Ligjërata 28

 

Për natyrën kalimtare të kësaj bote dhe rëndësinë e botës tjetër

 

S’ka dyshim që kjo botë na ka kthyer shpinën e na ka shpallur ndarjen, ndërkohë që tjetra na vjen përballë e na njofton afrimin. Sot është dita e përgatitjes për garën e nesërme. Për në Parajsë nxitohet, po në Skëterrë gjykohet. A ka njeri të mos pendohet për gabimet para se të vdesë? Apo të mos kryejë vepra të virtytshme përpara Ditës së Gjykimit?

 

Hapni sytë! Sepse jetoni ditët e shpresës, po përtej tyre përgjon vdekja. Kush i mbush me veprim ditët e shpresës dhe nuk pret t’i vijë vdekja pranë,do ketë dobi nga vepra e tij dhe vdekja s’do mund ta dëmtojë. E kush s’e përfill veprimin ndërkohë që ka shpresë, do ketë humbje e vdekja do t’i sjellë dëm të madh.

Hapni sytë e veproni, pavarësisht në përjetoni kohë shprese e optimizmi apo çaste ankthi e frike!

Hapni sytë! Unë s’kam parë lakmonjës të Parajsës, që të jetë i ngeshëm, e as ndonjë të trembur nga Ferri, që të jetë i shkujdesur.

Hapni sytë! Ai, të cilit e drejta s’i sjell dobi, do duhet që të pësojë dëmin e së padrejtës, e atij, të cilit udhërrëfimi s’i jep qëndrueshmëri, do t’i duhet t’i futet rrugës së çoroditjes, që do ta çojë drejt e në rrënim.

Hapni sytë! Jeni urdhëruar prerazi të ecni dhe ju është treguar ç’ju duhet për udhë. Gjëja më e frikshme e që më tremb më shumë për fatin tuaj, është dhënia pas dëshirës e teprimi me iluzionet. Merrjani kësaj bote shpëtimin e të nesërmes. (Të Ditës së Gjykimit)

 

Sejjid Raziu thotë:

Në qoftë se mund të ketë ligjëratë, që ta bën të dashur heqjen dorë prej kësaj bote e që të shtyn të punosh për botën tjetër, është kjo, pikërisht. Ajo është e mjaftë për të shqitur nga thonjtë e shpresave tokësore e për të ndezur shkëndijën e qortimit (Kundër vesit) e të predikimit.(Të virtytit)

Në këtë ligjëratë hasen shprehje të jashtëzakonshme, si, ‘Sot është dita e përgatitjes për garën e nesërme. (Të marrjes së hakut nga gjithsecili.)

Për në Parajsë nxitohet, por në Skëterrë gjykohet’. Përveç fisnikërisë së fjalëve, madhështisë së kuptimit e faktit të vërtetë e të bazuar , (Me përvoja jetësore) në të ka sekrete të mrekullueshme dhe nënkuptime të thella. Këtu kemi parasysh thënien e tij, që vendi drejt të cilit duhet nxituar është Parajsa, ndërsa Ferri është vendi i dënimit. Këtu përdoren dy fjalë të ndryshme për të përçuar dy kuptime të ndryshme.

Për Parajsën është përdorur shprehja, ‘vendi, drejt të cilit duhet nxituar’, gjë që nuk bëhet kur flitet për Skëterrën. Sepse shkohet drejt një vendi të pëlqyeshëm e të dëshiruar, e kjo mund të jetë e vërtetë vetëm për Parajsën. Skëterra nuk është joshëse, që të pëlqehet e të nxitë dëshirën për të shpejtuar drejt saj. Neve na duhet mbrojtja e Zotit prej saj. Meqenëse për Skëterrën s’është me vend të thuhet ‘duhet ecur drejt saj’, Imam Aliu përdor për të shprehjen ‘vendi i gjykimit’, e cila nënkupton pikën ku përfundon gjithëçka e ku arrihet, pavarësisht nëse kjo sjell pikëllim dhe dëshpërim apo lumturim dhe gëzim. Kjo fjalë mund t’i përcjellë të dyja rastet, po këtu duhet marrë në kuptimin ‘Masir’ ose ‘Maa’l’, që është ‘vendqëndrimi i fundit’. Vargu përkatës Kur’anor është: Thuaj: 

 

Gëzojini (Edhe për pak kohë.) edhe ca, sepse stacioni juaj i fundit është Skëterra. Kur’ani, 14:30.

Nëse këtu do thuhej ‘Sabkatekum’, që do të thotë ‘vendi drejt të cilit duhet ecur’, në vend të ‘Masirekum’, që është ‘vendqëndrimi i fundit’, kjo do ishte e papërshtatshme. Mendoni e vriteni mendjen për të e vini re mrekullinë e nëntekstit të saj të brendshëm e thellësinë e bukurisë së saj. Fjalimi i Prijësit të Besimtarëve fokusohet kryesisht në këto linja. Në disa versione fjala ‘Sabaka’ haset si ‘Subka’, që do të thotë ‘çmimi i caktuar për fituesin e një gare’. Në fakt të dyja këto kuptime janë afër njëri-tjetrit, se çmimi jepet për vepra të mira e të këshillueshme, e jo për veprime të padëshirueshme.