Ligjërata 2

 

 

Mbajtur pasi u kthye nga Siffini 

(Në këtë ligjëratë Imam Aliu përshkruan gjendjen e Arabëve në periudhën paraislame dhe kushtet e këqija ku kishte rënë përsëri shoqëria Islamike.)

 

Arabia përpara profetësimit

 

Lëvdoj Zotin dhe i lutem për ardhjen e Bekimeve të Tij, i përgjunjur para Madhështisë së Tij e duke iu përgjëruar të më përmbajë nga mëkatimi ndaj Tij. I falem Mjaftueshmërisë së Tij, që mund t’i dalë në mbrojtje gjithkujt në nevojë. Ai që mbrohet nga Ai, s’e humbet rrugën kurrë; ai, që armiqësohet me Atë, nuk gjen gjëkundi mbrojtje prej Tij; dhe ai, që mbështetet prej Tij, nuk mbetet në vështirësi për asnjë moment. Lavdërimi i Tij është gjëja që rëndon më shumë nga gjithçka tjetër me peshë peshon, është gjëja që vlen më shumë nga gjithçka tjetër me vlerë. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër, përveç Zotit, të Vetmit, të Cilit nuk i ngjan askush. Provë e dëshmisë sime është sinqeriteti i saj dhe thelbi i saj është besimi ynë. Atij do t’i mbahemi përjetë, sa të kemi frymë, e do t’i rrimë në rojë duke përballuar mjerimet që na bien, se ai është gëzim për Zotin, gur’ themeli për Fenë, hap i parë drejt punëve të mira dhe mjeti që e mban larg Shejtanin .

 

E po ashtu, dëshmoj se Muhammedi është shërbëtori i Tij dhe Profeti i Tij. Zoti e dërgoi atë me fenë e ndritur të Tij - Librin e shkruar (Kur’ani)  si simbol të së vërtetës, dritën rrezëlluese e shkëlqimin verbues, si dhe me udhëzime përfundimtare për të davaritur dyshimet, për të dhënë prova të qarta, për të kumtuar qortime me anë të shenjave dhe për të paralajmëruar se vjen një shpagim. Atë kohë njerëzit ishin kredhur në vese që brenin e grinin themelet e fesë, shtyllat e besimit ishin lëkundur, parimet ishin përdhosur, sistemi ndodhej zhytur në kaos, dyert ishin ngushtuar, mugu kishte rënë mbi shtigje, mjegulla e pengonte orientimin dhe terri kishte plakosur mbi çdo gjë. Sot është kthyer prapë e njëjta gjendje e mëparshme. Zotit nuk i jepet më bindje, Besimi është flakur tej dhe i shërbehet vetëm Djallit. Këto i kanë rrënuar e rrëzuar përdhé shtyllat e fesë, gjurmët e saj nuk dallohen më dot, shtigjet e saj kanë mbetur shkretë dhe rrugët e saj nuk janë më të sigurta.

 

Njerëzit i shkojnë pas Shejtanit, ecin nën hijen e tij, e shuajnë etjen në burimet e tij dhe flatërojnë në erë simbolet e tij. Veset e tij i kanë vënë përfund, i kanë kërrusur shpinat e tyre, kanë ngulur flamurin e tij mbi to e tashmë janë ngritur dhe mbi majat e gishtave Njerëzit e zhytur në to ndihen të hutuar, të tronditur, të paditur e të tunduar, si ndihet shtëpia e mirë në mes të fqinjëve të këqij. Kanë pagjumësi në sy, në vend të gjumit, e lotët që u bien syresh, flasin për humbjet që korrën. Tani janë banorë të një vendi, ku të diturit i kanë vënë mëgojzën dhe injoranti drejton dhe lëvdohet.

 

Më poshtë flitet për Ehli Beitin:

 

Ata janë rojet e sekreteve të Tij, streha e punëve të Tij, burimi i dijeve rreth Tij, qendra e urtësisë së Tij, siguria e zbulesës së Tij, kështjellat e fesë së Tij. Zoti drejtoi përmes tyre shpinën e kërrusur të fesë dhe u dha siguri gjymtyrëve të saj.

 

Në këtë Ligjëratë Imam Aliu foli dhe për njerëz të tjerë  :

Ata mbollën vese, i ujitën me vanitet e mashtrime e korrën shkatërrim dhe zhgënjim të vetvetes.

 

Përsëri për Ehli Beitin: Askush nga bashkësia Islame s’mund të ketë vlerat e pasardhësve (I) të Profetit , sepse s’mund të barazohen me ‘ta ata që u kanë borxh.Kush ka shkuar më përpara, duhet të kthehet mbrapsht, e kush ka mbetur më pas, të nxitojë hapat për t’i arrirë. Ata i kanë të gjitha cilësitë që u duhen mëkëmbësve. Për ta flet vullneti dhe vazhdimësia. 

Është koha kur e drejta rikthehet tek i zoti e tek qendra që e caktoi Vet Zoti.