Duket se këtu është fjala për një fjalim të gjatë, mbajtur para betejës së Siffinit. Sejjid Raziu ka mundur të gjejë tre pjesë të shkëputura të tij, ku Imam Aliu i këshillon pasuesit e tij të bëhen gati për t’u mbrojtur, duke u përshkruar me pak fjalë ndryshimet që synon të sjellë Islami në mënyrën e tyre të jetesës dhe në ideologjinë e botëkuptimin e tyre, e duke nxjerrë në pah përpjekjet e pareshtura të të pafeve për ta penguar këtë zhvillim - fillimisht haptazi e më vonë fshehurazi, por gjithmonë pa u lodhur dhe në mënyrë sistematike.
Arabia përpara profetësimit
Zoti e dërgoi Muhammedin si paralajmërim për të gjitha botët e kujdestar të Zbulesës së Tij, në kohën kur ju, o njerëz të Arabisë, ndiqnit fenë më të keqe dhe banonit në mes të bokërimave të serta e gjarpërinjve helmues, kur pinit ujë të ndotur e hanit ushqim të pistë, kur i derdhnit gjakun njëritjetrit dhe s’e respektonit afrinë me njëri-tjetrin. Mes jush ishin ngulur idhujt dhe mëkatet ishin ngjitur fort pas jush. Pjesë e po asaj ligjërate, ku qortohen njerëzit për qëndrimet e tyre pas vdekjes së Profetit të Shenjtë:
Kërkova, e pashë që s’kisha mbështetës tjetër, veç familjes time. Dhe u përmbajta e nuk e flaka në vdekje; i mbajta sytë mbyllur, ndonëse helmi ma zhuriste zemrën; e piva dollinë e fatit, megjithëse më mbeti si shkarpë në fyt; dhe e ruajta gjakftohtësinë, edhe pse fryma më ishte mekur dhe duhej të haja shajtim në vend të ushqimit.
Pjesë e po asaj ligjërate për marrëveshjen midis Mu’avies dhe Amr bin Asit: Ai s’u betua për besnikëri, pa u siguruar se do t’i paguhej çmimi i saj. Iu thaftë dora këtij blerësi e mos paftë hajr! E inshallah dështoftë ky shitës në zotimet e tij! Por tani duhet të rrëmbeni armët e të bëni gati për luftë çdo gjë që nevojitet. Flakët e saj tani janë ndezur e po ngrihen lart e më lart. Vishuni me qëndresë e durojini mundimet, se kjo. (I)
.....................................................
(I) Imam Aliu e ka mbajtur këtë fjalim para se të nisej për në Nehravan. Këtu janë tre pjesë të tij. Në të parën përshkruhet gjendja e Arabisë përpara Shpalljes, në të dytën jepen rrethanat që e detyruan të tërhiqej, e në të tretën flitet për marrëveshjen dhe pazaret midis Mu’avies dhe Amr bin Asit. Historia e arritjes së kësaj marrëveshjeje është e tillë:
Imam Aliu kishte dërguar Xherir bin Abdullah Bexheliun te Mu’avia, për të kërkuar besnikërinë e tij, por ky e vononte me pretekstin se do t’i jepte së shpejti një përgjigje. Ndërkohë nisi të hetonte, deri në ç‘masë ishin të gatshëm sirianët për ta mbështetur. Kur arriti të merrte përkrahjen e tyre duke i nxitur për shpagimin e gjakut të Kalifit të Tretë, u këshillua edhe me të vëllain, Utbe bin Ebu Sufianin. Ky i tha:
“Nëse tërhiqet në bashkëpunim Amr bin Asi, ai ka për të zgjidhur me mençurinë e tij shumë vështirësi; por ai nuk do pranojë lehtë të punojë për forcimin e pushtetit tënd, pa marrë çmimin që do. Po të jesh gati ta paguash atë çmim, do bëhet këshilltari e ndihmësi yt më i mirë”. Mu’avia e pëlqeu këtë mendim, e thirri Amr bin Asin dhe bisedoi me të. Më në fund vendosën që haku i Uthmanit të merrej duke bërë fajtor Imam Aliun për derdhjen e gjakut të tij. Krahas kësaj Amr bin Asi merrte përsipër të mbante lart e të fortë autoritetin e Mu’avies në Siri. Për këto shërbime, ai do të shpërblehej me zotërimin e Egjiptit. Pas kësaj, të dy iu përveshën punës për realizimin e marrëveshjes dhe e mbajtën fjalën që i dhanë njëri-tjetrit.