Ligjërata 22

 

Kur u lajmërua për shkeljen e betimit të besnikërisë Kini mendjen! Shejtani ka hedhur në veprim veglat e tij, ka mbledhur ushtrinë e tij e bën çdo gjë që e keqja të arrijë qëllimet e saj të mbrapshta dhe e mira të kthehet në vendin që ka pasur. Për Allah, ata s’më hedhin faje të qena dhe s’bëjnë drejtësi midis meje e vetes së tyre.

 

Një kritikë e veprimeve të tyre:

 

Ata më kërkojnë një të drejtë që e kanë braktisur vet, dhe një gjak që e kanë derdhur (I) vet. Po të kisha qenë shok me ta në këtë ngjarje, do kishin pasur pjesë në të edhe ata. Por ata e bënë pa mua, andaj le t’i vuajnë vetëm pasojat. Argumenti i tyre më i rëndësishëm kundër meje është, në fakt, kundër vetë atyre. Ata po mëkohen nga një mëmë, gjoksi i së cilës ka shterur tashmë.

 

 Ata po ringjallin risi që janë vyshkur tashmë. Sa zhgënjyes ky sfidant, (Që më fton në betejë.) që nuk dihet kush është e ç‘gjëje i përgjigjet. Jam i lumtur që u shter në sy të tyre arsyeja e Zotit dhe që Ai di çdo gjë për ta.

 

Kërcënimi për të shpërthyer luftë kundër tyre:

 

Nëse ata refuzojnë, (Të binden) unë do t’u tregoj tehun e shpatës sime, që di mirë e mjafton për të kuruar të shtrembrën e për t’iu bërë krah së Drejtës. Veç më habit një gjë: Më sjellin fjalë të shkoj te ata të ndeshem me heshta dhe të bëhem gati për t’u therur me shpata. Vajtojcat qafshin mbi koka të tyre! Nuk kam patur asnjëherë frikë nga asnjë lloj luftimi, sepse nuk ka ndeshje që të më vërë në rrezik. Zoti më ka dhënë siguri të plotë në besim dhe unë nuk kam dyshuar kurrë në të.

 

.................................

 

(I) Kur u akuzua për vrasjen e Kalifit të Tretë, Imam Aliu mbajti këtë fjalim, me të cilin i hidhte poshtë këto shpifje. Ai thotë lidhur me ata që e fajësonin: Këta kërkues të hakmarrjes s’mund të thonë që vrasësi jam unë dhe që të tjerët janë të pafaj; dhe as mund të falsifikojnë ngjarjet e dëshmuara, për të thënë që nuk kanë gisht në to. Pse, atëhere, më veçojnë si më kryesorin për këtë gjakmarrje? Do duhej që me mua të bashkonin dhe vetveten. Po nëse unë dal i larë nga ky fajësim, ata nuk do mund të lahen kurrsesi.

E si mund ta shpëtojnë veten nga ky ndëshkim? E vërteta e kësaj pune qëndron ndryshe. Duke m’a hedhur mua këtë faj, ata përpiqen që unë të sillem me ta në të njëjtën mënyrë, me të cilën janë mësuar tashmë. Po më kot presin nga unë që të ringjall reformat e regjimeve të mëparshme. Sa për luftën, s’kam patur frikë ndonjëherë e as tani nuk kam. Zoti m’a di qëllimin dhe di, gjithashtu, që ata që janë ngritur nën pretekstin e hakmarrjes, janë vetë vrasësit e tij.

 

Historia dëshmon se njerëzit që organizuan trazirat që shpunë në vrasjen e Uthmanit dhe penguan edhe varrimin e tij në varrezën e muslimanëve, duke hedhur gurë mbi arkivolin e tij, ishin po ata, që u ngritën për t’i marrë gjakun. Në krye të listës së tyre janë emrat e Talha bin Ubeidullahut, Zubeir bin Ewamit dhe Umm ul-Mu’minin, që u treguan tepër energjikë në të dy rastet. Lidhur me këtë, Ibn Ebi’l-Hadidi shkruan: Ata që shkruan për historinë e vrasjes së Uthmanit, pohojnë se ditën e vrasjes së tij Talhai e kishte mbuluar fytyrën me një vel, që ta fshihte nga sytë e njerëzve; e ashtu i maskuar, lëshonte shigjeta drejt shtëpisë së Uthmanit. Lidhur me pikëpamjet e Zubeirit për këtë çështje, ai shkruan:

Historianët pohojnë se Zubeiri thoshte shpesh: “Vriteni Uthmanin se e ka ndryshuar besimin tuaj”. Njerëzit i thoshin: “Po djali yt, që i rri roje tek dera?” Ai u përgjigjej: “Uthmani duhet vrarë dhe sikur të humbet djali im. Nesër Uthmani duhet të shtrihet kufomë në Sirat”. (Sherh Nehxhul Belaga nga Ebi’l-Hadid, Vol. 9, f. 35-36).

 

Ibn Abd Rabbih shkruan për Umm ul-Mu’minin: Mughire bin Shube erdhi te Aisheja e ajo i tha: “O Ebu Abdullah, unë kisha dashur të ishe me mua Ditën e Xhemelit; të shihje se si shigjetat shponin tendën time, bile njëra më goditi edhe në trup”. Mughire i tha: “Sa do kisha dashur të të kishte vrarë ndonjë prej tyre!” Ajo u hodh: “Zoti të ndjeftë! Pse kështu?” Dhe ai u përgjigj: “Që ta shlyeje disi atë që ke bërë kundër Uthmanit”. (el-Ikd ul-Ferid, Vol. 4, f. 294)