Duke i nxitur njerëzit për xhihad
Kështu pra, Xhihadi është një nga dyert e Parajsës, që Zoti e mban hapur për të dashurit e Tij më të afërm. Ai është prova e përkushtimit, parzmorja e pathyeshme e Zotit e mburoja e Tij e besuar. Atë që braktis xhihadin, Zoti e mbërthen në veshjen e turpit e në prangat e mjerimit. Atë e shtyjnë me këmbë me përbuzje e neveri dhe zemrën e tij e verbon perdja e mospërfilljes. Ai që i vidhet xhihadit braktis të vërtetën e do duhet të vuajë çnderimin e mohimin e drejtësisë.
Hapni sytë! Unë ju thirra t’i luftonit ata njerëz ditë e natë dhe hapur e fshehur dhe ju nxita t’i sulmonit përpara se t’ju sulmonin; se, për Atë Zot,kush pret që t’i vijë lufta tek pragu i derës, u ka hapur dyer e dritare mjerimit dhe disfatës; po ju ua latë të tjerëve e hoqët dorë prej saj, deri sa shkatërrimi ra mbi ju e qytetet tuaja u pushtuan. Kalorësit e fisit Ghamid (I) erdhën në Anbar, vranë Hasan bin Hasan el-Bakrin e i përzunë nga ky garnizon kalorësit tuaj. Më thonë se kanë shkuar tek gratë muslimane dhe të tjerat që janë nën mbrojtje të Islamit, e u kanë hequr stolitë nga duart, këmbët, qafët e veshët dhe asnjë prej tyre nuk ka mundur t’i shpëtojë kësaj gjëme, veçse klithnin ajetin, ‘jemi të Zotit e te Zoti do rikthehemi’. Kur’an, 2:156.
Pastaj u kthyen mbrapsht ngarkuar me pasuri, pa asnjë të vrarë a të plagosur. Po t’i çahej zemra ndonjë muslimani nga helmi i ngjarjeve të tilla, nuk do t’i vija faj, sepse do ishte i shfajësuar përpara meje
Sa çudi! Zemra ime pikon gjak, për Allah, tek shikon përkushtimin e këtyre njerëzve në të padrejtën e tyre dhe dezertimin tuaj nga e drejta juaj. Mallkim e mjerim rënçin mbi ju! Jeni bërë si ato shenjat, ku fluturojnë shigjetat. Po ju vrasin, e ju nuk vrisni. Ju sulmojnë, e ju nuk kundërsulmoni. Nuk ka më bindje ndaj Zotit, po juve s’ju bën aspak përshtypje. Ju them në behar t’u hidhemi, e ju më thoni se bën tepër nxehtë, të presim sa të iki vapa. Ju urdhëroj në dimër të marshojmë, e ju më thoni se është i ftohtë i hidhur, prandaj le të presim sa të ngrohet pak. Por vapa e ftoma janë vetëm sebepe, e kush thotë se s’mund t’i durojë, kërkon t’i bëjë luftës bisht.
O ju, që dukeni burra e njerëz, por që s’jeni as burra, as njerëz: Urtësia juaj është sa e një fëmije dhe mendja juaj sa e një gruaje që nuk ka parë kurrë tej perdeve të çadrës. Do doja të mos ju kisha parë, as t’ju kisha njohur. Për Atë Zot, njohja me ju më ka sjellur turp dhe më ka bërë të pendohem. Zoti ju vraftë! Ma mbushët zemrën me qelb e ma enjtët gjoksin me tërbim e më dhatë të kapërdij kafshata të helmatisura njërën pas tjetrës. I flakët poshtë këshillat e mia, më latë të vetëm e s’m’u bindët, aq sa Kurejshët filluan të thonë se Ali bin Ebi Talibi është trim, po nuk njeh taktikë.
Zoti pastë mëshirë për ta! A ka ndonjë prej tyre më krenar në luftë e që të jetë mplakur si unë në të? Jam futur në flakët e saj ende pa i mbushur të njëzetat, e ja tek jam, tek kapërcej të gjashtëdhjetat.
Por ai që s’njeh bindje, nuk mund të ketë as vetëdije.
....................................
(I) Pas Siffinit Mu’avia shpërtheu terror e masakra në të katër anët, duke bërë diversione në qytetet e zonat e kontrolluara nga Imam Aliu. Për këtë ai nisi Sufian bin Auf Ghamidiun në krye të një detashmenti me gjashtëmijë veta për të sulmuar Haitin, Anbarin e Madain. Në fillim ushtria e tyre arriti në Madain, por e gjeti shkretë, pastaj marshoi për në Anbar. Këtu Imam Aliu kishte vendosur si postroje një trupë prej pesëqind ushtarësh, por ajo nuk mundi ta përballonte ushtrinë e egër të Mu’avies. Vetëm njëqind veta qëndruan në vendet e tyre e luftuan trimërisht e me të gjitha mjetet, pastaj forca armike u riorganizua dhe bëri një sulm aq të furishëm, sa nuk rezistuan dot më. Në këtë betejë u vranë tridhjetë luftëtarë së bashku me komandantin e tyre, Hasan bin Hasan el-Bakriun. Pastaj armiku e plaçkiti qytetin pa asnjë rezistencë dhe e shkatërroi që nga themelet.
Kur e mori vesh lajmin e këtij sulmi, Imam Aliu u ngjit në minber e shpalli xhihad, duke i bërë thirrje popullit të mobilizohej për sprapsjen e armikut. Por nuk iu përgjigj asnjë zë. Atëhere zbriti nga minberi tepër i pikëlluar e me pështirosje të pafund dhe u nis vetë më këmbë drejt armikut. Kur e pa populli, në të u rizgjuan ndjenjat e vetërespektit e të turpit dhe njerëzit iu vunë prapa. Imam Aliu bëri një ndalesë në Nakile. Aty populli e rrethosi e nguli këmbë që të kthehej mbrapsht, sepse mjaft ishin ata për armikun; më në fund lutjet e tyre u bënë të papërmbajtura e ai pranoi të kthehej, kurse marshimin e vazhdoi Sa’id bin Kejsi me një forcë prej tetë mijë vetash.
Po Sufian bin Aufi kishte ikur dhe Sa’idi u kthye mrapsht pa u ndeshur me të. Sipas versionit të Ibn Ebi’l-Hadidit, kur Sa’idi u rikthye në Kufa, Imam Aliu shkoi dhe u ul në Bab-es-Sadah. Aty shkruajti këtë ligjëratë thellësisht i helmuar dhe ia dha skllavit Sa’d që t’ia lexonte popullit, se vet ai nuk ndihej mirë. Kurse Mubarradi përcjell përmes Ibn Aishahut versionin, sipas të cilit Imam Aliu e ka mbajtur këtë ligjëratë në një vend të lartë, në Nakile (el-Kamil, Vol. 1, f. 104-107).
Ibn Mejthemi quan më të pranueshëm këtë version të dytë.