Imam Aliu kishte marrë herë pas here informacione për zaptimin e qyteteve (I) të tij nga njerëzit e Mu’avies. Kur i erdhën qeveritarët e Jemenit, Ubejdullah ibn Abbasi dhe Sa’id bin Numrani, që Busr bin Ebu Artati i shpartalloi dhe i detyroi t’ua mbathnin këmbëve, Imam Aliu u dëshpërua shumë nga nervozizmi dhe dobësia e njerëzve të tij në xhihad, si dhe nga ndryshimi i qëndrimeve të tyre nga të tijat
Atëhere u ngjit në minber dhe tha:
Vetëm Kufa është, që akoma mund ta mbaj dhe shtoj. O Kufa! Në qoftë kjo vërtet gjendja jote, që prej teje të ngrihen e fryjnë erëra të forta, Zoti të rrënoftë që nga themelet.
Pastaj citoi vargjet e një poeti:
Burr’ i mir’ yt’ at, o Amr: Më dha pak yndyrë, ca ish në fundin e poçes, e ca nga faqet fshirë.
Dhe vazhdoi:
Marr vesh se Busri ka zaptuar Jemenin. Për Allah, këta njerëz do ta gëlltitin shpejt të tërë vendin përmes të padrejtës së tyre, heqjes dorë nga e drejta juaj dhe largimit e mosbindjes ndaj Imamit tuaj në çështjet e së drejtës,
e përmes bindjes së atyre ndaj atij që i drejton në çështjet e së padrejtës, përligjies së besimit të tij, ndërkohë që ju e tradhtuat besimin tim, dhe punës së tyre të mirë, ndërkohë që ju punuat keq. As dhe një poçe druri s’ju lë dot në ngarkim, se druaj se do t’ia vidhnit vegjën!
O Zoti im, ata më neveritin mua, por edhe mua më vjen pështirë prej tyre; ata janë lodhur me mua, por edhe unë jam lodhur prej tyre. Ndryshoi ata me më të mirë për mua, dhe më ndrysho mua me një më të keq për ta. (Kjo lutje e Imam Aliut u përmbush. Shumë shpejt pas vdekjes së tij, këta njerëz u qeverisën për gati një shekull nga sundimtarë që i vranë, çnderuan, plaçkitën dhe kthyen në skllevër. Zijadi, djali i tij Ubejdullahu e Haxhxhaxh bin Ebu Jusufi, që sunduan mbi ta, ishin kamzhikë të Zotit dhe manifestime të ndëshkimit Hyjnor)
O Zoti im, treti zemrat e tyre si kripën në ujë. Për Atë Zot, do doja të kisha vetëm një mijë kalorës nga fisi Firas bin Ghanam, siç thotë edhe poeti:
Çoju kalorësve lajm, dhe ke për t’i parë,
si do të vinë fluturimthi, si retë në behar.
Pas kësaj Imam Aliu zbriti nga minberi.
Sejjid Raziu thotë që fjala ‘armiah’ në këtë vjershë është shumësi i ’rami’, që do të thotë ‘ré’, kurse ‘hamim’ do të thotë ‘verë’, në këtë rast. Poeti përqas me renë e beharit, sepse ajo lëviz shpejt, ngaqë e ka zbrazur ujin, ndërsa reja e ngarkuar me shi lëviz më ngadalë. Ré të tilla shfaqen më shpesh gjatë dimrit. Me këto vargje poeti do të tregojë zellin e kalorësve që vijnë me shpejtësi, sapo u bëhet thirrje e u kërkohet ndihmë. Kjo pasqyrohet në fjalët ‘tek vijnë fluturimthi po t’u çoni lajm’.
.........................................................
(I) Pas arbitrimit, pozicioni i Mu’avies u stabilizua dhe ai filloi të mendonte për të zgjeruar zotërimet e tij duke pushtuar qytetet e Imam Aliut. Për këtë qëllim dërgoi ushtri në zona të ndryshme për t’i detyruar me forcë banorët e tyre që të pranonin sundimin e tij. Në këtë kuadër, nisi në Hixhaz Busr bin Artatin që derdhi gjakun e mijëra njerëzve të pafajshëm që nga Hixhazi deri në Jemen, dogji të gjallë në zjarr shumë fise njërin pas tjetrit dhe vrau deri edhe fëmijët, siç ishte rasti i djemve të vegjël të Ybejdullah bin Abbasit, governatorit të Jemenit, të cilët u vranë përpara syve të së ëmës, Hurie binte Khalidit. Kur mësoi lajmin për barbaritë e gjakderdhjen e shkaktuar nga Busri, Imam Aliu vendosi të dërgonte një ushtri për shkatërrimin e tij; por populli ndihej i rraskapitur nga
luftërat e paprera e dëshmoi mungesë zelli, në vend që të shfaqte entuziazëm. Imam Aliu e kuptoi që njerëzit donin t’i bënin bisht luftës dhe mbajti këtë ligjëratë, duke përshkruar përpara tyre mizoritë e armikut e burracakërinë e tyre, duke i nxitur për xhihad dhe duke lartësuar gjendjen e tyre shpirtërore dhe respektin e tyre për vetveten. Më në fund, thirrjes së tij iu përgjigj Xharia bin Kudeme, që mblodhi një ushtri prej dy mijë vetash e u vu në ndjekje të Busrit, derisa e dëboi nga territoret e Imam Aliut.