Ligjërata 39
Duke qortuar ata që i shmangen betejës
Kam të bëj me njerëz që s’binden kur i urdhëroj dhe s’përgjigjen kur i ftoj. Mallkimi rëntë mbi ju. Ç‘prisni më që s’ngriheni për çështjen e Zotit? A nuk ju bashkon më besimi? Nuk paskeni më turp që t’ju zgjojë nga përgjumja? Vij te ju, ju bëj thirrje e kërkoj ndihmë, por ju s’ia vini veshin fjalës sime e as u bindeni urdhrave të mia, derisa ngjarjet ju hedhin për koke pasojat e tyre të këqija. Me ju gjaku s’merret dot e përmes jush s’arrihet dot qëllimi. Ju bëra thirrje për t’u ndihmuar vëllezërve tuaj, por ju zhurmuat si ato devetë kur u dhemb barku e u zvargët fare si deve kurrizvrara. Pastaj prej jush doli një turmë e lëkundur dhe e dobët dhe erdhi te unë e dukej “sikur i çonin drejt vdekjes e ata vetëm sa çapëlenin sytë.” (Kur’ani, 8:6). (I)
Sejjid Raziu thotë:
Fjala e Prijësit të Besimtarëve ‘Mutazaeb’ ka kuptimin ‘Muztareb’ ; për shembull, ‘Tazaabat-ir-Rihu’, do të thotë ‘erërat fryjnë pa një drejtim të caktuar’. Në mënyrë të ngjashme, ujku quhet ‘Dheb’ për shkak të lëvizjes së tij të hallakatu.
.........................
(I) Mu’avia nisi një repart prej dy mijë ushtarësh nën komandën e Nu’man ibn Beshirit për të sulmuar Ainut Temarin, një bazë mbrojtëse e Imam Aliut pranë Kufas, nën komandën e Malik bin Ka’b Arhabit. Ky kishte në dipozicion rreth një mijë luftëtarë, por atë kohë iu ndodhën vetëm njëqind. Kur mësoi se po i afrohej forca armike, Maliku i shkruajti Imam Aliut. Imam Aliu e mori mesazhin dhe u kërkoi njerëzve të tij që t’i shkonin në ndihmë, por vetëm treqind prej tyre u treguan të gatshëm.
Imam Aliu u mërzit shumë nga kjo dhe mbajti një ligjëratë për t’i qortuar. Pas kësaj u kthye në shtëpi e aty i erdhi Adi bin Hatimi e i tha: “O Prijës i Besimtarëve, kam me vete një mijë veta nga fisi Taj. Po të urdhëroni, unë i nis”. Por Imam Aliu ia ktheu: “Nuk është mirë që armikut t’i dalin përballë vetëm pjesëtarë të një fisi. Përgatite këtë forcë në luginën e Nakiles”. Pastaj shkoi vetë e u bëri njerëzve thirrje për xhihad.
Në këtë mënyrë, përveç fisit Taj u mblodhën edhe një mijë luftëtarë të tjerë. Trupat ishin akoma në përgatitje e sipër për t’u nisur, kur Malik bin Ka’bi dërgoi lajm që s’kishte më nevojë për ndihmë, se e kishte sprapsur vetë armikun. Në fakt, për t’i dalë përpara çdo vonese të mundshme të ndihmës nga Kufa, Maliku kishte nisur në të njëjtën kohë Abdullah bin Xhuzen te Kerza bin Kabi dhe Mekhnaf bin Selimi, duke u kërkuar që ta ndihmonin sa më parë.
Abdullahu shkoi tek të dy, por Kerza nuk i dha përkrahje, kurse Mekhnaf bin Selimi bëri gati dhe nisi pesëdhjetë veta nën komandën e Abdurrahman bin Mekhnafit, që i arriti të rrethuarit akoma me ditë. Deri atë kohë të dy mijë armiqtë nuk kishin mundur t’i mposhtnin të njëqindët e Malikut. Kur Nu’mani pa pesëdhjetë luftëtarët e bin Mekhnafit, i kujtoi si pararojën e forcave të tjera, prandaj u tërhoq me nxitim. Maliku e sulmoi në shpinë në tërheqje e sipër dhe vrau edhe tre armiq të tjerë.