Për largpamësinë e Imam Aliut dhe besimin e tij të patundur tek Islami
Kur ju ndodheshit në terr, e morët përmes nesh udhërrëfimin që ju ngjiti lart në pozicion e dolët përmes nesh nga nat’ e zezë. U shurdhofshin veshët që nuk e dëgjojnë thirrjen! Si mund të mbërrijë zëri im i dobët te një që mbeti shurdh ndaj zërit të lartë? Vetëm zemra që rreh përherë me drojën e Zotit, mund ta fitojë paqen. Gjithmonë u jam druajtur pasojave të tradhtisë suaj e ju kam njohur përtej veshjeve tuaja gënjyese. Është perdja e fesë që më fsheh nga ju, është vërtetësia e qëllimeve të mia që ju çmaskon tek unë.
Për ju u ngula në udhët e kësaj bote, aty ku kryqëzoheshin shtigje çorientuese, aty ku përplaseshit me njëri-tjetrin se s’kishit prijës, e aty ku hapnit puse, pa gjetur dot ujë. Sot u jap gjuhë t’ju flasin këtyre gjërave pa gojë, por plot mësim e forcë përshkruese. Mendja e kujt ikën nga unë, futet në rrugë qorre. Nuk kam dyshuar kurrë tek e vërteta, që ditën që m’u shfaq. Musai (I) s’frikej për veten; i frikej zotërimit të padijes e shmangies. Edhe sot jemi ku ndahet e Vërteta me të pavërtetën. Etja s’e vret dot atë që di ku ka ujë.
..............................
(I) Bëhet fjalë për ngjarjen me magjistarët, që e sfiduan Musain e e dëftuan aftësinë e tyre për magji duke hedhur në tokë shkopinj dhe litarë. Musai u tremb nga kjo gjë. Lidhur me këtë ndodhi, Kur’ani thotë: “Magjia e tyre e bëri të besonte se gjarpëronin vërtet. Atëhere ndjeu frikë në vetvete, po Ne i thamë: “Mos u tremb! S’ka dyshim që ti do t’ua kalosh”. (Kur’ani, 20:66-68). Sipas Imam Aliut, tek shikonte shkopinjtë e litarët të lëviznin si gjarpërinj, Musai ndjente frikë jo se trembej për jetën e tij; në të vërtetë ai kish frikë se mos njerëzit hutoheshin nga kjo magji e futeshin në rrugë të gabuar. Pra, ai trembej se mos kjo fuqi e tyre bëhej shkak i triumfit të së pavërtetës. Me këtë shpjegohet, pse Musai nuk u qetësua kur i thanë se jeta e tij nuk rrezikohej, po vetëm kur e garantuan se nuk do t’ia kalonte njeri. Vetëm kjo siguri mund ta bënte realitet angazhimin e tij. Atë e frikësonte mundësia e dështimit të së Vërtetës e fitorja e mundshme e së pavërtetës, por jo rreziku për jetën; prandaj dhe iu dha siguri për triumfin e së vërtetës, e jo dhe për mbrojtjen e jetës. Imam Aliu shpreh të njëjtën frikë, që kishte dhe Musai: Se mos njerëzit kapeshin në rrjetat e intrigave e binin në çoroditje, duke u larguar nga feja e vërtetë. Kurse vetë ai nuk kishte frikë kurrë për jetën e vet.