Për ata që janë për drejtësi midis njerëzve, por që s’janë të përshtatshëm për bërjen e saj
Ndër (I) gjithë njerëzit, dy janë më të urryer përpara Zotit: Njëri është ai që i përkushtohet vetvetes, duke i përdorur liritë e mundësitë që i jepen për qëllime të mbrapshta. Ky njeri largohet nga rruga e drejtë dhe pëlqen të flasë për risira, duke bërë thirrje për në udhë të gabuar. S’ka dyshim që ai është mallkimi i adhuruesve të tij, shmangësi i udhërrëfimit të prijësve para tij, futësi në udhë të gabuar i atyre që e pasojnë në të gjallë e pas vdekjes së tij, mbartësi i mëkateve të të tjerëve dhe preja e grackës së prapësive të tij.
Tjetri është ai që zgjedh paditurinë.Këtij i pëlqen të rrijë midis injorantëve, është i pandjeshëm ndaj punëve të liga e djallëzore, jepet pas intrigave dhe krijimit të grindjeve e përçarjeve midis njerëzve e nuk i vlerëson të mirat e bekimet e paqes. Këtë njeri e quajnë të mësuar ata që i përngjajnë, po ai s’është as i mësuar, as i urtë. Ai del herët nga shtëpia për të mbledhur gjëra që është mirë të jenë pak e keq kur bëhen shumë, dhe rri sa shuan etjen me ujë të ndotur e mbledh gjëra pa kuptim; pastaj ngulet mes njerëzve, sikur të ishte gjykatës i mbaruar, i aftë për të thjeshtësuar gjithçka të ngatërruar për të tjerët.
Dhe nëse i vihet përpara ndonjë problem i vështirë, përpiqet ta trajtojë me argumente të padrejta, të pandershme e që nuk kanë të bëjnë fare me çështjen. Në këtë rrugë, ai ngatërrohet keq në mugëtirën e dyshimeve si në një rrjetë merimange, pa e ditur nëse ishte në udhë të mbarë apo të gabuar. Në qoftë se është në rregull, ka frikë mos ka gabuar, dhe kur është gabuar, shpreson se është në të drejtë.
I paditur e i keqinformuar, ai sorollatet sa andej këtej në qorrsokak e padije. Ai s’përpiqet të gjejë realitetin e dijes e i flak hadithet me mosbesim, siç flak era gjethet e thara. Për Atë Zot, ky njeri nuk është i aftë të zgjidhë çështjet që i dalin, as i duhuri për pozitën që i besohet. Ai e shikon si të padenjë për t’u njohur gjithçka që nuk e njeh. Ai s’e kupton që ajo që është përtej fuqive të tij, është brenda mundësive të të tjerëve. Në qoftë se për të s’është e qartë diçka, hesht, i vetëdijshëm për padijen e tij.
Jetët që çon në humbje klithin kundër vendimeve të tij të padrejta, e të drejtat që ai heq duarsh padrejtësisht, murmurijnë kundër tij. Unë i qahem Zotit për këta njerëz, që jetojnë të paditur e vdesin të çoroditur. Për ata nuk ka asgjë më të pavlerë se Kur’ani, kur recitohet siç duhet recituar, dhe asgjë më me vlerë se Kur’ani, kur vargjet e tij përçudnohen; për ta nuk ka asgjë më perverse sesa virtyti dhe asgjë më të virtytshme sesa vesi.
.............................................
(I) Imam Aliu shikon midis njerëzve si më të urryer e të këqij për Zotin dy lloj personash. Së pari janë ata që janë orientuar gabim edhe në principet më themelore e që tregohen tepër aktivë në përhapjen e së keqes. Së dyti, janë ata që e braktisin Kur’anin e Sunnetin dhe japin vendime duke u mbështetur vetëm në imagjinatën e tyre. Ata krijojnë përqark vetes një rreth ithtarësh dhe përhapin kode të ligjeve, që i kanë sajuar vetë ata.
Çoroditja dhe imoraliteti i personave të tillë nuk kufizohen vetëm tek këta njerëz. Fara e çoroditjes që mbjellin ata, mbart fryte e rritet në formën e një peme të lartë, që jep strehë e hije për të gabuarit dhe ndihmon në shtimin e numrit të tyre. Pikërisht këta njerëz janë fajtorët e vërtetë, prandaj dhe pesha e mëkateve të të tjerëve do rëndojë mbi shpatullat e tyre, ashtu siç e thotë edhe Kur’ani: “Dhe s’ka dyshim që ata do mbajnë barrët e tyre dhe barrët e të tjerëve së bashku me të tyret.”