Ligjërata 23

 

Në këtë ligjëratë Imam Aliu këshillon të varfrin të mos ia ketë zilinë të pasurve dhe këshillon të pasurin të përkrahë e ndihmojë të varfrit.

 

Për të shmangur zilinë e për t’u sjellur mirë me farefisin

 

Urdhrat Hyjnore zbresin nga qielli mbi dhé si pikat e shiut e i sjellin gjithsecilit ç’i është caktuar, qoftë ajo me bollëk apo pak. Po nëse vëllai ka bollëk në pasuri e pasardhës, kjo s’duhet të mundojë njeri. Sa kohë që muslimani s’bën vepra që trimërojnë njerëzit e ulët e që e bëjnë t’i uli sytë (I turpëruar) , kur i zbulohen, është si ai bastexhiu që shpreson ta arrijë fitoren qysh në tendosjen e parë të harkut, duke mbuluar kështu edhe humbjet e pësuara më parë. Muslimani që s’u është futur punëve të mbrapshta, pret vetëm njërën nga dy gjërat e mira:

 

Ose thirrjen nga Zoti - e çdo gjë që është me Zotin, është më e mira gjë për të; ose mjetet e tij të jetesës. Tashmë ai i ka fëmijët e pasurinë dhe gëzon besim e respekt. Por pasuria e fëmija janë të korra të kësaj bote, kurse frytet e botës tjetër t’i jep vetëm virtyti. Ndodh që Zoti ua jep disave të gjitha këto gjëra bashkë.

 

Ruhuni nga Zoti, për shkak të asaj që ju tha t’i shmangeshit, dhe kijani frikën, përndryshe s’do t’ju vlejnë shfajësimet. Veproni pa dashur të bini në sy e t’ju dëgjohet zëri. (Mos veproni me hipokrizi, për sy e faqe të botës, për shfaqje, për hatër të dikujt tjetri, apo që veprën tuaj ta shohë a dëgjojë dikush tjetër.)

Kur dikush vepron për hir të dikujt tjetri, Zoti ia llogarit tjetrit të gjithë këtë veprim të tijin. Ne i kërkojmë Zotit të na japë vendin e dëshmorit, shoqërinë e të virtytshmëve dhe miqësinë e profetëve.

 

O njerëz! Asnjë, qoftë edhe i pasur, s’mund të bëjë pa të afërmit e vet dhe pa përkrahjen e duarve e gjuhëve të tyre. Vetëm ata janë mbështetja pas shpinës së tij e mund t’i largojnë hallet prej tij, vetëm ata i gjenden kur i bien telashe mbi kokë. Kujtimi i mirë i njeriut, që Zoti mban gjallë tek të tjerët, vlen më shumë se pasuria që ai ka lënë për të tjerët.

 

Në po atë ligjëratë:

 

Hapni sytë! Nëse dikush prej jush shikon të afërmin në mjerim e në nevojë, nuk duhet t’ia kursejë ndihmën, por t’i japë nga ajo që nuk ka për t’u shtuar, po të mos japë, e që s’bëhet aspak më pak, nëse jep. Kush heq dorë nga mbështetja e njeriut të tij, heq vetëm një dorë; po kur të jetë vet ai në nevojë, do t’ia mohojnë shumë duar dhënien e mbështetjes. Vetëm me sjellje të mirë e të ëmbël mund të fitohet dashuria e përhershme e të afërmve.

 

Sejjid Raziu thotë:

Në këtë ligjëratë ‘gafira’ ka kuptimin ‘bollëk, tepri’, dhe kjo lidhet me thënien Arabe ’xhemul gafir’ ose ’xhema-ul gafir’, që do të thotë ‘dendësi gjërash’. Në disa versione, në vend të ’gafira’ përdoret ‘afvata’. ‘Afva’ do të thotë ‘gjëja e mirë’ ose ‘pjesa e zgjedhur e diçkaje’. Thuhet ‘akaltu afva-tat-taa’m’ për të kuptuar ‘hëngra një gjellë të zgjedhur’. Prijësi i Besimtarëve shpalos bukur, gjithashtu, kuptimin e shprehjes ‘man jekbedu-jedehu en-ashiretehi’, që shfaqet aty nga fundi: Sipas saj, kush s’i gjendet farefisit, largon prej tij vetëm duart e tij; po kur është vetë në nevojë për ndihmën e tyre dhe pret simpatinë e përkrahjen e tyre, ai meriton, pa dyshim, që të mbetet pa mbështetjen e ndihmën e shumë duarve, që do mund të shtriheshin drejt tij, e të shumë hapave, që do mund të hidheshin drejt tij. (Për t’i ardhur në ndihmë)