Për ata që nxjerrin pretekste në kohë lufte
O njerëz, ju vetëm me trup jeni në një vend, se zemrat ju flenë në vende të ndryshme. Me fjalë squllni dhe gurin më të fortë po me veprim e ndillni armikun drejt vetes. Nga vendet ku jeni rehatuar thoni, do bëjmë këtë e do bëjmë atë, po sapo ju qaset lufta ia jepni vrapit. Kur ju thërret dikush për ndihmë, bëni veshin shurdh. Kush ka të bëjë sadopak me ju, nuk ka më paqe në zemër. Shfajësimet tuaja janë pretekste borxhlinjsh që nuk duan t’i kthejnë borxhet. E keqja s’luftohet me njerëz të përbuzshëm dhe e drejta nuk arrihet pa përpjekje.
Cila është shtëpia që duhet mbrojtur, nëse s’është kjo?
Me cilin prijës do t’i futeni luftës, nëse jo me mua?
Për atë Zot!
Kush e ka pranuar besën tuaj, është mashtruar, e kush ia ka dalur t’ju ketë me vete, ka vënë në hark shigjeta që nuk shpojnë. Se për armikun s’jeni tjetër, veçse shigjeta të thyera ose pa majë. Tani jam në gjendjen e atij që nuk ju beson më, as shpreson më në mbështetjen tuaj, as e sfidon dot armikun përmes jush.
Ç‘po ndodh kështu me ju?
Ç‘është kjo sëmundje që ju mposhti?
Ç’është ajo kurë që mund t’ju shpëtojë?
Njerëz janë edhe ana tjetër, me formën që keni dhe ju! (Por ata janë krejt të ndryshëm në karakter)
Mos vallë u dashka të kemi vetëm fjalë pa veprim e moskokëçarje, në vend të përkushtimit?
S’qenka më e padrejtë lakmia për gjërat? (I)
..........................................
(I) Pas betejës së Nehravanit, Mu’avia nisi drejt Kufës Zehak bin Kejs Fahriun me një forcë prej katër mijë vetash, që të krijonte në vend çrregullime, të vriste kë të gjente, ta mbante vendin nën presionin e gjakderdhjeve e të shkatërrimeve, e, kështu, t’i shkatërronte Imam Aliut qetësinë dhe paqen e mendjes.
Pasi derdhi gjak të pafaj-shëm e mbolli rrënime kudo ku shkeli, Zehaku arriti së fundi në Talabie, ku sulmoi një karvan haxhilerësh që shkonin drejt Mekës dhe ua grabiti të gjitha pasuritë dhe gjërat që kishin me vete. Më pas vrau në Katkatane Amr bin Amisin, nipin e Abdullah ibn Mes’udit, shokut të Profetit të Shenjtë, së bashku me gjithë pasuesit e tij.
Në këtë mënyrë, ai shkretoi e derdhi gjak kudo ku vajti. Kur mësoi për këto rrënime e shkatë-rrime, Imam Aliu i ftoi njerëzit e tij të ngriheshin më këmbë, për t’i dhënë fund këtij shkretimi; po u pa qartë që ata donin t’i bënin bisht luftës.
Plot neveri për apatinë e letargjinë e tyre, Imam Aliu hipi në minber dhe mbajti këtë fjalë, me të cilën u ngjalli njerëzve ndjenjën e turpit e i bëri të mos i frikësoheshin ndeshjes, po të ngriheshin si njerëz trima në mbrojtje të vendit të tyre e t’i linin mënjanë shfajësimet e kota e qesharake.
Në fund, Hixhr bin Adi u nis me një repart me katër mijë njerëz për t’u ndeshur me armikun, të cilin e kapi në Tademur. Të dy palët patën një ndeshje e shkurtër, pastaj ra nata, gjatë së cilës Zehaku ia mbathi bashkë me ushtrinë e tij, pasi la në fushën e luftës nëntëmbëdhjetë të vrarë. Nga ushtria e Imam Aliut ranë martirë vetëm dy luftëtarë.