Për Zubeirin, mbajtur në një moment që i përshtatej (a)
Thotë se e dha betimin e besnikërisë me dorë e jo me zemër. (I) Pra, pranon se është betuar. Sa i takon pretendimit se është betuar me tjetër gjë e jo me zemër, kjo kërkon shpjegim të qartë (II) ; përndryshe të kthehet atje nga u nis.
............................................
(I) Pasi u betua për besnikëri mbi dorën e Imam Aliut, Zubeir ibn el-Ewami e theu fjalën e dhënë me pretekstin se kishte qenë i detyruar të betohej dhe se kjo lloj bese nuk ishte më besë; në raste të tjera ai është shprehur se ky betim ishte vetëm hi syve dhe se zemra e tij nuk pajtohej me të. Kështu, ai pohonte me vet gojën e tij dyfaqësinë e sjelljeve e të thelbit të përmbajtjes së tij. Ky është si shfajësimi i atij që, pasi e pranoi Islamin, e braktisi prapë e pastaj thotë nga frika e ndëshkimit se e kishte pranuar vetëm me gjuhë, po jo me zemër. Natyrisht, ky nuk është shfajësim, as e shmang dot ndëshkimin e merituar. Nëse Zubeiri dyshonte vërtet se Imam Aliu kishte nxitur vrasjen e Uthmanit, duhej ta kishte pasur këtë dyshim qysh kur shtërngonte dorën e tij në shenjë besnikërie e i betohej për bindje, jo më pas, kur u zhgënjyen shpresat e tij e nisën të ushqehen shpresa të reja nga diku tjetër.
(II) Imam Aliu e hedh poshtë me fare pak fjalë këtë pretendim të tij: Nëse Zubeiri pranon se e ka shtrirë dorën e besnikërisë, t’i përmbahet betimit, përderisa të gjejë një shfajësim për thyerjen e tij. E nëse, sipas tij, një gjë e tillë shkonte kundër zemrës së tij, atëhere le të jepte prova për këtë qëndrim të saj. E meqë prova për gjendjen e zemrës nuk mund të jepen, atëhere si është e mundur që ai të gjejë të tilla! Natyrisht, një pohim i pabazuar në prova, nuk mund të pranohet nga gjykimi.
..........................
(a) Për të kuptuar ligjëratat 8, 9, 16 e të tjera, duhen shpjeguar arsyet e ngjarjet, që u bënë shkas i tyre, dhe duhet folur për ata që u përfshirë në to. Zubeiri ishte kushëri i Imam Aliut. Nëna e tij ishte motër e Xhenab Ebu Talibit, kurse gruaja, Xhenab Abdullahu, ishte motër e Umm ul-Mu’minin Aishes. Pasi u vra Kalifi i Tretë, Zubeiri iu betua Imam Aliut për besnikëri, por më pas ndryshoi mendje dhe nxiti rebelimin kundër tij, bashkë me Talhain e Umm ul-Mu’minin Aishen, gjë që çoi në betejën e Xhemelit.
Zubeiri thoshte se i ishte betuar për besnikëri në një çast hipokrizie e inercie mendore. Ibne Ebi’l-Hadidi thotë se pretendimi i tij ishte fals, se Imam Aliu e kishte paralajmëruar para betimit për besnikëri për herë të parë, duke i thënë: “O Zubeir, druaj do ta thyesh këtë betim”. Zubeiri ishte përgjigjur: ”Mos e ki atë frikë, se nuk do ta mohoj. Zoti është dëshmitar i sinqeritetit tim”.
Sipas Ibn Ebi’l-Hadidit, arsyeja e vërtetë pse Zubeiri e Talhai e thyen besën e dhënë ishte gracka e ngritur nga Mu’avia. Kur ky mësoi për njëzëshmërinë e pranimit të Imam Aliut si prijës i të gjithë muslimanëve, i shkroi Zubeirit një letër, që ia dërgoi me dikë nga fisi Umeis. Në të shkruante: “Kjo letër është nga Mu’avia për kreun e muslimanëve, Zubeirin, që të mësojë se unë ia bëj betimin e besnikërisë në emër të popullit të Sirisë kalifatit të tij; e jo vetëm kalifatit të tij, po dhe atij të Talhait, që do të vijë pas tij. Populli i mirëpret të dy. Ai është nën ndikimin tim dhe u bindet përherë urdhrave të mia. Kujdesuni për Basrën e Kufën e mos lini t’i shtjerë Aliu në dorë këto rajone të pasura e të fuqishme.
Me t’u vënë dhe ato, bashkë me Sirinë, nën drejtimin tuaj, ajo që do t’i mbetet Aliut s’do mbulohet dot as me një gjethe palme. Rruga më e mirë për të mbledhur rreth jush popullin e Basrës e Kufës dhe për të larguar pjesën tjetër nga Aliu është që të nisë një propagandë, sikur ishte ai që e hodhi idenë e vrasjes së Kalifit të Tretë”. Oferta ishte tepër joshëse për të gjorin Zubeir dhe të mjerin Talha.
Ata s’ia dilnin dot dhelprisë së Mu’avies dhe nisën të ëndërronin për kalifatin apo, të paktën, për provinca të pasura nën pushtetin e tyre e të bijve të tyre. Në pluhurin që mbulonte devenë e lajmëtarit të Mu’avies, ata shihnin premtime kurorash e veshjesh stolisur në ar; bile nuk morën mundimin as të siguroheshin, kujt i drejtohej ky betim besnikërie i Mu’avies: Atyre apo atij. Kështu harruan fjalën e dhënë dhe Zotin, të Cilin e kishin thirrur si dëshmitar të sinqeritetit të betimit të tyre, harruan përkushtimin, besën e hadithet e Profetit të Shenjtë, që ata kishin cituar në favor të Imam Aliut.
Skeptri i sundimtarit u veshi sytë e nuk mundën më të shquanin realitetin e të vërtetës e të drejtësisë. Dhe, pa patur turp, thanë se betimi i tyre kishte qenë hipokrizi. Me këtë mënyrë idiote veprimi, ata u vunë në ballë të mbrojtjes së interesit të Mu’avies, ku pësuan disfatë, humbën jetët e nuk mundën t’u siguronin gjë pasardhësve të tyre. Kurse Mu’avies i bënë një shërbim vërtet të madh.
Roli i Zubeirit dhe vdekja e tij në betejën e Xhemelit janë episode tragjike, për të cilat kanë shkruar mjaft historianë, si Ibn Ebi’l-Hadidi në Sherh, Ibn Kutejbe në el-Imame we’l-Sijase dhe el-Ma’arif, Taberiu në Tarikh, Ibn Abd ul-Berri në el-Isti’ab dhe Ibn Haxher el-Askalani në el-Isabeh. Ushtria që u hodh në luftë kundër Imam Aliut kishte si kryekomandante të saj Umm ul-Mu’minin Aishen. Djali i Zubeirit, Abdullahu, ishte shef i shtabit, kurse komandantë të tjerë, veç Zubeirit, ishin edhe Talhai, Merwan bin Hakami, etj. Pak para nisjes së betejës, Imam Aliu thirri një nga oficerët e tij (Abdullah ibn Abbasin), i dorëzoi shpatën e heshtën, doli në fushë i paarmatosur e i pambrojtur nga njeri dhe i thirri Zubeirit të dilte dhe ai nga krahu tjetër. Zubeiri bëri përpara i armatosur mirë e me tërë njerëzit që e ruanin. Kur erdhi mjaft afër, Imam Aliu, i kujtoi një ngjarje që kishte ndodhur në të gjallë të Profetit dhe paralajmërimin që ai i kishte bërë Zubeirit.
Imam Aliu i tha: “O Zubeir! Të kujtohet ajo ditë e bekuar, kur më përqafove para Profetit të Shenjtë dhe ai të pyeti: ‘Vërtet e do Aliun kaq shumë?’ Ti i the: ‘Po, Imzot! Pse jo? Ai është djali i tim ungji’. Kur dëgjoi këto fjalë, Profeti ynë i Shenjtë të paralajmëroi në këtë mënyrë: ‘Mbaje mend, Zubeir! Një ditë ti do dalësh ta luftosh Aliun e do jesh në anën e së padrejtës, padyshim. Po mbaje mend: Njeriu që vret Aliun, njeriu që vritet nga Aliu e njeriu që lufton kundër Aliut, do shkojnë në Skëterrë, që të gjithë’”.
Kjo ngjarje u shpalos prapë e gjallë në mendjen e Zubeirit. Atij iu kujtua paralajmërimi dhe e kuptoi që po bënte një çmenduri. Ktheu kalin drejt ushtrisë së tij e u betua para luftëtarëve të tij se s’do luftonte kundër Imam Aliut. Por djali i tij, armik i betuar i Imam Aliut, e qortoi të atin për këtë ndryshim të beftë e i tha se të gjitha gratë e Arabisë do ta quanin frikacak këtej e tutje.
Zubeiri u zemërua, doli përsëri në fushë, duke mbajtur në dorë një heshtë pa majë dhe u vërsul kundër radhëve të ushtrisë së Imam Aliut. Kur e pa të afrohej përsëri, Aliu urdhëroi që askush të mos luftonte kundër tij, dhe sikur ta sulmonte. Zubeiri u fut në ushtrinë e Imam Aliut mes radhëve të luftëtarëve të armatosur më së miri e i godiste me shkopin që mbante në duar; por të gjithë ruanin gjakftohtësinë, asnjë nuk iu përgjigjej sulmeve të tij. Rrinin të gjithë si të ngrirë e gdhendur në gur. Tri herë e sulmoi kështu Zubeiri ushtrinë, pastaj e la fushën e betejës e u nis drejt Wadi us-Sebes, ku e vrau një fanatik i quajtur Umer ibn Jermuze. Më vonë, ky Umer u vra në luftë kundër Imam Aliut, në Nehravan.
Pas betejës, Umeri i solli Imam Aliut shpatën e unazën e Zubeirit. Kur mësoi për vdekjen e tij, Imam Aliu u trishtua shumë, e mori shpatën në duar dhe tha: “Sa herë e ka mbrojtur Islamin dhe muslimanët kjo shpatë! Betohem, që im kushëri nuk ishte as frikacak dhe as shpirtvogël. Atë e futën në rrugë të gabuar e luajtën me të siç deshën”. Kur Umeri kërkoi shpërblim për vrasjen e Zubeirit, Imam Aliu iu përgjigj: “Shpërblimi yt është Skëterra. Ti nuk bëje pjesë në ushtrinë time dhe nuk ishe në fushën e betejës; ti s’kishe urdhër të vrisje kërkënd, jo më Zubeirin. Nuk ishte puna jote të merrje përsipër të bëje ligjin. Në qoftë se mendoje se ishe njeriu im, duhej të kishe pritur udhëzimet e mia. Njerëzit e mi kishin urdhër të mos i bënin keq e ta lejonin të kalonte nëpër radhët e tyre pa i prekur asnjë fije floku”.