detyruar me këtë term, me një urdhër që ka frikë për jetën e tij apo për ndonjë organ të trupit të tij … sepse mosbesimi është bindje e detyrim me dhunë, është pa bindje. Kuptimi është: “I detyruar me dhunë, në mosbesim me gojë”, ndërkohë që zemra e tij është plot besim, nuk ndryshon ideologjia e bindja e tij. Për këtë ka argument se besimi shpëtimtar e i konsideruar, është besimi e miratimi me zemër.”  

 (Ismail Hakkij, komentimi “Ruhul Bejan”, 5:84.)

 

 

Ajeti i dytë

 

 

Allahu i Lartësuar thotë:

“Besimtarët të mos i marrin për miq e mbrojtës mohuesit, në vend të besimtarëve. Ata që veprojnë kështu, nuk kanë çfarë të shpresojnë tek Allahu, vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij, sepse të gjithë do të ktheheni tek Allahu.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 28.)

 

Fjalët e komentuesve për këtë ajet na mjaftojnë për çdo sqarim. Prej atyre thënieve përmendim:

 

1- Et Tabarij për:

“vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata” ka thënë se Ebul Alije ka thënë: “Et tekijjetu” është me gjuhë e jo me vepër.” Është përcjellë nga El Hysejn se ka thënë: “Kam dëgjuar Ebu Muadhin që ka thënë: ‘Ubejdi na lajmëroi ne e tha: ‘Kam dëgjuar Ed Dahhak të thotë për thënien e Allahut: “vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata”: “Et tekijjetu” me gjuhë është kur dikush detyrohet të flasë për diçka që është mëkat ndaj Allahut, por ai e flet nga frika e vetes së tij “dhe zemra e tij është e mbushur me besim”, ai nuk bën mëkat me këtë vepër, sepse “et tekijjetu” është me gjuhë.”  (Et Tabarij, “Xhamiul Bejan”, 3:153)

 

2- Ez Zamakhsherij, për komentimin e thënies së Allahut të Lartësuar, ka thënë: “Vetëm, nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër), për t’u ruajtur nga ata”. Lejohet për ta, nëse kanë frikë prej parisë së tyre, ka si qëllim kundërshtimin dhe përplasjen e dukshme, ndërsa zemra është e mbushur me armiqësi e urrejtje, duke pritur largimin e pengesës.”  (Ez Zamakhsherij, “El Keshaf”, 1:422.)

 

3- Er Razij, për komentimin e thënies së Allahut të Lartësuar,: “vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata”, çështja e katërt, thotë: dije se për fjalën “et tekijjetu” ka dispozita të shumta. Prej tyre po përmendim:

 

a) “Et tekijjetu” ndodh kur një person ndodhet te një popull mohues, ka frikë prej tyre për veten e tij e i shkon për shtat atyre me gojë, që të mos e shfaqë me gojë armiqësinë ndaj tyre. Madje lejohet për të, që të shfaqet me fjalë dashamirëse ndaj tyre e t’i ndjekë ata, por me kusht, që të fshehë të kundërtën e kësaj e të distancohet prej të gjitha atyre që thotë, sepse ndikimi i “et tekijjetu” është në dukje e jo në zemër.

 

b) “Et tekijjetu” lejohet për mbrojtjen e vetes. Po a lejohet ajo për mbrojtjen e pasurisë? Supozohet të gjykohet e lejuar bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Shenjtëria e pasurisë së myslimanit është si shenjtëria e gjakut të tij.” Gjithashtu është dhe thënia tjetër e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Ai që vritet në mbrojtje të pasurisë së tij, është dëshmor.” (“Mefatijhul Gajb” 8:13)

 

4- En Nisfij për thënien e Allahut:

“vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata” ka thënë: Vetëm, nëse keni frikë e përballeni me një çështje që duhet pasur frikë. Pra, me përjashtim kur qafiri ka pushtet ndaj teje dhe ke frikë për jetën tënde dhe për pasurinë tënde prej tij. Në këtë rast lejohet për ty që të shfaqesh me bindje e ta fshehësh armiqësinë.”  (En Nisfij, në fusnotën e komentimit të “El Khazin”, 1:277)

 

5- El Alusij ka thënë: “Në këtë ajet “vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata” ka argument për legjitimitetin e “et tekijjetu”, e cila njihet me ruajtjen e vetes, të nderit e të pasurisë, nga e keqja e armiqve. Armiqtë ndahen në dy pjesë:

 

a) I pari: Ai që armiqësinë e tij e ka të hapur, në kundërshtim me fenë, si qafiri e myslimani.

b) I dyti: Ai që armiqësinë e tij e ka të hapur, për qëllime të kësaj bote, si pasuri, luks, pushtet e sundim.” (El Alusij, “Ruhul Meanij” 3:121.)

 

6- Xhemaludijn El Kasimij ka thënë:

“Nga ky ajet ‘vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata’ kuptojmë se vetëm, nëse këtë e bëjnë me gojë e jo me zemër, për t’u ruajtur nga ata. Imamët kanë nxjerrë legjitimitetin e fjalës “et tekijjetu” në rast frike. Është transmetuar me unanimitet lejimi i saj. El Imam Murteda El Jemanij e ka trajtuar këtë çështje në librin e tij “Ijtharul Hakki Alal Khalki”. 

(Xhemaludijn El Kasimij, “Mehasinut Te’uijl” 4:82.)

 

7- El Meragij e komenton thënien e Allahut të Lartësuar:

“Et tekijjetu” lejohet, vetëm, nëse këtë e bëjnë me gojë e jo me zemër, për t’u ruajtur nga ata. Lënia e ndjekjes së myslimanëve është e ndaluar në çdo rast, veçse në rast frike prej tyre. Në këtë rast, lejohet që të keni frikë prej tyre, derisa të largohet një gjë e tillë. Një parim bazë i legjislacionit thotë: “Shmangia e të këqijave i paraprin tërheqjes së të mirave.”

 

Nëse ndjekja e tyre lejohet për t’u mbrojtur nga dëmi, do të ishte më parësore, që të lejohej për dobinë e myslimanëve. Atëherë nuk ka ndonjë pengesë që të kundërshtojë një shtet islam, një shtet jo mysliman, për një dobi që është më parësore, ose me shmangien e dëmit, ose me tërheqjen e dobisë. Nuk duhet ta ndjekë atë në dëm të myslimanëve. Kjo ndjekje nuk specifikohet me një rast dobësie, madje ajo është e lejuar në çdo kohë. Dijetarët kanë nxjerrë nga ky ajet lejimin e përdorimit të “et tekijjetu”, se njeriu mund të thotë, ose mund të veprojë në kundërshtim me të drejtën, për t’u mbrojtur nga dëmi që i kthehet kundër tij nga armiqtë, nder apo pasuri.

 

Ai që e shqipton fjalën e mosbesimit në mbrojtje të vetes së tij nga shkatërrimi e zemra e tij është e mbushur me besim, nuk është qafir, por justifikohet, ashtu siç është rasti i Amarit, në momentin që kurejshët e detyruan me dhunë, të mohonte Islamin dhe të pranonte atë që i thoshin ata. Por zemra e tij ishte e mbushur plot me besim. Në lidhje me të, zbriti ajeti:

“Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim.”  (Tefsiri “El Meragij”, 3:136.)

 

Këto fjali e fraza, janë të mjaftueshme, të bollshme e nuk lënë vend për të folur, vetëm për të gjykuar me legjitimitet për fjalën “et tekijjetu”, me kuptimin që tashmë u njohe. Madje nuk mund të gjejë dikush një komentues apo jurist, që në lidhje me kuptimin apo qëllimin e saj, të lëkundet në gjykimin me lejimin e saj. Gjithashtu, edhe ti i dashur lexues, nuk do të gjesh njeri me logjikë, që të mos e përdorë atë në rrethana të vështira, në mënyrë që të mos përballet me të keqen e madhe.

 

Gjithashtu, do të mjaftohesh kur të flasim në lidhje me kufirin e saj. Kundërshtimet në lejimin e saj dhe gabimet në legjitimitetin e saj, si dhe komentimin e fjalës “et tekijjetu”, në mënyrë të përmbajtur, e bëjnë përfaqësues të organizatave sekrete e fraksionet shkatërrimtare, si: En Nasirijeh, Ed Duruz dhe El Batinije. Gjithsesi, të gjithë myslimanët janë të shfajësuar nga kjo mbrojtje shkatërrimtare.

 

 

Ajeti i tretë

 

 

Ajeti i tretë është thënia e Allahut të Lartësuar:

“Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: ‘Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë ‘Allahu është Zoti im’, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?!’ Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në Rrugë të Drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.”  (Sure “Gafir”, ajeti 28.)

 

Fundi i tij ishte:

“Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.” (Sure “Gafir”, ajeti 45)

 

Kjo sepse ai, me et tekijjetin që bëri, mundi të shpëtojë Profetin e Allahut nga vdekja: “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: ‘O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë."  (Sure “Kasas”, ajeti 20.)

 

Këto ajete janë argument i lejimit të et tekijjetu, për të shpëtuar një besimtar nga e keqja e armikut të tij qafir.

 

 

Mbrojtja e një myslimani në rrethana të veçanta

 

 

Qëllimi në këto ajete, edhe pse është për mbrojtjen e myslimanit nga qafiri, por ai qëllim nuk është vetëm për dispozitën që përmban ajeti, sepse qëllimi i legjitimitetit të et tekijjetu nuk është vetëm kur ndeshesh me të keqen e një qafiri, por ka raste kur një mysliman përballet me të keqen e një vëllai të tij mysliman, i cili e kundërshton atë në disa degë, ku pala e fortë nuk e ka problem ta dëmtojë palën tjetër, si për shembull ta kryqëzojë atë, t’i marrë pasurinë apo ta vrasë.

 

Në të tilla rrethana të vështira arsyeja e shëndoshë gjykon për mbrojtjen e vetes, përmes rrugës së zbatimit të et tekijjetu. Në këtë rast, edhe pse ekziston mëkati, ai bie mbi atë që e detyron të bëjë et tekijjetu e jo mbi atë që detyrohet të bëjë et tekijjetu.

Sikur të gjitha grupacionet islame t’i udhëhiqte mirëkuptimi e çdo grup të pranonte idetë e grupit tjetër me zemërgjerësi e ta kuptonte që kjo ide është si rezultat i përpjekjes (ixhtihadit) të tij, asnjë mysliman nuk do të ishte i detyruar të përdorte et tekijjetu, por do të udhëhiqeshin nga bashkimi, në vend të konfliktit. Këtë e kuptoi dhe e deklaroi një grup i vogël dijetarësh.

 

Me këtë rast, po përmendim disa prej teksteve të tyre.

 

1- Imam Err Rrazij, në komentimin e thënies së Allahut të Lartësuar “vetëm nëse këtë e bëjnë (me gojë e jo me zemër) për t’u ruajtur nga ata”, thotë: “Në pamje të jashtme të ajetit tregohet se et tekijjetu lejohet vetëm nga frika ndaj qafirëve.” Mirëpo Medh’hebi Shafiij (Allahu qoftë i kënaqur me të!), thotë: “Vërtet, nëse gjendja ndërmjet myslimanëve e qafirëve bëhet e rëndë, lejohet et tekijjetu për mbrojtjen e qenies njerëzore.” Dimë se mbrojtja nga frika është e lejuar për mbrojtjen e jetës, por a është e lejuar për mbrojtjen e pasurisë? Mund të gjykojmë për të, me lejim, duke u nisur nga thënia e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Ai që vritet në mbrojtje të pasurisë së tij, është dëshmor.” 

(Er Razij, “Mefatijhul Gajb”, 8:13 në komentimin e ajetit.)

 

2- Xhemaluddijn El Kasimij, në librin e tij “Ijtharul Hakk Alal Khalk”, transmeton tekstin nga Imam Murteda El Jemaniji:

“U shtua paqartësia dhe misteri i të drejtës për dy gjëra. Njëra prej tyre është frika e njohësve, megjithëse të pakët në numër, nga dijetarët e këqij, pushtetarët e dhunshëm e krijesat djallëzore. Për këtë ata lejuan et tekijjetu, me tekst nga Kur’ani e me mendim të përbashkët të myslimanëve. Frika ende vazhdon të jetë pengesë në shfaqjen e së vërtetës dhe i drejti konsiderohet armik për shumicën e krijesave. Ajo që ka thënë Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për këtë epokë të parë, është e vërtetë: “Kam mësuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dy enë: Njërën prej tyre e përhapa te njerëzit, ndërsa tjetrën, nëse do ta përhapja do të bllokoheshin këto laringje." 

(Xhemaluddijn El Kasimij, “Mehasinut Te’uijl”, 4:82.)

 

3- El Meragij, në komentimin e thënies së Allahut të Lartësuar:

“Kushdo që mohon Allahun, pas pranimit të besimit, (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë, ndërkohë që zemra e tij është plot besim”, ka thënë: “Te et tekijetu hyjnë madarati i jobesimtarëve, i të padrejtëve e të  devijuarve, fjala e butë ndaj tyre, buzëqeshja karshi tyre, shpenzimi i pasurisë ndaj tyre, për ndalimin e dëmit të tyre dhe mbrojtjen e nderit. Kjo nuk konsiderohet prej ndjekjeve të ndaluara, përkundrazi është e ligjshme.” Et Tabaranij ka përcjellë thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Ajo që përdor besimtari për mbrojtur nderin e tij, ajo është sadaka.” (Mustafa El Meragij, 3:136.)

 

Shi’itët mbrohen prej qafirëve në rrethana të veçanta, për të njëjtin qëllim që mbrohen e kanë frikë synitë. Pavarësisht se shi’iti, për shkaqe që nuk mund të fshihen, për t’u mbrojtur, i drejtohet vëllait të tij mysliman, jo vetëm shi’it, por edhe vëllait që e mbron atë, sepse ai e di mirë se nëse e deklaron bindjen e doktrinës së tij, që është në përputhje me bazat e kushtetutës islame, ndarja ose vrasja do të jetë fundi i tij.

 

Është e vërtetë se një shi’it, jo shumë larg në kohë, ka pasur frikë të thotë se Allahu nuk ka anë, drejtim, ose që Allahu i Lartësuar nuk shihet Ditën e Ringjalljes, se Ehli Bejti janë referenca e myslimanëve pas Profetit etj. Nëse një shi’it i deklaronte këto të vërteta, të cilat burojnë nga Libri (Kur’ani) e Syneti, do ta përballte veten e tij me shkatërrim e me rreziqe.

 

Ti i lexove fjalët deklarative të Err Rrazijut, të Xhemaluddijn El Kasimijit dhe të El Meragij, në lejimin e kësaj et tekijjetu. Kështu që specifikimi i et tekijjetu (mbrojtjes nga frika), vetëm nga qafirët, është ngrirje në pamjen e jashtme të ajetit, mbyllje e portës së kuptimit, refuzim i thelbit për të cilin u ligjërua et tekijjetu dhe mosekzitencë e gjykimit të intelektit (el aklu), i cili gjykon për mbrojtjen e më të rëndesishmes.

 

Historia na flet me qartësi për drejtimin e shumë myslimanëve drejt mbrojtjes nga frika (et tekijjetu), në rrethana të vështira, kur jeta dhe pasuria e tyre ishte në fije të perit. Shembulli më i mirë për këtë është ajo që transmeton Et Tabarij në historinë e tij (7/195-206), nga përpjekja e Me’munit për të nxitur gjyqtarët e muhadithët në kohën e tij në marrjen e vendimit, në lidhje me Kur’anin, që ai është një krijesë. Këtë e bëri duke ushtruar dhunë, edhe sikur të vriteshin të gjithë në mënyrë të pamëshirshme.

 

Kur muhadithinët e panë shpatën në fytyrën e tyre, e bënë atë hapur, me qëllim, duke e fshehur bindjen e tyre në gjokset e tyre. Kur u çliruan nga barra që i ngarkoi Me’muni, u shfajësuan me veprën e Amar ibn Jasirit, kur me dhunë e bënë politeist, por zemra ishte e mbushur me besim. Kjo histori, për lejimin e mbrojtjes nga frika (et tekijjetu), është shumë e njohur dhe e deklaruar qartë. Disa shkuan në diskriminimin e shi’itëve, sikur shi’itët ishin ata që e shpikën atë nga mendjet e tyre, sikur nuk kishte themele e baza të qëndrueshme e të njohura islame.