Shkaku që na detyron të merremi me historinë e Fedekut e të japim një pasqyrë historike të dokumentuar të ngjarjeve që lidhen me të gjatë tre shekujve të mëvonshëm, ka të bëjë me tre probleme kryesore:
a. Rregulli i moszbatimit të trashëgimisë së profetëve, që thuhet se është vendosur nga Profeti i Shenjtë, sipas të cilit pronat e Profetit bëhen pas vdekjes së tij pjesë e thesarit publik dhe pronë e të gjithë muslimanëve, është, në fakt, një rregull që e ka vendosur Kalifi i Parë. Atë e kanë hedhur poshtë gjithë pasardhësit e tij, që nga Umeri e Uthmani, dhe deri tek Umejjadët e Abbasidët. Duhet thënë se ligjshmëria e korrektësia e kalifateve të mëvonshme pretendohet e bazuar në të njëjtat themele e praktika si Kalifati i Parë.
b. Imam Aliu e pasardhësit e Fatimesë nuk kanë patur kurrë dyshime në ligjshmërinë e korrektësinë e qëndrimit të tyre ndaj Fedekut. Ata kanë ngulur këmbë e provuar në mënyrë
të vazhdueshme se Fatimeja nuk kërkonte gjë që s’i takonte, por kishte qenë gjithmonë në të drejtën e saj. Kjo vijimësi e konsekuencë hedh poshtë gjithë pretendimet e Kalifit të Parë për mashtrim
nga ana e saj dhe e pasardhësve të saj.
c. Sa herë që ndonjë nga kalifët kujtohej ta merrte seriozisht zgjidhjen e problemit të Fedekut, duke u nisur nga porositë e Zotit, duke respektuar drejtësinë e barazinë dhe
duke e rivënë të drejtën në vend të saj siç e kërkojnë rregullat islame, Fedeku u është rikthyer në zotërim pasardhësve të Fatimesë.
1. Kalifi i Dytë ka qenë ai që është sjellur më ashpër me Fatimenë për çështjen e Fedekut e trashëgiminë e saj, siç e pohon edhe vetë ai:
Kur vdiq i Dërguari i Zotit, shkuam së bashku me Ebu Bekrin tek Ali ibn Ebi Talibi dhe i thamë:
“Si mendon lidhur me ato që ka lënë i Dërguari i Zotit?”
Ai u përgjegj: “Ne kemi më shumë të drejta lidhur me Profetin e Shenjtë”.
Unë i thashë: “Dhe mbi pronat e Khajberit?”
Ai u përgjegj: “Po, edhe mbi pronat e Khajberit”.
Unë i thashë: “Edhe mbi të Fedekut?”
Ai ma ktheu: “Po, edhe mbi të Fedekut”.
Atëhere i thashë: “Për atë Zot, ne të themi jo, edhe sikur të na e sharrosh zverkun qysh tani!”
(el-Hejthemi, Mexhma’ uz-zewa’id, vol. 9, ff. 39-40).
Siç është kujtuar dhe më parë, ishte Umeri ai që mori dokumentin e Fedekut dhe e grisi. Por kur vetë Umeri u bë kalif (634-644), ua ktheu Fedekun trashëgimtarëve të Profetit të Shenjtë.
Jakut el-Hamawi (1178-1229), historian e gjeografi i famshëm, i cili është marrë me studimin e problemit të Fedekut, thotë:
Kur Umer ibn Khatabi u bë kalif e korri fitore të shumta, muslimanët fituan pasuri të mëdha dhe thesari publik i përmbushte nevojat e Kalifatit. Atëhere ai mori një vendim të kundërt me atë të paraardhësit të tij, duke ua kthyer421 pasardhësve të Profetit. Atë kohë mbi Fedekun kishte pretendime Ali ibn Ebu Talibi dhe Abbas ibn Abdul-Muttalibi. Aliu thoshte se Profeti i Shenjtë ia kishte dhuruar Fedekun Fatimesë qysh kur ishte gjallë, kurse Abbasi e mohonte këtë gjë dhe thoshte: “Kjo pronë ka qenë në zotërim të Profetit të Shenjtë e unë kam pjesë në të si një nga trashëgimtarët e tij”. Ata s’po i jepnin dot zgjidhje kësaj pune, prandaj u drejtuan tek Umeri për ndihmë.
(Ngjarja që lidhet me Fedekun është futur për të demonstruar problemin e trashëgimisë nga vëllai apo xhaxhai i të ndjerit që nuk ka lënë djem pas. Lidhur me këtë çështje ka shumë debate midis shkollave të ndryshme islame. Por në këtë libër problemi është parë vetëm në aspektin e tij historik. Në këtë rast Abbasi nuk kishte ç’kërkonte, sepse nuk mund të tregonte që kishte pjesë në këtë pronë. Madje as pasardhësit e tij nuk e shihnin pjesë të pronave të tyre, dhe kur u bënë kalifë e mbretër. Ata e përvetësuan këtë pronë ose falë pozicionin të tyre si kalifë, ose ua kthenin pasardhësve të Fatimesë, kur vendosnin të ishin vetëm governatorë)
Por ky nuk pranoi të gjykonte midis tyre e u tha: “Ju të dy e dini më mirë se unë problemin tuaj. Unë vetëm mund t’jua jap”.
(el-Baladhuri, Mu’xhem ul-buldan, vol. 4, ff. 238-239; es-Samhudi, Wafa ul-wafa, vol. 3, f. 999; Tahzib al-lughah, vol. 10, f. 124; Ibn Menzur, Lisan ul-Arab, vol. 10, f. 473; Taxh ul-arus, vol. 7, f. 166).
Arsyeja pse Umeri e Ebu Bekri nuk e dhanë Fedekun qysh në krye ishte e natyrës politike e ekonomike, jo vetëm fetare, si mund të mendohet. Sapo gjendja ekonomike dhe politike e Kalifatit u përmirësua e pesha e të ardhurave nga Fedeku s’ndihej më aq shumë, Umeri e gjykoi të udhës ta ndryshonte vendimin që ishte marrë më parë lidhur me të.
2. Kur u bë kalif Uthmani, pas vdekjes së Umerit (644-656), ia dha Fedekun Merwan ibn Hakamit, që ishte farefis i tij.
(el-Bejhaki, es-Sunen ul-kubra, vol. 5, f. 301; es-Samhudi, Wafa ul-wafa, vol. 3, f. 1000; Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh, vol. 1, f. 198).
Në fakt, kjo ka qenë një ndër arsyet e armiqësimit të muslimanëve kundër Uthmanit, që përfundoi me revoltën kundër tij dhe me vrasjen e tij.
(el-Ma’arif, Ibn Kutejbe, f. 195; el-Ikd ul-ferid, Ibn Abd Rabbih, vol. 4, ff. 283, 435; et-Tarikh ul-mukhteser, Ebu’l-Fida, vol. 1, f. 168; et-Tarikh, Ibn elWardi, vol. 1, 204).
Ibn Ebi’l-Hadidi shprehet në këtë mënyrë në Sherh Nehxhul Belaga:
Ndërsa më përpara Fatimeja e pretendonte këtë pronë herë si trashëgimi e herë si dhuratë (Nga i ati, Profeti Muhammed) më vonë ajo u zhvendos fare nga pretendimet e pronësisë mbi të. Në këtë mënyrë Fedeku ra nën zotërimin e Merwanit. Nga shitja e prodhimeve të tij ai arrinte të grumbullonte një vlerë prej të paktën dhjetë mijë Dinarësh në vit. Gjatë disa viteve prodhimi u pakësua disi, por rënia e të ardhurave ishte e pandjeshme. Ky ka qenë fitimi që merrej zakonisht prej kësaj prone deri në kohën e kalifatit të Umer ibn Abdul-Azizit.
(më 718). (Ibn Sa’d, Tabakat, vol. 5, ff. 286, 287; Shubh ul-asha, vol. 4, f. 291).
3. Pas ardhjes në krye të Kalifatit të Mu’avie ibn Ebu Sufianit (661-680), ai u bë partner në pronën e Fedekut, krahas me Merwanin e të tjerë. Ai i njohu Merwanit vetëm një të tretën, një të tretën tjetër ia dha Amr ibn Uthman ibn Affanit, kurse të tretën e fundit ia dha të birit, Jezidit. Kjo ndodhi pas vdekjes së Imam Hasanit dhe kishte për qëllim ‘të provokonte pasardhësit e Profetit të Shenjtë , siç thotë el-Jakubi në Tarikh, vol. 2, f. 199. Kjo pronësi e trefishtë vazhdoi deri sa vetë Merwani u bë vetë kalif dhe e mori të gjithë Fedekun nën zotërimin e tij. Pas kësaj, ai ua dhuroi dy të bijve të tij, Abdul-Malikut dhe Abdul-Azizit. Më vonë Abdul-Azizi ia dhuroi pjesën e tij të birit, Umer ibn AbdulAzizit.
4. Pasi erdhi në fronin e kalifit, Umer ibn Abdul-Azizi (717-720) është deklaruar në këtë mënyrë lidhur me çështjen e Fedekut: Në fakt, Fedeku ka qenë midis gjërave që Zoti i kishte dhuruar të Dërguarit të Zotit, sepse për marrjen e tij nuk ishte grahur asnjë kalë apo deve … Më tutje, ai trajtonte ecurinë e këtij problemi gjatë kalifateve të mëparshme: Pastaj Merwani ia dha (Fedekun) babait tim dhe Abdul-Malikut, më vonë u bë imja dhe e Walidit e Sulejmanit. (Dy djemtë e Abdul-Malikut)
Kur u bë kalif Walidi (705-715), ia kërkova pjesën e tij e ai ma dha. Kështu i bashkova të tre pjesët e tani nuk kam pasuri tjetër më shumë për zemër sesa Fedekun. Në këtë mënyrë, unë po e kthej atë në gjendjen që ka qenë. Këtë qëndrim ia njoftoi me një letër governatorit të tij në Medinë, (Ebu Bekr ibn Muhammed ibn Amr ibn Hazmit) duke e urdhëruar të përmbushte atë që kishte thënë në fjalimin e tij. Në këtë mënyrë, Fedeku u erdhi përsëri në pronësi fëmijëve të Fatimesë. Lidhur me këtë, Ebu Hilal el-Askeriu do të shkruante:
Ky ishte akti i parë që synonte në zhdukjen e padrejtësive: Rikthimi i tij fëmijëve të Aliut. (el-Avail, f. 209).
5. Kur u bë kalif Jezid ibn Abdul-Maliku (720-724), ai i shpronësoi fëmijët e Aliut dhe e mori Fedekun për vete. Në këtë mënyrë Fedeku ra përsëri në duart e Beni Merwanëve, siç kishte qenë më parë. Këta e kaluan dorë më dorë, deri sa kalifatit të tyre i erdhi fundi dhe në fuqi erdhën Beni Abbasitë.
6. Kur Ebu’l-Abbas Abdullah es-Safahu u bë kalifi i parë i dinastisë Abbaside (749- 754), ai ua ktheu Fedekun fëmijëve të Fatimesë, duke ia dhënë në dorëzim Abdullah ibn Hasan ibn Hasan bin Ali ibn Ebi Talibit.
7. Pasi erdhi në fron Ebu Xha’fer Abdullah el-Mensur Dawanakiu (754-775), ky ua mori Fedekun fëmijëve të Imam Hasanit, duke e uzurpuar përsëri.
8. Kur u bë kalif Muhammed el-Mehdi ibn Mensuri (775-785), ua ktheu Fedekun prapë fëmijëve të Fatimesë.
9. Më vonë Fedekun e morën Musa el-Hadi ibn el-Mehdiu (785-786) e vëllai i tij Harun er-Rashidi (786-809). Në këtë mënyrë Fedeku mbeti nën zotërimin e Beni Abbasive deri sa u bë kalif el-Mamuni (813-833).
10. El-Mamun el-Abbasi ua riktheu pronën pasardhësve të Fatimesë në vitin 826. Lidhur me këtë el-Mehdi ibn Sabik shkruan:
Një ditë el-Mamuni vendosi të ulej e të dëgjonte ankesat e njerëzve e të gjykonte problemet e tyre. Rasti i parë, me të cilin u mor, e trishtoi shumë. Ai thirri avokatin e Fatimesë, bijës së Profetit të Shenjtë. Erdhi një burrë i moshuar dhe qëndroi para tij. Ai i argumentoi el-Mamunit dhe el-Mamuni e kundërshtonte tërë kohës, deri sa më në fund u mposht. (el-Avail, f. 209)
El-Mamuni mblodhi juristët islamë dhe i pyeti për pretendimin e Beni Fatimesë. Ata i treguan se i Dërguari i Zotit ia kishte dhuruar Fedekun Fatimesë dhe se pas vdekjes së Profetit të Shenjtë, Fatimeja i kishte kërkuar Ebu Bekrit t’ia njihte në pronësi. Por ky i kishte kërkuar dëshmitarë për pretendimin lidhur me këtë dhuratë. Ajo kishte sjellë si të tillë Aliun, Hasanin, Huseinin dhe Ummi Aimanin, të cilët kishin dëshmuar në favor të saj, po Ebu Bekri nuk ua kishte pranuar dëshminë.
Atëhere el-Mamuni i pyeti juristët e islamit:
“Ç’mendim keni ju për Ummi Aimanin?” Ata i thanë: “Ajo është një nga gratë, për të cilën Profeti i Shenjtë ka thënë se e ka vendin në Parajsë”. El-Mamuni diskutoi me ta gjerë e gjatë, duke i detyruar ta pranonin argumentin vetëm pasi të faktohej me prova, deri sa u vërtetua qartë se Aliu, Hasani, Huseini dhe Ummi Aimani kishin dëshmuar të vërtetën. Kur kjo u pranua në mënyrë të njëzëshme, ai ua ktheu Fedekun pasardhësve të Fatimesë.
(et-Tarikh, el-Jakubi, vol. 3, ff. 195-196).
El-Mamuni urdhëroi që prona e Fedekut të regjistrohej pasuri e pasardhësve të Fatimesë, dhe kështu u bë. Pastaj dokumentin e firmosi vetë el-Mamuni.
Më në fund ai i shkruajti një letër Kusam ibn Xha’ferit, governatorit të tij në Medinë, në të cilën thuhej:
"Mëso që Prijësi i Besimtarëve, (Në të gjitha rastet e citimit të këtij titulli në këtë fragment, me të cilësohet kalifi el-Mamun) në ushtrim të autoritetit që i është veshur nga feja e shenjtë si kalif, pasardhës e farefis i Profetit të Shenjtë, e ka gjykuar veten si të merituar për të vepruar sipas sjelljeve të Profetit të Shenjtë dhe për të përmbushur porositë e tij. Si kryetar i këtij shteti, ai është i autorizuar që t’u rijapë personave të ligjshëm çdo pasuri apo gjë tjetër, që Profeti i Shenjtë u ka dhuruar, kushdo qofshin ata. Suksesi e siguria e Prijësit të Besimtarëve është në duart e Zotit, prandaj edhe është veçanërisht i zellshëm për të vepruar në mënyrën që i jep kënaqësinë e Zotit të Madhëruar.
Rezulton se Profeti i Shenjtë ia ka dhuruar pronën e Fedekut bijës së tij, Fatimesë, dhe e ka transferuar pronësinë e tij në emrin e saj. Ky është fakt i vërtetuar qartë. Asnjë nga pasardhësit e Profetit të Shenjtë nuk mendon ndryshe për këtë çështje. Fatimeja ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme atë që duhej quajtur e përligjur nga autoriteti
(Ebu Bekri, Kalifi i Parë) që kishte të drejtën e vendimit. Prijësi i Besimtarëve e gjykon si të drejtë dhe të përshtatshme që t’ua kthejë Fedekun pasardhësve të Fatimesë. Në këtë mënyrë, duke vendosur drejtësinë e Zotit të Madhëruar, ai shpreson të fitojë afërsinë e Tij. Në këtë mënyrë, duke vënë në zbatim porositë e Profetit të Shenjtë, ai shpreson të fitojë edhe vlerësimin e tij. Prijësi i Besimtarëve ka urdhëruar që akti i ridhënies së Fedekut të regjistrohet sipas të gjitha rregullave. Këto urdhra të mia u duhen transmetuar gjithë nëpunësve përkatës.
Pas kësaj, do të zbatohet zakoni i mbetur qysh pas vdekjes së Profetit të Shenjtë që në çdo grumbullim haxhilerësh, të paraqiten ata që thonë se Profeti i Shenjtë u ka premtuar ndonjë dhuratë apo donacion, se kërkesa e tyre do pranohet dhe premtimi i tij do përmbushet. Sigurisht, Fatimeja kishte një të drejtë më të madhe, që kërkesat lidhur me dhurimin e Fedekut nga Profeti i Shenjtë t’i plotësoheshin. Prijësi i Besimtarëve ka urdhëruar nënshtetasin e tij Mubarak et-Taberiun që t’ua rikthejë Fedekun pasardhësve të Fatimesë, bijës së Profetit të Shenjtë, me të gjithë kufijtë e tij, të drejtat e tij, skllevërit që punojnë në të, korrjet e drithërat si dhe gjërat e tjera. E njëjta gjë i shpallet Muhammed ibn Jahja ibn Hasan ibn Zijad ibn Ali ibn Husein ibn Ali ibn Ebi Talibit dhe Muhammed ibn Abdullah ibn Hasan ibn Ali ibn Husein ibn Ali ibn Ebi Talibit.
Prijësi i Besimtarëve i ka caktuar ata të dy si agjentë që përfaqësojnë pronarët e tokave, trashëgimtarët e Fatimesë. Ky është vullneti i Prijësit të Besimtarëve dhe Zoti e ka frymëzuar t’i bindet e të fitojë kënaqësinë e Tij e të Profetit të Shenjtë. Njoftoni për këtë dhe vartësit tuaj. Silluni me Muhammed ibn Jahjain e Muhammed ibn Abdullahun në po atë mënyrë si jeni sjellur kundrejt Mubarak et-Taberiut. T’i ndihmoni të dy për çdo gjë që ka të bëjë me lulëzimin, përmirësimin dhe zhvillimin e tij,(Fedekut)
si dhe për rritjen e prodhimit të tij, me vullnet të Zotit. Dhe me kaq e mbyll këtë letër. Kjo letër është shkruar këtë të Mërkurë, dy netë pas Dhu’l-Kidesë së vitit 826."
11. Gjatë kalifatit të el-Mamunit, Fedeku ka qenë në zotërim të pasardhësve të Fatimesë, gjë që ka vazhduar edhe gjatë kalifateve të el-Mutasimit (833-842) dhe el-Wasikut (842- 847).
12. Kur në krye të kalifatit erdhi Xha’fer el-Mutewakili (847-861), i cili shquhej për armiqë-sinë e tij ekstreme ndaj pasardhësve të Profetit të Shenjtë, si të atyre që kishin vdekur edhe të atyre që jetonin atë kohë, dha urdhër që Fedeku t’u merrej fëmijëve të Fatimesë e t’i dhurohej Harmaleh el-Hexhamit. Pasi vdiq el-Hexhami, ai ia dhuroi el-Bazairit, një vendasi të Tabaristanit.
(Kashf al-ghummah, vol. 2, ff. 121-122; al-Bihar, bot. I, vol. 8, f. 108; Safinet ul-bihar, vol. 2, f. 351).
Ebu Hilal el-Askeriu shkruan që emri i tij ishte Abdullah ibn Umer el-Bazair dhe shton:
Në Fedek ndodheshin njëmbëdhjetë palma hurmaje, që i kishte mbjellur vetë Profeti i Shenjtë me duart e tij. Pasardhësit e Ebu Talibit e kishin bërë zakon t’i mblidhnin frytet e tyre dhe t’ua shpërndanin haxhilerëve që vinin në Medinë. Në këtë mënyrë, siguronin një të ardhur të konsiderueshme, gjë që e mori vesh edhe al-Mutewakili. Ai urdhëroi Abdu-llah ibn Umerin ta mblidhte prodhimin e tyre dhe ta shtypte e ta bënte lëng. Ky dërgoi një njeri të quajtur Bishr ibn Umejjah eth-Thekafi, që e zbatoi urdhrin dhe e bëri verë lëngun e hurmave. Por nuk arriti ta shpinte në Basra, (Tek kalifi) sepse vera iu prish rrugës, kurse vetë Mutewakilin e kishin vrarë. (el-Avail, f. 209).
13. Pas vrasjes së Mutewakilit, në fronin e tij u ngjit i biri, el-Muntasiri (861-862), i cili urdhëroi në vitin 862 që Fedeku t’u kthehej prapë pasardhësve të Imam Hasanit e Imam Huseinit. Përveç tij, ai u njohu edhe donacionet që u kishte bërë Ebu Talibi.
(Referenca për pikat 1 deri 13: el-Baladhuri, Futuh ul-buldan, vol. 1, ff. 33-38 dhe Mu’xhem ul-buldan, vol. 4, ff. 238-240; el-Jakubi, et-Tarikh, vol. 2, f. 199; vol. 3, ff, 48, 195-196; el-Kamil fi Tarikh, Ibn ul-Athir, vol. 2, ff. 224-225; vol. 3, ff. 457, 497; vol. 5, f. 63; vol. 7, f. 116; Ibn Abd Rabbih, el-Ikd ul-ferid, vol. 4, ff. 216, 283, 435; es-Samhudi, Wafa ul-wafa, vol. 3, ff. 999-1000; Ibn Sa’d, et-Tabakat, vol. 5, ff. 286-287; es-Sujuti, Tarikh ul-Khulefa’, ff. 231-232, 356; el-Mes’udi, Muruxh udh-dheheb, vol. 4, f. 82; Sireh Umer ibn Abdul-Aziz, Ibn ul-Xheuzi, f. 110; Subh al-asha, vol. 4, f. 291; Xhamharah rasail al-Arab, vol. 2, ff. 331-332; vol. 3, ff. 509-510; Alam un-nisa, vol. 3, ff. 1211-1212; Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh, vol. 16, ff. 120-122; el-Avail, f. 209; Keshf al-ghummeh, Vol. 2. f. 120-122; el-Mexhlisi, el-Bihar, vol. 8, ff. 107-108).
14. Pasi vdiq al-Muntasiri (862), rezulton se Fedeku u është marrë përsëri pasardhësve të Fatimesë.
Ebu’l-Hasan Ali ibn Isa el-Irbili (vdekur më 1293) thotë lidhur me këtë:
El-Mutadidi (892-902) ua ktheu Fedekun pasardhësve të Fatimesë. Më pas ua mori përsëri el-Muktafi (902-908). Thuhet gjithashtu se ua ka kthyer përsëri el-Muktadiri (908-932).
(Keshf ul-ghummeh, vol. 2, f. 122; el-Mexhlisi, el-Bihar, vol. 8, f. 108; Safinah, vol. 2, f. 351).
15. Dhe, pas gjithë këtyre shekujve uzurpimi e rikthimi, Fedekun e kanë në duar përsëri uzurpatorët e tij. Por duket se trashëgimtarët e tyre nuk merren më me historinë e tij.
“Mos vallë duan prapë gjykimin e injorancës së kohëve pagane? Kush tjetër mund të gjykojë më mirë se Zoti për ata që vërtet besojnë?” (Kur’ani, 5:50)