Imam Aliu thotë lidhur me nënvlerësimin e dallimeve midis pikëpamjeve të teologëve:
Kur (I) i del dikujt prej tyre një problem, merr vendim mbi bazën e imagjinatës së vet. Por kur po ky problem i shtrohet një tjetri, ky merr vendim krejt të kundërt. Pastaj të dy këta gjykatës i shkojnë të parit të tyre, atij që i caktoi në atë post, e ky i pranon të dy vendimet, ndonëse Zoti i tyre është Një dhe i Njëjtë për të dy, Profeti i tyre është një dhe i njëjtë për të dy, dhe Libri i tyre është një dhe i njëjtë për të dy.
Mos vallë Zoti ka udhëzuar vërtet të kenë mendime të ndryshme e ata vetëm sa i binden? Apo vallë i ndaloi këto veprime, dhe ata nuk iu bindën? Apo vallë zbriti një fé të paplotë dhe u lut që ta ndihmonin, për ta bërë të plotë? Apo vallë janë partnerë në punët e Tij dhe kanë të drejtë të diktojnë gjëra që Ai duhet t’i pranojë, do apo s’do? Apo mos vallë Zoti i Madh e dërgoi fenë të përsosur, por Profeti nuk diti ta përçonte e ta shpinte nëpër njerëz? Kur dihet që Zoti i Madhëruar ka thënë,
“Ne s’kemi lënë asnjë gjë pas dore në Libër (Kur’an).”
(Kur’ani, 6:38).
e kur thotë, gjithashtu, që njëra pjesë e Kur’anit dëshmon pjesën tjetër të tij e që në të nuk ka kundërshti, sepse “Po të kishte qenë nga tjetërkush e jo nga Zoti, në të do kishte plot kundërshtira.” (Kur’ani, 4:82)
S’ka dyshim që ana e jashtme e Kur’anit është e mrekullueshme e brendësia e tij është e thellë.Mrekullitë e tij s’humbasin kurrë, çuditë e tij nuk zhduken kurrë dhe gjërat e tij të koklavitura nuk shpjegohen, përveçse përmes vetë atij.
.......................................................
(I) Ka shumë diskutime për problemin nëse ekziston apo nuk ekziston, në të vërtetë, ndonjë porosi e posaçme lidhur me një çështje të dhënë, për të cilën ligji fetar nuk jep argumente të qarta. Ebu’l-Hasan Esh’ariu dhe mësuesi i tij, Ebu Ali Xhijai, janë të mendimit që Zoti nuk ka urdhëruar për raste të tilla ndonjë ecuri të veçantë të veprimit. Sipas tyre, Ai ua ka caktuar teologëve detyrën e gjetjes së saj e marrjen e vendimit përkatës; pra, konsiderohet si e ndaluar gjithçka që ata e mbajnë për të ndaluar, dhe mbahet si e lejuar gjithçka që ata e konsiderojnë për të lejuar.
Dhe kur njëri ka një pikëpamje e tjetri një tjetër, atëhere le të ketë vendime aq sa ka dhe pikëpamje. Po kjo do të thotë se secila nga këto pikëpamje do mund të pranohej si rregull i mirëfilltë. Pra, nëse një jurist vendos që të ndalohet majaja e elbit, kurse një tjetër vendos të lejohet, të dyja këto vendime do të ishin korrekte, sipas arsyetimit të mësipërm: Edhe lejimi, edhe ndalimi i përdorimit të saj. Për pasojë, përdorimi i saj do duhej ndaluar, po të pyetej ai që mendon se ky përdorim duhet ndaluar, dhe do duhej lejuar, po të pyetej ai që mendon se duhet lejuar.
Lidhur me këtë doktrinë të drejtësisë së një vendimi juridik, Shehristaniu shkruan: Një grup teoricienësh mendojnë se në çështjet ku zbatohet Ixhtihadi, nuk ka gjë të vendosur për lejimin apo moslejimin dhe, lidhur me to, edhe për të lejuarën e të ndaluarën; pra, çdo gjë që vendos muxhtehidi rezulton e ligjshme dhe në pajtim me porositë e Zotit, që do të thotë se fjala dhe gjykimi i Tij varen nga vendimi i një muxhtehidi. Po të ishte kështu, s’do duhej të kishte më vendime. Sipas kësaj teorie, do duhej që të gjithë muxhtehidët të ishin të pagabueshëm në mendimet e tyre. (el-Milel we’n-Nihel, f. 98).
Në këtë rast pranohet sikur muxhtehidi qëndron mbi gabimet, po të gjykojmë që gabimi ndodh pikërisht aty ku hidhen hapa në kundërshtim me realitetin; kjo do të thotë që nuk ka më kuptim të flitet për gabim aty ku vendimit i mungon fare realiteti. Nga ana tjetër, mund të mendohet se muxhtehidi qëndron përmbi gabimet vetëm në rast se pranohet se Zoti i di të gjitha idetë që mund t’i shkojnë në mendje njeriut dhe se ka marrë për secilën prej tyre një vendim përfundimtar. Kjo do kërkonte ose që çdo ideje t’i vihej përkrah një vendim, ose që Zoti të sigurohej se vendimet që marrin muxhtehidët nuk i tejkalojnë urdhëresat e Tij, ose që idetë e çdonjërit prej tyre i korrespondojnë rastësisht njërit apo tjetrit vendim të paracaktuar.
Kurse shkolla (Në arabisht, medhheb.) imamî ka një teori tjetër, dhe pikërisht: Zoti s’ia njeh askujt të drejtën të nxjerrë ligje, as ia ka besuar ndonjë çështje opinionit të muxhtehidit, e as ka caktuar qysh më parë urdhëresa të shumta praktike për rastet e diskutueshme. Është e qartë se, në qoftë se muxhtehidi nuk do mund të arrinte në një vendim real, atëhere atij dhe pasuesve të tij do t’u mjaftonte për të vepruar çfarëdo lloj ideje, që do mund të përftohej nga hetimi dhe shoshitja e fakteve. Vendimet e këtij lloji janë aparente, që do të thotë se merren në vend të një vendimi të vërtetë.
Në këtë rast muxhtehidi ndihet i shfajësuar, dhe kjo për faktin se s’ka një urdhëresë të vërtetë. Ai mendon se bëri gjithë ç‘mundej për t’u zhytur në oqeanin e thellë e për të hetuar fundin e tij e se s’ishte faji i tij që mundi të mblidhte vetëm guaska të zakonshme deti, në vend të perlave. Por të paktën ai s’thotë që të tjerët duhet t’i marrin guaskat e tij si perla, apo që t’i shesin si perla. Është tjetër çështje fakti që Zoti, që ia sheh përpjekjet, mund t’i bëjë ulje në çmim, që përpjekja të mos i shkojë kot e të mos lëndohet në zellin e tij.
Në se do të ndiqej teoria e korrektësisë, atëhere do duhej pranuar si korrekt çdo opinion e çdo verdikt mbi ligjin, siç vë në dukje edhe Maibazi në ‘Fataweh’: Lidhur me këtë problem është e drejtë pikëpamja që shpreh el-Esh’ariu. Prej saj rezulton se opinionet që dallojnë nga njëri-tjetri duhet të jenë të gjitha të rregullta. Pra, kini mendjen! Mos ushqeni mendime të liga për teologët e mos e hapni gojën për t’i sharë.
Po, nëse teoritë kontradiktore e pikëpamjet e kundërta pranohen si korrekte e nuk paska fare shans që vendimet e një muxhtehidi të zakonshëm të jenë të gabuara, pse u dashkan parë si gabime në vendimmarrje veprimet e disa individëve të shquar? Në qoftë se teoria e korrektësisë do të ishte e drejtë, do duheshin parë si të drejta edhe veprimet e Mu’avies e të Aishes; e nëse, megjithatë, veprimet e tyre gjykohen si të gabuara, atëhere do duhej të pranonim që dhe Ixhtihadi mund të futet në rrugë të gabuar, e kjo do çonte në rrëzimin e teorisë së korrektësisë.
Atëhere do duhej që vendimi të analizohej në bazë të kontekstit të ngjarjes, duke gjykuar nëse faktori që nuk e pengoi Aishen të ndërmerrte këtë akt ishte feminiliteti i saj, dhelpëritë e Mu’avies, apo tjetër gjë. Në fakt, teoria e ko-rrektësisë është hedhur për të maskuar shkeljet që duhen bërë për arritjen e synimeve të caktuara, duke i veshur me fjalët e Zotit si një lejekalim drejt tyre e si një argument që u mbyll gojën tërë atyre që do mund të flisnin kundër veprimeve të padrejta.
Në këtë ligjëratë Imam Aliu flet për ata që shmangen nga udha e Zotit e enden në terrin e fantazisë duke mbyllur sytë para dritës, për ata që e bëjnë Besimin fli të pikëpamjeve dhe opinioneve të tyre dhe nxjerrin rregulla të reja e marrin vendime prej vet mendjes së tyre, duke prodhuar efekte që kundërshtojnë njëri-tjetrin e duke u strukur nën strehën e teorisë së korrektësisë; ndërkohë, i shesin vendimet e tyre kontradiktore dhe opozitare sikur vijnë nga vetë Zoti, sikur secili nga ata përfaqëson Zbulesën Hyjnore e sikur asnjë prej tyre nuk mund të jetë i padrejtë apo të gabojë në ndonjë rast. Duke mos e miratuar këtë pikëpamje, Imam Aliu thotë:
1. Përderisa Zoti është Një, Libri është një dhe Profeti është një, del se dhe feja që praktikohet duhet të jetë një. Dhe meqë feja është një, si mund të mbajë qëndrime kontradiktore për të njëjtën çështje? Sepse është e qartë që vendimet kontradiktore merren vetëm nëse autorët e tyre harrojnë urdhëresat fetare, janë të shpërqendruar, janë çmendur e budallallepsur, ose duan vet që të futen në qorrsokak, ndërkohë që Zoti e Profeti qëndrojnë mbi të gjitha mangësitë e nuk mund të mbartin kundërshti të tilla. Në fakt, këto kundërshti janë fryt i fantazive e pikëpamjeve të njerëzve që kanë prirje t’i shtrembërojnë orientimet e fesë me produktet e imagjinatës së tyre.
2. Zoti ose duhet t’i ketë ndaluar këto kundërshti, ose të ketë urdhëruar krijimin e tyre. Po, nëse ka urdhëruar ekzistencën e tyre, ku është urdhri përkatës e në ç‘vend është shkruar? Sepse për ndalimin Kur’ani thotë: “Thuaj: ‘Ju ka lejuar Zoti, apo po thurni gënjeshtra kundër Zotit?”’ (Kur’ani, 10:59). Kjo do të thotë se ajo që nuk pajtohet me urdhrin Hyjnor, është trillim. Por trillimi është i ndaluar e i jashtëligjshëm. Në botën tjetër s’ka sukses, as arritje, as lulëzim e as të mirë për ata që trillojnë. Kështu Zoti thotë: “Dhe mos flisni gënjeshtra me gojën tuaj kur thoni, kjo lejohet e ajo ndalohet, për të mashtruar kundër Zotit; kush thur mashtrime kundër Zotit, nuk ka sukses.” (Kur’ani, 16:116).
3. Nëse Zoti e ka lënë fenë të paplotësuar dhe shkaku për lënien e saj gjysmake ka qenë fakti se Ai s’mund të bënte pa ndihmën e njerëzve për plotësimin e saj, duke pranuar, në këtë mënyrë, të ndajë me ta funksionin ligjvënës, kjo pikëpamje nuk të çon tjetërkund, përveçse në politeizëm. Po, nëse Ai e zbriti besimin të plotë, del se ka qenë Profeti që ka dështuar në transmetimin e tij, përderisa paska lënë boshllëqe që duhet t’i mbushin të tjerët me fantazinë e imagjinatën e tyre. Kjo do të ishte një dëshmi e dobësisë së Profetit e dyshim i rëndë mbi aftësitë e Zotit për të zgjedhur. Zoti na ruajtë nga një dyshim i këtillë!
4. Në Kur’an Zoti thotë se nuk ka lënë gjë jashtë Librit dhe se ka qartësuar çdo gjë për çdo problem. Për pasojë çdo vendim i marrë në konflikt me Kur’anin del jashtë kodit fetar dhe nuk mbështetet mbi dijen e njohjen, apo mbi Kur’anin e Sunnetin; ai është vetëm opinion e gjykim personal e s’mund të mendohet se është në pajtim me fenë apo besimin.
5. Kur’ani është bazë e themel i fesë, si dhe burimi më i parë i ligjeve të Sheri’atit. Nëse ligjet e Sheri’atit do ishin kontradiktore, ky fakt do provonte kontradiksionin e tij, dhe nëse në të do të kishte kontradikta, ai s’do mund të ishte më Fjalë e Zotit. Po, derisa ai është Fjala Hyjnore, ligjet e Sheri’atit nuk mund të jenë kontradiktore, e kjo do të thotë se qëndrimet e kundërta e të ndryshme nuk mund të pranohen si korrekte, as vendimet fantaziste nuk mund të shikohen sikur burojnë prej porosive Kur’anore.