Në fillimet e betejës së Siffinit ushtria e Mu’avies pushtoi bregun e Lumit Eufrat, i dëboi njerëzit e Imam Aliut, dhe nuk i lejonte të merrnin ujë. Lidhur me këtë Imam Aliu tha:
Ata (I) ju mohojnë dhe kafshatën e luftës. E, pra:
Ose qëndroni me turp në gjendjen tuaj të përçmuar, ose ngjyeni shpatat në gjak e shuajeni etjen tuaj për ujë. Jeta nën dhunë është vdekje e vërtetë dhe vdekja në mbrojtje të besimit është jetë e vërtetë. Mu’avia është vënë në krye të një hordhie të vogël rebelësh, të cilëve ua ka fshehur faktet e vërteta dhe ua ka bërë zemrat nishane të vdekjes.
.............................
(I) Imam Aliu nuk kishte mbërritur ende në Siffin, kur Mu’avia vendosi dyzet mijë burra në bregun e lumit, në mënyrë që prej tij të mos merrte ujë askush, veç sirianëve. Kur erdhën ushtritë e Imam Aliut, panë se e vetmja pikë ku mund të furnizoheshin me ujë ishte kapur nga armiku. Furnizimi në pika të tjera ishte i vështirë, sepse duheshin kapërcyer një varg malesh të larta. Atëhere Imam Aliu dërgoi tek Mu’avia Sasa’e bin Sauhan dhe i kërkoi që ta linte të lirë lumin në atë pikë.
Po Mu’avia nuk pranoi. Erdhi një çast që ushtria e Imam Aliut po e ndjente përherë e më shumë mundimin e etjes. Imam Aliu e pa që gjendja po bëhej e padurueshme, dhe tha: “Çohuni dhe merreni ujin me forcën e shpatës”. Luftëtarët zhveshën shpatat ashtu siç ishin, të tharë për një pikë ujë, vunë shigjetat nëpër harqe dhe i shpartalluan njerëzit e Mu’avies; pastaj zbritën drejt e në lumë, u dhanë arratinë rojeve armike dhe i vunë pikat e furnizimit nën kontroll të tyre.
Pasi u bënë zotër të brigjeve të Eufratit, ishin njerëzit e Imam Aliut ata që donin t’i bënin bllokadë Mu’avies dhe njerëzve të tij, ashtu siç kishte vënë ai bllokadë më parë kundër tyre. Ata kërkuan të mos i jepej ujë asnjë siriani, derisa të vdisnin të gjithë nga etja. Por Imam Aliu u tha: “Edhe ju doni të bëni të njëjtin veprim brutal, si sirianët? Asnjë njeri të mos pengohet që të marrë ujë, kurrë.
Kush dëshiron të pijë, le të pijë, e kush dëshiron të marrë me vete, le të marrë.” Si pasojë, askush nuk u pengua t’i afrohej ujit dhe të gjithë kishin liri të plotë në përdorimin e tij, megjithëse lumi ndodhej nën kontrollin e plotë të Imam Aliut.