Ligjërata 35

 

Pas Arbitrimit (I) Imam Aliu mbajti këtë fjalim:

 

I Lëvduar qoftë Zoti, ndonëse koha na solli mjerim të hidhur e ngjarje të rënda. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit, që s’ka partner të Tij dhe as ndihmës të Tij, përveç Vetë Atij, dhe që Muhammedi është shërbëtori dhe i Dërguari i Tij. Kështu, pra, nuk ka dyshim që mosbindja ndaj këshilluesit të përkushtuar, që mbart dije e përvojë, shpie në zhgënjim e pendesë. Unë jua dhashë udhëzimet e mia për arbitrimin dhe jua tregova mendimin tim të fshehtë,pse duhej pranuar këshilla e Kasirit (II) ; por ju i hodhët poshtë armiqësisht e si rebelë të pabindur  sa vet udhëzuesi ra në dyshime për udhëzimet e tij e stralli i mendjes së tij i shteri shkëndijat. Si pasojë, pozicioni im e juaji u bë siç e përshkruan ai poeti Havazin:

 

Ju çova fjalë në Muna’rej Livai, por ju s’e kuptuat të mirën e saj. Kur dreka e të nesërmes u afrua, e patë gabimin, po von’ e kuptuat! (III)

 

..............................

 

(I) Kur shpirti i Sirianëve u thye nga shpatat e përgjakura të Irakenëve dhe sulmet e paprera të natës së el-Haririt e rrëzuan për tokë moralin e tyre dhe u dhanë fund shpresave të tyre, Amr bin Asi i sugjeroi Mu’avies që të ngrinte Kur’anin majë heshtave e të kërkonte që të bëhej pikërisht ai arbitër për grindjen. Nga kjo mund të shpresohej që një pjesë e njerëzve të kërkonte ndalimin e luftës, ndërsa pjesa tjetër vazhdimin e saj.

‘Kështu do t’i përçajmë e do t’ia dalim ta shtyjmë luftën për herë tjetër’. Kështu u bë e Kur’ani u ngrit mbi heshta. Atëhere njerëzit e paditur nisën rrëmujën e krijuan pështjellim e përçarje në ushtri, gjë që i shkatërroi përpjekjet e muslimanëve të thjeshtë m’u në prag të fitores. Pas kësaj filluan të bënin thirrje dhe ata për të pranuar vendimin e Kur’anit para se të bëhej luftë, ndonëse s’e kuptonin ende se çfarë kishte ndodhur. Kur e pa që Kur’ani u bë vegël e qëllimeve të armikut, Imam Aliu tha:

 

“O njerëz, mos bini në këtë kurth të mashtrimit e të dredhisë. Ata po e përdorin këtë truk vetëm për t’i shpëtuar turpit të disfatës. Unë e njoh karakterin e të gjithëve atyre, një për një. Ata s’e respektojnë Kur’anin dhe as kanë ndonjë lidhje me besimin e fenë. Qëllimi i luftës sonë është pikërisht ky, që ata të ndjekin Kur’anin dhe të veprojnë sipas mësimeve të tij. Për hir të Zotit, mos bini në kurthin e këtij mashtrimi! Vazhdoni me vendosmëri e trimëri dhe ndaloni vetëm pasi ta keni mundur armikun, që po vdes”. Por mashtrimi i të ligjve pati sukses. Njerëzit filluan të mos binden e të rebelohen. Sad bin Kazki Temimi dhe Zaid bin Hasin Teji, secili me nga njëzet mijë ushtarë, shkuan tek Imam Aliu dhe i thanë:

“O Ali, në qoftë se nuk i përgjigjesh thirrjes së Kur’anit, ne do të veprojmë me ty ashtu si vepruam me Uthmanin. Jepi fund betejës menjëherë e përkulu përpa vendimit të Kur’anit.” Imam Aliu bëri ç‘ishte e mundur që të kuptonin si qëndronte puna, por sytë e tyre i kishte zënë vetë Shejtani, që kishte marrë trajtën e Kur’anit e s’i linte të shikonin qartë.

 

Imam Aliu u detyrua të dërgonte Jezid bin Haniun për të thirrur nga fusha e betejës Malik el-Eshterin. Kur e dëgjoi Maliku këtë urdhër, u habit dhe tha: ”Të lutem, thuaji që nuk është rasti për ta lënë luftën. Të presë fare pak, pastaj unë do të vij në takim me të me lajmin e mirë të fitores.” Kur erdhi Haniu me këtë lajm, njerëzit nisën të flisnin që Imam Aliu kishte dërguar fjalë fshehurazi për ta vazhduar betejën. Imam Aliu tha se nuk kishte patur asnjë rast që të dërgonte mesazhe të fshehta e se ato që kishte thënë, i kishte thënë përpara tyre. Atëhere njerëzit kërkuan që Haniu të dërgohej edhe një herë dhe, po qe se Maliku e vononte kthimin, ata do vrisnin Imam Aliun. Imam Aliu e dërgoi Haniun prapë me lajmin se kishte ndodhur një rebelim dhe se ai duhej të kthehej, sido që të ishte puna. Haniu shkoi tek Maliku prapë dhe i tha: “Cila është më e shtrenjtë për ty, fitorja apo jeta e Imam Aliut. Në qoftë se është më e shtrenjtë jeta e tij, duhet që të heqësh dorë nga lufta dhe të shkosh tek ai sa më parë”. Kështu, Maliku e braktisi fitoren m’u në prag të saj dhe u tërhoq e shkoi i dëshpëruar dhe i zhgënjyer tek Imam Aliu.

Aty mbretëronte kaosi. Ai i qortoi ashpër njerëzit, por punët kishin marrë kthesë të atillë, sa s’mund të rregulloheshin më.

 

U vendos që secila nga palët të emëronte nga një arbitër. Pas kësaj, do të ishin ata që do ta zgjidhnin çështjen  duke u bazuar tek Kur’ani. Nga ana e Mu’avies u caktua Amr bin Asi, kurse nga ana e Imam Aliut u propozua emri i Ebu Musa Esh’ariut. Duke e parë të gabuar këtë zgjedhje, Imam Aliu tha: “Ju nuk e pranuat pikëpamjen time për arbitrimin, pranoni të paktën që të mos jetë Ebu Musai arbitër. Ai nuk është njeri që mund t’i japësh besim. Ja ku është Abdullah bin Abbasi dhe ja ku është edhe Malik ibn Eshteri. Zgjidhni njërin prej tyre.” Por ata nuk e dëgjuan dhe u mbajtën vetëm tek ai emër. Atëhere Imam Aliu tha: “Mirë, pra, bëni si të doni. Po s’është larg dita kur do t’i vuani pasojat e punëve tuaja të liga”.

 

Pasi u emëruan arbitrat, u hartua një marrëveshje ku përbri emrit Ali ibn Ebi Talib ishte edhe termi ‘Prijës i Besimtarëve’. Por Amr bin Asi tha: “Kjo duhet hequr. Po ta pranonim për Prijës të Besimtarëve, pse do duhej bërë kjo luftë?” Në fillim Imam Aliu nuk e pranoi që ta shuante titullin e tij, por kur pa se ata nuk pajtoheshin kurrsesi, e hoqi dhe tha: ”Kjo ngjarje është si e Hudeibes, kur të pafetë ngulën këmbë të hiqeshin fjalët ‘Profeti i Zotit’, që shoqëronin emrin e Profetit. Edhe Profeti i hoqi.” Kur i dëgjoi këto fjalë, Amr bin Asi u inatos e tha: ”Mos do të thuash se jemi të pafé?” Imam Aliu iu përgjigj: “Ti s’ke patur të bësh ndonjëherë me Besimin e as ke qenë mbështetje e tij”.

 

Me arritjen e marrëveshjes, njerëzit u shpërndanë. Në një takim të përbashkët të arbitrave u vendos t’i largonin nga Kalifati që të dy pretendentët, si Aliun edhe Mu’avien, pastaj le të zgjidhnin vet njerëzit atë që donin. Ata organizuan një takim në Dumat ul Xhandal, një vend mes Irakut e Sirisë, për ta shpallur këtë vendim me rëndësi për fatin e muslimanëve. Amr bin Asi i tha Ebu Musait me dhelpri: “Nuk më duket e sjellshme që të flas unë i pari. Ju jeni më i moshuar, prandaj thuajeni ju i pari lajmërimin”. I gënjyer nga kjo lajkë, Ebu Musai doli krenarisht përpara, përballë pjesëmarrësve në mbledhje, e tha: “O muslimanë, ne kemi vendosur së bashku që Ali ibn Ebi Talibi e Mu’avia të hiqen të dy dhe që e drejta për të zgjedhur kalifin t’u mbetet muslimanëve. Le ta zgjedhin ata atë që duan.” Pasi foli kështu, u ul. Tani radhën e kishte Amr bin Asi, i cili tha:

“O muslimanë, ju e dëgjuat që Ebu Musai pranoi që Ali bin Ebu Talibi të largohej. Edhe unë pajtohem me këtë. Sa për Mu’avien, nuk shtrohet fare çështja e largimit të tij. Kështu që unë lë Mu’avien në postin e tij.” Fjalët e tij u mbuluan nga britma që ngriheshin nga çdo anë. Ebu Musai thirri me zë të lartë që ky ishte mashtrim e dredhi e i tha Amr bin Asit: “Ju keni mashtruar. Shembulli juaj është si ai i qenit, të cilit i ngarkon diçka e ai fillon të gulçojë, e që vazhdon përsëri të gulçojë edhe kur ia heq ngarkesën.” Amr bin Asi ia ktheu: “Kurse shembulli juaj është si i gomarit të ngarkuar me libra.” Sidoqoftë dredhia e Amr bin Asit pati sukses dhe këmbët e lëkundura të Mu’avies u stabilizuan përsëri.

 

Kjo ishte pak a shumë historia e Arbitrimit, si bazë e të cilit u vendos të ishte Kur’ani dhe Sunneti. Por a ishte ky vërtet verdikti i Kur’anit? Apo i sajimeve mashtruese, që njerëzit e kësaj bote përdorin për të ruajtur pushtetin e tyre? A s’duhen parë këto faqe të historisë si mësime udhërrëfyese për të ardhmen, në mënyrë që Kur’ani e Sunneti të mos përdoren më si mjete të sigurimit të autoritetit dhe si vegla të përfitimeve tokësore?! Kur mori lajmin e rezultatit të vajtueshëm të Arbitrimit, Imam Aliu u ngjit në minber dhe mbajti këtë ligjëratë, fjalët e së cilës tregojnë logjikën e fortë të mendimit të tij, drejtësinë e pikëpamjes të tij dhe urtësinë e parashikimit të tij, megjithë shijen e hidhur e trishtimin që i përshkon.

 

...................................

 

(II) Ky është një proverb që përdoret kur dikujt i hidhet poshtë këshilla e mirë dhe më pas vjen pendimi. Në themel të tij është kjo ngjarje: Xhuzemie Ebrashi, që ishte sundimtar i Hiras, vrau Amr bin Tarabin, sundimtar i Xhezires. Pas kësaj, bija e këtij të fundit, Zuba, u bë sundimtare e Xhezires. Pak kohë pas ngjitjes së saj në fron, Zuba mendoi një plan se si të hakmerrej për të atin. Ajo i çoi Xhuzemies një mesazh, ku i shkruante se nuk mund t’i kryente e vetme punët e shtetit e se do t’ia dinte shumë për nder, nëse ai do të pranonte të bëhej kujdestari i saj e të martohej me të. Xhuzemie u deh menjëherë nga ky propozim dhe u bë gati të nisej për në Xhezire së bashku me njëmijë kalorës. Skllavi i tij, Kasiri, e këshilloi të mos e fuste veten në këtë rrezik, sepse kjo ishte thjesht dredhi e mashtrim.

Por arsyeja e tij ishte errësuar aq shumë, saqë nuk donte ta vriste mendjen, pse duhej që Zuba të zgjidhte si shokun e saj të jetës pikërisht atë që i kishte vrarë babain. Kështu, pra, u nis e arriti në kufirin e Xhezires. Ushtria e Zubas kishte dalë ta priste, por ajo nuk bëri ndonjë ceremoni të posaçme dhe as i ofroi ngrohtësi kur u takuan. Kjo ia shtoi dyshimet edhe më shumë Kasirit, i cili e këshilloi prapë Xhuzemien të kthehej prapa. Por afërsia e qëllimit e kishte ndezur keq pasionin e tij dhe ai nuk ia vari fare Kasirit, po u fut në qytet. Pak kohë më pas e vranë. Atëhere Kasiri tha: “Duhej të ishte ndjekur këshilla e Kasirit”. Që nga ajo kohë kjo thënie filloi të përdorej si proverb.

 

....................................

 

(III) Bëhet fjalë për poetin e Beni Havazinit, Dureid bin Sama. Këtë vjershë ai e shkroi pas vdekjes së të vëllait, Abdullah bin Samas. Fakti që është në bazë të saj është kjo ngjarje: Abdullahu me vëllain e tij kishin sulmuar së bashku fisin Bekr bin Havazin dhe u kishin rrëmbyer shumë deve. Duke u kthyer menduan të qëndrojnë në Mune’-rajullava. Dureidi i tha se nuk ishte mirë që të ndaleshin aty, sepse armiku mund t’i sulmonte pas shpine, po Abdullahu nuk qe dakord, kështu që ndaluan. Sapo gdhiu dita e re, armiku i sulmoi dhe e vrau Abdullahun në vend. Edhe Dureidi u plagos, por mundi të shpëtonte gjallë. Më vonë shkroi disa vjersha, nga të cilat kjo është njëra. Në të flitet dhe për këtë ngjarje, që ndodhi pikërisht ngaqë s’u pranua këshilla e tij.