Imam Aliu e mbajti këtë ligjëratë kur bëheshin përgatitje për luftë me Shamin : (I)
Medet! Jam lodhur duke ju qortuar. Mos vallë kjo jetë tokësore është për ju gjithçka, aq sa t’ia zerë vendin edhe tjetrës? Apo turpi është bërë për ju më i pranuar se dinjiteti? Ju ftoj të luftoni armikun, e çakërdisni sytë si kur të ishit në spazmat e vdekjes dhe në kllapinë e çasteve të fundit. S’doni t’i kuptoni fjalët e mia, po jeni strukur në pandjesi; sikur zemrat t’ju ishin marrosur dhe aftësia për gjykim t’ju ish topitur. Ju e keni humbur përgjithmonë besimin tim.
Ju s’jeni për mua as përkrahje, që të mund të mbështetem te ju, as mjeti që shpie në fitore e nder. Shembulli juaj është si i gamileve, që u ka humbur bariu e kur i mbledhin nga njëra anë, hallakaten më krah tjetër. Për Allah, druri juaj s’bën më për të ndezur flakët e xhihadit. Kundër jush thuren intriga e juve s’ju bën përshtypje. Kufijtë po ju tkurren për ditë, dhe ju as e prishni terezinë.
Ata që keni kundër s’i zë as gjumi, po ju harroni se kush janë. Për Atë Zot, kush ia lë punët njëri-tjetrit ka marrë fund. Për Allah, e kam ditur saktë që, sapo të shpërthente lufta e në vatrat tuaja të luhej vallja e vdekjes, ju do ndaheshit nga Aliu si ajo koka e prerë që rrëzohet nga trungu. (II)
Për Allah, kush e lë armikun që ta mposhtë, aq sa t’ia shqitë edhe mishin nga eshtrat, t’ia dërrmojë skeletin e lëkurën t’ia bëjë rripa - rripa, është krejt i pazoti. Zemra në gjoksin e tij troket të rrahurat e të fundit. Ju mund të bëheni të tillë në se doni. Po unë do ta zhvesh edhe një herë të fundit shpatën time tehmprehtë të Masharifit për t’ua çarë më dysh eshtrat e kafkave e për t’ua flakur poshtë krahë e këmbë, në vend që të më ndodhë një gjë e tillë. Pastaj le të bëjë Zoti ç‘të dojë.
O njerëz, unë kam një të drejtë mbi ju dhe ju keni një të drejtë mbi mua. E drejta juaj mbi mua kërkon t’ju jap këshillë, t’jua jap hakun të plotë, t’ju mësoj të mos mbeteni të paditur e t’ju udhëzoj si të silleni dhe të dini si të bëni. E drejta ime mbi ju kërkon që të zbatoni detyrimin tuaj të besnikërisë, të keni dëshira dhe qëllime të mira ndaj meje, pavarësisht në jam pranë jush apo mungoj, të jeni të gatishëm kur t’ju thërras dhe të bindeni kur t’ju urdhëroj.
............................................
(I) Fjala ‘Sham’ përdorej për një hapësirë të gjerë gjeografike, që ishte pushtuar nga vendet muslimane të asaj kohe. Ajo përfshinte Sirinë, Jordaninë, Palestinën dhe Libanin e sotëm. Kryeqyteti i saj ishte Damasku. Fjala ‘Siria’ në këtë libër nënkupton pikërisht territoret e lartpërmendura.
............................
(II) Kjo shprehje përdoret për të treguar atë lloj ndarjeje, pas së cilës nuk ka më as rast e as mundësi për ribashkim. Në Durr en-Nexhefie radhiten disa versione për shpjegimin e saj:
1) Ibn Dureidi mendon se kjo shprehje do të thotë, ‘Ashtu si është e pamundur që koka e prerë të ngjitet prapë, edhe ju s’do mund të bashkoheni më me mua, po të dezertoni.’
2) Mufadali thotë: “Ras (Koka) ishte emri i një personi e sipas tij është emërtuar një fshat i Sirisë, që quhet Beiti Ras. Ky person braktisi shtëpinë e tij e u largua për diku dhe nuk u kthye më kurrë në atë fshat; nga kjo doli thënia ‘U nda si Rasi’“
3) Një kuptim i saj është: “Ashtu si lidhjet e eshtrave të kafkës nuk rivendosen dot më po të prishen, ashtu dhe ju nuk do më bashkoheni dot, po të largoheni prej meje.”
4) Mendohet, gjithashtu, se kjo shprehje është thënë në kuptimin e ndarjes përfundimtare. Ibn Ebi’l-Hadidi e mori këtë kuptim nga Sherh-u i Kutbudin Ravandiut. Sipas tij, ai nuk është korrekt, meqenëse fjala ‘Ras’ nuk paraprihet nga ‘Elif ’ dhe ‘Lam’ kur përdoret në kuptimin ‘krejtësisht’.
5) Pranohet edhe një kuptim tjetër i kësaj shprehjeje, dhe pikërisht: “Ju do largoheni prej meje si ai që ia mbath për të shpëtuar kokën e tij”. Përveç kësaj diskutohen edhe kuptime të tjera, por që janë tepër larg së vërtetës për t’u marrë parasysh. Kjo shprehje është përdorur së pari nga filozofi Arab Aksam bin Seifi, që jepte mësim për unitetin dhe harmoninë. Ai u thoshte nxënësve të tij: O fëmijët e mi, mos u ndani nga njëri-tjetri në raste fatkeqësish si ajo koka e prerë prej trupit, sepse, pas kësaj, nuk do të bëheni më bashkë asnjëherë.